Janë të pakët ato biznese shqiptare të cilat nuk e kuptojnë vlerën e reklamës (marketingut) për ecurinë e punës dhe rritjes së biznesit. Por shumica mbase hezitojnë të bëjnë reklamë të vazhdueshme pasi shpenzimet apo investimi për llojet e ndryshme të promovimit të biznesit është relativisht i lartë ose jo lehtësisht i përballueshëm për çdo biznes.
Kosto e reklamës (marketingut) është e lartë për çdo biznes, sa do i suksesshëm ose jo të jetë ai. Por vlera e vërtetë e kostos së reklamës varet nga kthimi që reklama juaj gjeneron (p.sh. ROI), pra numri/volumi i shitjeve dhe të ardhurave për biznesit përkatës.
Pse marketing me email?
Synimi i këtij shkrimi nuk është që të futet shumë në diskutimin e mënyrave pa fund të reklamimit të biznesit tuaj, as avantazhet krahasuese të të gjitha këtyre mënyrave të promovimit të produkteve dhe shërbimeve që ju ofroni. Synimi është thjeshtësisht t’ju prezantojë me atë që quhet marketing me email. Aktualisht, kjo formë marketingu (reklame) njihet dhe pranohet si një nga format e reklamimit me koston më të ulët për klient!
Konkretisht, për të bërë këtë lloj marketingu gjithçka që ju duhet është:
- një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë,
- një adresë e rregullt email-i (idealisht adresa e biznesit tuaj, jo ajo personalja) dhe
- vullneti për të mësuar se si t’ia servirni sa më mirë informacionin e duhur abonentëve tuaj.
Ndonëse, sapo ta lexojnë këtë listë të shkurtër, disa prej jush do kërceni pupthi duke thënë që jo është edhe kjo apo ajo gjë tjetër që ju duhet, por siç e përmenda pak më sipër. Synimi është të bëjmë një prezantim të thjeshtë të asaj që shumëkush e njeh si promovim/reklamë me email (email marketing).
Çfarë është marketingu me email?
Marketingu me email hyn në kategorinë e marketingut direkt, që nënkupton kontaktin e drejt-për-drejtë me klientët tuaj ekzistues apo potencialë. Ky lloj kontakti me ta kryhet nëpërmjet email-it dhe nënkupton që ju nuk do t’i bezdisni ata me mesazhe promocionale pa fund ose mesazhe që për ta janë thjesht të bezdisshëm.
Ndonëse ju vetë jeni plotësisht i bindur për vlerat dhe cilësinë e produkteve apo shërbimit që ofroni, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë apo lehtësisht e kuptueshme nga ata që marrin mesazhet tuaja (reklamë) me email.
Prandaj kur dërgoni mesazhe promocionale me email duhet të keni parasysh nevojat dhe dëshirat e abonentëve tuaj për këto lloj mesazhesh.
Si të krijoni një listë kontaktesh (abonentësh)?
Nëse ju keni një adresë email-i, atëherë detyrimisht ju keni sakaq kontakte me të cilët komunikoni me email. Këto kontakte mund të jenë miqtë tuaj por gjithashtu edhe klientë ekzistues të biznesit tuaj. Duke qenë se lista me kontakte duhet të jetë në funksion të biznesit, atëherë synimi është të krijojmë një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë.
Ju mund t’i mblidhni adresat e klientëve tuaj në shumë mënyra përfshi:
- duke i mbledhur nga kontaktet ekzistuese që keni me ta;
- duke nxjerrë një letër ku klientët mund të shënojnë adresat e tyre vullnetarisht;
- duke vendosur një shënim apo formë në faqen e internetit ku vizitorët mund të abonohen;
- etj,
Çfarë adrese duhet të përdorni për dërgimin e mesazheve promocionale?
Ndonëse mund të jetë plotësisht normale dhe e pranueshme edhe për klientët tuaj që ju t’u dërgoni mesazhe promocionale nga adresa juaj personale, pra ajo me emrin tuaj, është e sugjerueshme që ju të krijoni një adresë biznesi e cila i jep më shumë besueshmëri edhe mesazheve që ju dërgoni.
Është tashmë standarde që kompanitë e mëdha apo korporatat të përdorin doman name-in e tyre si bazën për krijimin e adresave individuale për punonjësit si dhe adresat e përgjithshmë për kontaktim me klientët e tyre.
Synimi është që të keni një adresë e cila mund të përdoret nga ju por edhe nga ndonjë punonjës tjetër brenda biznesit tuaj, si dhe të jetë një adresë që do t’ju identifikonte lehtësisht te abonentët tuaj si p.sh.: [email protected] ose [email protected] etj.
Në të dyja rastet e adresave të mësipërme emëruesi i përbashkët është doman name-i. Por nëse regjistrimi i një doman name-i është diçka që nuk ju duket me interes në këtë fazë, atëherë ju mund të krijoni një adresë alternative si p.sh. [email protected] ose [email protected] Në këtë mënyrë mesazhet që vijnë nga kjo adresë identifikohen direkt me biznesin tuaj dhe e bëjnë edhe mesazhin që vjen më të besueshëm për abonentët. Nuk dua të zgjatem më tej për të shpjeguar arsyet e besueshmërisë së mesazheve, por mjafton të përmend faktin që nëse mesazhet tuaja nuk duken të besueshme atëherë ato mund të përfundojnë lehtësisht në SPAM. D.m.th nuk ka për t’i lexuar askush.
Pse ju duhet vullneti për të mësuar si të dërgoni mesazhe promocionale?
Ju mund ta merrni përsipër t’i dërgoni vetë mesazhet promocionale ose mund t’ia caktoni dikujt tjetër brenda kompanisë tuaj (ose jashtë) që të merret me përgatitjen dhe pastaj dërgimin e mesazheve promocionale për biznesin tuaj.
Por, pavarësisht zgjedhjes tuaj, arsyeja që do t’ju duhet durim dhe vullnet për të mësuar është sepse dërgimi i mesazheve promocionale kërkon vëmendje, kujdes dhe dëshirë për të mësuar se si të komunikosh në mënyrë efikase me abonentët tuaj. Vetëm kështu mesazhet promocionale do të kenë sukses për biznesin dhe ecurinë e punës tuaj promocionale. Mbi të gjitha duhet të kuptoni që komunikimi me email është në shumë aspekte i ngjashëm me komunikimin e drejtë-për-drejtë me klientët tuaj. Jeni ju që duhet të ushtroni durim për të kuptuar nevojat e tyre me qëllim që t’u shërbeni sa më mirë nevojave që kanë. Dhe si rrjedhojë klientët tuaj do t’ju shërbejnë duke përdorur produktet apo shërbimin tuaj. Është kaq e thjeshtë, dhe njëherazi e rëndësishme!
Sa shpesh mund të dërgoni mesazhe promocionale?
Ndonëse nuk ka një rregull të përcaktuar qartë për çdo lloj biznesi, vendimi duhet marrë gjithmonë duke balancuar:
- nevojat e klientëve,
- nevojat e biznesit si dhe
- resurset e nevojshme për ta ofruar një shërbim të tillë rregullisht.
Ka biznese (si p.sh. ato mediatike) të cilat dërgojnë me dhjetra mesazhe çdo ditë, ndërkohë, ka biznese të tjera të cilat janë sezonale dhe zakonisht nuk dërgojnë mesazhe të tilla gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, ka biznese që vetëm kur kujtohen ose kur duan të promovojnë ndonjë produkt apo shërbim të caktuar, dërgojnë një apo disa mesazhe seri të cilat në fund të ditës nuk arrijnë të kenë ndikimin e dëshiruar pasi shihen më tepër si letrat e një miku që kujtohet për ty vetëm kur i duhesh!
Por shumica e bizneseve e gjejnë veten e tyre te një periodicitet që varion nga një mesazh në javë deri në një mesazh në muaj.
Arsyeja pse është e rëndësishme që të merrni nevojat e klientëve tuaj në konsideratë është sepse vetëm kështu do arrini të përçoni te ata rëndësinë dhe vlerat e shërbimit apo produktit që po promovoni. Mbi të gjitha klientët tuaj kanë nevojë të kuptojnë dhe të dinë që ju jeni një biznes i besueshëm që dërgon mesazhe të besueshme. Gjithashtu, klientët tuaj duhet të ndiejnë që ju realisht jeni i interesuar në mirëqenien apo zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo thjesht në shitjen e produktit tuaj.
Arsyeja tjetër pse duhet të merrni në konsideratë nevojat e biznesit tuaj, është sepse kështu ju do jeni në gjendje që të plotësoni nevojat e klientëve tuaj brenda mundësive tuaja. Konkretisht, nëse ju keni produkte apo shërbime të cilat ndryshojnë rregullisht apo që shtohen rregullisht, atëherë edhe nevoja juaj për t’i reklamuar rregullisht mund të jetë në përgjigje të nevojave të klientëve tuaj për informacion të freskët mbi produktet që tregton biznesi juaj. P.sh. unë vetë menaxhoj një librari e cila vazhdimisht furnizohet me libra dhe tituj të rinj për të cilët klientët e mi janë ose nuk janë të interesuar. Atëherë ajo që më duhet të bëj në këtë rast është që t’u ofroj atyre disa mënyra njoftimi/promovimi për librat e rinj si p.sh. me anë të një liste të përgjithshme e cila nuk dërgohet më shumë se dy herë në muaj. Pastaj, mbajmë edhe një Blog i cili dërgon automatikisht postimet që ne vendosim çdo jave dhe me raste edhe më shpesh se aq.
Aspekti tjetër, po aq i rëndësishëm, është edhe balancimi i resurseve të brendshme të biznesit tuaj. Pra edhe nëse klientët tuaj do ishin të gatshëm të merrnin mesazhe promocionale të shpeshta nga ju, aftësia juaj për t’i gjeneruar/përgatitur ato është e kufizuar për arsye që mund të variojnë nga aftësia juaj për të shkruar bukur, apo ngarkesa e madhe me punët e përditshme të biznesit tuaj.
Synimi është që të filloni dhe t’i dërgoni mesazhet promocionale me një periodicitet të caktuar dhe të pandryshueshëm, pasi abonentët tuaj do fillojnë t’i presin ato rregullisht dhe do mbështeten te to për t’u informuar për produktet/shërbimet dhe cilësinë e shërbimit që biznesi juaj ofron.