Jeni i pushuar! Shenjat që jua tregojnë

Nëse mendoni se shumë shpejt do të flakeni jashtë vendit tuaj të punës, bëni mirë të lexoni shenjat e fshehta që do t’ju paralajmërojnë për këtë

Ekzistojnë dy lloj punonjësish. Ata që e kanë idenë se çfarë bëjnë, kush janë dhe se çfarë pozicioni luajnë në kompani. Këta kanë qëllime që përpiqen t’i arrijnë, janë të mençur dhe shumë shpejt do të marrin një ngritje në detyrë. Lloji tjetër i punonjësve janë ata që edhe njeriu më paqësor në botë do t’i urrente, janë të palumtur, dembelë, nuk kanë asnjë qëllim për punën, nuk pranojnë sfida të reja dhe e shpenzojnë të gjithë ditën në internet, telefon ose kafene. Ja shenjat që ju tregojnë se jeni në rrugën e të pushuarit nga puna. Nëse u përgjigjeni pozitivisht tri prej këtyre pyetjeve, atëherë filloni të kërkoni për një vend tjetër pune.

  1. Jeni jashtë të rejave të kompanisë? Kjo është një shenjë e madhe. Nëse më parë kishit informacione për atë që ndodhte në vendin tuaj të punës, por tani nuk keni më asnjë të dhënë dhe papritur e gjeni veten jashtë çdo lajmi të ri në kompani, atëherë me keqardhje duhet të dini se emri juaj po fillon të vijëzohet me të kuqe.
  2. E ndieni veten të shmangur nga të tjerët? Kontakti me sy është një nga format më të mira të komunikimit, kur gjërat po shkojnë mirë, por nëse ky kontakt ndërpritet, asgjë e mirë nuk do të ndodhë. Të shikosh në sy dikë që e di shumë mirë se është në telashe të mëdha, është diçka shumë e vështirë, ndaj nëse jeni ju ai apo ajo që nuk ju shohin më në sy, që nuk ndalojnë të bëjnë një bisedë të shkurtër, apo nëse një dhomë boshatiset sapo hyni ju, dijeni se jeni në probleme të mëdha.
  3. E lexojnë ecurinë tuaj në punë si një lajm në kronikën e zezë?

Shumicën e herëve ecuria në punë është një përmbledhje e arritjeve tuaja të mira, edhe pse shefi juaj nuk dëshiron të thotë “shumë të mira”, sepse gjithnjë ka vend për përmirësim. Nëse kohët e fundit përmbledhja juaj ka filluar të mbushet me shprehje negative dhe ajo lexohet pa entuziazëm dhe me një ton dramatik, atëherë bëni mirë që të filloni të luteni.

  1. Është shitur apo shkrirë kompania në të cilën punoni? Rrallë mund të ketë një lajm të mirë në këto raste për punonjësit. Normalisht që drejtuesit e kanë rregulluar një marrëveshje të mirë për veten e tyre, por stafi kur kompania është shitur apo shkrirë, pritet të ndryshojë në një përqindje të lartë. Kur dy kompani shkrihen në një, kjo do të thotë se të gjitha vendet e punës përsëriten dy herë, atëherë në këtë rast zbatohet e tmerrshmja: “shkurtime”.
  2. Ju kanë ngarkuar punë të rëndësishme pa asnjë mundësi të realizohen? Ky është fundi juaj i fshehtë dhe mos kujtoni se jeni të vetmit, është një metodë shumë e përhapur. Në këtë rast kompania ka nevojë për një arsye të fortë që t’ju largojë. Kështu ju ngarkon një detyrë të madhe, të cilën ju ka gjasa të mos e përmbushni kurrë, sepse në vetvete ajo punë është projektuar për të qenë e pamundur. Kjo metodë përdoret për personat që kanë pasur vetëm arritje të mira, që i kanë përkushtuar punës jetën dhe familjen e tyre.
  3. 6.  A keni më pak përgjegjësi sesa një praktikant? Për fatin tuaj të keq zhveshja nga përgjegjësitë është një shenjë e sigurt se pushimi juaj nga puna do të shfaqet shumë shpejt në horizont. Në fund të fundit askush nuk nxjerr jashtë nga kompania dikë që ka tonelata pune për të përfunduar. Pritet që drejtuesit t’ju japin një titull të ri, me shumë pak punë dhe pothuajse asnjë anëtar grupi. Kështu ju do ta gjeni veten duke ndenjur kot gjithë ditën, një shenjë e mirë kjo se shumë shpejt do të vijë shefi dhe t’ju nxjerrë në rrugë.
  4. E ndërpresin bisedën kolegët tuaj sapo ju afroheni? Nëse jeni duke marrë fund, kini parasysh se do të jeni i fundit që do ta merrni vesh. Teksa thashethemet për fundin tuaj përhapen me shpejtësi në çdo zyrë, dijeni se kolegët tuaj do të jenë shumë të lumtur të diskutojnë rreth saj. Do të shihni njerëz që pëshpëritin nëpër cepa dhe nëse ju afroheni, biseda do të ndërpritet për të vazhduar me komentimin e motit. Dijeni se nuk e keni të gjatë…
  5. Keni parë të shpallur një vend të lirë pune që i përngjan pozitës suaj? Burimet njerëzore mund të jenë shumë dinakë. Ata nuk duan t’ju pushojnë pa pasur dikë që t’ju zëvendësojë menjëherë. Për këtë arsye ka shumë mundësi që vendi juaj i punës të reklamohet për muaj në internet ose tek agjencitë e punësimit. Edhe në rastin më të keq, ata e punësojnë personin tjetër më shpejt sesa ju të ikni dhe ju ngarkojnë si detyrë që ta mësoni atë. Pastaj, ju pushojnë!
  6. Ju kanë kërkuar të shkoni me pushime? Le të jemi të sinqertë tani, kompanitë në çdo vend të botës nuk janë agjenci turistike. Nëse ato ju japin juve një ofertë për të shkuar me pushime ka dy mundësi: “Keni vite që e prisni ose do t’ju pushojnë së shpejti”. Duke ju larguar për ca kohë, ata do ta kenë më të lehtë për të diskutuar për pushimin tuaj nga puna pa ju pasur vërdallë. Në kohën kur ta kenë marrë vendimin, bashkë me valixhet e pushimeve, merrni edhe sendet tuaja të punës dhe kthehuni në shtëpi.
  7. Jua kanë anashkaluar sukseset e arritura së fundmi? Në këtë rast shefat dhe bashkëpunëtorët tuaj fillojnë të mos i vënë re sukseset tuaja të fundit, ju ulin vlerat dhe ngrenë rolin e tyre. Nëse të gjithë po fillojnë ngadalë të mos ju respektojnë apo vlerësojnë punën, të njëjtën sasi pune që për të cilën më parë ishit cilësuar “njeriu i artë” i kompanisë, këto janë shenja të një pushimi afatgjatë nga puna.
  8. A është larguar shefi apo mentori juaj? Nëse dikush të cilit ju i besonit dhe e respektonit shumë, është larguar nga puna për arsye të ndryshme, si rritje në detyrë, i pushuar apo ka hequr dorë, kjo nënkupton telashe për ju. Ky person mund të ishte i vetmi që mund t’ju mbronte nga ujqërit e zyrës, tashmë jeni vetëm dhe jo për një kohë të gjatë në atë pozicion.
Read More

Pse bizneset shqiptare duhet të bëjnë marketing me email?

Janë të pakët ato biznese shqiptare të cilat nuk e kuptojnë vlerën e reklamës (marketingut) për ecurinë e punës dhe rritjes së biznesit. Por shumica mbase hezitojnë të bëjnë reklamë të vazhdueshme pasi shpenzimet apo investimi për llojet e ndryshme të promovimit të biznesit është relativisht i lartë ose jo lehtësisht i përballueshëm për çdo biznes.

Kosto e reklamës (marketingut) është e lartë për çdo biznes, sa do i suksesshëm ose jo të jetë ai. Por vlera e vërtetë e kostos së reklamës varet nga kthimi që reklama juaj gjeneron (p.sh. ROI), pra numri/volumi i shitjeve dhe të ardhurave për biznesit përkatës.

Pse marketing me email?

Synimi i këtij shkrimi nuk është që të futet shumë në diskutimin e mënyrave pa fund të reklamimit të biznesit tuaj, as avantazhet krahasuese të të gjitha këtyre mënyrave të promovimit të produkteve dhe shërbimeve që ju ofroni. Synimi është thjeshtësisht t’ju prezantojë me atë që quhet marketing me email. Aktualisht, kjo formë marketingu (reklame) njihet dhe pranohet si një nga format e reklamimit me koston më të ulët për klient!

Konkretisht, për të bërë këtë lloj marketingu gjithçka që ju duhet është:

  • një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë,
  • një adresë e rregullt email-i (idealisht adresa e biznesit tuaj, jo ajo personalja) dhe
  • vullneti për të mësuar se si t’ia servirni sa më mirë informacionin e duhur abonentëve tuaj.

Ndonëse, sapo ta lexojnë këtë listë të shkurtër, disa prej jush do kërceni pupthi duke thënë që jo është edhe kjo apo ajo gjë tjetër që ju duhet, por siç e përmenda pak më sipër. Synimi është të bëjmë një prezantim të thjeshtë të asaj që shumëkush e njeh si promovim/reklamë me email (email marketing).

Çfarë është marketingu me email?

Marketingu me email hyn në kategorinë e marketingut direkt, që nënkupton kontaktin e drejt-për-drejtë me klientët tuaj ekzistues apo potencialë. Ky lloj kontakti me ta kryhet nëpërmjet email-it dhe nënkupton që ju nuk do t’i bezdisni ata me mesazhe promocionale pa fund ose mesazhe që për ta janë thjesht të bezdisshëm.

Ndonëse ju vetë jeni plotësisht i bindur për vlerat dhe cilësinë e produkteve apo shërbimit që ofroni, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë apo lehtësisht e kuptueshme nga ata që marrin mesazhet tuaja (reklamë) me email.

Prandaj kur dërgoni mesazhe promocionale me email duhet të keni parasysh nevojat dhe dëshirat e abonentëve tuaj për këto lloj mesazhesh.

Si të krijoni një listë kontaktesh (abonentësh)?

Nëse ju keni një adresë email-i, atëherë detyrimisht ju keni sakaq kontakte me të cilët komunikoni me email. Këto kontakte mund të jenë miqtë tuaj por gjithashtu edhe klientë ekzistues të biznesit tuaj. Duke qenë se lista me kontakte duhet të jetë në funksion të biznesit, atëherë synimi është të krijojmë një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë.

Ju mund t’i mblidhni adresat e klientëve tuaj në shumë mënyra përfshi:

  • duke i mbledhur nga kontaktet ekzistuese që keni me ta;
  • duke nxjerrë një letër ku klientët mund të shënojnë adresat e tyre vullnetarisht;
  • duke vendosur një shënim apo formë në faqen e internetit ku vizitorët mund të abonohen;
  • etj,

Çfarë adrese duhet të përdorni për dërgimin e mesazheve promocionale?

Ndonëse mund të jetë plotësisht normale dhe e pranueshme edhe për klientët tuaj që ju t’u dërgoni mesazhe promocionale nga adresa juaj personale, pra ajo me emrin tuaj, është e sugjerueshme që ju të krijoni një adresë biznesi e cila i jep më shumë besueshmëri edhe mesazheve që ju dërgoni.

Është tashmë standarde që kompanitë e mëdha apo korporatat të përdorin doman name-in e tyre si bazën për krijimin e adresave individuale për punonjësit si dhe adresat e përgjithshmë për kontaktim me klientët e tyre.

Synimi është që të keni një adresë e cila mund të përdoret nga ju por edhe nga ndonjë punonjës tjetër brenda biznesit tuaj, si dhe të jetë një adresë që do t’ju identifikonte lehtësisht te abonentët tuaj si p.sh.: [email protected] ose [email protected] etj.

Në të dyja rastet e adresave të mësipërme emëruesi i përbashkët është  doman name-i. Por nëse regjistrimi i një doman name-i është diçka që nuk ju duket me interes në këtë fazë, atëherë ju mund të krijoni një adresë alternative si p.sh. [email protected] ose [email protected] Në këtë mënyrë mesazhet që vijnë nga kjo adresë identifikohen direkt me biznesin tuaj dhe e bëjnë edhe mesazhin që vjen më të besueshëm për abonentët. Nuk dua të zgjatem më tej për të shpjeguar arsyet e besueshmërisë së mesazheve, por mjafton të përmend faktin që nëse mesazhet tuaja nuk duken të besueshme atëherë ato mund të përfundojnë lehtësisht në SPAM. D.m.th nuk ka për t’i lexuar askush.

Pse ju duhet vullneti për të mësuar si të dërgoni mesazhe promocionale?

Ju mund ta merrni përsipër t’i dërgoni vetë mesazhet promocionale ose mund t’ia caktoni dikujt tjetër brenda kompanisë tuaj (ose jashtë) që të merret me përgatitjen dhe pastaj dërgimin e mesazheve promocionale për biznesin tuaj.

Por, pavarësisht zgjedhjes tuaj, arsyeja që do t’ju duhet durim dhe vullnet për të mësuar është sepse dërgimi i mesazheve promocionale kërkon vëmendje, kujdes dhe dëshirë për të mësuar se si të komunikosh në mënyrë efikase me abonentët tuaj. Vetëm kështu mesazhet promocionale do të kenë sukses për biznesin dhe ecurinë e punës tuaj promocionale. Mbi të gjitha duhet të kuptoni që komunikimi me email është në shumë aspekte i ngjashëm me komunikimin e drejtë-për-drejtë me klientët tuaj. Jeni ju që duhet të ushtroni durim për të kuptuar nevojat e tyre me qëllim që t’u shërbeni sa më mirë nevojave që kanë. Dhe si rrjedhojë klientët tuaj do t’ju shërbejnë duke përdorur produktet apo shërbimin tuaj. Është kaq e thjeshtë, dhe njëherazi e rëndësishme!

Sa shpesh mund të dërgoni mesazhe promocionale?

Ndonëse nuk ka një rregull të përcaktuar qartë për çdo lloj biznesi, vendimi duhet marrë gjithmonë duke balancuar:

  • nevojat e klientëve,
  • nevojat e biznesit si dhe
  • resurset e nevojshme për ta ofruar një shërbim të tillë rregullisht.

Ka biznese (si p.sh. ato mediatike) të cilat dërgojnë me dhjetra mesazhe çdo ditë, ndërkohë, ka biznese të tjera të cilat janë sezonale dhe zakonisht nuk dërgojnë mesazhe të tilla gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, ka biznese që vetëm kur kujtohen ose kur duan të promovojnë ndonjë produkt apo shërbim të caktuar, dërgojnë një apo disa mesazhe seri të cilat në fund të ditës nuk arrijnë të kenë ndikimin e dëshiruar pasi shihen më tepër si letrat e një miku që kujtohet për ty vetëm kur i duhesh!

Por shumica e bizneseve e gjejnë veten e tyre te një periodicitet që varion nga një mesazh në javë deri në një mesazh në muaj.

Arsyeja pse është e rëndësishme që të merrni nevojat e klientëve tuaj në konsideratë është sepse vetëm kështu do arrini të përçoni te ata rëndësinë dhe vlerat e shërbimit apo produktit që po promovoni. Mbi të gjitha klientët tuaj kanë nevojë të kuptojnë dhe të dinë që ju jeni një biznes i besueshëm që dërgon mesazhe të besueshme. Gjithashtu, klientët tuaj duhet të ndiejnë që ju realisht jeni i interesuar në mirëqenien apo zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo thjesht në shitjen e produktit tuaj.

Arsyeja tjetër pse duhet të merrni në konsideratë nevojat e biznesit tuaj, është sepse kështu ju do jeni në gjendje që të plotësoni nevojat e klientëve tuaj brenda mundësive tuaja. Konkretisht, nëse ju keni produkte apo shërbime të cilat ndryshojnë rregullisht apo që shtohen rregullisht, atëherë edhe nevoja juaj për t’i reklamuar rregullisht mund të jetë në përgjigje të nevojave të klientëve tuaj për informacion të freskët mbi produktet që tregton biznesi juaj. P.sh. unë vetë menaxhoj një librari e cila vazhdimisht furnizohet me libra dhe tituj të rinj për të cilët klientët e mi janë ose nuk janë të interesuar. Atëherë ajo që më duhet të bëj në këtë rast është që t’u ofroj atyre disa mënyra njoftimi/promovimi për librat e rinj si p.sh. me anë të një liste të përgjithshme e cila nuk dërgohet më shumë se dy herë në muaj. Pastaj, mbajmë edhe një Blog i cili dërgon automatikisht postimet që ne vendosim çdo jave dhe me raste edhe më shpesh se aq.

Aspekti tjetër, po aq i rëndësishëm, është edhe balancimi i resurseve të brendshme të biznesit tuaj. Pra edhe nëse klientët tuaj do ishin të gatshëm të merrnin mesazhe promocionale të shpeshta nga ju, aftësia juaj për t’i gjeneruar/përgatitur ato është e kufizuar për arsye që mund të variojnë nga aftësia juaj për të shkruar bukur, apo ngarkesa e madhe me punët e përditshme të biznesit tuaj.

Synimi është që të filloni dhe t’i dërgoni mesazhet promocionale me një periodicitet të caktuar dhe të pandryshueshëm, pasi abonentët tuaj do fillojnë t’i presin ato rregullisht dhe do mbështeten te to për t’u informuar për produktet/shërbimet dhe cilësinë e shërbimit që biznesi juaj ofron.

Read More