5 arsye pse biznesi juaj duhet të ketë faqe interneti

Veçoritë e një faqe biznesi interneti të suksesshme

Në artikullin e kaluar folëm për rëndësinë e të pasurit të një faqe interneti për biznesin tuaj. Pasi jemi bindur që një biznes ka nevojë për një përfaqësim online, sot do të diskutojmë disa nga aspektet që e bëjnë një faqe interneti të suksesshme. Pa shumë llafe, le të fillojmë:

1. Përmbajta

Elementi më i rëndësishëm i një faqe biznesi profesionale është përmbajtja. Përmbajtja është kryesisht tekst, ose kombinimi i tij me imazhe dhe video, por teksti është thelbi. Me anë të përmbajtjes ju keni mundësi të komunikoni me klientët tuaj potencialë se kush jeni, për çfarë jeni në biznes, kujt po i shërbeni dhe si po e bëni jetën e tyre më të mirë. Fakti që përmbajta është prezantimi juaj në rrjet e bën atë të një rëndësie të veçantë. Kjo do të thotë që përmbajta duhet të jetë e shkruar me merak, pa gabime drejtshkrimore dhe e përshtatur për audiencën të cilën synon.

Në shumë prej vendeve të zhvilluara, të shkruarit e përmbajtjes është profesion më vete, i cili në anglisht quhet “copywriting”. Te ne, për fat të keq, si kërkesa ashtu edhe oferta për këtë profesion janë pothuajse joekzsitente. Gjithsesi, e shkruar nga ju vetë apo nga një profesionist, përmbajta e faqes suaj të internetit duhet të jetë e cilësisë më të lartë të mundshme.

2. Dizajni

Elementi i dytë për të pasur parasysh për një faqe interneti të suksesshme është dizajni. Dizajni vjen në forma dhe ngjyra të ndryshme që përfaqësojnë rryma të ndryshme. Dizajni duhet të paraqesë tek vizitori ato ide të cilat ju mishëroni. Por funksioni kryesor i dizajnit është të forcojë markën tuaj në subkoshiencën e klientëve tuaj, aktualë dhe potencialë. Pastaj të bëjë përvojën e vizitës në faqen tuaj të lehtë dhe të kënaqshme, duke përforcuar idenë që përvoja me shërbimet dhe produktet tuaja lë të njëjtën shije të mirë. Të jeni të sigurt që nëse dizajni juaj e bën përvojën në faqen tuaj të pakëndshme, duke vështirësuar gjetjen e informacionit të duhur, kjo nuk do të lërë një shije të mirë për markën tuaj në tërësi. Kështu që kushtojini dizajnit të faqes suaj të internetit vëmendjen e duhur.

3. Optimizimi për motorët e kërkimit

Siç e diskutuam në artikullin e kaluar, një nga mënyrat me të cilat ju mund të prezantoheni me klientë e rinj është nëpërmjet motorëve të kërkimit, sidomos – më dominuesi – Google. Optimizimi për motorët e kërkimit, i njohur ndryshe shkurt si SEO, nga anglishtja “Search Engine Optimization”, bëhet në disa plane për të arritur rezultate të kënaqshme: Më kryesoret janë:

  1. Fjalët kyçe: Kur shkruhet përmbajta, duhet pasur parasysh se me çfarë fjalësh një klient potencial mund të kërkojë në Google për produktet dhe shërbimet që ju ofroni. Pastaj këto fjalë kyçe dhe disa derivate të tyre duhet të jenë pjesë e përmbajtjes së faqes. Duhet pasur parasysh që përmbajta ka audiencë njerëzit dhe jo motorët e kërkimit, prandaj fjalët kyçe duhet të jenë shumë të natyrshme në tekst.
  2. Struktura HTML: Çdo faqe interneti është në vetvete një dokument HTML (HyperText Markup Language), që nuk është gjë tjetër veçse një sërë etiketash që markojnë përmbajtjen e faqes suaj. Për shembull, një paragraf markohet me etiketën <p>teksti i paragrafit</p>, një titull me etiketën <h1>Titulli</h1> e kështu me radhë. Kjo është pikërisht gjuha që flasin motorët e kërkimit, prandaj, siç në gjuhët njerëzore është e rëndësishme zgjedhja dhe radhitja e duhur e fjalëve, ashtu edhe në gjuhën e motorëve të kërkimit është e rëndësishme zgjedhja dhe radhitja e duhur e etiketave të HTML-së. Kjo detyrë u takon zhvilluesve të faqeve të internetit ta kryejnë, por është e rëndësishme që çdo biznes të jetë i vetëdijshëm që faqja e tij e internetit komunikon qartë me motorët e kërkimit.
  3. Ndërlidhja: Hallka që i bën faqet e internetit të përdorshme është link-imi. Çdo gjë që ne klikojmë në një faqe interneti është një link, një lidhje me një faqe tjetër. Përveç kësaj link-imi luan rol edhe referimi apo citimi. Këtë mund ta bëjmë brenda të njëjtës faqe, ku një artikull i referohet apo citon një artikull tjetër në të njëjtën faqe, dhe gjithashtu me faqe të jashtme, ku një artikull citon apo u ofron lexuesve informacion shtesë duke link-uar një artikull në një faqe tjetër. Si në botën akademike, ku një vepër sa më e cituar aq më shumë tregon që është me rëndësi, ashtu edhe në botën e internetit, një faqe sa me e referuar nëpërmjet link-eve, aq më me rëndësi bëhet dhe aq më lartë del në motorët e kërkimit.

Ndërkohë që pikën e parë dhe të dytë e kemi në dorë ta kontrollojmë, pikën e tretë nuk e kemi. Dhe sa më punë të mirë të bëjmë me pikën e parë dhe të dytë, aq më shumë shanse i japim pikës së tretë për t'u zhvilluar.

4. Përshtatja me ekrane të vegjël (responsive)

Faqet tradicionale kanë të njëjtat përmasa në çfarëdolloj ekrani t'i shikosh. Në një ekran të vogël ato krijojnë një “scrollbar” – ashensor të faqes, të cilin duhet ta tërheqësh majtas djathtas që ta shikosh të gjithë faqen. Në telefona dhe tableta, faqet tradicionale përgjithësisht zvogëlohen për tu përputhur me përmasat e ekranit, duke u bërë kështu të palexueshme, sidomos në telefona. Që nga viti 2010 filloi të popullarizohej ajo që në terma teknik quhet “Responsive Design” dhe do të thotë përshtatja e faqes për ekrane të ndryshme. Kjo teknologji të lejon të përshtatësh elementë të ndryshëm të faqes për përmasa të ndryshme ekranesh, duke e bërë kështu faqen të lexueshme dhe të përdorshme lehtësisht në ekrane më të vegjël. Tanimë kjo teknologji ka mbështetje të mirë nga shfletuesit dhe është bërë standard i industrisë së web-it dhe faqet e reja që po krijohen po e adoptojnë me shpejtësi. Mos e nënvlerësoni këtë pikë.

5. Seksioni i Blogut

Një blog është një seksion në faqen tuaj ku ju shkruani herë pas here artikuj rreth fushës ku operoni me interes për audiencën tuaj. Të pasurit e një blogu bashkëngjitur faqes suaj po bëhet gjithashtu një standard i industrisë se web-it. Nga përvoja ime vetjake, dy vitet e fundit pjesa dërrmuese e faqeve të bizneseve që kam ndërtuar kanë pasur seksion blogu.

Një blog të cilit i kushtohet vëmendja e duhur, rrit vizitueshmërinë e faqes dhe rrjedhimisht ekspozimin e klientëve potenciale me markën. Dobitë e një blogu janë të shumëfishta, dhe me pak mundim, e bën faqen tuaj të dallojë mes morisë së faqeve të internetit në sektorin tuaj.

Për t'i vënë kapak, ndërtimi dhe mirëmbajtja e një faqeje të suksesshme interneti nuk është gjë shumë e lehtë, por është diçka që ja vlen çdo qindarkë dhe çdo sekondë të kohës suaj të investuar për të. Një faqe interneti e suksesshme ju ndihmon në shumë drejtime – bëjani ysmetin!

Po ju çfarë të do shtonit tek veçoritë e një faqeje të suksesshme interneti?

Read More
5 arsye pse biznesi juaj duhet të ketë faqe interneti

5 arsye pse biznesi juaj duhet të ketë faqe interneti

Bota sot është e lidhur në rrjet. Me hyrjen dhe masivizimin e telefonave dhe tabletave, sot më shumë se kurrë aksesi në internet është i mundur për të gjithë. Disa orë në ditë qasje në internet po bëhen pjesë e rutinës së çdo shqiptari. Dhe të gjithë këta njerëz janë klientët tuaj potencialë. Po, e lexuat drejtë, të gjithë këta njerëz mund të bëhen klientët tuaj nëse ju shisni diçka që atyre ju intereson. Por si?

Reklama është shpirti i tregtisë -- thotë klisheja më e njohur në botën e biznesit. Nëse nuk jeni dakord plotësisht, është e kuptueshme, por çdokush që bën biznes, e di vlerën e reklamimit dhe të gjithë në një formë apo tjetër, i bëjnë reklamë asaj që shesin, shërbim apo produkt, për ta çuar biznesin e tyre përpara.

Por ku të reklamojmë? Mendja direkt shkon tek reklamë në televizion. Janë ato reklama që kanë çuar para biznesin për një kohë shumë të gjatë, dhe vazhdojnë ta çojnë. Por jo të gjithë mund ta përballojnë një reklamë në televizion. Edhe nëse mund ta përballojnë, të gjithëve ju duhet ajo për të cilën do flasim sot, një faqe interneti.

Ka shumë arsye dhe më poshtë do të paraqesim 5 prej pse biznesit tuaj i duhet një faqe interneti:

1. Ju ekzistoni me një faqe interneti

Sa herë ju ndodh që kur ju duhet diçka, gjëja e parë që bëni është një kërkim i shpejtë në Google? Pikërisht, shpesh. Nëse një klient potencial dëshiron të blejë diçka që ju shisni dhe bën një kërkim në internet për të parë çka ofrohet, do ishte fantastike nëse biznesi juaj do të dilte në listën e rezultateve. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ju keni një faqe interneti. Siç, mund ta shikoni, faqja e internetit shërben si një vitrinë ku të gjithë të interesuarit mund të hedhin një sy shërbimeve apo produkteve tuaja, dhe të konvertohen në klientë pa aspak mundim nga ana juaj. Kjo është një mrekulli e internetit.

2. Ju jeni profesionistë

A nuk do t’ju pëlqente që në kartëvizitën tuaj të kishit faqen tuaj të internetit? Sigurisht që po. Kjo është një arsye për të shpërndarë kartëvizitën me qejf. Një kartëvizitë ku ju paraqisni faqen tuaj të internetit dhe një email me domain-in e biznesit tuaj është diçka që të bën t’i mbash shpatullat drejtë dhe lë një përshtypje shumë të mirë tek marrësi. Nëse ju keni në kartëvizitë thjesht një email të ofruar falas nga gmail.com, yahoo.com apo outlook.com, të jeni të sigurt që nuk po impresiononi askënd. Përkundrazi, mund të mos merreni shumë seriozisht. Prandaj, ndihmojeni forcimin e markës tuaj me pajisen me një faqeje interneti.

3.  Ju forconi markën

Klientët potencialë të cilët kanë mbërritur në faqen tuaj të internetit nga një kërkim në Google apo të tjerë që ju i keni referuar aty me anë të kartëvizitës tuaj ose në një formë tjetër, u jepet mundësia të shpenzojnë kohë me markën tuaj duke komunikuar dhe duke u familjarizuar me të. Vizitorët e faqes kanë mundësi ta shohin logon, simbolin e biznesit tuaj, në detaj pa asnjë limit kohor. Atyre u jepet rasti të shfletojnë katalogun e produkteve dhe shërbimeve tuaja dhe të mësojnë se si ju punoni, sa kujdes tregoni ndaj detajeve dhe se çfarë vlere mund t’i shtoni jetës së tyre me anë të atyre çka ofroni. Për këto arsye faqja e internetit ju ndihmon që ta skalisni markën tuaj në subkoshiencën e vizitorëve përgjithmonë.

4. Ju shtoni klientelën

Nëse ju ja keni dalë me sukses që forconi markën dhe  t’i prezantoni produktet apo shërbimet tuaja denjësisht me anë të faqes tuaj të internetit, hap tjetër i natyrshëm është që vizitorët e faqes të bëhen klientët tuaj. Dhe ky është qëllimi kryesor i të bërit biznes, të pasurit klientë vazhdimisht.

5. Ju rekrutoni

Rrjedhimisht biznesi juaj do zgjerohet dhe ju do keni nevojë të gjeni njerëz të mrekullueshëm për të punuar me ju. Çdo biznes i suksesshëm ka pas tij një skuadër njerëzish dinjitozë që punojnë në sinkron dhe e çojnë atë përpara. Marrja në punë e njerëzve të duhur është shumë e rëndësishme për suksesin e biznesit tuaj, prandaj është e nevojshme që ju të tërhiqni më të mirët për të pasur dëshirë të punojnë me ju. Kjo mund të arrihet shumë lehtë me anë të faqes së internetit, ku ju i lini të kuptojë çdo të interesuari për punë në biznesin tuaj se përse ambjenti i punës që ju ofroni është ideal për të me anë të paraqitjes dinjitoze të kulturës së biznesit tuaj në faqe.

Këto ishin 5 arsye pse ju duhet të keni një faqe interneti për biznesin tuaj. Një faqe interneti është një shpenzim relativisht i vogël me një potencial shumë të madh dhe shumëplanësh. Prandaj, nëse nuk e keni akoma një të tillë, tani është tamam koha për ta marrë seriozisht këtë hap, i cili ju ndihmon të jeni të gjindshëm, të keni një imazh dinjitoz për të bërë biznes në epokën dixhitale dhe sigurisht të keni klientë të rinj.

Por një faqe interneti ka disa aspekte që duhet pasur parasysh që të japë frytet e saj dhe kjo do jetë pikërisht tema e artikullit të radhës. Mirë u lexofshim!

Read More