Fuqia e vullnetit nuk funksionon

Nga: Autorë të ndryshëm minuta lexim | 0 komente lexime


Përmbledhje e librit Willpower Doesn’t Work nga Benjamin Hardy, marrë nga Readitfor.me

Foto origjinale nga Samuel Ferrara, modifikoi E.P.

Will power doesnt work
Fuqia e vullnetit nuk funksionon. Të gjithë e kemi parasysh ndjesinë e vendosjes së objektivave të larta dhe nxitëse por që dështojnë pavarësisht punës dhe përkushtimit. Dhe pas dështimeve të vazhdueshme, është e lehtë të dalësh në përfundimin që problemi je ti. Po nëse do t’ju thoshim që nuk është faji juaj?

Fuqia e vullnetit përkufizohet si aftësia për të ushtruar vullnetin tuaj kundrejt pengesave të brendshme dhe atyre të jashtme . Sipas hulumtimeve psikologjike, fuqia e vullnetit është si një muskul. Është një burim i kufizuar që shpenzohet gjatë përdorimit. Ndaj, në fund të një dite të lodhshme, muskujt e vullnetit tuaj janë aq të lodhur sa ju ndiheni sikur keni zero kontroll të vetes.

Nëse ju duhet të ushtroni fuqinë e vullnetit për të bërë diçka, atëherë do të thotë që ka një pengesë të brendshme. Do të thotë që dëshira juaj për të arritur synimet nuk është mjaftueshëm e fortë dhe ju nuk  po investoni mjaftueshëm në veten dhe ëndrrat tuaja. Gjithashtu, vjen si rrjedhojë e një ambienti sfidues që kundërshton synimet tuaja.

Për të arritur një synim ju duhet të merrni një vendim përkushtimi:

  • duke investuar që në fillim;
  • duke e bërë publik;
  • duke vendosur një afat;
  • duke krijuar disa mënyra për të marrë komente/përshtypje nga të tjerë;
  • duke hequr apo ndryshuar gjithçka rreth jush që kundërshton përkushtimin tuaj.

Në vend që të mbështeteni vetëm te forcat tuaja të brendshme, përkushtimi i vërtetë përfshin edhe ndërtimin e ‘sistemeve të jashtme’ në mbrojtje të synimeve tuaja.

Për shembull, nëse dëshironi që të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme, atëherë hiqni gjithë ushqimet jo të shëndetshme nga shtëpia juaj. Nëse doni të jeni më i motivuar, atëherë merrni më shumë përgjegjësi me qellim që të rrisni mundësitë për: suksesin ose dështim.

Ju mund ta formësoni këndvështrimin tuaj duke kontrolluar burimet e jashtme:

  • Informacioni që ju konsumoni;
  • Njerëzit me të cilët shoqëroheni;
  • Vendet ku shkoni;
  • Eksperiencat që keni.

Ju duhet ta rindërtoni mjedisin tuaj me qëllim që të keni jetën që dëshironi, që më pas, të keni mendimet dhe sjelljet e duhura.

Pjesa 1: Ju jeni të kushtëzuar nga mjedisi juaj

Historiani Uill Durant (Will Durant) shpenzoi katër dekada duke studiuar historinë e botës dhe doli në përfundimin se udhëheqësit (liderat) nuk e formësojnë historinë. Ai zbuloi se ishin situatat e vështira që nxirrnin udhëheqës të mëdhenj. Gjithashtu, zbuloi se domosdoshmëria krijon më shumë ‘madhështi’ se sa inteligjenca apo vizioni. Ai theksoi se aftësia e njeriut të zakonshëm mund të dyfishohej nëse ishte e domosdoshme nga situata.

Ndërkohë, ne, në kulturën tonë individualiste, shpesh besojmë se mjedisi që na rrethon është i ndarë nga ne. Po në të vërtetë mjedisi formon gjithçka që ne bëjmë dhe mendojmë. Mjedisi juaj ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të matshëm mbi jetën tënde, nëse ti nuk e ndryshon atë në mënyrë aktive. Shumica e njerëzve jetojnë ‘në vogëlsi’ pasi mjedisi i tyre nuk u kërkon që të bëhen më shumë se sa ata janë aktualisht.

Vendosja e synimeve dhe ndryshimi i sjelljes funksionojnë vetëm për një pjesë të vogël të sjelljeve tona si p.sh., të folurit në publik, pasi është diçka që e bëjmë rrallë, ndaj edhe kërkon vëmendjen tonë të vetëdijshme.

Por çdo mjedis ka një set rregullash të shkruara dhe të pashkruara që ndikojnë në mënyrën se si mendoni, veproni dhe silleni. Në një eksperiment, kemi një grup pleshtash të vendosur në një kavanoz. Kur kavanozi nuk ka kapak, atëherë pleshtat mund të kërcejnë lehtësisht jashtë. Por, kur kapaku është i mbyllur, atëherë rregullat e mjedisit ndryshojnë. Shumë shpejt pleshtat mësohen që të mos kërcejnë shumë lartë. Mbas tre ditësh, kur kapaku hiqet, pleshtat vijojnë të kërcejnë në lartësinë e brendshme të kavanozit por pa kërcyer jashtë.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për ju. Ajo që ju jeni dhe mund të bëni në një mjedis të caktuar është shumë ndryshe nga ajo që ju jeni dhe mund të bëni në një mjedis tjetër. Ju gjithmonë silleni sipas një roli dhe rolet zakonisht janë të caktuara. Ju silleni në një mënyrë të caktuar në përputhje me rregullat e situatës në të cilën ndodheni. Por ju mund ta ndryshoni zakonin dhe mund të ndryshoni rolin tuaj duke ndryshuar mjedisin tuaj. Nëse ju mbeteni në të njëjtat zakone dhe role, atëherë nuk ka shumë rëndësi se sa shumë e ushtroni ‘fuqinë e vullnetit’ – ju do të kufizoheni gjithnjë brenda kontekstit të rolit tuaj.

Por kur ju jeni në një mjedis të shëndetshëm dhe stimulues, atëherë edhe sjellja e dëshiruar do të automatizohet dhe përforcohet. Por kur jeni në një mjedis të zakonshëm, ju duhet të qëndroni të vetëdijshëm për ato që po bëni duke shpenzuar forcën e vullnetit për t’u sjellë në mënyrën e dëshiruar.

Pjesa 2: Si ta bëni forcën e vullnetit të pavlefshme 

Eksperiencat domethënëse kanë vërtetë ndikim, dhe ndodh shpesh që në ato momente kemi edhe idetë tona më të mira si dhe kuptojmë se çfarë duam në jetë. Këto eksperienca ndodhin kur ne krijojmë lidhje me vetveten. Eksperiencat domethënëse ndodhin gjatë periudhave të pushimit apo rikuperimit. Ndaj, paracaktoni ‘ditë shkëputjeje’ për t’u relaksuar, menduar dhe mësuar.

Pushimi dhe rikuperimi do të rrisin produktivitetin tuaj. Vetëm ata që vërtetë arrijnë të shkëputen – mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht – mund të ri-angazhohen kur rikthehen për të punuar. Pasi të keni pushuar, ju do mund të ktheheni i/e fuqizuar dhe i/e energjizuar. Mbajtja e një ditari është një pjesë kyçe e pushimit. Hidhni një këndvështrim të ndershëm mbi jetën tuaj, sa larg keni arritur, dhe ku dëshironi të shkoni ende. Kjo do t’ju ndihmojë të qëndroni i/e lidhur me ‘pse’-në tuaj!

Është e rëndësishme që të keni një mjedis të përditshëm që ju ndihmon të qëndroni në udhën e duhur drejt synimeve tuaja. Ju duhet të siguroheni vazhdimisht si dhe ri-drejtoni ‘timonin’ për t’u siguruar që jeni në drejtimin e duhur. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është duke krijuar një rutinë çdo mëngjes për ta vënë veten në gjendjen më të mirë.

Ju duhet të shkruani në ditarin tuaj çdo mëngjes për t’i dhënë asaj dite tonin e duhur. Shkruajini synimet tuaja çdo ditë pasi kjo do t’ju lejojë të thelloni besimin dhe dëshirën tuaj drejt atyre synimeve. Suksesi vjen kur ju bëni njëzet hapa në drejtimin e duhur. Shumica e njerëzve bëjnë nga një hap në njëzet drejtime.

Eleminimi është udha më e shpejtë drejt progresit dhe lëvizjes përpara. Me qëllim që të tejkaloni mjedisin në të cilin ndodheni, hiqni dorë nga bagazhet e tepërta që ju mbajnë aty ku jeni. Hiqni dorë nga objektet fizike që nuk ju nevojiten, shpërqendrimet, njerëzit që nuk ju frymëzojnë dhe kujtesën tuaj afatshkurtër!

Nëse keni ngelur duke bërë sjellje automatike, atëherë ndryshoni qasjen e zakonshme dhe sjellja juaj do ndryshojë gjithashtu. Njerëzit zakonisht pranojnë zgjedhjen e parë që iu ofrohet. Mjedisi ynë na shtyn drejt një lloj sjellje, ndaj, që të ndaloni sjelljet e pavetëdijshme, ndryshoni mjedisin tuaj.

Silluni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe bëni gjithçka me qëllim. Nëse e dini para kohe se çfarë do ndodhte nëse do shpërqendroheshit nga synimi juaj, atëherë kjo ju bën më të aftë për t’i qëndruar synimit deri në fund. Për shembull, nëse ju keni bërë me plan që ‘sa herë që futem në kuzhinë për të ngrënë një biskotë, në vend të saj do të pi një gotë me ujë’. Ju duhet ta zëvendësoni një vartësi (zakon i keq) me një sjellje tjetër, ndaj dhe synimet për ta implementuar sjelljen e duhur janë kritike.

Pjesa 3: Vendoseni performancën dhe suksesin tuaj në dorën e mjedisit

Nëse dëshironi të arrini synimet tuaja, atëherë ju duhet të caktoni se çfarë lloj mjedisi do t’ju lejojë të arrini rezultatet më të mira. Ju mund ta optimizoni mjedisin tuaj duke e formësuar me funksione detyruese, që i vendosni vetë nëpërmjet faktorëve të ndryshëm që ju lejojnë të arrini atë që keni vënë si synim. Për shembull, mund ta lini celularin në makinë nëse dëshironi të jeni i vëmendshëm dhe i pranishëm kur jeni me miqtë apo familjarët tuaj. Në vend që të mbështeteni te forca e vullnetit, ju mund t’i hiqni fare faktorët tundues që ju pengojnë.

Gjithashtu, ju mund të vendosni sisteme mbrojtje rreth synimeve tuaja. Për shembull, nëse e lini karikuesin e laptopit në shtëpi, do jeni më të motivuar të punoni fort për gjatë atyre orëve për aq kohë sa keni ende bateri.

Gjithashtu,  mund të përdorni presionin shoqëror që t’ju mbajë përgjegjës për synimet tuaja. Sërish, nuk është forca e vullnetit që ju drejton, por presioni i jashtëm. Nëse ju krijoni pasoja për dështimin, ju do jeni më të motivuar të punoni më fort.

Nëse e vendosni veten në situata ku ka mjaft presion, atëherë do jeni më i/e prirur që të ngadhënjeni. Vendosni afate të shkurtra për veten dhe merrni përkushtim ndaj palëve të treta me qëllim që të jeni i/e detyruar të mos hiqni dorë. Konkurroni mbi aftësitë tuaja me qëllim që të mësoni nga konkurrenca. Konkuroni në publik me qëllim që të keni më shumë presion për të arritur suksesin.

Të mësuarit duke bërë diçka është shumë më e fuqishme se sa duke lexuar një libër. Kur mëson duke punuar shpesh përfiton nga fakti që e kupton menjëherë rezultatin e performancës, dhe si rrjedhojë përmirësohesh, më shpejt.

Angazhoni një mentor apo ‘trajner’ që t’ju ndihmojë. Investimi te vetja është investimi më i mirë që mund të bëni dhe si rrjedhojë do keni edhe përfitimet më të mëdhaja.

Vazhdoni të implementoni ato që mësoni deri sa të bëhen zakon. Për ta kthyer një aftësi në një veprim automatik, më parë do t’ju duhet ta zotëroni atë aftësi. Më pas, bëjeni trajnimin tuaj edhe më të vështirë në mënyrë progresive. Shtoni kufizimin kohor që do t’ju detyrojnë ta bëni edhe më shpejt. Së fundmi, praktikojeni aftësinë e re me ‘shpërqendrime të qëllimshme’ që t’ju inkurajojë në përgjigje automatike.

Krijoni mjedisin tuaj që t’ju lejojë të optimizoni produktivitetin në punë. Puna më e mirë kreative kërkon një përqendrim intensiv prej një deri në katër orë, ndjekur nga një mendje e relaksuar në mjedise të tjera. Punoni sipas niveleve tuaja të energjisë në vend të normave shoqërore, si p.sh. 9 deri në 5. Ndryshojeni mjedisin tuaj që të mund ta mbani aktiv trurin tuaj. Ofrojini vetes shkëputje mendore përgjatë ditës dhe bëni shëtitje të vogla. Nëse mund ta alternoni dhe ndryshoni mjedisin tuaj të punës, do zbuloni që do keni më shumë energji dhe përqendrim.

Çdo mjedis ka rregullat e veta, por ato nuk janë absolute. Hiqni dorë nga rregullat tradicionale dhe zëvendësojeni ato me rregulla të reja dhe më të mira. Nëse ju luani sipas rregullave të gjithësecilit, atëherë edhe rezultatet tuaja do jenë mesatare. Ju duhet t’i ri-formësoni rregullat e mjedisit tuaj për të qenë i/e suksesshëm dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë është nëpërmjet lidhjeve të reja. Bashkëpunoni me njerëz nga këndvështrime të ndryshme dhe kjo do të bëjë që të keni ide dhe strategji unike.

Ju nuk jeni i lidhur nga e kaluara juaj, por ju duhet ta nderoni atë. Sa më shumë të keni të qartë historinë e vetvetes, aq më shumë kontekst do keni për vetveten si dhe do keni më shumë kontroll mbi jetën tuaj.

Mos e lejoni suksesin që t’ju rrisë mendjen. Kujtoni faktin që ju nuk jeni shkaku i suksesit tuaj. Por ju jeni produkti i mjedisit tuaj të ndryshuar. Qëndroni vazhdimisht në një gjendje përulësie dhe mirënjohje.

Forca e vullnetit nuk është qasja më efektive për të ndryshuar vetveten. Vendoseni forcën e vullnetit tuaj në dorën e një mjedisi që fuqizon synimet tuaja dhe kështu do ia dilni me sukses.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Fuqia e vullnetit nuk funksionon

Fuqia e vullnetit nuk funksionon
Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal
Total Installment Payments
Bundle Discount

 
>