Gjuha e korrupsionit nëpër botë

Nga: Autorë të ndryshëm minuta lexim | 0 komente3395 lexime


Popujt në të gjithë botën kanë krijuar mijëra sinonime për të mos përmendur fjalën ryshfet apo korrupsion. Dy gjuhëtarë kanë gjurmuar një pjesë të këtyre fjalëve të përdorura në vende të ndryshme

Peshku i qelbur, kafe, supë, kutia e Nokias

Çfarë do të thotë “groshë për fëmijët” në Kinshasa, “një gotë verë” në Paris dhe “krap i vogël” në Pragë? Çfarë kanë të përbashkët këto shprehje? Që të gjitha tregojnë diçka më shumë sesa gastronomia vendore. Ato janë sinonime për ryshfet.

Gjuha e korrupsionit dallon nga një vend te tjetri, por ka edhe shumë ngjashmëri të mëdha në distanca të largëta, siç tregon David Hening (Universiteti i Kentit) dhe Nicolette Makovicky (Universiteti i Oksfordit) përmes shembujve të mëposhtëm.

1. Ndonjë para për paçe (Turqi)

Nëse të ndalon policia rrugore në Afrikën e Veriut, polici mund të të kërkojë t’i paguash “kahve” ose kafenë. Në Kenia mund të të ndalojë polici dhe të të kërkojë të kontribuosh “për një çaj për të moshuarit” (“çai ya vazee” në gjuhën suahili). Por në Turqi, policia do të të kërkojë para për paçe (“çorba parasi”) – paçja zakonisht konsumohet në fund të një nate me konsum të lartë alkooli.

2. Respekt (Azerbajxhan)

Pavarësisht nëse ndodh në rrugë apo nëpër zyra, korrupsioni përbën abuzim me pushtetin dhe privilegjet. Por eufemizmat popullore shpesh e mohojnë këtë realitet dhe e prezantojnë sjelljen prej të korruptuarit si një “favorizim” altruist për miqtë. Në Azerbajxhan, fjala që zakonisht përdoret për ryshfetin është “hurmat”, ajo është e ndërthurur me fjalën respekt/nder. Një zyrtar që po kërkon ryshfet (“hurmatimi ela”) për rrjedhojë do t’ju kërkojë “t’i bëni atij një nder”.

3. Peshku qelbet nga koka (Turqi)

Fjala e urtë “peshku qelbet nga koka” (“balik bashtan kokar”) vjen nga Turqia për të na kujtuar ne se bakshishet e vogla në nivelin e rrugës shpesh janë një pjesë e dukshme e korrupsionit më të madh në majë të organizatave apo institucioneve.

Zyrtarët meksikanë që po kërkojnë të fitojnë para për të organizuar një marrëveshje biznesi, do të kërkojnë t’i japësh “një kafshatë” (“una mordida”), ndërsa homologët e tyre kolumbianë thuhet se do të kërkojnë një “rriskë” (“serrucho”) nga pjesa e kontratës qeveritare për vete.

4. Mirënjohje (Hungari/gjuha mandarin e Kinës)

Termi korrupsion nënkupton si sjelljet ilegale, ashtu edhe ato imorale. Por në disa rajone, ajo çfarë teknikisht është ilegale mund të shihet në fakt si e pranueshme, madje edhe sjellje e moralshme. Në Hungari, mjekët dhe infermieret mund të presin “mirënjohje” (“haalapenz”) nga pacientët në formën e një zarfi me para. Në Poloni, dhuratat në natyrë për ndonjë burokrat të pafytyrë e kthejnë atë në “të njohur” (“znayamoshch”), i cili mund të jetë i aftë të “rregullojë gjërat” (“zalatvich spravi”) për ju në të ardhmen. Në Kinë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe zyrtarët e qeverisë presin gjithashtu “një falënderim të vogël” (“yidian xinyi”) për shërbimet e tyre.

Në Rusi, ka një shprehje që thotë: “Ti nuk mund të fusësh në xhep një ‘faleminderit’”, (“spasibo v karman ne polozhish”).

5. Nën tavolinë (anglisht/frëngjisht/fasi/suedisht)

Frazat popullore të përdorura për të folur për korrupsionin shumë shpesh janë metaforike. Shprehja e njohur e anglishtes që përshkruan paratë që paguhen “nën tavolinë”, për shembull, ekzistojnë gjithashtu në frëngjisht (“dessous de table”), në gjuhën farsi (“zir-e mize”) dhe në suedisht (“pengar under bordet”). Shprehi të tjera janë krijuar për të përshkruar procesin e transferimit. Në Hungari, “para për vaj” (“kenepenz”) paguhen te zyrtarët për të vaisur rrotat e burokracisë, ndërsa rusët e konsiderojnë shpesh si të nevojshme të vendosin diçka në pëllëmbën e dorës së një zyrtari (“polozhit na ladon” apo “dat na lapu”) në mënyrë që të bëjnë punën e tyre ligjore.

6. Diçka e vogël (suahili)

Shumë eufemizma të korrupsionit dhe ryshfetit punojnë për të zhvendosur vëmendjen nga veprimi apo për të minimizuar rëndësinë. Shprehja e suahilit “kitu kidogo” (diçka e vogël) është një shembull i mirë për këtë. Në Bregun e Fildishtë policia shpesh kërkon “pourboire” (kostoja e një pijeje), duke e krahasuar përmasën e ryshfetit me atë të një pijeje modeste. Termi brazilian për ryshfetin – “um cafezinho” – një kafe e vogël, përdoret gjithashtu për bakshishin si zëvendësues.

7. Para për çaj (pashtu/farsi)

Popullariteti universal i kafes dhe çajit si metafora për ryshfet tregojnë një mënyrë tjetër sesi eufemizmat funksionojnë për të fshehur natyrën e vërtetë të një pagese korruptive. Në Afganistan dhe Iran shprehja për ryshfet është “poul-e-chai”, që do të thotë “para për çaj”. Në të dyja vendet, pirja e çajit është pjesë thelbësore e jetës shoqërore. Duke kërkuar “para për çaj” sugjerohet gjithashtu se ryshfeti do të ndahet me shoqërinë, apo të tjerët. Disa shprehje si “groshë për fëmijët” – i japin ryshfetit një ndjenjë bamirësie duke pretenduar se përfituesit finalë do të jenë ata që janë më të pafajshëm e që kanë më shumë nevojë, pa fëmijët.

8. Para për pyetjet (anglisht)

Korrupsioni në shkallë të gjerë ka fjalorin e vet, shpesh të krijuar nga media. “Para të thata për pyetjet” ishte një skandal që përfshiu politikanët britanikë. (Skandali u shfaq kur një egjiptian i pasur Mohamed Al-Fayed, deklaroi se ka paguar disa deputetë të shtrojnë pyetje në Parlament ku tarifa ishte 2 mijë paund për pyetje të shtruara në vitin 1996.) Ndërkohë në Itali për korrupsionin e madh u krijua shprehja “tangentopoli” (fshati i ryshfetit), për skandalin e fillimit të viteve 1990. Duke kombinuar fjalën “tangjente”, pra një rrugë e shkurtër dhe “poli”, që do të thotë zonë e banuar/qytet, termi iu referua ryshfeteve që u jepeshin politikanëve për të përfituar kontratat e punës publike.

9. Kutia e Nokias (Hungari)

Në Hungari, termi “kutia e Nokias” u bë simbol i korrupsionit në vitin 2010, pasi kreu i kompanisë së transportit publik të Budapestit, Zsolt Balogh, u kap duke i dorëzuar zëvendëskryebashkiakut të qytetit, Miklos Hagyo, një kuti ambalazhi të një celulari “Nokia”. Që nga ajo kohë, “kutia Nokia” është bërë një farë njësie matëse – do të thotë 15 milionë forinta (65 mijë dollarë) – sasia e ryshfetit origjinal të Balogh.

10. Krap i vogël (Çeki)

Në Republikën e Çekisë, termat “krap i vogël” (“kaprzhici”), ose “peshk” (“ryby”), u përdorën si fjalë në kod përgjatë një skandali të madh korrupsioni në futbollin e Çekisë. Në komunikimin mes menaxherëve, arbitrave dhe lojtarëve, “një krap i vogël” funksionoi gjithashtu si një njësi matëse, gjë që do të thoshte 1 mijë koruna çeke (50 dollarë) për “peshk”. Eufemizmi “krap i vogël” u bë sinonim për korrupsionin në Çeki.

Mbi autorët

David Henig dhe Nicolette Makovicky drejtojnë projektin e informalitetit të gjuhëve të krijuara për të gjeneruar një bazë të dhënash mbi fjalët apo shprehjet shumëkuptimshme të sajuara nga publiku në jetën e përditshme, veçanërisht në lidhje me aktivitetet informale. Të gjitha përkthimet janë të përafërta nga gjuhët origjinale ose të përshtatura për t’u bërë më të kuptueshme.

Raporti

Korrupsioni është përkeqësuar

Një person në katër ka paguar një ryshfet për një zyrtar publik vitin e kaluar në të gjithë botën, kjo sipas një vrojtimi të kryer në 95 vende nga “Transparency International”.

Janë disa vende të Afrikës ku ryshfeti është si një lloj takse që vepron mbi të gjithë popullsinë njëherësh pa mundësi shpëtimi. Në Sierra Leone, 84 për qind e popullsisë deklarojnë se kanë paguar ryshfet të paktën një herë vitin e kaluar. Shtatë nga nëntë vendet me prani më të madhe të ryshfetit gjenden nën Afrikën Nënsahariane.

Vendet me normën më të ulët të ryshfetit janë Danimarka, Finlanda, Japonia dhe Australia, ku më pak se 1 për qind e popullsisë pagoi një bakshish gjatë vitit të fundit. Lajmi pozitiv është që sipas vrojtimit të Transparencës Ndërkombëtare, njerëzit në të gjithë botën shprehen sot më të gatshëm për ta luftuar korrupsionin nga sa shpreheshin më parë.

Shqipëria renditet vendi i 113 për nga niveli i korrupsionit nga 176 vende të analizuara prej Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Ky është një indeks që bazohet tek opinioni i qytetarëve mbi sa i korruptuar është vendi i tyre si njësi matëse.

Segmentet më problematike në Shqipëri janë policët e trafikut, të cilët janë edhe pika më e zakonshme e kontaktit mes shtetit dhe qytetarëve, për shkak se afërsisht një në katër familje shqiptare disponon një makinë, e cila duhet të përballet me policin e trafikut. Perceptimi i vendit si i korruptuar në Shqipëri është përkeqësuar gjatë vitit 2012 në krahasim me vitin 2011.

Kosova renditet në vend të 105, pra shumë më përpara se Shqipëria sa i përket perceptimit të korrupsionit. Maqedonia renditet në vend të 69.

Shqipëria ka edhe një qëndrim shumë tolerant shoqëror ndaj ryshfetit, edhe pse klauzolat ligjore për ndëshkimin e tij ekzistojnë.

Përgjatë vitit 2012, në Gjykatën e Tiranës janë shqyrtuar gjithsej gjashtë çështje për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, nga të cilat, tre kanë përfunduar me pafajësi. Dy prej të fajshmëve kanë apeluar vendimin.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Kurs: Si të përdoni SEO Press për WordPress

Kurs: Si të përdoni SEO Press për WordPress

Ka vetëm 3 mënyra si të rrisni biznesin tuaj

Ka vetëm 3 mënyra si të rrisni biznesin tuaj

Një mesazh i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të investojnë në një biznes

Një mesazh i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të investojnë në një biznes

9 Hapa Si Të Hapim Një Biznes Të Suksesshëm

9 Hapa Si Të Hapim Një Biznes Të Suksesshëm
>