Kur duhet të postoni online në blog apo mediat sociale?

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente3275 lexime


Zbuloni oraret më të përshtatshme të ditës se kur duhet të postoni online shkrimet tuaja në Blog, apo në Facebook dhe Twitter.

Nëse synimi juaj është që të arrini një numër më të madh lexuesish apo vizitorësh online, hulumtimet tregojnë se duhet të filloni të konsideroni oraret më të përshtatshme për të publikuar online. Thënë ndryshe, nëse nuk e keni menduar ndonjë se si oraret e ditës ndikojnë në suksesin e punës tuaj online, atëherë tani mund ta përmirësoni më tej edhe këtë aspekt të marketingut që bëni në faqen/blogun tuaj si dhe për postimet nëpër rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter.

Ekspertët dhe statistikat e mbledhura tregojnë se lexueshmëria e postimeve tuaja varen jo vetëm nga cilësia dhe interesi i lexuesve për atë çfarë keni shkruar, por edhe nga koha apo orët e ditës gjatë të cilave zgjidhni të postoni me qëllim arritjen e një audience sa më të madhe.

Ky shkrim bazohet mbi hulumtimet statistikore të bëra nga një kompani e mirënjohur marketingu online dhe disa ekspertëve të marketingut online, bazuar mbi të dhënat e mijëra përdoruesve në Amerikë dhe nëpër botë. Rezultatet e përbashkëta nxjerrin në pah disa vëzhgime interesante mbi oraret si dhe ditët më të përshtatshme që ndikojnë pozitivisht në arritjen e një audience më të madhe lexuesish nëpërmjet Blogut, Facebookut dhe Twitter, të cilat përfaqësojnë tre prej kanaleve/platformave më përfaqësuese për median sociale dhe marketingun online.

E sqarojmë që në fillim se hulumtimet bazohen në një pjesë të madhe mbi statistikat e përdoruesve në Amerikë (pra i referohet orareve të ditës për këto përdorues) por që lehtësisht i aplikohen edhe lexuesve në Shqipëri e jo vetëm. Mbi të gjitha, besoj se është e barazvlefshme edhe për ju që jeni të interesuar të kuptoni oraret më të përshtatshme për lexuesit tuaj shqipfolës, të cilët sigurisht nuk bëjnë shumë dallim për sa i përket orareve gjatë të cilave e përdorin internetin.

Mëngjesi më i përshtatshëm për postimet në Blog/faqe pastaj në Facebook

Orët kur lexohen blogjet
Orët kur lexohen blogjet

Sipas studimit, koha më e përshtatshme për publikimin e postimeve në faqen apo blogun tuaj është mëngjesi. Më konkretisht, shumica e leximeve të postimeve/shkrimeve nga lexuesit ndodhin gjatë orëve të para të ditës me një prirje në rënie për orët e tjera të ditës, ku mbrëmja dhe nata kanë lexueshmërinë më të ulët.

Si rrjedhojë, sipas hulumtimit, sugjerohet që shkrimet në faqen/blogun tuaj t’i bëni herët në mëngjes (7:00 dhe 11:00 AM) dhe ndërkohë postimet dhe shpërndarjet në Facebook si dhe postimet e tjera që mund të bëni në Facebook të kryhen rreth orëve 8:00 dhe 10:00 AM.

Orët kur bëhet më shumë "Share" në Facebook
Orët kur bëhet më shumë “Share” në Facebook

Në varësi të platformës që përdorni për faqen tuaj, ju mund ta skeduloni publikimin e postimeve në faqen/blogun tuaj që një ditë më përpara me qëllim që ato më pas të vetë-publikohen herët në mëngjes. Në të njëjtën mënyrë, ju mund të bëni edhe vetë-publikimin e postimeve tuaja në Facebook në orët e mëngjesit dhe gjatë ditës në vijim.

Hulumtimi tregon se kur ju postonit në Facebook në orët e sipërpërmendura, gjasat janë më të larta që postimi juaj do të shihet apo do të shpërndahet më tepër, por Facebook-u ka edhe një orë tjetër të përshtatshme që është ora 6-7 PM e mbasdites.

Gjithashtu, dita kur njerëzit shpërndajnë më shumë postime nëpër Facebook është e shtuna, por që fillon që të premten dhe mbaron të dielën në mëngjes herët.

Mbas-dreka dhe mbrëmja më të përshtatshme për Twitter-in

Kur bëhen më shumë 'retweets'
Kur bëhen më shumë ‘retweets’

Hulumtimi nxjerr në pah se koha më e përshtatshme për përdorimin e Twitter është mbas-dreka dhe mbrëmja, periudha të cilat rezultojnë në më shumë lexime, ri-lexime dhe shpërndarje (retweets).

Dita më e përshtatshme e javës për të publikuar

Është normale që shumica prej nesh nuk ka mundësi të publikojë diçka çdo ditë në blog apo faqen online, ndaj besoj se është me interes edhe rezultati tjetër i hulumtimit i cili nxirrte në pah se ditët me lexueshmërinë më të lartë janë e enjtja dhe e premtja. Ndërkohë që e shtuna ka një rënie drastike vizitash krahasimisht me dy ditët pararendëse.

Dita kur bëhet më shumë 'Share' në Facebook
Dita kur bëhet më shumë ‘Share’ në Facebook

Ndërkohë, që për Facebook-un ditët më të përshtatshme janë e shtuna dhe e diela, që në pamje të parë tregojnë një prirje të njerëzve për të konsumuar gjëra më të lehta dhe të shkurtra në fundjave në krahasim me shkrimet apo postimet më të gjata që mund të bëhen të enjteve dhe të premteve në faqen/blogun tuaj.

Konkluzione shtesë

Një nga këshillat që unë lë gjithnjë me klientët e mi është fakti se mënyra më e mirë për të vërtetuar se cilat janë oraret dhe ditët më të përshtatshme për të publikuar online varen plotësisht nga lexuesit tuaj. Ndaj, nuk ju ngelet veç se ta testoni dhe provoni vetë. Interneti dhe platformat e marketingut online si Blogu dhe Facebook ju lejojnë që edhe nëse e bëni gabim diçka, të mund ta përmirësoni sërish duke vëzhguar dhe mësuar nga çdo eksperiencë e re.

Gjithashtu, nëse lexuesit tuaj janë mësuar që shkrimet apo postimet tuaja t’i marrin në një ditë apo orar të caktuar, atëherë nuk është e nevojshme të ndryshoni pasi kështu mund të krijoni konfuzion.

Oraret dhe ditët më të përshtatshme nuk vlejnë gjithnjë për marketingun me email, pasi siç e përmenda, klientët tuaj mund të jenë mësuar ndërkaq me skedulën tuaj të publikimeve si dhe vetë natyra e email-it është e tillë që mund të konsumohet gjatë gjithë ditës.

Për më tepër, oraret e pikut mund të jenë më të mirat për shumicën e lexuesve, por ato gjithashtu nënkuptojnë që lexuesit tuaj mund t’i kushtojnë më pak kohë postimeve tuaja pasi në të njëjtën kohë janë duke lexuar edhe postimet e tjera që konsumohen gjatë të njëjtës periudhë të ditës.

Mbi të gjitha, gjetja e orarit të përshtatshëm, nuk duhet të zëvendësojë asnjëherë nevojën për të publikuar materiale cilësore dhe me interes për lexuesit tuaj. Cilësia dhe interesi, janë padiskutimisht dy nga faktorët parësor për suksesin e çdo publikimi online, pasi ndryshe lexuesit tuaj do fillojnë të zgjedhin dikë tjetër.

Burimet:

https://www.aweber.com/blog/email-marketing/targeting-timing-for-content.htm

https://www.problogger.net/archives/2010/12/06/ëhens-the-best-time-to-publish-blog-posts/

https://danzarrella.com/infographic-how-to-get-more-likes-comments-and-shares-on-facebook/ (linku i vjeter nuk funksionon)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?
>