Si ta rrisni angazhimin e vizitorëve me kuize?

Angazhimi i vizitoreve nepermjet kuizeve

Kuizet apo pyetësorët me zgjedhje janë një teknikë strategjike që ju ndihmon të rrisni angazhimin e vizitorëve tuaj online duke e rritur interesimin e tyre për biznesin apo organizatën tuaj.

Çdo marketier dhe sipërmarrës me përvojë e kupton nevojën që t’i mbajë vizitorët e faqes të angazhuar pasi ‘angazhimi’ i vizitorëve përkthehet në:

  • një marrëdhënie më të fortë,
  • më të qëndrueshme e rrjedhimisht
  • me vlerë për vizitorët dhe vetë biznesin apo organizatën tuaj.

Nevoja e angazhimit të vizitorëve

Mund të jetë me pak rëndësi nëse ju publikoni shkrime apo foto interesante.

Nëse faqja dhe përmbajtja juaj nuk dallojnë nga konkurrenca apo nuk ofrojnë diçka vërtetë tërheqëse për vizitorët tuaj, atëherë ata do jenë të prirur të largohen.

Vizitoret e rinj dhe ekzistuesStudimet dhe statistikat tregojnë se 50%-95% e vizitorëve në faqen tuaj të biznesit largohen për mos t’u kthyer më. Këtë mund ta vërtetoni lehtësisht duke parë se sa përqind e vizitorëve tuaj janë të rinj dhe sa janë ekzistues (new & returning) sipas Google Analytics.

Nëse raporti i vizitorëve të rinj është më i madhe se ai i atyre ekzistues rrjedhimisht është detyra juaj t’iu ofroni atyre diçka që të mund t’i tërheqë, pra t’i angazhojë për t’u rikthyer apo qëndruar më gjatë!

Raporti i vizitoreve me nje viziteNjë tregues tjetër është raporti i vizitorëve me një vizitë (bounce rate) që nëse është më i lartë se 50%, tregon se mund t’ju duhet të investoni në reklama për t’i rikthyer vizitorët në faqen tuaj pasi shumica nuk gjejnë atë që kërkojnë.

Për sa i përket mediave sociale, tashmë është e gjithëditur që edhe faqet më të mëdhaja me mijëra apo miliona fansa nuk arrijnë t’i prekin të gjithë fansat e tyre pasi Facebook, Twitter, etj., e kanë ulur në mënyrë të skajshme atë që quhet ‘reach’, pra qasjen tuaj ndaj totalit të ndjekësve/fansave tuaj në këto medie. Facebook e ka ulur nën 5% ndërsa Twitter e ka edhe më të ulët pasi është edhe më e kufizuar si platformë. Rrjedhimisht, nëse postimet tuaja nuk janë angazhuese atëherë numri i fansave tuaj nuk ka asnjë rëndësi praktike. Pyesni kë të dikë tjetër, por në cdo rast shihni edhe një herë me kujdes statistikat për ndjekësit tuaj.

Post Reach per Sipermarres.org
Shembull i “post reach” për një faqe në Facebook: Qasja (reach) është minimale dhe sporadike, përvec dy-tre ditëve ku ka një rritje deri në 635 (pika më e lartë) dhe 415 pika e dyte me e larte. Ditet e tjera jane pothuajse = me 0 per nje periudhe nje mujore.

Avantazhet e kuizeve

Kuizet janë ndëraktive – në ndryshim nga shkrimet, kuizet e konceptuara mirë arrijnë t’i tërheqin vizitorët tuaj jo thjesht me informacion zbavitës apo interesant, por edhe ndëraktivitet (shihni shembujt më poshtë).

Rrisin angazhimin mendor/emocional – krahasuar me shkrimet (si ky) që ofrojnë këshilla, sugjerime dhe informacione zbavitës, kuizet arrijnë t’i angazhojnë vizitorët e faqes tuaj mendërisht duke nxjerrë në pah koncepte apo aspekte të ndryshme (shihni shembullin 1).

Publikohen vetëm – kuizet mund të qëndrojnë vetëm ose si pjesë e një shkrimi/postimi tjetër (shihni shembullin 1).

Bëhen virale – ato mund të promovohen lehtësisht si dhe mund të kthehen në postime virale që shpërndahen nga vetë lexuesit dhe fansat tuaj.

Sugjerime konkrete – kuizet ju ndihmojnë t’i ofroni vizitorëve këshilla apo sugjerime konkrete bazuar mbi përgjigjet e tyre. Një kuiz që teston njohuritë e vizitorëve ju lejon t’u ofroni atyre edhe sugjerime konkrete mbi mangësitë apo njohuritë që kanë (shihni shembullin 2)

Segmentimi/kategorizimi – kuizet ju ndihmojnë të segmentoni apo kategorizoni vizitorët/fansat tuaj në bazë të përgjigjeve që ofrojnë. P.sh. në vartësi të përgjigjeve që ofrohen ju mund të gjykoni nivelin apo prirjen e vizitorëve tuaj (shihni shembullin 2).

Përforcim informacioni – kuizet ndihmojnë me asimilimin apo përforcimin e koncepteve të reja. Ky funksion i kuizeve përdoret gjerësisht nëpër institucione arsimore por mund të vihet në funksion të nevojave të një biznesi apo organizate (shihni shembullin 2).

 

Shembulli 1 – ndëraktivitet dhe angazhim mendor

Kuizi per zakonet e njerezve te suksesshemMbase mund ta keni lexuar sakaq shkrimin mbi 7 zakonet e njerëzve të suksesshëm. Ky shkrim, ashtu siç edhe shumë shkrime të tjera, ofron një nivel të caktuar angazhimi për vizitorët dhe lexuesit tanë.

Eksperienca nga ka treguar se shumica e vizitorëve lexojnë titullin dhe nëse kuriozohen mjaftueshëm nga titulli vendosin të të lexojnë edhe vetë shkrimin.

Ndër ata që e hapin ta lexojnë, shumica e lexojnë relativisht shpejt sa për ta konsumuar si material, por mbas 10 minutash i harrojnë pothuajse tërësisht ato që kanë lexuar. Mbetet vetëm një përqindje shumë e vogël e atyre që e lexojnë më vëmendje e fillojnë ta analizojnë shkrimin më thellë (pra që janë vërtetë të angazhuar) pasi shpenzojnë më tepër kohë për ta kuptuar dhe nxënë më mirë materialin që kanë lexuar.

Por nëse do arrinim që të njëjtit lexues t’i ftonim të bënin një kuiz më parë, atëherë do zbulonim që ata që ndërmarrin ta bëjnë kuizin deri në fund tregojnë një nivel interesimi më të madh edhe për ta lexuar apo analizuar më thellë informacionin që i’u paraqitet.

 

Shembulli 2 – përforcim informacioni & segmentim i vizitorëve

Testimi me zgjedhjeNjë shembull tjetër i një kuizi që kemi ndërtuar bazohet mbi një testim gjuhe që ofrohet nga një prej qendrave të mirënjohura të gjuhës angleze në Tiranë. Kuizi apo pyetësori me zgjedhje u ofron mundësinë vizitorëve që të testojnë nivelin e tyre të gjuhës nëpërmjet përgjigjeve me opsione.

Angazhimi i vizitorëve ndodh që në momentin që ata vendosin të bëhen pjesë e këtij testimi, ndërsa segmentimi bëhet bazuar mbi përgjigjet e sakta apo të gabuara që ata ofrojnë. P.sh. ata që dalin me rezultate të ulta mund të nxiten të bëjnë një kurs apo të lexojnë më shumë, ndërsa ata që dalin me rezultate të larta mund të orientohen drejt materialeve më sfiduese apo produkteve të caktuara.

Shembulli 3 – bëhen virale

Ky është një shembull tjetër i një postimi në mediat sociale që po të shihet nga numri i komenteve dhe reagimeve dukshëm tregon angazhim të ndjekësve në këtë faqe. Formati dhe mediumi i këtij postimi e lejojnë atë që sa herë dikush e pëlqen apo shkruan një koment si përgjigje, reagimi i ndjekësve të shpërndahet në mënyrë virale edhe te miqtë e tyre në Facebook.

Shembulli 4 – viralitet & përforcim informacioni

Një shembull tjetër i një postimi i cili mund të bëhet viral por që mbi të gjitha krijon ‘angazhim’ për fansat duke i qëndruar besnik edhe misionit të vetë organizatës për përhapjen e gjuhës dhe kulturës.

Shembulli 5 – viralitet dhe angazhim

Kuizi te AlbeuKy është një shembull tjetër nga një gazetë e mirënjohur e cila e përdor kuizin për t’i angazhuar lexuesit e sajë rregullisht nëpërmjet ofrimit të cmimeve konkrete, që sigurisht e bën edhe më tërheqës kuizin që ata ofrojnë.

Në përfundim

Kuizet janë vetëm një nga teknikat. Ato nuk janë zgjidhja e vetme, por mund të bëhen lehtësisht pjesë e ‘veglave’ në kutinë tuaj të veglave që ju lejojnë të bëni një punë me vlerë për vizitorët e faqes dhe biznesin/organizatën tuaj. A keni sugjerime apo ide të tjera për përdorimin e kuizeve? Ndajini me ne te komentet këtu poshtë.