Ja përse nuk duhet t’i postoni fotot e fëmijëve në Facebook

Psikologji – Prindërit, të cilët vendosin që të mos i ndajnë informacionet mbi fëmijët e tyre në Facebook, po bëhen më të shumtë. Frika është se mos dikush mund t’i keqpërdorë imazhet dhe të dhënat private. Por ekziston edhe një rrezik për sigurinë..

Ju mbase jeni nga ata prindër të kënaqur dhe fëmijët tuaj janë ende shumë të vegjël për t’u shpallur “luftë” dhe mjaftueshëm të rritur sa të mos qajnë gjatë gjithë natës! Nuk kalon ditë që ju të mos postoni diçka që e “meriton” të postohet në rrjetet sociale: dhëmbi i parë i fëmijës tuaj, fjala e parë, mimika e parë e çuditshme, të qeshurat etj.

Nën “ankthin” për të kapur çdo moment të fëmijës tuaj, ju e filmoni dhe e fotografoni atë me mijëra herë dhe pa e menduar shumë gjatë, i ndani ato në Facebook dhe në rrjete të tjera sociale. Dhe në një situatë të tillë është e drejtë për të thënë “mjaft më”! Dhe kjo gjë nuk thuhet vetëm për bezdisjen që mund t’u shkaktoni miqve tuaj duke u shfaqur gjatë gjithë kohës Neës Feed-in e tyre, por sepse kjo sjellje për të ndarë gjithçka, kur bëhet fjalë për minorenë, nuk mund të jetë kurrsesi një ide e mirë.

Një numër në rritje i prindërve amerikanë, në muajt e fundit, kanë filluar të heqin imazhet, videot dhe të gjitha informacionet që kishin lidhje me fëmijët e tyre nga rrjetet sociale më të njohura në botë. Sipas këtyre prindërve, arkivimi i përvojave prindërore në Facebook mund të rezultojë kundërproduktiv për një sërë arsyesh:

1- Imazhet, videot dhe informacionet (ditëlindja, festat e shkollës etj.) i ekspozojnë fëmijët tuaj ndaj çdo lloj sulmi, që vetëm me disa klikime, të njohur e të panjohur mund ta shohin shumë mirë fytyrën e fëmijës tuaj, ta dinë se çfarë bën, se kur shkon në shkollë dhe në cilin vend i ndjek kurset e tij të ndryshme.

2- Nuk dihet me saktësi se si mund t’i përdorin rrjetet sociale imazhet dhe informacionet e fëmijëve tuaj.

3- Nuk është e thënë që fëmijës tuaj mund t’i pëlqejë shumë veprimi juaj, kur edhe ai mund t’i bashkohet Facebook-ut kur të mbushë moshën e lejuar: ndoshta nuk do t’i vijë aspak mirë kur të shohë se çdo moment i rëndësishëm i fëmijërisë së tij, është në internet. Megjithëse nga njëra anë, numri i prindërve të cilët po ndërgjegjësohen mbi këtë fenomen po rritet, nga ana tjetër, numri i atyre që vazhdojnë të ndajnë çdo informacion mbi fëmijët e tyre është ende shumë i madh.

Duke u mbështetur te një studim i kryer në vitin 2011 nga Instituti i Kërkimeve Sociale i Universitetit të Miçiganit, 66% e prindërve amerikanë të lindur mes viteve ’60 dhe ’70, ndajnë pa asnjë problem jetën e fëmijëve të tyre online. Natyrisht, Facebook-u vë në dispozicion një seri instrumentesh, të cilët ndihmojnë për të ruajtur kontrollin efektiv mbi përmbajtjet e shpërndara, por disa prindër nuk i besojnë.

Duke parë se si NSA ka ndërhyrë në sistemet e mesazheve, logjika të bën të mendosh që nëse kjo prirje vazhdon të përhapet, shpejt do të dalin rrjete të reja sociale që premtojnë një privatësi të fortë, të krijuara enkas për prindër më të matur.

Pra bëni kujdes!

Mos përdorni asnjëherë emrin e fëmijëve në fotografi apo në tag-e. Në rast se dikush tjetër e bën këtë, fshijeni duke klikuar te “Remove Tag”. Në rast se ju vetë nuk keni hedhur asnjë foto të fëmijës tuaj në Facebook, por dikush tjetër përfshin emrin e tij apo të saj në një tag, kërkojini menjëherë atij personi ta heqë emrin. Për shembull, pamjet e detajuara fotografike të shtëpisë suaj, mund të kenë kaluar automatikisht në Google Earth dhe çdokush, manjakët, hajdutët, terroristët, mund t’i analizojnë ato me imtësi dhe me qetësinë më të madhe të mundshme.

“Privatësia ka vdekur. Harrojeni!”, këshillon Scott McNealy, bashkëthemelues i Sun Microsystems. Ndoshta mund të përgjigjemi dhe ta rikthejmë një pjesë të privatësisë sonë të humbur. Mund ta bëjmë këtë duke i vendosur standardet tona dhe duke i shpërndarë ato. Mund ta bëjmë duke punuar drejtpërdrejti në kompani si Facebook, për të cilat ne jemi burimi themelor i të ardhurave. Mund ta shfrytëzojmë Facebook-un për ta riformuluar atë.

Megjithatë, sado i “dëmshëm” apo jo privat të jetë Facebook-u, çdo njeri e ka vetë në dorë publikimin e të dhënave të tij apo edhe përdorimin apo jo të llogarisë së tij në Facebook. Ajo që duhet bërë është që të tentohet të ndalohen komplotet kundrejt privatësisë sonë, duke e bërë atë të padepërtueshme. Po ato teknologji në rrjete sociale, të cilat e ngushtojnë privatësinë tonë, mund të na fuqizojnë që t’i luftojmë.

N.A

Read More
Pajisja që mund të spiunojë çdo veprim të tastierës së kompjuterit

Pajisja që mund të spiunojë çdo veprim të tastierës së kompjuterit

Teknologji – Një polak ka zbuluar se si të marrë të dhëna nga tastiera e çdo kompjuteri, duke vjedhur kështu të dhëna të rëndësishme si fjalëkalimet dhe kodet e kartave të kreditit. Ai e ka ndarë teknologjinë e tij me këdo që është i aftë ta rikrijojë

Për vetëm 10 dollarë, një haker mundi të krijojë një pajisje të fshehtë që gjurmon çdo gjë që një përdorues shkruan në tastierën e kompjuterit të tij, përfshirë emrat e përdoruesve, detajet e kartës së kreditit dhe fjalëkalimet bankare.

Pajisja e quajtur “KeySweeper”, u ndërtua nga një kërkues i sigurisë me bazë në Poloni që punon me disa tastiera me valë Wi-Fi. Sapo lidhet, USB-ja e vogël e karikimit në mur të pajisjes dekripton, futet dhe i dërgon tastet e shtypura në një haker, duke përdorur një softuer të projektuar veçanërisht.

“KeySweeper” u ndërtua nga një haker hardueri, Samy Kamkar, duke përdorur një bord Arduino, karikuesin USB dhe tastierën me valë të Microsoft.

Pajisja duket dhe punon si një karikues tipik muri, por përdor një çip të brendshëm ‘për të futur hundët’ në tastierën e shtypur nga përdoruesi, duke i ruajtur informacionet. Të gjithë të dhënat më pas i kalojnë një hakeri nëpërmjet internetit.

Tastierat përdorin një çip të veçantë që punon në një frekuencë të njohur si 2.4GHz RF protokoll, që është mënyra sesi komunikon me valë. Teksa tastet shtypen në tastierat me WI-FI, ato zakonisht inkriptohen gjatë kohës që kalojnë nga tastiera në kompjuter.

Duke përcaktuar se cilin çip përdor një tastierë, Kamkar mund të zbulojë si të dekriptojë këto taste. Sapo hyn në punë, karikuesi futet në spinë në mur dhe ‘gërmon’ apo ‘dëgjon’ të gjitha tastet që pronari i një kompjuteri shtyp.

Pa pasur nevojë që personi që do t’i marrë këto të dhëna të jetë pranë vendit nga buron informacioni, teknologjia mundëson regjistrimin e çdo gjëje dhe ia dërgon hakerit.

Teknologjia në fjalë mund të përdoret për të regjistruar çdo gjë, madje i dërgon një mesazh paralajmërimi hakerit kur një kombinim i caktuar tastesh është shtypur.

Për shembull, nëse përdoruesi shtyp adresën e një sajti online të veprimeve bankare, apo kur fut numrin me 16 shifra, kjo do të thotë se është një numër karte krediti.

Dhe nëse “KeySweeper” është i pafutur në spinë, një bateri e brendshme do ta mbajë në punë – ndonëse jeta e baterisë varet nga përdorimi i saj.

Rrezet e “KeySweeper” thuhet se funksionojnë sa një pajisje standarde Bluetooth-i, pra rreth 10 metra.

Kamkar përdori tastiera Microsoft-i, në veçanti, sepse ato përdorin të njëjtin protokoll inkriptimi, që do të thotë se nëse ai dekriptoi njërën, mund të dekriptonte edhe të tjerat.

Në teori, ky proces mund të aplikohet ndaj çdo tastiere me Wi-Fi.

Kamkar ka nxjerrë kodin e burimit dhe instruksionet për të ndërtuar një “KeySweeper”, por nuk ua këshillon personave që nuk kanë një përvojë në fushën elektronike.

Vitin e shkuar, kërkuesit izraelitë krijuan një softuer të ruajtjes së tasteve që mund të vjedhë çfarë është shkruar edhe nga kompjuterët që nuk janë të lidhur me uebin.

Mungesa e lidhjes me rrjetin është një masë sigurie. Ajo është projektuar për të siguruar që rrjetet kompjuterike të jenë fizikisht të izoluara nga rrjetet e pasigurta, siç është interneti apo rrjeti lokal.

Kërkuesit izraelitë krijuan një softuer që regjistron tastet e shtypura dhe ia kalon ato nëpërmjet sinjaleve të radios të gjeneruara nga karta grafike e kompjuterit te një person tjetër.

Të dhënat merren nga një celular aty pranë, që është i pajisur për të marrë sinjale radio. Në rastin e marrë shembull, kërkuesit përdorën një Samsung Galaxy S4 dhe iu desh ta lidhnin me kufje për ta aktivizuar marrësin e radios.

Kjo mund të bëhet pa u diktuar nga përdoruesi, por varet shumë nga softueri i instaluar në kompjuter. Meqë sinjalet FM të radios mund të udhëtojnë në distanca të largëta, marrësi mund të jetë në një tjetër ndërtesë.

I.D

*Burimi: Daily Mail

Read More

Teknologjia, një mani që po sëmur botën 

Sociologji – Bota e sotme po ecën me galop, por së bashku me zhvillimin teknologjik po shtohen edhe problemet që u vijnë njerëzve nga përdorimi i shumtë i celularëve dhe internetit. Probleme shëndetësore, por edhe sjellje antishoqërore, këto janë disa nga pasojat negative të teknologjisë

Disa studime të fundit e kanë lidhur celularin me probleme të jetës së përditshme si shpërqendrimi, rreziku shëndetësor dhe probleme me gjumin. Por a është vërtet kaq i dëmshëm për shoqërinë dhe shëndetin celulari?

Një nga studimet e publikuara këtë javë ka zbuluar se nëse nuk kemi celularin me vete ose pranë, kjo na bën më pak të përqendruar, rrit presionin e gjakut dhe na bën të ndihemi pa qejf.

Varësia nga celularët është bërë një problem madhor, aq sa të qenët larg tyre na kufizon funksionet tona konjitive dhe na bën të ndihemi jo mirë fizikisht, sipas shkencëtarëve.

Ky ishte një ndër studimet e para që konstatoi se çfarë i ndodh njerëzve që janë të ndarë nga celularët dhe zbulimet nuk ishin aspak të favorshme për ne. Sipas përfundimeve, ne kemi performancë të ulët në detyrat mendore pa mjetin teknologjik që e kanë shumica e njerëzve në planet.

Për më tepër, ndarja nga celulari na rrit të rrahurat e zemrës dhe nivelet e presionit të gjakut, duke na çuar në ankth dhe ndjenjë pakënaqësie.

Në eksperimentet e studiuesve të Universitetit të Mizurit për studimet e gazetarisë, u zbulua se personave që iu mor celulari nga kërkuesit përpara se të zgjidhnin një lojë me plotësimin e fjalëve, dolën më keq sesa ata që kishin celularët me vete’.

“Hulumtimi ynë zbuloi se ndarja e përdoruesve të celularëve nga teknologjia e tyre e komunikimit, ka pasojë negative”, tha Russell Clayton, një kandidat doktorature në Universitetin e Mizurit.

Kaq e madhe është lidhja e njeriut me celularin, saqë ai e mendon atë si një shtesë të vetes, pa të cilin ndihet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Sipas kërkuesve, përdoruesit e celularëve duhet ta shmangin ndarjen nga teknologjia në situata të përditshme që kërkojnë vëmendjen e tyre të plotë, pasi rrezikojnë të performojnë më dobët se zakonisht.

Kjo nuk lidhet me përdorimin e celularit në situata të tilla, por në disponimin e tij. Kërkuesit zbuluan se gjatë eksperimentit, kur pjesëmarrësit e studimit nuk mundën t’u përgjigjeshin telefonatave që u vinin, ritmi i zemrës së tyre u rrit dhe presioni i gjakut gjithashtu.

Pjesëmarrësit nuk kishin dijeni se eksperimenti po zhvillohej mbi varësinë nga celulari, ata mendonin se ai kishte të bënte me presionin e gjakut dhe matjen nëpërmjet valëve të rrjetit.

 

Teknologjia po na bën antishoqërorë

Një studim i ndarë i kryer nga disa psikologë ka zbuluar se teknologjia e sotme kthen një nga dhjetë përdoruesit e vet në antishoqëror dhe narcizist.

Në të gjithë botën, kërkuesit kanë zbuluar se rreth 182 milionë prej nesh janë të varur nga përdorimi i internetit. Teksa uebi bëhet gjithnjë e më i përhapur, është shfaqur nevoja për studime serioze mjekësore në lidhje me çrregullimet që vijnë prej internetit.

Psikologu Tomas Chamorro-Premuzic nga Universiteti Kolegj i Londrës dhe një skuadër psikologësh analizuan zakonet e celularëve dhe internetit të 1000 personave.

Sëmundja më e re është quajtur “NetBrain” dhe ata që vuajnë prej saj tregojnë nivele në rritje të narcizmit, vëmendjes së pakët dhe frika se nuk po kënaqen sa të tjerët.

Personat që vuajnë nga simptomat e mësipërme janë ata që kanë më shumë gjasa të luajnë kumar online dhe të përdorin rrjetet sociale dhe faqet e lojërave, si dhe aplikacionet.

Për më tepër, personat që përdorin celularët e modelit të fundit me prekje, kanë tre herë më shumë gjasa të vuajnë nga ‘NetBrain’ sesa ata që kanë celularë të modeleve të vjetra.

Ata që vuanin prej këtij shqetësimi kanë më shumë gjasa të shprehin sjellje antisociale, si për shembull përdorimi i celularit kur janë në prani të miqve.

Studimi ofron prova për mënyrën sesi shoqëria moderne po përqafon zhvillimin e teknologjisë dhe problemet që vijnë prej kësaj. Personat që kanë simptomat e ‘NetBrain’ kanë më tepër gjasa të kenë tensione në jetën familjare dhe në punë.

Një studim më i hershëm në dhjetor tregoi se celularët modernë po bëhen aq të integruar në jetët moderne, saqë mund të jenë duke ndryshuar edhe formën e funksionet e trurit te njeriu.

Sa më i lartë të jetë zhvillimi i një shteti apo kontinenti, aq më i lartë është edhe rreziku që të preket nga sëmundjet që lidhen me teknologjinë e fundit.

I.D

*Burimi: Daily Mail.

Read More

Logot e famshme: Si do të dukeshin, sikur të ishin të ndershme?

Realitet – Logot e markave të famshme të shumë fushave, që nga industria ushqimore, ajo e fast-food-it, e cigareve e deri tek ato të teknologjisë, mund të merrnin një konotacion tjetër, një dimension shumë domethënës, edhe pse komik, kur shihen me syrin e një artisti

Logot e firmave të mëdha nxisin emocione që lidhen kryesisht me asosacione pozitive, duke kërkuar të jenë të dashura për publikun. Ato përdorin shumë ngjyrat dhe efektet, hiperbolat moderne nëpërmjet teknikave që koha u mundëson. Mirëpo jo për të gjithë ndodh kështu, sidomos kur je artist.

Ndodh, për shembull, që kur sheh një “M” të madhe që të sjell ndër mend koncernin gjigant “McDonald’s”, ti e di se je shumë pranë një pike fast-food-i. Kur sheh virgjëreshën e “Starbucks”-it, shumë njerëz mendojnë menjëherë për një kafe të ngrohtë, një gotë plot qumësht e biskota.

Disa logo përmbajnë madje edhe mesazhe të fshehta. Në logon e “Tobolerone”, pas malit të famshëm për shembull, fshihet një ari, por mendja mund të mos të shkojë menjëherë te çokollata e famshme zvicerane.

Dimensioni i ri në syrin e artistit

Por logot e markave të famshme të shumë fushave, që nga industria ushqimore, ajo e fast-food-it, e cigareve e deri tek ato të teknologjisë, mund të marrin një konotacion tjetër, një dimension shumë domethënës, edhe pse komik, nëse do të shiheshin me syrin e një artisti.

Ato mund të ngjallin emocione të reja, tërësisht të ndryshme nga ato çka kanë dashur të transmetojnë, apo jemi mësuar të përftojmë prej tyre kur i shohim nëpër reklama apo postera, supermarkete e billborde, aq të mëdha saqë realisht ka ndodhur që imazhet e ndonjërës prej tyre i kanë tërhequr vëmendjen aq shumë ndonjë shoferi “të pavëmendshëm”, saqë e kanë nxjerrë atë edhe nga rruga, apo përplasur me makinën përballë, duke i marrë jetën.

Logot e markave shesin ëndrra

Por çfarë mund të ndodhte, nëse logot do të tentonin të ishin të vërteta, të mos jepnin mesazhet për të cilat ato paguajnë miliona për t’i konceptuar e për t’i dizenjuar? Nëse ato nuk do të tentonin të shisnin një botë ëndrrash?

Artisti suedez, Viktor Herz, duket se ia ka dalë t’i shohë ato si askush tjetër, çka në fakt është paradoksalisht edhe imazhi të cilin shumë njerëz do të donin t’ua njihnin atyre me të vërtetë, e sidomos anëtarë të shoqërisë civile, luftëtarë të të drejtave të njeriut, avokatë të konsumatorëve, anarkistë, antikomercialistë, antikapitalistë, ambientalistë etj.

Suedezi Herz duket se ka sjellë për publikun së fundmi një pjesë nga seria e tij nën emrin domethënës “Honest Logos” (logo të ndershme) disa logo të firmave e koncerneve më të mëdha botërore, që u përkasin shumë fushave, të shndërruara në mesazhe, paçka se në formë duken njësoj.

A janë ato antireklamë? Duket se ai nuk e ka menduar të tillë, ai vetëm ka shprehur artistikisht atë që ai mendon se qëndron. Bashkangjitur këtij artikulli, do të gjeni një numër të propozimeve të tij:

McDonalds – Koncerni i ushqimit të shpejtë, McDonalds, shihet në syrin e tij si sinonim i diabetit

B&B-Donuts – Firma e prodhimeve të brumërave e ëmbëlsirave “B&B-Donuts”, nga artisti suedez shihet si sinonim i dhjamit dhe shëndoshjes

“Camel” – Firma e njohur e cigareve, “Camel”, shihet e deformuar qëllimisht për të dhënë nga artisti suedez, përshtypjen e vrasësit të trupit të njeriut, e shënjuar nën fjalën kobndjellëse “Cancer”

Marlboro – Firma tjetër e njohur e prodhimit të cigareve, “Marlboro”, logo e së cilës njihet shumë mirë nga të gjithë duhanpirësit në botë, shihet të transmetojë në mënyrë ironike mesazhin “harxhues i kotë parash”

Windows – Logo e famshme e “Windows”-it, të cilën tashmë çdokush që përdor kompjuter e njeh mirë, në mënyrë sarkastike na sjell ndër mend problemet e shumta që shpesh hasim prej tij, duke na paralajmëruar se: “Ndonjëherë edhe punon!”

Coca Cola – Për sloganin e markës së famshme të prodhimit të pijeve “Coca Cola”, artisti ka preferuar të përcjellë mesazhin: “Shijo komercializmin”

StarBucks – Shumëkush e di se çfarë ofron rrjeti i mirënjohur amerikan i kafeneve “StarBucks”. Sipas Herz, përtej një “skinny latte”, ai ua bën të qartë shumë thjeshtë adhuruesve të tij, se pas logos të tij mund të fshihej fare mirë një “bombë kalorike”

Read More

Stresi në punë, një arsye që shëndosh punonjësit

Studimi – Një arsye më shumë për të qenë të lumtur në mjedisin e punës: ruani linjat e trupit. Studimet tregojnë se punonjësit e stresuar hanë ushqime të pashëndetshme dhe shpenzojnë më shumë para në drekat e punës

Nëse ia ndieni nevojën një biskote apo një çokollate kur jeni tashmë të ngrënë, nuk jeni të vetmit.

Punonjësit që po kalojnë një ditë të keqe në zyrë, kanë më shumë gjasa të hanë dreka të mbingarkuara dhe ushqime të pashëndetshme, sipas një studimi të ri.

Ndërsa, punonjësit që ecin mirë me punën e tyre, hanë dreka më të shëndetshme, si sallatat dhe sanduiçet me pak kalori.

Për shembull, më shumë se tre e katërta ose 77 për qind e 2000 punonjësve që morën pjesë në studimin e kryer në Britani, u shprehën se humori i tyre në zyrë ndikonte padyshim në ushqimin që do të hanin në kohën e drekës.

Gjysma pretendoi se porosiste një drekë të shëndetshme kur ishin të lumtur dhe optimistë.

Megjithatë, sapo ata kishin një ditë të keqe, më shumë se gjysma e tyre i linte planet për dreka të shëndetshme si sushi dhe sallatat, duke iu drejtuar hamburgerëve dhe picave.

Një ditë e keqe në zyrë ishte më së shumti justifikimi i zakonshëm që përdorej për të ngrënë më shumë se normalja, ku 72 për qind e të rriturve pranojnë ta kenë bërë.

Studimi zbuloi se rreth katër vakte në javë përzgjidhen sipas humorit në të cilin gjendemi.

Dietologia Azmina Govindji, tha: “Të gjithë kemi përjetuar ditë të zëna dhe stresuese, por anashkalimi i vakteve për të kursyer kohë është një gjë e kotë, ashtu siç është ngrënia e një çokollate në tavolinën e punës”.

“Këto zakone mund t’ju bëjnë të varur nga probleme si djegia në stomak ose mostretja, duke ju bërë të ndiheni keq gjatë gjithë pjesës së mbetur të ditës.

Si djegia në stomak, ashtu edhe mostretja, janë më të zakonshme kur hamë ushqime të pasura me yndyra, gjë që priret të ndodhë më tepër nga zakonet e këqija të të ngrënit dhe nga stresi.

Një punonjës i zakonshëm përgjatë një viti konsumon 38 herë ushqime të shpejta në punë, ku 45 për qind pranojnë se sa më e keqe të jetë gjendja e tyre mendore, aq më pak të shëndetshme janë zgjedhjet e bëra.

Nga personat e përfshirë në studim, 45 për qind e përshkruan drekën e tyre në punë si “e freskët”, ndërsa 30 për qind si “e yndyrshme”.

Studimi tregoi se konsumi i produkteve të yndyrshme nuk është i dëmshëm vetëm për linjat e trupit, por edhe për llogarinë bankare, ku një punonjës shpenzon mesatarisht 350 dollarë në vit për ushqime që supozohet ta bëjnë të ndihet më mirë.

Jo vetëm që punonjësit pranojnë se nuk hanë ushqim të cilësisë së lartë, por 47 për qind e tyre pohuan edhe se nxitojnë në konsumin e drekës kur kanë një ditë të zënë apo stresuese.

Këta thanë se e konsumojnë drekën mesatarisht në gjashtë minuta, për tri vaktet e drekës që i hanin në tavolinën e punës. Nga të anketuarit, 14 për qind e tyre pranuan se nuk e konsumonin drekën fare, sepse nuk kishin kohë të hanin.

Sanduiçët janë ushqimi më i njohur për drekat e punonjësve, kurse çokollata u listua si një prej drekave më të dëshirueshme. Shqetësimet për paratë, zënkat me partnerët dhe gjumi i parehatshëm i bëjnë personat të kërkojnë më shumë sheqerna në ushqimet e tyre dhe produkte të pashëndetshme.

Një studim i pavarur zbuloi se periudhat e gjata mes vakteve mund të jenë të mira për ne. Studiuesit pretendojnë se ne nuk jemi të projektuar të hamë tri vakte në ditë dhe se periudhat e gjata pa konsumuar ushqim ose duke konsumuar pak ushqim, janë të mira për ne.

Ata thonë se sistemi 5:2 i dietës ul shumë kaloritë në dy ditë të javës gjë që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve përfshirë edhe kancerin e gjirit.

Dieta 5:2 përfshin dy ditë konsum të ushqimeve që kanë vetëm 600-1000 kalori dhe pak karbohidrate. Kjo krahasuar me 2000-2500 kaloritë që kanë nevojë respektivisht femrat dhe meshkujt.

Sipas një hulumtimi ndërkombëtar, e ngrëna e vazhdueshme është ‘jonormale’ në kuptimin evolucionar. Sipas tyre, njerëzit e lashtë kanë ngrënë në mënyrë sporadike dhe zakoni i tri vakteve në ditë u formua pas revolucionit bujqësor.

*Burimi: Daily Mail

Read More

Shtatë mënyrat me të cilat Facebook ju shkatërron jetën

Teknologjia dhe jeta – Më poshtë do të gjeni të renditura disa nga situatat kryesore, me të cilat rrjetet sociale ju largojnë nga jeta reale, duke ju “shkatërruar” jetën

Bota reale duket se është përballë një kërcënimi të vërtetë prej botës virtuale! Pothuajse të gjithë ata që kanë një adresë Facebook-u tregojnë çdo gjë për jetën e tyre: postojnë se ku janë, me kë, se çfarë po bëjnë etj. Pra, varësia ndaj këtij rrejti social sa vjen dhe po bëhet më shqetësuese, duke qenë se shijimi i jetës reale po lihet vërtet pas dore! Për të mos shkuar edhe më tej, më poshtë do të njiheni me shtatë shenja, të cilat tregojnë se Facebook-u po ju shkatërron ekzistencën tuaj. Njohja është hapi i parë për të kuptuar se sa e rëndë është “varësia”.

1– Facebook po ju largon nga programet tuaja të preferuara televizive

Kur regjistroni pjesën finale të serialit tuaj të zemrës për ta parë në qetësi, bëni gabimin më të madh kur hapni faqen tuaj të Facebook përpara se të uleni në divan. Duke parë radhën e gjatë të postimeve të ndryshme, ju harxhoni një pjesë të mirë të kohës kot, aq sa nuk keni më dëshirë të shihni serialin, programin apo filmin tuaj të preferuar.

2– Facebook ju shtyn që të punoni keq

Kjo është një skenë tipike: të hënën në mëngjes, shefi juaj ju ngarkon me një detyrë që kërkon shumë kohë dhe seriozitet për t’u bërë. Logjika ju thotë që ta filloni menjëherë, por pastaj filloni të mendoni se çfarë të keqe ka nëse kaloni një herë nga profili juaj në Facebook?! U tha- u bë! Në këtë mënyrë kaloni orë të tëra duke bërë “like” dhe komente nëpër miqtë tuaj, ndërkohë që faqja e excell-it për punën, mbetet ende bosh dhe për përfundimin e saj kujtoheni në momentin e fundit!

3- Facebook ju bën një mik të keq

Mikja juaj më e mirë sapo është fejuar, martuar apo pret një fëmijë dhe ju çfarë bëni ndërkohë që merrni vesh këtë gjë?! Në vend që t’i dërgoni një pusullë të thjeshtë urimi ose një tufë me lule, apo ëmbëlsirë, i bëni thjesht një koment në profilin e saj! Nuk është aspak e rëndësishme nëse i pëlqeni fotot që ajo publikon! Në rregull, ky është një gjest më vete, por ata të vërtetët janë më domethënës.

4- Facebook çrregullon gjumin

Kur sapo mbyllni një ditë të lodhshme pune, vendosni që të shkoni në shtrat nën shoqërinë e një filxhani të ngrohtë qumështi. Por sapo ju vjen gjumi, ju shkon në mendje një kontroll i fundit i miqve në Facebook, i të rejave që mund të kenë ndodhur aty! Ndërkohë që koha kalon sërish kot edhe gjumi ikën bashkë me të! Ndaj tani e dini se përse vuani për gjumë!

5 – Facebook shkakton ankth

Një shembull i thjeshtë është ai i postimit të një fotoje që ju e quani tepër të bukur dhe mjaft domethënëse, në të cilën mund të keni dalë për shembull, me të dashurin, shoqen e ngushtë, familjen etj., por merrni më pak se 10 pëlqime! Edhe pse është krejtësisht një budallallëk, thellë në vete ndieni një përçmim social!

6 – Facebook është kthyer në “ngushëllues

Facebook-u ka zëvendësuar edhe jastëkun tuaj! Dikur hallet i “qanit” me të, ndërsa sot i “qani” me të gjithë në Facebook! Aty shfryni të gjitha mëritë tuaja, frustracionin, inatet, brengat, zhgënjimet, apo edhe lumturitë, vetëm e vetëm që të tërhiqni vëmendjen që meritoni! Mendojeni pak në qetësi: a është ky një tjetër budallallëk që jua ka shkaktuar Facebook?!

7 – Facebook ju bën ziliqar

Kjo praktikisht është një lloj frike se mos mbesni “jashtë realitetit virtual”! Është një lloj ankthi social i cili ju shtyn të bëni krahasime me jetën e të tjerëve, duke e konsideruar tuajën perfekte, pa mungesa në qejfe.

Read More

Llojet e ndryshëm të shefave dhe si të silleni me ta

Karrierë – Thuhet se njerëzit lënë shefat dhe jo punët. Nëse ju pëlqen puna juaj dhe do të donit ta mbanit, mësoni si të silleni me shefin në mënyrë që karriera juaj të arrijë atje ku ëndërroni. Nga martiri tek i shkëlqyeri, rruga e varësisë mund të jetë tepër e mundimshme 

Shumica e njerëzve bien dakord se një shef ndihmon në mbajtjen e një pune apo në braktisjen e saj. Një shef i mirë e bën edhe punën më të paqëllimtë në botë të duket e rëndësishme dhe me dobi, ndërsa nga ana tjetër një shef i tmerrshëm mund të krijojë një ambient toksik në punë dhe të shkatërrojë çdo mundësi për karrierë. Në fakt, thuhet se shpesh njerëzit nuk lënë punët, por lënë shefat.

Martiri

Shefi martir ka bërë, bën dhe do të bëjë gjithçka për të mirën e kompanisë. Ai punon edhe gjatë ditëve të pushimit edhe kur është sëmurë. Ai qëndron jashtë orarit edhe kur nuk paguhet. Si të konkurrosh me të? Mos konkurro, dëgjoje dhe mëso prej tij.

Ulëritësi

Ky lloj shefi mendon se do t’i arrijë gjërat, nëse ngre zërin sipas parimit sa më i lartë zëri aq më i lartë zotimi. Si mund të përfundojë një ulëritës shef? Ata që punësojnë, mendojnë më kot se ulërimat janë aftësi menaxhuese. Nëse arrini të kuptoheni me këtë lloj shefi, fitojini respektin dhe ndihmojeni të ulë tonin.

I frikshmi

Punonjësit ia dëgjojnë fjalën shefit të frikshëm nisur prej një arsyeje të vetme: frikës. Ai është gjithnjë një kërcënim dhe e përdor këtë për të mbajtur punonjësit nën fre. Ai pushon nga puna për të rritur frikën dhe për pasojë, të aftët largohen, sepse nuk mund të punojnë me të. Me kalimin e kohës, shefi i frikshëm shkatërron të gjithë stafin, por një ditë e pëson edhe vetë.

Manipuluesi

Shefi Makiavelian është shumë inteligjent dhe një nga më të rrezikshmit. Ai është shumë i përqendruar dhe ka gjithnjë një plan sekret. Ky shef i sheh njerëzit si mjete për të arritur qëllimin. Nëse punoni për një manipulues, kujdesuni për veten. Rruga më e mirë për t’u sjellë me të, është të jeni të hapur dhe të sinqertë, ai mund ta ketë harruar të vërtetën prej kohësh nga manipulimet e tij.

I paafti

Shefi më gdhe që do të keni ndonjëherë. E vetmja mënyrë për t’u marrë vesh me të, është ta ndihmoni të ngrihet në detyrë, sepse kur këta ngrihen në detyrë, bëjnë të njëjtën gjë me njerëzit që i ndihmuan. Herët ose vonë do të shpëtoni prej tij.

Injoranti

Ai nuk është i mangët, por thjesht i paedukuar. Ai nuk njeh teknologjinë, ose është jashtë rrymës së punës për momentin. Këto karakteristika, nuk e bëjnë atë një shef të keq në vetvete. Mënyra më e mirë për t’u sjellë me të, është ta ndihmoni dhe kur t’ia marrë dorën, do t’ju falënderojë.

I prapambeturi

Ky lloj shefi flet vetëm për të shkuarën dhe duket se gjen justifikime për të mos u përballur me të tashmen. Jini të durueshëm me të dhe me kalimin e kohës çdo gjë do të rregullohet, sepse të paktën ai nuk është i paaftë.

I plotfuqishmi

Ky lloj shefi ‘zot’ është një megalomaniak i vërtetë dhe gjithçka për të, vërtitet rreth pushtetit. Do të vini re se pajisjet e zyrës së tij janë të shtrenjta. Atij i pëlqen rregulli te punonjësit e tij dhe nuk dëshiron t’i bëhet kurrë fjala dysh. Krijojini iluzionin se ndiqni rregullat e tij, nëse dëshironi të shkoni mirë me të.

Mënjanuesi

Këtij shefi nuk i hyn gjemb në këmbë. Ai i shmanget gjithnjë përgjegjësisë dhe nuk jep përgjigje të drejtpërdrejta. Kur flisni me të, bëni mirë të ruani dokumente, sepse rrëshqet nga përgjegjësia si ngjalë.

Inekzistenti

Ai nuk është kurrë aty, ndaj është i padëmshëm. Kur e keni pranë, përfitoni nga rasti të krijoni një lidhje me të. Mund të mendoni sesa e padrejtë është jeta, pasi ai merr dyfishin pa bërë asnjë punë, por mendoni: mund të ishte një ulëritës!

Paranojaku

Ai është dyshues për çdo gjë. I duket sikur të gjithë po përpiqen ta ulin, ndihet i paqetë në pozicionin e tij dhe i ka gjithnjë veshët hapur. Çfarë të bëni me të? Sigurojeni për pozitën e tij dhe tregohuni të ndershëm.

Shoku

Ata që kanë shefin shok janë me fat. Ai sillet sikur të jetë miku juaj dhe jo eprori. Ai dëshiron që ta pëlqeni, por nuk është imponues me pushtet. Kaloni kohë me të dhe gjeni balancën.

Atlasi

Ky shef mendon se ka botën në shpatullat e tij. Megjithëse e paraqet veten si të fortë, mezi arrin t’i fshehë të metat e tij. Ai shqetësohet për detajet. Mbërrin në zyrë herët, sepse i ka zierë mendja një natë më parë për problemet e punës. Si t’ia bëni me të? Jini të sjellshëm, por përpiquni të shmangni shumë ndërveprim me të. Nervozizmi i tij mund të jetë ngjitës.

Ujku i vetmuar

Atij i pëlqen t’i bëjë gjërat vetëm. E shmang kontaktin me njerëzit, veçanërisht me punonjësit. Ai mund të jetë i prapambetur nga ana e teknologjisë, por e ka marrë rritjen për aftësitë e tjera. Ai i lë punonjësit të punojnë vetëm, mos prisni të ndërtoni lidhje që i shërbejnë karrierës me të.

Dy minuta shef

Ky është një përzierje e shefit ‘atlas’ dhe atij ‘perëndi’. Kur vjen në zyrë kërkon llogari për gjithçka, por pastaj nuk ka kohë të dëgjojë atë që keni për t’i thënë. Ai ju cakton shpesh punë, por harron se çfarë. Ai të lë përshtypjen se është shumë i zënë për t’u bezdisur me detaje dhe duket se e ka mendjen në një vend tjetër, më të rëndësishëm. Për të shkuar mirë me të, jini të përmbledhur që të shpjegoni gjithçka në dy minuta.

I shkëlqyeri

Shefi i ëndrrave, ai që i motivon dhe i trajton të gjithë siç e meritojnë, pavarësisht burokracisë. Ai gjen gjithnjë mënyrën për të komunikuar dhe arritur atë që është e drejtë. Ky lloj shefi është një shembull për të gjithë dhe krijon një mjedis pozitiv në punë. Ai ka vizion, nuk frikësohet dhe nuk bërtet. Ai është i përkushtuar ta mësojë stafin dhe i kujton punonjësit edhe kur largohen.

*Burimi “Monster.com”

Read More

Probleme me kolegët? Ja si t’i zgjidhni

Psikologji  Pothuajse në çdo ambient pune, problemet mes kolegëve janë të pashmangshme. Ju sugjerojmë disa këshilla për zgjidhjen e tyre, në mënyrë që harmonia dhe bashkëpunimi, të jenë shtylla të forta për një marrëdhënie më të mirë në punë

Në zyrë, si në çdo vend tjetër pune në të cilin bashkëpunimi është baza e të punuarit në grup, është praktikisht e pamundur që gjithçka të shkojë “vaj”! Në një grup ka gjithmonë një figurë tipike armiqësore, për shembull i ligu, ziliqari dhe ai/ajo që kërkon të duket më superiori. Në të vërtetë, jemi ne ata të cilët pranojmë që  “ky problem” të jetë apo jo një problem. Me fjalë të tjera, edhe pse nuk është e lehtë të merresh me karaktere egoiste, të paafta profesionalisht, merrni në konsideratë njohuritë e mëposhtme për të sjellë harmoninë në vendin e punës dhe për ta kaluar çdo ditë me buzëqeshje në buzë!

Para së gjithash, është e rëndësishme të dihet se moszgjidhja e një problemi të caktuar dhe qëndrimi në heshtje, janë mjaft të dëmshëm për situatën dhe për mirëqenien tuaj. Ka shumë mundësi që kolegu/kolegia në fjalë, të mos jetë i ndërgjegjshëm për humorin e keq që krijon me sjelljet dhe veprimet e tij. Për këtë, ka shumë të ngjarë që të urreni punën, përpara se të zgjidhni problemin! Ndaj, bëhuni kurajozë dhe përballojeni situatën e vështirë që keni mes kolegëve/kolegeve (nëse keni probleme me ta sigurisht); kjo nuk do të thotë që t’i drejtoni gishtin, as ta akuzoni, dhe aq më pak ta ofendoni. Më shumë referojuni botës në të cilën rrethanat influencojnë qetësinë tuaj. Në këtë mënyrë, i interesuari apo e interesuara, nuk do të mund të mohojë atë çka do t’i komunikoni për faktin e thjeshtë se bëhet fjalë për ndjenjat dhe përshtypjet tuaja personale.

Ndërkaq, mendoni atë çka ju ka “goditur” më shumë nga problemi: bëhet fjalë për një gabim që e ka bërë vetëm kolegu/kolegia juaj, apo e keni edhe ju një pjesë të fajit? Pranimi i të qenët i gabuar, nuk është kurrë një gjë e thjeshtë, ndaj ka shumë mundësi që do t’ju duhet më shumë kohë për të reflektuar dhe për të arritur në këtë vetëdije. Por, nëse bëhet fjalë për një gabim që e keni bërë të dy, atëherë përballuni me kolegun, duke u nisur nga gabimi juaj, analizojeni atë dhe në fund propozoni masa që mund t’i merrni të dy për të zgjidhur problemin, apo për të gjetur mënyrën e duhur që ai mos të përsëritet herë tjetër.

Provoni gjithmonë ta shihni punën që bëni, si një zgjedhje tuajën dhe jo si një torturë që ju është dhënë me forcë. Një nga metodat më të thjeshta po ashtu, është që të kini gjithmonë në mendje objektivat që i keni vënë vetes prej kohësh. Për çfarëdo lloj gjëje që të bëhet fjalë, për shembull për blerjen e një makine, shtëpie, për pushime relaksuese etj., fiksojeni në mendjen tuaj arsyen e vërtetë për të cilën, çdo mëngjes zgjoheni dhe shkoni në punë.

Përdorni ndërveprimet joformale me kolegët, eprorët dhe vartësit, si një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie shumë të mira pune. Përdorni mirësjelljen si “një buzëqeshje”, apo një përshëndetje, kur i takoni rastësisht. Trajtojini bashkëpunëtorët me respekt dhe mos u tregoni paragjykues kur komunikoni me ata.

Vazhdimisht jini në kërkim të rasteve për të treguar vlerësimin tuaj për të tjerët, për punën që ata bëjnë. Tregoni dhe vlerësoni kontributin e stafit tuaj në forume të hapura, po ashtu edhe privatisht.

Për t’u ndier mirë me të tjerët në punë, nuk mjafton vetëm të keni një komunikim të mirë, por të keni edhe dashuri, bashkëpunim, në mënyrë që të keni rendiment. Kështu rezulton nga disa studime. Por çfarë ndodh në momentin kur këto marrëdhënie janë më tepër se ç’duhet të ngushta? Çfarë ndodh kur brenda zyrës lind një dashuri? A e rrit kjo rendimentin në punë? Paragjykimet e këtyre fenomeneve që ndodhin në punë, i hedhin poshtë shumë sondazhe. Ata tregojnë se shumë çifte janë njohur dhe martuar në vendet e punës. Zakonisht, pjesa më e madhe e njerëzve mbron idenë se të kesh një histori në zyrë, të jep më shumë lumturi dhe energji dhe kështu, të bën ta duash më shumë punën që bën.

Njerëzit që lidhen me kolegët e tyre, i njohin mirë ndjenjat e tyre dhe kjo prodhon më shumë energji dhe kapacitet pune. Ky efekt favorizon dhe një sjellje më profesionale dhe zhduk mundësinë e krijimit të problemeve me shefin, apo me kolegë të tjerë.

Ndërkaq, nëse me të vërtetë nuk ia dilni që të duroni dot abuzimet e kolegëve tuaj, atëherë do të thotë se ka ardhur me të vërtetë momenti që të ndryshoni “ajër”, apo vendin tuaj të punës.

Read More

Shoqëria 24/7: Kapitalizmi modern, ky vjedhës i gjumit njerëzor

Studimi – A është tortura që na sjell “Facebook” dhe “Google” një lloj Guantanamoje për individin e sotëm? Në librin e tij “24/7”, Jonathan Crary flet për ritmin tonë jetësor dhe shoqërinë e alarmuar në terma afatgjatë, e që ne tashmë na vjedh madje edhe gjumin

Ah sikur të ishim aq të lirë sa dhe zogjtë. Atëherë do t’i rrëshqitnim terrorit të konsumizmit dhe do të shpërthenim edhe cipën propagandistike mediatike, ku ndihesh pikërisht shumë ngrohtë për ta lënë barkun të duket i fryrë si kacek nën diell. Ndoshta do ia vlente të bënim madje edhe një sy gjumë, ashtu kot nga rehatia.

Por a do të mund ta bënim dot? Jo, madje as zogjtë, sipas autorit Jonathan Crary, nuk e kanë më lirinë e tyre. Me librin e tij “24/7 – i pagjumë në kapitalizmin e vonë”, profesori i teorisë së arteve të bukura, ka vendosur thuajse një diagnozë kohore mbi humbjen e gjumit dhe domosdoshmërisë së të qenët i detyruar ta braktisësh atë, në të cilën madje as zogjtë nuk përjashtohen nga përpjekjet optimale aktuale bashkëkohore ekonomike.

Konkretisht, bëhet fjalë për një zog kokëvijë, një lloj harabeli që haset gjatë vjeshtës në Meksikë, e që së fundmi paskësh rënë në fokus të Pentagonit. Pasi ky cicërues posedon një aftësi të veçantë: ai, gjatë shtegtimit nga veriu në jug, mund të qëndrojë plot shtatë ditë pa fjetur. Për këtë arsye, ekspertët amerikanë të mbrojtjes, po e studiojnë me imtësi trurin e tij, për të parë nëse ka konkluzione të përbashkëta në organet e orientimit të njeriut.

Thirrje luftarake për gjumin

Në analizën e Crary, teoricienit të arteve që vjen nga një shkollë marksiste mendimi, para së gjithash ndikojnë dy organizma për shkatërrimin dhe prishjen e gjumit, të paktën siç ne e njohim atë deri më tani: ushtria dhe ekonomia. Ushtria dëshiron që të zhvillojë ushtarë më rezultativë, më me rendiment, ndërsa ekonomia, konsumatorë me më shumë zell për blerje. Respektivisht kështu e formulon Crary idenë e vet në lidhje me ofertën për blerje të botës perëndimore të shopping-ut: “Gjumi është ndërprerja e pakompromis e jona me kohën e vjedhur nga kapitalizmi”.

Teza tingëllon në thjeshtësinë e vet, thuajse e prekshme dhe e pranueshme, por Crary zhvillon në qindra faqet e vëllimit të vet, le të themi, qetësisht “thirrjen luftarake” për gjumin si një argument interesant, sikurse monetarizohen fusha të ndryshme të jetës. Ose siç e cilëson edhe vetë autori: “Financimi i pashpirt i ish-sektorëve të pavarur të ndërveprimit social, ecën i papenguar përpara”.

Në këtë vështrim, ai, sigurisht se ka në fokus mediat e reja, që sërish marrin në fokus vëmendjen tonë. Puna përgatitore për “Facebook”, “Google & Co.”, sipas pikëpamjes së Crary-s, vërtitet nga televizioni, me raportin e të qenët i përjashtuar e deri te të siguruarit, aktivitetit dhe pasivitetit, gjumit dhe zgjimit, publikut e privatësisë”. Te televizioni për herë të parë bëhej fjalë, siç lexohet në libër, për nocionin eyeball control, d.m.th. orientimi masiv i vështrimit apo shikimit, nëpërmjet të cilit shikuesit orientohen drejt sjelljeve të tyre perceptive e konsumatore.

Gjithnjë zgjuar, gjithmonë i mbikëqyrur

Ky kontroll i “topit” të syrit ndërkohë mund të jetë total. Ideja e sjellë nga shefi i “Google”-it, Eric Schmidt në fund të viteve nëntëdhjetë, mbi “ekonominë e vëmendjes”, sipas Crary, duhet të përdoret për të fituar zotërimin ndaj “mbetjeve të ditës”. Teza në fjalë nuk është e re, por siç e paraqet autori, për të shënjuar distopinë (shfaqjen joefektive, fiksionale) e një shoqërie gjithnjë në zgjim, pra të një të tille, gjithnjë nën vëzhgim, atëherë fjalia e paralajmërimi në fjalë, merr kuptim.

Sikurse perceptohet mungesa e gjumit pra thuajse si një metodë plotësisht konkrete përgjimi e torture – hetimet në Guantanamo e Abu Graib na zbulojnë se sulmi i përmendur nga Crary mbi zonat e fundit të qetësisë njerëzore, kthehet në një lloj terrori të institucionalizuar. A mos këtu futet edhe “Google”, sikurse dhe Guantanamo e vetë përdoruesit e optimizuar të rrjetit, siç e ka përshkruar atë për shembull edhe sociologu gjerman, Heinz Bude, në librin e tij “Shoqëria e frikës”?

Një krahasim i guximshëm, që për Crary nxjerr kokë me shqetësim: “Eksternalizimi i individit për instancën e testuar e të rregulluar pa ndërprerje, pozicionohet në një sens eficient ndaj organizimit të terrorit shtetëror dhe paradigmës ushtarako-policore të dogmës së gjithanshme”.

Sa skematike mund të duken imazhet armiqësore të Crary, po me aq finesë depërton ai në rëndësinë e gjumit dhe pasojat e mungesës apo heqjes me dhunë të tij. Duke iu referuar regjisorit sovjetik, Andrej Tarkowsky (“Solaris”), ai e shënjon atë kur thotë se: njëra ndër aftësitë qendrore të njeriut është për t’u përballur në gjumë me demonë e djaj”. Duke iu referuar surrealistit André Breton dhe librit të tij “Les vases communication”, ai tregon se sa shumë fuqi kreative ndodhet në përplasjen e së vërtetës me ëndrrën: pa gjumë, s’ka krijim!

Dremitja është sigurisht, me të gjitha përpjekjet për një “bioçrregullim”, jo vetëm e domosdoshme për rigjenerimin e trupit e të shpirtit. Është edhe një mjet i duhur drejt një ndërgjegjësimi. Të biesh në gjumë e të mbyllësh sytë, do të thotë, sipas Crary, të vihesh në dukje i pambrojtur e plot mirëbesim; paraqet njërën ndër eksperiencat e pakta, “në të cilat ne i nënshtrohemi vullnetit të të tjerëve për t’u kujdesur”.

Thënë shkurt: gjumi është një eksperiencë thellësisht demokratike, në të cilën ne, me gjithë pasivitetin rigoroz, i japim vlerë çdo lloj shprehjeje shoqërore. E thënë edhe më shkurt: gjumi është dhe mbetet arma më e mirë kundër alarmizmit afatgjatë të një shoqërie 24/7 (d.m.th. 24 orë në shtatë ditë të javës). Vëllezër, rruga drejt diellit, të çon edhe në shtrat!

Marrë nga “Die Welt”

Read More

Karriera: Profesionet më të mira për çdo lloj personaliteti

Përse ta kaloni jetën me një profesion që nuk i përshtatet tipit të karakterit tuaj? Nëse jeni energjik, përse të mbylleni në zyrë? Nëse do të ishit një avokat i përkryer, përse të bëheni mjek? Zbuloni profesionin tuaj ideal sipas personalitetit

Nëse dëshironi të arrini suksesin më të madh, pa u munduar në punë të cilat nuk janë brenda profilit tuaj, bëni mirë të eksploroni se çfarë dëshironi vërtet nga jeta dhe se çfarë do ishte më i përshtatshëm për personalitetin tuaj.

Ndarjet e personalitetit

Tipat e njerëzve ndahen në dy grupe kryesore: introvertë dhe ekstrovertë. Të parët janë ata persona të mbyllur në vetvete që preferojnë t’i mbajnë mendimet për vete dhe të mos bisedojnë me të tjerët. Këta njerëz kanë zakonisht pak miq, sepse nuk janë shumë të shoqërueshëm. Ata preferojnë më shumë të punojnë vetëm, ose në grupe të vogla. Që të arrijnë suksesin, këta persona duan të punojnë të qetë dhe në paqe.

Nga ana tjetër, ekstrovertët janë krejt të kundërt. Ata janë ‘alfat’ e shoqërisë, pëlqejnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe i ndajnë mendimet e tyre me të tjerët. Këta persona janë shumë energjikë, preferojnë shumëllojshmëri detyrash dhe mund të bëjnë shumë gjëra njëherësh.

Në lidhje me mënyrën si çdokush e merr informacionin, ekziston një ndarje tjetër. Në njërin krah qëndrojnë personat e ndjeshëm, këta janë realistë, pëlqejnë të përqendrohen mbi detajet dhe faktet, gjithashtu kombinojnë praktikën me përvojën.

Në krahun tjetër janë intuitivët. Ata preferojnë të përqendrohen te mundësitë dhe korniza kryesore, vlerësojnë të renë dhe krijojnë zgjidhje për problemet.

Në lidhje me marrjen e vendimeve, personalitetet ndahen në dy grupe: mendimtarët dhe zemërndjekësit. Të parët priren t’i marrin vendimet në bazë të logjikës, objektivitetit dhe llogaritjes së të mirave dhe të këqijave. Zemërndjekësit janë persona të ndjeshëm, bashkëpunues, i marrin vendimet në bazë të vlerave të tyre dhe të mënyrës sesi do të ndihen të tjerët.

Në lidhje me organizimin, njerëzit ndahen në dy kategori: gjykuesit dhe perceptuesit. Të parët pëlqejnë të jenë të organizuar dhe të përgatitur. Ata bëjnë një plan dhe i qëndrojnë besnik. Gjithashtu preferojnë të ndjekin rregullat. Perceptuesit e mbajnë mendjen e hapur për çdo ide, ata duan të veprojnë natyrshëm dhe bëjnë plane fleksibël.

Profesionet

Realistët që marrin shpejt vendime praktike, ose ndryshe ekstrovertët e ndjeshëm, mendimtarë dhe që mbështeten mbi logjikë, janë shumë të aftë të bëjnë punë si agjentë shitjesh, farmacistë, avokatë, menaxherë projektesh dhe gjykatës.

Ata që punojnë shumë dhe që vlerësojnë përgjegjësitë dhe zotimet e tyre, ose ndryshe introvertët e ndjeshëm, që marrin vendime në bazë të logjikës e që ndjekin rregullat, përshtaten më mirë në punë si revizor, llogaritar, shef finance, inxhinier kompjuterik dhe nëpunës shtetëror.

Tradicionalistët që janë të prirë të ndihmojnë të tjerët, e gjejnë veten në punë si përfaqësues shitjesh, infermierë, nëpunës socialë, ekspertë të marrëdhënieve me publikun dhe oficerë kredie.

Punonjësit modestë dhe të vendosur për të ndihmuar të tjerët, janë punonjës idealë në punë si dentistë, mësues filloreje, bibliotekarë, pronarë franshize dhe përfaqësues të shërbimit ndaj klientit.

Pragmatistët që pëlqejnë të përballen me sfida, duhet të punojnë si detektivë, bankierë, investitorë, agjentë sipërmarrje dhe trajnerë sporti.

Njerëzit e drejtë dhe të ndershëm që preferojnë veprat në vend të fjalëve, do ta gjenin veten shumë mirë si inxhinierë civilë, ekonomistë, pilotë, analistë të të dhënave të komunikimit dhe mjekë të dhomave të emergjencës nëpër spitale.

Njerëzit e afrueshëm dhe të sjellshëm që duan t’i ndihmojnë njerëzit në mënyra direkte, kanë si profesion ideal stilimin, fizioterapinë, terapinë e masazheve, arkitekturën e peizazhit dhe magazinimin.

Liderët e lindur që analizojnë me logjikë dhe planifikojnë mirë strategjitë, duhet të punojnë si drejtues, avokatë, analistë të kërkimeve të marketingut, këshilltarë biznesi dhe kapitalistë sipërmarrjesh.

Ata që janë të dhënë pas perfeksionit, që janë krijues nga natyra dhe që duan t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre, janë shumë të aftë si bankierë investimesh, këshillues financiarë personalë, zhvillues softuerësh, ekonomistë dhe drejtues.

Njerëzit që i duan të tjerët, që janë energjikë dhe me sjellje diplomatike, janë shumë të zotë të punojnë si drejtues reklamash, specialistë të marrëdhënieve me publikun, trajnerë, menaxherë shitjesh dhe specialistë punësimi.

Mendimtarët dhe krijuesit me principe të forta dhe integritet profesional, duhet ta orientojnë karrierën drejt punëve si këshilltarë të shëndetit mendor, punonjës socialë, menaxherë punësimi, këshilltarë organizativë dhe menaxherë të marrëdhënieve me klientin.

Personat krijues që ndërmarrin sfida të reja e gjejnë veten në profesione si sipërmarrës, zhvillues të pronave të paluajtshme, drejtorë krijues të reklamave, drejtorë marketingu dhe politikanë, ose këshilltarë politikë.

Ata që i zgjidhin problemet vetëm dhe në mënyrë të pavarur, kanë favore në punë si programues kompjuterikë, analistë financiarë, arkitektë, profesorë dhe ekonomistë.

Tipat krijues, plot vetëbesim dhe që shohin kudo mundësi, kanë prirje të lindura për punë si gazetarë, drejtorë të krijimit të reklamave, këshilltarë, sipërmarrës restorantesh dhe planifikues eventesh.

Së fundmi, idealistët e ndjeshëm, të motivuar nga vlerat e thella personale, duhet të punojnë si dizenjues grafikë, psikologë, terapistë, shkrimtarë/redaktorë, trajnues stafesh dhe fizioterapistë.

I.D.

*Marrë nga Business Insider

Read More
merrni vendimin e duhur, vendim marrja, prikologjia, biznesi

Gjashtë hapat që ju ndihmojnë të merrni vendimin e duhur

Në vitet e fundit, shumë fusha, si psikologjia, biznesi, qeverisja, sociologjia, historia dhe matematika kanë analizuar mënyrën sesi njerëzit marrin një vendim, me shpresën që të kuptojnë mekanizmin e ndërlikuar të funksionimit të mendjes

Vendimmarrja

Ne të gjithë jemi të detyruar të marrim vendime çdo ditë. Disa vendime janë të drejtpërdrejta e të thjeshta, si për shembull: Është reportazhi gati për t’ia dërguar shefit tani? Disa të tjera janë më të ndërlikuara, për shembull: Kush nga këta kandidatë do ta fitojë vendin e punës?

Vendimet e thjeshta kanë dhe një proces të thjeshtë vendimmarrjeje. Ndërsa vendimet e vështira krijojnë pasiguri, ndërlikim dhe rreziqe. Me të gjitha këto vështirësi, mënyra më e mirë për të marrë një vendim të ndërlikuar, është të përdorim një proces të dobishëm. Të tilla procese udhëheqin drejt rezultateve të kënaqshme dhe mund të përmirësojnë cilësinë e çdo gjëje që ne bëjmë.

Procesi i vendimmarrjes

Një proces logjik dhe sistematik ju ndihmon të orientoni mendimet dhe të merrni një vendim të mirë. Duke ndërmarrë një mënyrë të organizuar, keni pak shanse të humbisni thelbin. Janë gjashtë hapa që duhen ndjekur për të ndërmarrë një vendim të drejtë: së pari, krijoni një mjedis pozitiv; së dyti, kërkoni mundësi të ndryshme; së treti, shqyrtojini këto alternativa; së katërti, zgjidhni më të mirën; së pesti, ndërmerrni vendimin; së gjashti, komunikoni vendimin dhe veproni.

Krijoni një mjedis pozitiv

Përcaktoni qëllimin që doni të arrini. Qartësoni nëse procesi përfundimtar do të jetë vendimmarrje individuale apo një vendimmarrje në grup. Përfshini njerëzit e duhur dhe dëgjoni mendimet e të gjithëve. Nxisni pjesëmarrësit të përfshihen në biseda, debate dhe analiza pa pasur frikë dhe pa u ndier të përjashtuar nga grupi. Synimi është të merret vendimi më i mirë sipas rrethanave. Bëni pyetjen e duhur. Teknika e “Pesë pseve” është një mjet klasik që ju ndihmon të gjeni thelbin e problemit.

Gjeni mundësi të ndryshme 

Stuhia e ideve” është metoda më e përdorur për lindjen e ideve. Një metodë ku njerëzit organizohen në grupe të vogla, çdo grup gjeneron idetë e tij dhe çdo anëtar jep një kontribut të rëndësishëm. “Riformësimi Matrix” ndihmon që problemi të shihet nga këndvështrime të ndryshme. Kjo teknikë përdor katër p-të: prodhim, planifikim, potencial dhe persona. Nëse keni shumë pak alternativa ose një alternativë jo të kënaqshme përdorni “Konceptin fans”; bëni një hap prapa dhe shikojeni problemin nga një këndvështrim më të gjerë. Kjo zakonisht i ndihmon njerëzit që janë shumë afër problemit.

Shqyrtoni alternativat

Për alternativën e përzgjedhur duhet të vlerësoni realizueshmërinë, rrezikun dhe përshtatshmërinë. Në vendimmarrje është e zakonshme të ketë pasiguri, të cilat në mënyrë të pashmangshme të bëjnë të rrezikosh. Një mënyrë që ju ndihmon është marrja parasysh e pasojave të çdo mundësie. Shikoni alternativat nga këndvështrime të ndryshme. Përcaktoni nëse burimet janë të duhurat dhe nëse zgjidhja lidhet me synimin tuaj.

Zgjidh alternativën më të mirë

Pasi keni përcaktuar alternativat, hapi tjetër është të zgjidhni midis tyre. Janë tri mënyra që ju ndihmojnë. Analiza e vendimeve nëpërmjet Matrix gjithashtu e njohur si vendimi Matrix, është një mjet i rëndësishëm. Është e paçmueshme, sepse ju ndihmon të sillni elemente të ndryshme në procesin e vendimmarrjes, në mënyrë të besueshme dhe serioze. Analiza e krahasimit të grupeve përcakton rëndësinë e çdo fakti. Kështu mund të krahasoni faktet më pak të pëlqyera dhe të përcaktoni se cili duhet të ketë më shumë peshë në vendimin tuaj. Pema e vendimeve është gjithashtu e dobishme për zgjedhjen ndërmjet mundësive. Ju ndihmon t’i lini alternativat e hapura dhe me shumë gjasa sjell suksesin ose dështimin e projektit që në procesin e vendimmarrjes.

Kontrolloni vendimin tuaj

Me të gjitha përpjekjet dhe punën e vështirë që keni bërë në përcaktimin dhe zgjedhjen e mundësisë më të mirë, është e lehtë të harroni ta kontrolloni vendimin tuaj. Kur e rishikoni atë, e bëni me gjakftohtësi që të siguroheni që procesi është kryer siç duhet, të bindeni që gabimet e zakonshme nuk kanë ndikuar negativisht në procesin e vendimmarrjes.

Komunikoni dhe veproni

Në momentin që ju keni marrë vendimin, është e rëndësishme t’ua shpjegoni atë atyre që preken nga vendimi. Shpjegojini përse ju bëtë atë zgjedhje. Sa më shumë informacione të keni për rrezikun dhe përfitimet, aq më shumë përkrahje do të merrni.

Read More

Stresi i rikthimit, këshilla për ta parandaluar

Në këtë shkrim do të njiheni me disa sugjerime të ekspertëve se çfarë duhet të bëni në fund të pushimeve, për t’u rikthyer impenjimeve tuaja me sa më pak stres

Për shumë nga ne, shtatori konsiderohet psikologjikisht si fillimi i vitit, duke qenë se na çon drejt projekteve dhe iniciativave të reja. Disa mund ta jetojnë këtë fazë si burim entuziazmi, ndërsa disa të tjerë si hall më vete. Pra, fatkeqësisht, ekziston një periudhë tranzicioni pas pushimeve dhe rikthimit në përditshmëri. Dhe pikërisht ju duhet të niseni nga ky informacion për të mos qenë të papërgatitur nga ndryshimi i papritur i zakoneve.

Përfitoni nga ditët e fundit të pushimeve

Stresi i sezonit të ri godet një në dhjetë persona, ndërsa gjatë kësaj kohe individi ndien mungesë rehatie, trishtim, shqetësim dhe lodhje, pra stres rikthimi. Gjithçka lind nga pushimet, pra nga ajo eksperiencë që faktikisht na fal mirëqenie vetëm për një periudhë të shkurtër. “Vakuumi, që vjen nga latinishtja e vjetër, është një lloj hapësirë boshe, në të cilën eksperimentojmë një ndarje nga ritmi i pandërprerë i punëve të ndryshme”, thotë Roberto Pani, psikoterapeuti dhe profesori i psikologjisë klinike në Universitetin e Bolonjës.

Në të vërtetë ekziston një hapësirë mendore, prej së cilës ndiejmë një shqetësim psikologjik, një ndryshim nga jeta e përditshme. Sa më të bukura të kenë qenë pushimet, aq më shumë do ta ndieni shqetësimin për të rifilluar jetën, për të shkuar në shkollë, punë apo për të nisur diçka të re.

Ndaj për të luftuar stresin e rikthimit, një zgjidhje është ajo e shijimit të mirëqenies tipike të ditëve të fundit të pushimeve, kur trupi dhe mendja janë ende të “dehur” me ndjenjën e qetësisë dhe relaksimit. Nuk po themi që të shmangni dhe të lini pas impenjimet tuaja, por që të mos jetoni me një ankth të ekzagjeruar.

Pushimet mbeten në kujtesë

Për të parandaluar stresin e rikthimit, vazhdoni të mbani për disa ditë ritmet e ngadalta të pushimeve, duke e marrë veten dalëngadalë për punët e përditshme që ju presin. Përqendrimi te pushimet e vogla gjatë ditës mund të jetë një zgjidhje. Po kështu, ju këshillohet që të mos lodheni shumë me ecejaket nga një pjesë e qytetit në tjetrën, për të paguar për shembull fatura të ndryshme. Sigurisht, duhet pak durim për t’u kthyer në situata të përditshme, të cilat i njohim shumë mirë.

Jetoni fundjavën

E shtuna dhe e diela duhet të jetohet sa më shumë. Kështu që përpiquni të organizoni fundjavat jashtë, me miqtë ose edhe vetëm, duke vizituar qytete artesh, vende interesante etj. Por një mënyrë shumë e mirë për fundjavat tuaja janë edhe qendrat e mirëqenies, të estetikës etj. Pra fjala më me vend është që të qëndroni aktiv.

Riorganizoni jetën tuaj

Ditët që ju ndajnë nga rikthimi i vërtetë mund të zihen nga aktivitete për të cilat mbase nuk keni pasur kurrë kohë për t’i bërë gjatë vitit ose që i keni shtyrë gjithmonë. Kështu:

– Përfitoni nga koha e lirë për të lexuar një libër mbi një argument shumë të ndryshëm nga ai që keni lexuar deri më tani ose edhe ndonjë tregim të shkurtër, i cili do t’ju ndihmojë të mendoni;

– Vini rregull në shtëpinë tuaj duke pastruar dhe sistemuar çdo gjë. Do të ndiheni më të fuqishëm shpirtërisht dhe më të qetë psikologjikisht kur të shihni se në shtëpinë tuaj shkëlqen gjithçka;

– Organizohuni që të planifikoni aktivitete të cilat ju duken pak të mërzitshme, në mënyrë që të mësoheni dalëngadalë me rikthimin tek impenjimet më të vështira apo më të mërzitshme;

“Sigurisht, të gjitha këto nuk duhet t’i praktikoni si detyra të reja që po ju ngarkohen. Janë thjesht sugjerime paraprake se si t’i riktheheni jetës së vjeshtës, me sa më pak stres”, përfundon psikoterapeuti Pani.

Read More