Si të luftoni lodhjen e syve nga puna në kompjuter?

Punon në kompjuter tetë orë në ditë, shikon një film në televizorin tënd të ri plazma dhe të duket sikur e sheh të sfumuar; kur i jep makinës nuk ia del dot pa i përpëlitur sytë dhe të duket se shikimi yt po përkeqësohet. Mos kini frikë, sytë e tu janë thjesht të stresuar. Nëpërmjet këtij artikulli zbulo se si t’i relaksosh ata me disa ushtrime të thjeshta! Sytë lodhen kur punoni në zyrë.

Gjithnjë e më shumë njerëz sot posedojnë një punë sedentare, që qëndrojnë të ulur pas një tavoline. Kjo përkthehet në tetë orë (shpesh edhe më shumë) të fiksuara para ekranit të kompjuterit, duke ndjekur imazhe të shpejta, duke hapur dhe mbyllur dritaret dhjetë herë në ditë dhe duke u përqendruar te fjalë e figura të ndryshme, pa u shkëputur asnjë çast për shkak të skadimit të afatit të një detyre apo projekti që ua ka caktuar shefi juaj. Në këtë mënyrë sytë tuaj lodhen dhe madje stresohen. Ndaj ju duhet të ndiqni disa këshilla që të luftoni lodhjen e syve nga puna në kompjuter dhe për të mos i sforcuar edhe më sytë tuaj, tashmë delikatë.

6 këshilla për të mbrojtur sytë tuaj

Praktikojini

Menjëherë sa të krijohet mundësia, shiko ngadalë përreth: lart, poshtë, ndiq me shikim një koleg që kalon përballë teje, rrotullo qepallat e syve në krahun orar dhe kundër orar. Bëji këto ushtrime sa herë e ndien të nevojshme dhe mos e vrit mendjen nëse ngjan qesharak përpara kolegëve. Herët a vonë do ta kuptojnë nevojën e atyre shikimeve dhe do të imitojnë.

Përqëndrojini

Një truk tjetër për të mos i lodhur sytë është ai që t’i përqendroni tek objekte të ndryshme apo persona me distanca të ndryshme. Ndërkohë që shikon kolegun që kalon përballë tavolinës tënde, fikso edhe atë që është mbrapa tij.

Mbylli sytë

Pikërisht kështu, por mos flini gjumë mbi karrige! Duke qëndruar me sy mbyllur për pak sekonda do të qetësoheni, hidraton kornenë e syrit dhe parandalon irritimin e syve. Po kështu është e këshillueshme që të lëvizni shpesh qepallat nëse i ndieni të mpira. Gjithashtu mund t’i prekni sytë shumë butësisht, pasi t’i keni larë duart me sapun.

Rregullo ndriçimin e ekranit të kompjuterit

Ndriçimi i shumtë i kompjuterit mund të bezdisë sidomos ata që kanë sytë me ngjyrë dhe e kundërta, pak dritë mund t’i lodhë ata që kanë sytë e errët. Këta persona, duke u përpjekur për të shikuar më qartë, do t’i sforcojnë sytë akoma edhe më shumë.

Kërko ndihmë në ueb, informohu nga aty

Ekzistojnë programe për kompjuter që rregullojnë alternimin e shikimit mbi ekran dhe të pushimit të syve në tavolinë. Por si? Cilët janë? Softuerët si “Easy Relax” ose “Eye Defender” vënë në gatishmëri kompjuterin çdo herë që është e nevojshme: në dritaren e funksionalitetit zgjidhen minutat e punës e ato të pushimit të preferuara dhe kompjuteri do të bëjë gjithçka vetë. Këto programe mund të shkarkohen lehtësisht nga interneti.

Mbrojini

Nëse shefi ju ulëret për shkak të shumë pushimeve që bëni për të ruajtur shëndetin e syve tuaj, kujtoji se ekziston një ligj që të mbron. Për shembull në Itali ky ligj ekziston në dekretin legjislativ nr. 626/94, neni 54, paragrafi 3 (“Puna në ekran”) thekson se “punonjësi […] ka të drejtë për një pushim pesëmbëdhjetë minuta çdo dy orë.

Shëndeti i syve: ushqyerja korrekte

Të kujdeseni për shikimin tuaj është shumë e rëndësishme, sidomos për të parandaluar përkeqësimin. Edhe ushqyerja vjen në ndihmë për atë që kalon shumë kohë përpara kompjuterit: vitaminat, mineralet dhe jeta e shëndetshme në natyrë luftojnë rreziqet që mund të përballin sytë. Por kujdes gjatë sezonit të verës. Nuk duhet të nënvlerësoni rëndësinë e syzeve të diellit me lente mbrojtëse. Rezet UV kontribuojnë për të përkeqësuar shëndetin e syve.

Read More

Gjithçka mbi fizkulturën

Kryerja e ushtrimeve fizike është më shumë se e nevojshme! Por kur është koha më e përshtatshme për t’i bërë ato dhe cilat janë arsyet që e përcaktojnë këtë gjë? Zbulojini…

1. Ju me siguri mendoni se në kohën e pushimit të drekës ose pas përfundimit të punës, do të gjeni kohën e nevojshme për stërvitjen ditore. Por përvoja tregon se koha e punës përfundon atëherë kur edhe lista e detyrave të ditës është duke përfunduar. Të jeni të sigurt se në këtë kohë, vështirë se do të keni dëshirën minimale, por edhe fuqinë e nevojshme, për të vënë këmbë në palestër. Në këtë situatë, fizkulturën duhet ta bëni në mëngjes!

2. Nuk do të keni nevojë të prisni

Nuk ka gjë më të mërzitshme sesa të presësh dikë të mbarojë ushtrimet në pajisjen tek e cila ti do të ushtrohesh. Nëse ju do të shkoni në mëngjes në palestër, keni mundësinë që ta ndani hapësirën dhe veglat e saj, vetëm me ata pak njerëz të cilët mendojnë si ju. Për pasojë, do të keni mundësi të zhvilloni ushtrime në mënyrë intensive dhe të reduktoni kohën e pritjes!

3. Aktivizojeni më herët metabolizmin tuaj

Ushtrimet në mëngjes bëjnë që proceset metabolike të fillojnë më herët dhe në formën më optimale, e cila vazhdon të ruhet në nivele të kënaqshme për një kohë të gjatë. Atëherë, vëreni më herët në punë makinerinë tuaj, duke mundësuar kështu djegien e më shumë kalorive të tepërta, gjë të cilën nuk do të kishit mundësinë ta bënit duke ndenjur. Sidomos nëse jeni nga ata njerëz të cilët punën e tyre e kanë pas një tavoline për të gjithë ditën, atëherë kjo është një arsye shumë e mirë që fizkulturën ta bëni në mëngjes!

4. Ju jep më shumë energji

E dini pse ushtarët e fillojnë ditën me stërvitje dhe fizkulturë? Kjo, sepse fizkultura u jep forcën e nevojshme për kryerjen e detyrave të ditës. Zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, çon në prodhimin e shtuar të endorfinës dhe të disa hormoneve të tjera, të cilat e ruajnë përqendrimin e tyre në organizëm gati për të gjithë ditën!

5. Freskon trurin dhe redukton stresin

Zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, ju jep mundësinë të reflektoni me më shumë rendiment ndaj streseve të ditës. Është e provuar që gjimnastika e mëngjesit, redukton stresin!

6. Rregullon oreksin

Po… pasi ta keni bërë zakon këtë rekomandim, do të shihni se oreksi juaj do të bëhet si i kronometruar!

7. Rrit aftësinë reaguese të trurit

Është provuar që zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, rrit për 4 deri në 10 orë aftësinë reaguese të trurit. Kjo shpjegohet me rritjen e fluksit të oksigjenit në tru!

8. Rrit disiplinën personale

Të ngrihesh herët nga shtrati, kërkon një disiplinë dhe motivim të konsiderueshëm. Përqafimi dhe bërja zakon e këtij rregulli, do ta ndryshojë në mënyrë thelbësore cilësinë e jetës suaj. Disiplina për ta zhvilluar fizkulturën në mëngjes, do të shndërrohet në një shtysë për ta orientuar atë edhe në aspekte të tjera të jetës tuaj!

9. Flini më mirë

Fizkultura e mëngjesit, e zhvilluar në mënyrë të rregullt, do të rezultojë edhe në një gjumë më të mirë. Vetë organizmi juaj do t’ju tregojë se kur është koha për të vajtur në shtrat. Është shumë e rëndësishme që trupit t’i jepet koha e nevojshme për të pushuar. Një pushim dhe gjumë i mirë, është shumë i rëndësishëm për sistemin muskulor, por edhe për sistemet e tjera!

10. Përmirësoni dietën tuaj

Zhvillimi i fizkulturës së mëngjesit, patjetër që do të shoqërohet me djegien e shpejtë të rezervave tuaja energjike. Prandaj, filloni me një mollë apo një gotë kos me fruta, 30 minuta përpara fizkulturës. Do të kuptoni që kjo ju jep juve energjinë e nevojshme dhe do të digjet shpejt. Gjithashtu, zhvillimi i fizkulturës në mëngjes, do ju ndihmojë në një ngrënie më të mirë gjatë gjithë ditës. Fizkultura do t’ju detyrojë të jeni më përzgjedhës në ushqimet tuaja!

Read More

Gjuha e korrupsionit nëpër botë

Popujt në të gjithë botën kanë krijuar mijëra sinonime për të mos përmendur fjalën ryshfet apo korrupsion. Dy gjuhëtarë kanë gjurmuar një pjesë të këtyre fjalëve të përdorura në vende të ndryshme

Peshku i qelbur, kafe, supë, kutia e Nokias

Çfarë do të thotë “groshë për fëmijët” në Kinshasa, “një gotë verë” në Paris dhe “krap i vogël” në Pragë? Çfarë kanë të përbashkët këto shprehje? Që të gjitha tregojnë diçka më shumë sesa gastronomia vendore. Ato janë sinonime për ryshfet.

Gjuha e korrupsionit dallon nga një vend te tjetri, por ka edhe shumë ngjashmëri të mëdha në distanca të largëta, siç tregon David Hening (Universiteti i Kentit) dhe Nicolette Makovicky (Universiteti i Oksfordit) përmes shembujve të mëposhtëm.

1. Ndonjë para për paçe (Turqi)

Nëse të ndalon policia rrugore në Afrikën e Veriut, polici mund të të kërkojë t’i paguash “kahve” ose kafenë. Në Kenia mund të të ndalojë polici dhe të të kërkojë të kontribuosh “për një çaj për të moshuarit” (“çai ya vazee” në gjuhën suahili). Por në Turqi, policia do të të kërkojë para për paçe (“çorba parasi”) – paçja zakonisht konsumohet në fund të një nate me konsum të lartë alkooli.

2. Respekt (Azerbajxhan)

Pavarësisht nëse ndodh në rrugë apo nëpër zyra, korrupsioni përbën abuzim me pushtetin dhe privilegjet. Por eufemizmat popullore shpesh e mohojnë këtë realitet dhe e prezantojnë sjelljen prej të korruptuarit si një “favorizim” altruist për miqtë. Në Azerbajxhan, fjala që zakonisht përdoret për ryshfetin është “hurmat”, ajo është e ndërthurur me fjalën respekt/nder. Një zyrtar që po kërkon ryshfet (“hurmatimi ela”) për rrjedhojë do t’ju kërkojë “t’i bëni atij një nder”.

3. Peshku qelbet nga koka (Turqi)

Fjala e urtë “peshku qelbet nga koka” (“balik bashtan kokar”) vjen nga Turqia për të na kujtuar ne se bakshishet e vogla në nivelin e rrugës shpesh janë një pjesë e dukshme e korrupsionit më të madh në majë të organizatave apo institucioneve.

Zyrtarët meksikanë që po kërkojnë të fitojnë para për të organizuar një marrëveshje biznesi, do të kërkojnë t’i japësh “një kafshatë” (“una mordida”), ndërsa homologët e tyre kolumbianë thuhet se do të kërkojnë një “rriskë” (“serrucho”) nga pjesa e kontratës qeveritare për vete.

4. Mirënjohje (Hungari/gjuha mandarin e Kinës)

Termi korrupsion nënkupton si sjelljet ilegale, ashtu edhe ato imorale. Por në disa rajone, ajo çfarë teknikisht është ilegale mund të shihet në fakt si e pranueshme, madje edhe sjellje e moralshme. Në Hungari, mjekët dhe infermieret mund të presin “mirënjohje” (“haalapenz”) nga pacientët në formën e një zarfi me para. Në Poloni, dhuratat në natyrë për ndonjë burokrat të pafytyrë e kthejnë atë në “të njohur” (“znayamoshch”), i cili mund të jetë i aftë të “rregullojë gjërat” (“zalatvich spravi”) për ju në të ardhmen. Në Kinë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe zyrtarët e qeverisë presin gjithashtu “një falënderim të vogël” (“yidian xinyi”) për shërbimet e tyre.

Në Rusi, ka një shprehje që thotë: “Ti nuk mund të fusësh në xhep një ‘faleminderit’”, (“spasibo v karman ne polozhish”).

5. Nën tavolinë (anglisht/frëngjisht/fasi/suedisht)

Frazat popullore të përdorura për të folur për korrupsionin shumë shpesh janë metaforike. Shprehja e njohur e anglishtes që përshkruan paratë që paguhen “nën tavolinë”, për shembull, ekzistojnë gjithashtu në frëngjisht (“dessous de table”), në gjuhën farsi (“zir-e mize”) dhe në suedisht (“pengar under bordet”). Shprehi të tjera janë krijuar për të përshkruar procesin e transferimit. Në Hungari, “para për vaj” (“kenepenz”) paguhen te zyrtarët për të vaisur rrotat e burokracisë, ndërsa rusët e konsiderojnë shpesh si të nevojshme të vendosin diçka në pëllëmbën e dorës së një zyrtari (“polozhit na ladon” apo “dat na lapu”) në mënyrë që të bëjnë punën e tyre ligjore.

6. Diçka e vogël (suahili)

Shumë eufemizma të korrupsionit dhe ryshfetit punojnë për të zhvendosur vëmendjen nga veprimi apo për të minimizuar rëndësinë. Shprehja e suahilit “kitu kidogo” (diçka e vogël) është një shembull i mirë për këtë. Në Bregun e Fildishtë policia shpesh kërkon “pourboire” (kostoja e një pijeje), duke e krahasuar përmasën e ryshfetit me atë të një pijeje modeste. Termi brazilian për ryshfetin – “um cafezinho” – një kafe e vogël, përdoret gjithashtu për bakshishin si zëvendësues.

7. Para për çaj (pashtu/farsi)

Popullariteti universal i kafes dhe çajit si metafora për ryshfet tregojnë një mënyrë tjetër sesi eufemizmat funksionojnë për të fshehur natyrën e vërtetë të një pagese korruptive. Në Afganistan dhe Iran shprehja për ryshfet është “poul-e-chai”, që do të thotë “para për çaj”. Në të dyja vendet, pirja e çajit është pjesë thelbësore e jetës shoqërore. Duke kërkuar “para për çaj” sugjerohet gjithashtu se ryshfeti do të ndahet me shoqërinë, apo të tjerët. Disa shprehje si “groshë për fëmijët” – i japin ryshfetit një ndjenjë bamirësie duke pretenduar se përfituesit finalë do të jenë ata që janë më të pafajshëm e që kanë më shumë nevojë, pa fëmijët.

8. Para për pyetjet (anglisht)

Korrupsioni në shkallë të gjerë ka fjalorin e vet, shpesh të krijuar nga media. “Para të thata për pyetjet” ishte një skandal që përfshiu politikanët britanikë. (Skandali u shfaq kur një egjiptian i pasur Mohamed Al-Fayed, deklaroi se ka paguar disa deputetë të shtrojnë pyetje në Parlament ku tarifa ishte 2 mijë paund për pyetje të shtruara në vitin 1996.) Ndërkohë në Itali për korrupsionin e madh u krijua shprehja “tangentopoli” (fshati i ryshfetit), për skandalin e fillimit të viteve 1990. Duke kombinuar fjalën “tangjente”, pra një rrugë e shkurtër dhe “poli”, që do të thotë zonë e banuar/qytet, termi iu referua ryshfeteve që u jepeshin politikanëve për të përfituar kontratat e punës publike.

9. Kutia e Nokias (Hungari)

Në Hungari, termi “kutia e Nokias” u bë simbol i korrupsionit në vitin 2010, pasi kreu i kompanisë së transportit publik të Budapestit, Zsolt Balogh, u kap duke i dorëzuar zëvendëskryebashkiakut të qytetit, Miklos Hagyo, një kuti ambalazhi të një celulari “Nokia”. Që nga ajo kohë, “kutia Nokia” është bërë një farë njësie matëse – do të thotë 15 milionë forinta (65 mijë dollarë) – sasia e ryshfetit origjinal të Balogh.

10. Krap i vogël (Çeki)

Në Republikën e Çekisë, termat “krap i vogël” (“kaprzhici”), ose “peshk” (“ryby”), u përdorën si fjalë në kod përgjatë një skandali të madh korrupsioni në futbollin e Çekisë. Në komunikimin mes menaxherëve, arbitrave dhe lojtarëve, “një krap i vogël” funksionoi gjithashtu si një njësi matëse, gjë që do të thoshte 1 mijë koruna çeke (50 dollarë) për “peshk”. Eufemizmi “krap i vogël” u bë sinonim për korrupsionin në Çeki.

Mbi autorët

David Henig dhe Nicolette Makovicky drejtojnë projektin e informalitetit të gjuhëve të krijuara për të gjeneruar një bazë të dhënash mbi fjalët apo shprehjet shumëkuptimshme të sajuara nga publiku në jetën e përditshme, veçanërisht në lidhje me aktivitetet informale. Të gjitha përkthimet janë të përafërta nga gjuhët origjinale ose të përshtatura për t’u bërë më të kuptueshme.

Raporti

Korrupsioni është përkeqësuar

Një person në katër ka paguar një ryshfet për një zyrtar publik vitin e kaluar në të gjithë botën, kjo sipas një vrojtimi të kryer në 95 vende nga “Transparency International”.

Janë disa vende të Afrikës ku ryshfeti është si një lloj takse që vepron mbi të gjithë popullsinë njëherësh pa mundësi shpëtimi. Në Sierra Leone, 84 për qind e popullsisë deklarojnë se kanë paguar ryshfet të paktën një herë vitin e kaluar. Shtatë nga nëntë vendet me prani më të madhe të ryshfetit gjenden nën Afrikën Nënsahariane.

Vendet me normën më të ulët të ryshfetit janë Danimarka, Finlanda, Japonia dhe Australia, ku më pak se 1 për qind e popullsisë pagoi një bakshish gjatë vitit të fundit. Lajmi pozitiv është që sipas vrojtimit të Transparencës Ndërkombëtare, njerëzit në të gjithë botën shprehen sot më të gatshëm për ta luftuar korrupsionin nga sa shpreheshin më parë.

Shqipëria renditet vendi i 113 për nga niveli i korrupsionit nga 176 vende të analizuara prej Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Ky është një indeks që bazohet tek opinioni i qytetarëve mbi sa i korruptuar është vendi i tyre si njësi matëse.

Segmentet më problematike në Shqipëri janë policët e trafikut, të cilët janë edhe pika më e zakonshme e kontaktit mes shtetit dhe qytetarëve, për shkak se afërsisht një në katër familje shqiptare disponon një makinë, e cila duhet të përballet me policin e trafikut. Perceptimi i vendit si i korruptuar në Shqipëri është përkeqësuar gjatë vitit 2012 në krahasim me vitin 2011.

Kosova renditet në vend të 105, pra shumë më përpara se Shqipëria sa i përket perceptimit të korrupsionit. Maqedonia renditet në vend të 69.

Shqipëria ka edhe një qëndrim shumë tolerant shoqëror ndaj ryshfetit, edhe pse klauzolat ligjore për ndëshkimin e tij ekzistojnë.

Përgjatë vitit 2012, në Gjykatën e Tiranës janë shqyrtuar gjithsej gjashtë çështje për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, nga të cilat, tre kanë përfunduar me pafajësi. Dy prej të fajshmëve kanë apeluar vendimin.

Read More

Takimi: Sekretet për të bërë një përshtypje të mirë

Nëse dëshironi të krijoni një përshtypje të parë sa më të mirë tek të tjerët, ne po ju sugjerojmë disa sekrete të vlefshme. Ja cilat janë ato…

Me disa ndryshime të thjeshta, ju do të mund t’i bëni shumë shpejt për vete disa njerëz duke iu pasur simpati. Nëse jeni duke shpresuar për të fituar punën e ëndërruar ose nëse do të takoni për herë të parë vjehrrin dhe vjehrrën tuaj zbuloni këto sekrete, si më poshtë vijon.

Bëhuni pak kureshtar

Nëse ju shkoni në një intervistë pune, ju padyshim dispononi informacione të shumta rreth kompanisë, por a e dini që është mirë që të gjeni informacione edhe për personin që do t’ju intervistojë? Pyesni ndonjë të njohur, shokë apo shoqe, ose hidhni një sy në “Google” për të gjetur se ku ai apo ajo ka punuar më parë dhe nëse keni ndonjë lidhje të përbashkët. Më pas mos hezitoni të përdorni informacionet që gjeni gjatë intervistës.

Shmangni një stil veshje që mund të dështojë

Ju duhet të jeni të zgjuar në atë çka zgjidhni për të veshur. Lini fustanin e shkurtër në dollapin tuaj dhe në vend të tij vishni një palë pantallona dhe një triko kashmiri në momentin që do të takoni mamanë e tij. Ndërsa përpara se të filloni punë pyesni për stilin e veshjes që duhet të mbani në zyrë.

Arrini në orar

Nëse arrini vonë, kjo do të thotë se nuk respektoni kohën e personit tjetër që keni lënë takim. Edhe nëse e telefononi dhe i thoni se po vraponi apo justifikoheni për vonesën, kjo nuk e bën më të mirë situatën. Mundohuni ta përcaktoni mirë kohën që do t’ju duhet për të shkuar diku, duke marrë parasysh trafikun apo ndonjë të papritur.

Fikeni telefonin tuaj

Nëse gjatë një takimi çfarëdo, do të mbani ndezur gjatë gjithë kohës telefonin apo smartphone-n tuaj, kjo nuk do të bënte një përshtypje të mirë te personat e tjerë. Për ta nuk do të jeni fare simpatik, pra ata nuk do të krijojnë një përshtypje të mirë për ju. Do të ishte mirë që të përqendroheshit në bisedë dhe ta fiknit telefonin tuaj.

Shtrëngoni duart

Një shtrëngim duarsh mbetet një mënyrë e mirë nëse do të takoni kolegë të rinj, fqinj të rinj apo vjehrrit tuaj të ardhshëm.

Respektoni kufijtë

Mos e përqafoni fqinjin apo bashkëpunëtorin tuaj të ri. Duke u bërë shumë familjar me dikë, është një mënyrë e sigurt për t’u armiqësuar me ta. Ndaj, çdo gjë ka kufij.

Falënderoni

Falënderoni personin i cili ju ka intervistuar nga email-i duke i dërguar një falënderim formal po nga email-i. Nëse ju do të shkoni për darkë te vjehrrit e ardhshëm, bëjuni atyre një dhuratë të vogël, si për shembull një kuti të këndshme me çokollata. Ndërsa për t’i uruar mirëseardhjen fqinjëve të rinj, blijuni atyre një tufë me lule.

Qëndroni neutral

Pavarësisht situatës në të cilën ndodheni, qëndroni neutral. Edhe kur hapen tema të nxehta, të cilat kanë të bëjnë me seksin, politikën apo fenë, ndërsa ju jeni me miqtë tuaj që ndajnë të njëjtat pikëpamje. Ndërkohë kur shkoni për darkë tek prindërit e tij, shmangni shakatë e tepruara.

Tregoni interes për personin tjetër

Në një intervistë punë, bëhuni një dëgjues i mirë ndaj personit që do t’ju intervistojë, por gjithashtu edhe pyetni se me cilin person keni të bëni. Vjehrrin tuaj mund ta pyesni për lojën e tij të preferuar, ndërsa shefin e partnerit tuaj mund ta pyesni për fëmijët e tij. Askujt nuk i pëlqen të rrijë për pak me dikë që flet vetëm për veten.

Bëni komplimente

Provoni të thoni gjëra të tilla si: “Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për ju”, ose “Kam kuptuar që ju jeni një lojtar shumë i zoti në tenis”. Nëse nuk keni apo nuk mund t’i thoni dikujt një kompliment të sinqertë, atëherë shfrytëzoni njërin prej këtyre, ose shpikni një të çastit. Pothuaj të gjithëve u pëlqejnë komplimentet dhe kështu ju do të krijoni një përshtypje mjaft të mirë tek ta.

Read More
Siguria online, fjalekalimi juaj

Teknologji: Si të ruani fjalëkalimin në mënyrë të sigurt?

Programi “Dashlane” është asistenti juaj virtual, ai do t’ju mundësojë ruajtjen e shumë fjalëkalimeve me të gjitha kushtet e sigurisë maksimale

Nëse dëshironi të shmangni vjedhjen e identitetit tuaj, përdorni fjalëkalime të gjata që përmbajnë shkronja, shenja pikësimi dhe fjalë të pakuptueshme. Krijoni nga një fjalëkalim të ndryshëm për çdo llogari që keni në secilën faqe të internetit dhe së fundmi ndryshojini ato në mënyrë periodike çdo 30 ditë.

Është e qartë se këto këshilla janë gati-gati të pamundura për t’u ndjekur. Një person aktiv, që kryen veprime nga interneti ka mesatarisht 50-90 llogari të hapura në faqe si banka, kompani ajrore, blerje online, e-mail, “Facebook”, “Twitter”.

Në këtë gjendje, si është e mundur që edhe një person i fiksuar pas sigurisë personale të kujtojë kaq shumë fjalëkalime të gjata dhe të komplikuara, e për më tepër t’i ndërrojë ato çdo muaj?

Shumë njerëz zgjedhin rrugën e shkurtër, ata thjesht vënë të njëjtin fjalëkalim në çdo faqe dhe jetojnë me ndjesinë e fajit për këtë shkelje të sigurisë.

Ka edhe zgjidhje alternative si për shembull, opsionet e ruajtjes automatike të fjalëkalimeve në shfletuesit e Windows dhe Mac. Por këto mundësi nuk ofrohen për çdo faqe dhe në përgjithësi nuk janë shumë të dobishme në aparatet e tjera teknologjike.

Duke vënë fjalëkalime të ndryshme për çdo faqe interneti, në këtë pikë personi i vetëm që nuk do të arrijë të ketë akses në to, është vetë zotëruesi i tyre.

Zgjidhjet më të mira janë instalimi i disa programeve të dedikuara ruajtjes së fjalëkalimeve si “Roboform”, “Keypass” dhe “Lastpass”.

Lajmi i mirë është se javën e shkuar, një nga programet më të mira për ruajtjen e fjalëkalimeve, “Dashlane”, erdhi në treg me një version të përmirësuar. Ai është tërheqës, i dobishëm, kursen shumë kohë për ata që e përdorin dhe mund të përdoret prej Windows, Mac, IPhone dhe Android.

Ky program ofrohet falas për përdoruesit dhe është shumë i shpejtë për t’u instaluar. Ai punon në lundruesit e ndryshëm si Safari, Chrome, Internet Explorer dhe Firefox.

Për më shumë mund të importojë fjalëkalimet e ruajtura prej programeve të tjera konkurrente që ju mund të keni pas përdorur.

“Dashlane” është programi që ofron ruajtjen e shumë fjalëkalimeve në faqe të ndryshme. Sa herë krijoni një llogari të re, futni në të emrin dhe fjalëkalimin tuaj, do të shfaqet një faqe e programit “Dashlane”, që do t’ju ofrojë mundësinë e ruajtjes së informacionit.

Për më tepër, programi do t’ju ofrojë edhe hyrjen në llogari vetëm me atë të një klikimi. Do t’ju duhet vetëm të klikoni te  “bookmark-et” tuaja dhe sa hap e mbyll sytë do të keni hyrë në llogarinë tuaj të “Facebook”-ut apo “Yahoo”-së.

Nëpërmjet “Dashlane”, që do të kujtojë çdo fjalëkalim për ju, jeni të lirë të ndiqni këshillat e specialistëve për përfshirjen e shkronjave kapitale, shenjave të pikësimit dhe fjalëve pa kuptim në fjalëkalimet tuaja të gjata.

Kështu mund të shkrini të gjithë talentin tuaj prej “pirati”, duke krijuar fjalëkalime aq të ngatërruara sa as vetë nuk do t’i kujtoni deri në fund të ditës.

Një risi tjetër që sjell “Dashlane” është fakti se mund të plotësojë për ju çdo të dhënë që kërkohet nga faqet e internetit, si emri, adresa, numri i telefonit apo edhe informacioni i kartës së kreditit.

Nëse dëshironi të bëni një blerje online, mjafton të klikoni në kutinë e kartës së kreditit dhe “Dashlane” do t’ju ofrojë menjëherë shërbimin e kërkuar.

Nuk do t’ju duhet të shkruani asgjë, gjithçka do të plotësohet prej programit që është memoria juaj virtuale. Sa herë që porosisni diçka nga interneti, me opsionet e reja të “Dashlane” do të kurseni nga 30 sekonda deri në 5 minuta prej jetës suaj.

Programi i ri mund të hapet prej jush edhe nëpërmjet valëve (wireless) duke ju mundësuar kështu lehtësi aksesi kudo që jeni. Ai evidenton fjalëkalimet tuaja të dobëta dhe ju këshillon sesi t’i bëni ato gjithnjë e më të vështira për të mos rënë pre e piraterisë virtuale.

Kjo e fundit është kthyer në një shqetësim të madh për këdo që kryen funksione të rëndësishme të jetës së tij online. Mjaftojnë vetëm pak minuta që cilido person, qoftë edhe në anën tjetër të globit t’ju marrë paratë nga llogaria bankare apo të futet në adresën tuaj të rrjetit social.

Nëse jeni të shqetësuar për sigurinë e të dhënave tuaja në internet atëherë kujdesuni që të plotësoni çdo kriter që i afrohet më së shumti sigurisë ideale.

Read More

Si të dalloni një gënjeshtar në biznes?

Gënjeshtrat, të vështira për t’u zbuluar, por të lehta për t’u thënë, kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve në studimin më të fundit 

Studimi

Shumica e njerëzve të paktën përpiqen të jenë të ndershëm, por në fund të gjithë gënjejnë për ndonjë gjë sado të vogël.

Ne u themi njerëzve që duken shumë bukur, kur nuk fakt e vërteta nuk është kështu. Ne i zbukurojmë disa detaje, kur duam të japim ndonjë lajm të keq. Ne i justifikojmë këto mashtrime të vogla duke e bindur veten se askush nuk do të lëndohet prej tyre.

Disa gënjeshtra janë shumë më të mëdha dhe më të dëmshme, si ato të viteve të fundit, që çuan në epideminë e hipotekave të këqija dhe në kolapsin e tregjeve të banesave dhe atyre financiare.

Mungesa e ndershmërisë dhe e besimit janë bërë aq të përhapura sa shkencëtarët kanë filluar kërkimet për të zbuluar përse njerëzit gënjejnë dhe si t’i dalloni gënjeshtrat.

Një studim i ri prej kërkuesve të Universitetit të Uisconsin Madison dhe Harvard Business School, nënvijëzojnë ndryshimin midis dy llojeve të gënjeshtarëve: ata tradicionalë, të cilët thonë gjëra të pavërteta; dhe mashtruesit në mosveprim, të cilët qëllimisht nuk zbulojnë informata që mund të errësojnë temën që po bisedojnë.

Dhe prej këtyre të dhënave rezulton se gënjeshtarët e drejtpërdrejtë janë më efektivë në mashtrim. Hulumtuesit Lyn M. Van Suol dhe Michael T. Braun të Uisconsin dhe Deepak Malhotra i Harvardit, sajuan një seri transaksionesh te 104 subjekte të testuara, një pjesë duke e gënjyer dhe pjesën tjetër duke i thënë të vërtetën.

Ata gjithashtu vëzhguan me kujdes sjelljen e pjesëmarrësve, për të gjetur në mënyrën e tyre të veprimit ndonjë detaj, që tregonte për kuptimin e të vërtetës apo gënjeshtrave.

Njerëzit në studim, ishin më të prirur të besonin gënjeshtrat e mashtruesve të drejtpërdrejtë, të cilët ishin shumë gojëmbël dhe i zgjasnin bisedat sipas dëshirës së tyre.

3 zakonet e gënjeshtarëve të drejtpërdrejtë

zakonet e gënjeshtarëveKëta lloj gënjeshtarësh veprojnë në mënyrë tipike sipas tri zakoneve. Së pari, ata flasin më shumë se të tjerët, ata betohen shumë shpesh dhe flasin përgjithësisht në veten e tretë sikur t’i referohen dikujt në largësi, pra përdorin më shumë përemrat ai, ajo sesa ti, unë.

Kërkuesit dyshojnë se këta lloj llafazanësh, janë të prekur prej “efektit Pinok”, që shprehet se sa më shumë të gënjesh, aq më shumë fjalë do të përdorësh.

“Sikleti dhe pakënaqësia e të pasurit një gënjeshtër për të ruajtur e mbajtur, mund të ketë çuar drejt kësaj mënyre e të folurit shumë”, shprehen studiuesit.

Të jesh i sjellshëm kërkon vetëkontroll dhe nëse burimet e dikujt që gënjen po shterojnë duke u anuar për nga e vërteta, atëherë ai do të fillojë të sillet më ashpër dhe keq.

Gënjeshtarët gjithashtu flasin më shumë për të justifikuar shpjegimet e pavërteta që japin.

Nga ana tjetër, ata që mashtrojnë duke fshehur të vërtetën, flasin më pak dhe ndonjëherë heshtin në mënyrë të parehatshme gjatë bisedave.

Ata zakonisht bëjnë deklarata të përmbledhura, duke ofruar pak mundësi për shtjellim. Këta njerëz janë të kundërt me “efektin e Pinokut”.

Personat që thonë të vërtetën qëndrojnë mes këtyre dy lloj njerëzve, si një grup që flet as shumë as pak. Por ka një përjashtim, nëse dikush që po thotë të vërtetën dyshohet se po gënjen, atëherë ai do të flasë më shumë për të provuar se po thotë të vërtetën.

Ndershmëria në biznes

Në mjedisin e biznesit, është e qartë se ndershmëria ka shumë rëndësi, pasi çdo njeri që dëshiron të bëjë një marrëveshje, kërkon të dijë të vërtetën për detyrat që po merr përsipër.

Pra, rruga e artë për të zgjedhur një partner biznesi është të gjeni dikë, që nuk është as shumë llafazan e as shumë i heshtur.

Natyrisht që ka përjashtime në momentet kur duhet dhënë llogari, kur duhet mbrojtur një teori apo në çaste të tjera. Rëndësi ka të vëzhgoni sjelljen e përgjithshme të partnerit në biznes, për të arritur në një përfundim të saktë.

Read More

Të punosh shumë, të bën keq…

Në një kohë kur ekziston kriza për punë, ekziston edhe kriza nga puna. Nuk janë të paktë ata njerëz të cilët bëhen “qen” të punës, duke harruar gjithçka tjetër përveç profesionit. Kjo padyshim që është një e keqe me dëme të mëdha. Ne po ju sugjerojmë nëntë këshilla se si të përmirësoheni për t’i kushtuar kohë jo vetëm punës, por edhe jetës private

Stili i jetesës

Të punosh shumë, bën keq… ja nëntë këshilla për t’u përmirësuar

Nuk ka asgjë më të keqe sesa të varesh në të gjitha aspektet nga puna. Të jesh gjatë gjithë kohës duke folur në telefon, duke shkruar në tabelë apo në postën elektronike, ta kesh mendjen te pjesa se çfarë duhet të bësh nesër, te klientët që do t’i fitosh me çdo kusht…Qen i punës!? Ndoshta do të ishte më e saktë të thoshim maniak apo siç thonë anglosaksonët “qen i punës”: fjalë për fjalë të dehur pas punës. Një varësi që mund të kthehet edhe në patologjike. Pra një sëmundje me të gjitha efektet e saj, e cila duhet kuruar për të evituar pasojat më të këqija, si: stresin, depresionin, dhimbjen fizike, tensionin e lartë, ulcerën dhe në rastin më të keq, goditjen në tru. Në Itali janë rreth një milion të sëmurët pas punës, me simptoma shumë të veçanta dhe të identifikueshme: nxitim të vazhdueshëm, listë të pafundme angazhimesh, axhendë të mbushur me kolegë sesa miq, e-maile edhe në orët e vona, 40 orë punë gjatë gjithë javës, për të mos thënë edhe më shumë. Në këtë mënyrë arrihet në një stad në të cilin nuk ekziston më jeta private, por vetëm ajo profesionale, me efekte mbi shëndetin, si insomnia, dhimbja kronike e kokës, seksualitet i dobët dhe varësi të reja (ushqimi, alkooli, paratë). Çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje?

Don Serratt, një guru (këshilltar shpirtëror) i jetës së biznesit këshillon nëntë mënyra për të përballuar problemin e superpunës dhe për të rikuperuar vetveten, në një dimension më të mirë dhe më privat:

Fito për të jetuar, mos jeto për të fituar

Paraja në jetë nuk është gjithçka, ju duhet t’i jepni vlerë jetës tuaj dhe aspekteve të ndryshme që e përbëjnë atë. Fiksimi te “Perëndia e parave” shkatërron ekzistencën, duke e kthyer njeriun të stresuar dhe të zemëruar.

Mos punoni asnjëherë të dielën

Trupi dhe mendja kanë nevojë për pushim, pas një jave stresante. Puna duhet bërë mirë, por për të arritur objektivat duhet të rikuperoni energjitë fizike dhe mendore. Fundjavën, ose të paktën të dielën, ju duhet ta rezervoni për hobet tuaja, miqtë, për personat më të dashur ose për veten tuaj.

Koha e lirë është e shenjtë

Të kesh momente në të cilat puna është vënë pak mënjanë nuk mund të bëjë veçse mirë, nuk është aspak kohë e humbur. Duhet të qetësoheni, të argëtoheni për të përballuar më mirë stresin e ditës. Pas kësaj ju jeni më prodhimtar dhe më të mirë në atë çka prodhoni.

Dedikojuni kohë miqve dhe familjes

Paratë i pëlqejnë të gjithë, por nëse nuk i ndan me të afërmit dhe miqtë për çfarë shërbejnë ato? Ndjenjat janë një pjesë e rëndësishme e jetës së çdokujt. Të sakrifikosh gjithçka në emër të parasë nuk sjell absolutisht asnjë përfitim.

Të flesh është e shenjtë

Të flesh të paktën 7 orë çdo natë, mundësisht duke e larguar mendjen nga çfarëdo lloj mendimi pune, është një detyrë që duhet ta bëjë çdokush. Kështu që asnjë kompjuter në shtrat. Shëndeti juaj do të përfitojë nga kjo gjë.

Nuk është e nevojshme të pushoni së punuari

Puna për një burrë apo grua është një e drejtë e patjetërsueshme (edhe pse në këto kohë nuk është kështu), por edhe një detyrë. Por çdo gjë ka kohën e vet. Duhet të bësh gjithçka, të punosh, të kalosh kohë pranë familjes, të bësh sport, të argëtohesh etj. Shtatë apo tetë orë punë në ditë janë mirë, por më shumë se kaq të bëjnë keq.

Por nëse shefi pretendon më shumë?

Ka ardhur koha të fikni kompjuterin dhe të largoheni nga zyra. Orari i punës për sot është ezauruar, por shefi juaj të vështron keq dhe do që të qëndrosh akoma. Ndonjëherë, edhe mund të qëndroni, por në jetë ka edhe gjera të tjera që duan rëndësinë e tyre. Kini durim nuk do të jesh gjithmonë në dorën e tij, ia vlen ta sfidoni për të kaluar ndonjë orë me fëmijët tuaj.

Ndiheni të lodhur?

Fiziku ka momente të vështira kur ju i kërkoni shumë. Është e nevojshme të bëni një pushim për të rikarikuar “bateritë” dhe për të larguar stresin. Është më mirë të përfundoni një projekt përpara se të nisni një tjetër dhe në disa raste bëni mirë të përfshini dhe ndonjë koleg të gatshëm.

Më shumë privat dhe më pak punë

Në jetë është gjithmonë e nevojshme t’i jepni përparësi jetës private, qoftë familjes, qoftë miqve. Ju keni për të shpërblyer veten duke shpenzuar më shumë kohë për veten tuaj, duke krijuar më shumë hapësirë për pasionet tuaja.

Burimi: Gazeta SHQIP

Read More