Kompjuteri dhe cilësia e jetës!

2
3629

A e bëni do gjithnjë lidhjen se si përdorimi i kompjuterit ndikon te cilësia e jetës tuaj?

Në rastin tim, si sipërmarrës dhe kontraktor i pavarur (freelance), shumica e punës që bëj është me kompjuter, ndaj edhe koha që harxhoj çdo ditë është relativisht e lartë, por fakti mbetet që kompjuteri është thjesht “mjeti” nëpërmjet të cilit kam zgjedhur të siguroj të ardhurat, por jo të harxhoj gjithë kohën time dhe aq më pak që t’i krijoj probleme shëndetit.

Po situata juaj si është? Mbase puna ju kërkon të shpenzoni x orë në ditë, po kohën tjetër si e harxhoni? Sigurisht që situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur, përveç kompjuterit, në lojë fusim edhe pajisjet e tjera elektronike si celulari apo tableti.

Sigurisht, këto janë të gjitha “mjete” që përdoren kryesisht për punë dhe në këtë aspekt nuk diskutohet shumë rëndësia e përdorimit të tyre. Por, ndërkohë, problemi lind në momentin që përdorimi i pakontrolluar i  “mjetit” fillon të ndikojë edhe vetë cilësinë e jetës tuaj – përtej funksionit dhe kohës së nevojshme që duhet shpenzuar me “të”.

Thënë ndryshe, nëse koha e shpenzuar në kompjuter, celular, etj., është më e lartë se sa duhet, efektet mund t’i ndieni direkt te cilësia e jetës duke filluar nga gjumi i çrregullt, përqëndrimi dhe  efikasiteti në punë. Nëse nuk e keni kuptuar ende, atëherë, pavarësisht avantazheve të shumta që teknologjia i sjell punës dhe jetës tuaj, në të njëjtën kohë teknologjia, dhe në këtë rast kompjuteri apo celulari, ka mjaft efekte anësore shoqërore dhe fizike që mbase nuk i keni konsideruar – ose thjesht e keni humbur tashmë!

Akses i kontrolluar

Efektet e përdorimit të pakontrolluar të kompjuterit janë të shumta, por do doja të fokusohesha te dy aspektet që përmenda pak më sipër: cilësia e gjumit dhe efikasiteti në punë. Mënyra për ta përmirësuar situatën përmblidhet me dy fjalë: akses i kontrolluar!

Pa u zgjatur, desha t’ju ofroj një listë këshillash dhe sugjerimesh se si mund të filloni ta përmirësoni “marrëdhënien” tuaj me kompjuterin dhe rrjedhimisht cilësinë tuaj të gjumit dhe njëherazi efikasitetin tuaj në punë:

  • Punoni deri në 45 minuta dhe pastaj bëni pushim nga kompjuteri për 5-10 minuta
  • Idealisht, kufizojeni ekspozimin tuaj ndaj kompjuterit në 8 orë në ditë (akumulative)
  • Sigurohuni që të keni dritë të mjaftueshme kur punoni, idealisht dritë natyrale
  • Zgjidhni me kujdes pozicionin e trupit tuaj kur punoni,
  • Punoni vetëm gjatë javës dhe bëni të paktën një ditë pushim total nga kompjuteri
  • Nëse mbaroni punë me kompjuterin në punë, mundohuni mos ta përdorni gjatë kohës që jeni në shtëpi
  • Vendoseni celularin/tabletin larg kokës tuaj gjatë orëve të natës
  • Nëse do lexoni gjatë natës, sigurohuni që të keni dritë tjetër përveç ekranit pasi ju dëmton sytë.

Lista e këshillave/sugjerimeve mund të jetë shumë më e gjatë se kjo, por synimi im ishte t’ju ngacmoja sado pak për ta ndryshuar sado pak pozitivisht marrëdhënien tuaj me pajisjet elektronike.

Ndërkohë, jam i bindur që secili prej jush ka sugjerimet dhe këshillat e veta ndaj do ju ftoja t’i shtonit ato te komentet këtu poshtë.