Mashtrimi i radhës me email!

Siguria online, fjalekalimi juaj

Sa herë keni marrë ndonjë mesazh me email për  një “ofertë fantastike” ku ju premtohej një laptop falas apo një dhuratë tjetër tërheqëse. Për ta përfituar duhej vetëm t’ia kalonit me email miqve tuaj apo ta shpërndanit në Facebook duke i dërguar një kopje të mesazheve një adrese tjetër “zyrtare për verifikim” ose duhet të regjistroheshit te një faqe “zyrtare, për verifikim”?

Ndërkohë ju ftoj t’i bëni vetes këto tre pyetje:

  • sa herë keni dëgjuar për ndonjë person i cili apo e cila e kishte fituar “dhuratën”?
  • sa herë keni fituar vetë?
  • Sa herë oferta që keni marrë në fakt ka qenë një mashtrim?

Rast mashtrimi për vjedhje email-ash

Para pak ditësh ri-morra një ofertë për “laptop falas”. Këtë ofertë identike e kisha parë edhe disa muaj më herët, por në fakt kam parë variacione të sajat mbi 10 vjet më parë.

Oferta ishte si më poshtë:

Te nderuar,
Firma ERICSON, ne promovimin e vet ne treg ndan pa te holla Laptop.
Kjo Kompani dëshiron t’i popullarizoje prodhimet e veta.
Nëse ketë e-mail ua dërgoni 8 personave, fitoni dhurate një laptop ERICSON T18. Nëse ua dërgoni me shume se 20 personave, fitoni laptop ERICSON R320.
Kopjen e këtij e-maili ia dërgoni përfaqësuesit te kësaj Firme, Znj.Pranvera Polani [email protected]

me respekt:
Hamdi Sylejmani

Oferta e mësipërme dukshëm është një formë mashtrimi që përdoret nga “hajdutët e email-ave” të cilët përdorin një adresë false për të mbledhur sa më shumë adresa reale për t’u dërguar më pas mesazhe SPAM.

Zakonisht, janë sipërmarrje të tilla si ato që u ofrojnë bizneseve dërgimin e mesazheve promocionale te 100,000 apo 500,000 adresa te vlefshme, të cilat përfitojnë më shumë nga këto lloj teknikash “vjedhjeje”!

Nuk dua të zgjatem shumë për ta shpjeguar, por duke qenë se kam parë mjaft njerëz që kanë rënë pre e këtyre formave të mashtrimit online, do desha të evidentoj shumë shkurt disa nga aspektet që duhet minimalisht t’ju bëjnë dyshues kur merrni “oferta fantastike” me email.

  1. Oferta nuk dërgohet nga vetë kompania (në këtë rast nga kompania ERICSON), por nga një miku/mikesha juaj, që tashmë ka rënë pre e mashtrimit duke u’a dërguar edhe juve.
  2. Oferta përpiqet të bëhet më e besueshme duke dhënë emra produktesh, në këtë rast laptopë, që duket sikur janë të vërtetë. Por nëse do t’i investigonit, atëherë do të kuptoni që në rastin konkret ERICKSON T18 dhe ERICKSON R320 nuk janë as laptopë, por në fakt modele celulari. Që për më tepër kanë dalë në treg në vitin 2000!!!!!
  3. Oferta kërkon që për ta përfituar, ju duhet t’ia kaloni atë edhe miqve tuaj (në këtë rast 8 ose 20 prej tyre). Por ajo që duhet t’ju bëjë të dyshoni është fakti se “për verifikim” duhet të përfshini edhe një adresë tjetër “zyrtare”. Në këtë rast, kërkohet që t’ia “dërgoni përfaqësuesit të kësaj Firme, Znj.Pranvera Polani [email protected]”!!! e cila nuk ka as adresë zyrtare kompanie si p.sh. [email protected] dhe nëse do ta kërkonit nga Google do t’ju dilte që as nuk punon atje e në mjaft raste as nuk ekziston si person!!!

Ka mjaft aspekte të tjera, disa pak më të fshehta, që do t’ju ndihmonin ta dallonit mashtrimin e këtyre lloj ofertash, por ideja është që nëse e keni pësuar një herë, atëherë përpiquni që mos të bëheni pre për herë të dytë.

Njëherazi, kur ju merrni pjesë në oferta të tilla mashtruese, si kjo e mësipërmja, fakti është që përveç jush, bëhen pre edhe miqtë dhe të njohurit tuaj, adresat e të cilëve u’a keni dorëzuar “hajdutëve” ju personalisht!

Si mund të mbroheni?

Ky do ishte një shkrim tjetër më vete, por shkurtimisht mund t’ju sugjeroj që:

  • Mos e jepni adresën tuaj të email vend e pa vend
  • Jepeni vetëm në faqe apo shërbime zyrtare të mirënjohura
  • Nëse keni dyshime, atëherë krijoni një adresë kot, ku nuk do keni probleme nëse ju vijnë SPAM-e (si p.sh. [email protected])

Duke qenë se çdo kush prej nesh ka pasur eksperiencat e veta ndër vite, do i vlerësoja shumë komentet, sugjerimet dhe këshillat tuaja pasi besoj se janë me vlerë për gjithë ata persona të tjera që do jenë duke e lexuar këtë shkrim.

Pyetje të shpeshta

Si e dalloj një email mashtrues me “ofertë fantastike”?

Ka disa shenja. Oferta nuk vjen nga vetë kompania, por nga një mik që ka rënë pre e mashtrimit. Emrat e produkteve duken të vërtetë, por mund të mos jenë: në shembullin e njohur, “laptopët” ishin modele celulari të vitit 2000. Dhe kërkohet t’ia dërgoni kopjen një përfaqësuesi me adresë gmail, jo me adresë zyrtare kompanie.

Pse mashtruesit duan që ta kaloni mesazhin te miqtë tuaj?

Oferta të tilla përdorin një adresë false për të mbledhur sa më shumë adresa email reale, të cilave më pas u dërgohen mesazhe SPAM. Përfitojnë ata që u ofrojnë bizneseve dërgimin e mesazheve promocionale te 100,000 apo 500,000 adresa të vlefshme.

Çfarë dëmi sjell pjesëmarrja në një ofertë të tillë?

Përveç jush, bëhen pre edhe miqtë dhe të njohurit, adresat e të cilëve ua keni dorëzuar “hajdutëve” personalisht. Nëse e keni pësuar një herë, ia vlen të përpiqeni të mos bëheni pre për herë të dytë.

Si mund të mbroheni nga mashtrimet me email dhe nga SPAM-i?

Rekomandohet të mos e jepni adresën tuaj të email vend e pa vend dhe ta jepni vetëm në faqe a shërbime zyrtare të mirënjohura. Nëse keni dyshime, krijoni një adresë kot, ku nuk keni problem nëse ju vijnë SPAM-e.

Çfarë pyetjesh duhet t’i bëni vetes para se t’u besoni ofertave me email?

Pyesni veten: sa herë keni dëgjuar për dikë që e ka fituar vërtet “dhuratën”, sa herë keni fituar vetë dhe sa herë oferta që keni marrë ka qenë në fakt një mashtrim.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Kthehu në krye