ForwardTirana faqja kryesore
Menaxhim projektesh

Si të organizoni një konferencë me faqe + live stream?

Një ndër projektet më interesante që ndërmora këtë fillim viti 2013 ishte një bashkëpunim me lëvizjen e mirënjohur MJAFT e cila mbajti një konferencë tre-ditore me organizata dhe partnerë të ndryshëm nga bota e aktivizmit civil nga rajoni dhe më gjerë.

Pjesa ime konsistonte në ndërtimin dhe menaxhimin e një faqeje për konferencën si dhe koordinimin e transmetimit drejt-për-drejtë ose “live stream” të sesioneve të kësaj konference.

Ishte padyshim një eksperiencë ndryshe pasi nënkuptonte një angazhim më aktiv se sa roli mbështetës vetëm me ndërtimin e faqes apo konsulencës për komunikimin.

Nisur nga ky projekt, desha të ndaj me ju disa nga aspektet kryesore të organizimit që mund të jenë ndihmesë në punën tuaj tani ose në të ardhmen. Shumica e këtyre aspekteve organizative do t’ju ndihmojnë të menaxhoni më mirë çdo projekt tjetër që për përfshin ndërtimin e një faqeje në internet.

Elementet bazë

  1. Faqja në internet – domain + host + WordPress + template (ForwardTirana.org)
  2. Materialet për faqen e internetit (fotot + shkrimet) – u siguruar nga organizatorët
  3. Llogaria në Twitter – si kanal shtesë komunikimi të menjëhershme me audiencën
  4. Llogaria në YouTube – për publikimin e regjistrimeve gjatë konferencës/arkiv online
  5. Llogaria në Ustream.tv – për transmetimin e drejtë-për-drejtë të konferencës

Si u bë organizmi i punës?

Takimi  i parë konsistoi në ndarjen e ideve dhe konsiderimin e nevojave të organizatorëve.

Si fillim u panë disa shembuj ekzistues mbi të cilët mund të ndërtohej faqja e re dhe u ra dakord për detyrat përkatëse të të dyja palëve për sa i përket:

  • Caktimi i strukturës dhe përmbajtjes së faqes
  • Punës për ndërtimin e seksioneve të ndryshme të faqes
  • Vendosjes së afateve për dorëzimin dhe verifikimin e materialeve
  • Metodës së bashkëpunimit/komunikimit (Dropbox, email & celular).
  • Implementimit të transmetimit drejt-për-drejtë “live stream

Nga ana ime duhet të pranoj që në fillim se eksperienca e bollshme e organizatorëve me organizimin e konferencave si dhe puna me faqet në internet ishin faktorë që ndihmuan jashtë mase për të lehtësuar të gjithë procesin e organizimit dhe bashkëpunimin për këtë projekt.

Ndëtimi i faqesë së re bazuar mbi shembuj faqesh ekzistuese

ForwardTirana faqja kryesore
Faqja kryesore e konferecës në internet (ForwardTirana.org)

Ndërtimi i një faqeje të re në internet është tashmë diçka relativisht e thjeshtë pasi procedurat janë lehtësuar mjaft, por nga ana tjetër, përputhja e nevojave të “klientit” me atë që i serviret nga uebmasteri, mbetet gjithnjë një sfidë me të cilën përballet çdo faqe e  re.

Një mënyrë praktike që unë përdor zakonisht me ata të cilëve zgjedh t’u ndërtoj një faqe, është gjetja dhe përdorimi i shembujve ekzistues. Thënë ndryshe, zakonisht gjejmë faqe shembull mbi të cilat mund të modelojmë faqen e re. Ajo që u shpjegoj klientëve është fakti se tani nuk kemi më nevojë “të shpikim rrotën nga e para”. Në botën e internetit ekzistojnë më qindra mijëra faqe të tjera të ngjashme me atë që kërkohet të ndërtohet, ndaj është shumë më e thjeshtë nëse merren paraprakisht shembujt e faqeve të tjera dhe më pas diskutohet mbi elementët e ndryshëm që ato ofrojnë dhe se si ato mund të implementohen/përdoren për ndërtimin e faqes së re.

Caktimi i strukturës dhe përmbajtjes së faqes

Përgatitja e informacioni është shpesh një nga aspektet më të vështira në ndërtimin e një faqeje të re pasi kërkon mjaft kohë dhe eksperiencë paraprake për sa i përket përcaktimit të strukturës dhe gjenerimit të përmbajtjes me shkrime dhe foto.

Në këtë rast eksperienca paraprake e organizatorëve ishte thelbësore pasi këto detaje të punës u caktuan që në takimin e parë dhe gjithçka procedoi normalisht.

Gjithsesi, është me vlerë të theksojmë se përcaktimi paraprak i strukturës (kategoritë, logoja dhe ndarjet e tjera) të faqes si dhe më pas vetë përmbajtja (shkrimet, fotot, etj.) që do të përdoret për faqen janë aspekte thelbësore për vetë suksesin e faqes.

Gjithashtu, duhet theksuar se struktura dhe përmbajtja e faqes duhet të jenë në funksion të nevojave të organizatorëve dhe audiencës së faqes, dhe jo e kundërta.

Vendosja e afateve për dorëzimin e punës

Në këtë rast afatet për dorëzimin e faqes ishin të përcaktuara pasi gjithçka duhet të ishte gati të paktën një javë përpara konferencës, por si rregull, vendosja e afateve ndihmon në realizimin në kohë të çdo lloj projekti, ndryshe gjithçka mund të shtyhet pafundësisht dhe shpesh herë projekte të tilla mbarojnë muaj me vonesë (në disa raste edhe më gjatë se një vit).

Metoda e bashkëpunimit

ForwardTirana - Dropbox dosja e perbashket
Dosjet e përbashkëta në Dropbox

Nevoja për implementimin në kohë të projektit nënkupton gjetjen e zgjidhjeve të cilat lejojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm në distancë.

Sot, me mjetet e shumta të komunikimit në distancë, bashkëpunimi është vetëm një procedurë që nënkupton zgjedhjen e mjeteve të duhura dhe të përshtatshme me nevojat e të dyja palëve.

Në këtë rast u përdorën

  • Dropdox.com
  • Email-i
  • Celulari

Mund të duket si e parëndësishme përmendja e mjeteve të tilla si Email-i apo celulari, por në fakt ka shumë raste kur bashkëpunimi kufizohet vetëm në komunikimin me celular apo vetëm Email, të cilët detyrimisht kufizojnë edhe mundësitë e realizimit në kohë të çdo projekti.

Ndërsa për Dropbox-in duhet të sqaroj se është një softuer i cili lejon krijimin e dosjeve virtuale të përbashkëta (shared folders) të cilët ndihmojnë jashtë mase me organizimin dhe përgatitjen e materialeve të ndryshme për faqen. Këto materiale mund të vendosen të gjitha brenda një dosjeje të përbashkët dhe ky organizim lejon ndjekjen më të mirë të punës nga të dyja palët.

Implementimi i transmetimit drejtë-për-drejtë me “live stream”

ForwardTirana - Ustream page
Shërbimi i UStream që u përdor për live stream

Zhvillimet e shumta të teknologjisë tashmë mundësojnë edhe transmetimet e drejtë-për-drejta nëpërmjet internetit që lejojnë kapjen e një audience edhe më të gjerë e cila nuk mund të jetë e pranishme fizikisht.

Në këtë rast u përdor shërbimi i faqes UStream.tv e cila është një aktualisht ndër shërbimet më të mira (për sa i përket versioneve falas ose pak të kushtueshme). Sigurisht, ekzistojnë edhe shumë shërbimet të tjera të ngjashme, por që ndryshojnë për nga aspektet teknike dhe financiare me të cilat e ofrojnë shërbimin e tyre.

Read More
Leter dhe stilolaps
Fillimet e biznesit, Financat, Menaxhim projektesh, Menaxhimi

Menaxhimi: Meritat e vërteta të stilolapsit dhe letrës në biznes!

Personalisht, jam shumë i dhënë ndaj teknologjisë dhe mbetem entuziast për gjithçka që të lejon të bësh! Por, në të njëjtën kohë, më duhet të pranoj pengesat apo mënyrat se si teknologjia më kufizon që të bëj atë që duhet të bëj më mirë – konkretisht; të organizoj mendimet apo të planifikoj punën time! Prandaj, e them me bindje të plotë se, deri tani, nuk kam gjetur asnjë teknologji më të mirë se sa një stilolaps me një bllok shënimesh që të më ndihmojnë gjatë procesit të planifikimit apo organizimit të punës së përditëshme.

Gjithashtu, kam kuptuar që kjo dukuri është shumë e përhapur! Mund të them me garanci se e kam dëshmuar shumë herë këtë fakt te mjaft menaxherë, CEO apo njerëz të tjerë të cilët çdokush do t’i konsideronte të suksesshëm në atë që bëjnë. Pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm të teknologjive për biznesin, ata vazhdojnë të përdorin stilolapsin dhe letrën/bllokun për të mbajtur shënime si dhe për të organizuar mendimet apo punën e tyre të përditshme. Më pas këto shënime mund të kalohen në celular apo në kompjuter, por për ta, procesi kreativ apo organizativ mendor kryhet më mirë me një stilolaps dhe letër!

Avantazhi kryesor i përdorimit të stilolapsit dhe letrës është pikërisht mundësia për t’u fokusuar apo për t’u përqëndruar plotësisht në atë që duhet të bëni pa u shkëputur vëmendja nga teknologjitë e tjera (si p.sh. kompjuteri, celulari, etj) apo edhe vetë njerëzit që keni përreth. Ndonëse shumëkush është joshur nga ideja dhe i mban bindjen se mund të bëjë shumë gjëra njëherësh (ajo që ndryshe quhet ‘multitasking’), fakti mbetet, dhe studimet e kanë provuar, që ne i bëjmë gjërat më mirë kur i bëjmë një-nga-një. Sidomos, për sa i përket diskutimit në fjalë – procesit kreativ, planifikimit të punës apo organizimit të ideve. Ky proces kryhet më mirë kur ne i japim përqëndrim dhe vëmendje të plotë. Kjo është e vetmja arsye pse mbetem mbështetës i fortë i përdorimit të kësaj teknologjie ‘të lashtë’ siç është stilolapsi dhe letra!

Në çdo rast duhet të pranojmë se teknologjia më e mirë është ajo që na lejon të bëjmë më mirë punën tonë por njëherazi duhet të jemi të kujdesshëm kur ajo mund të na kufizojë të bëjmë gjëra bazë siç është procesi i të menduarit! Për disa prej nesh, stilolapsi dhe letra janë brenda kompjuterit apo tablet-it që mbajnë gjithë kohës me vete, ndërsa për të tjerë mbetet blloku i shënimeve apo copa letrash që i mbajmë gjithnjë me vete. Në fund të ditës, jeni ju vetë që duhet të analizoni dhe kuptoni se cila është teknologjia apo mjetet që ju lejojnë të bëni më mirë atë që quhet planifikimi apo organizimi i punës tuaj.

Read More
Ndiqni profesionistet ne LinkedIn
Fillimet e biznesit, Rritja profesionale

Si të ndiqni profesionistët e preferuar në LinkedIn?

Siç e kam shpjeguar edhe në një shkrim të mëparshëm, nëse nuk jeni ende në rrjetin profesional të LinkedIn, atëherë gjasat janë që jeni duke humbur mjaft në kuadër të zhvillimit tuaj profesional (personal apo edhe si kompani).

Për t’u ardhur në ndihmë nevojave të ndryshme të miliona profesionistëve të këtij rrjeti, LinkedIn solli së fundmi edhe mundësinë për të ndjekur zhvillimet në profilet e disa prej profesionistëve me ndikim në fushat e ndryshme të biznesit (në të njëjtën mënyrë siç mund të bëhet me kompanitë e listuara në këtë rrjet).

Ndër vlerat kryesore për ju si profesionistët është fakti që kjo e bën më të lehtë të ndjekësh personazhet/profesionistët e ndryshëm që janë me interes për punën dhe profesionin tuaj (sipas një liste të përzgjedhur nga stafi i LinkedIn).

Duke ndjekur shkrimet, postimet, komentet dhe zhvillimet e ndryshme brenda profilit të këtyre profesionistëve të ndryshëm ju do jeni në gjendje të qëndroni më të informuar por edhe të mësoni më shumë nga ata që aktualisht janë shembuj profesionalë dhe udhëheqës të mendimit profesional dhe më gjerë.

Ndonëse aktualisht kjo listë është shumë e kufizuar, LinkedIn premton që ky funksion do të zgjerohet për t’iu bashkëlidhur çdo profili/profesionisti tjetër me interes për ju.

Si mund t’i ndiqni këta profesionistë?

LinkedIn sugjeron një listë paraprake me profesionistë të cilët ju mund t’i ndiqni duke klikuar profilin e tyre. Pasi të jeni loguar, mjafton të klikoni butonin Follow dhe gjithçka do funksionojë automatikisht më pas.

https://www.linkedin.com/today/post/whoToFollow

Aktualisht, ndër profesionistët/drejtuesit që fillova të ndjek janë:

Read More
Ardian Vehbiu - komunikimi ne internet
Teknologjia

Si ndikon interneti në komunikimin tonë?

Është shumë e vërtetë që teknologjia e ka lehtësuar jashtë mase komunikimin e njerëzve me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë kjo teknologji (interneti) ka sjellë edhe një dimension për të cilin shpesh nuk jemi aq të vetëdijshëm. Tashmë teknologjia është bërë “palë e tretë” në çdo komunikim që në kemi me miqtë apo palët në biznes, por sa të kthjellët jemi për mënyrat se si ajo ndikon në transformimin e standardeve tona gjuhësore dhe vetë komunikimit? Sfida e komunikimit në biznes, ndonëse mjaft e thjeshtuar nga teknologjia, është njëherazi e mveshur me “një protokoll të ri” – atë të standardeve të komunikimit në internet sipas gjuhës së makinave! Si dikush që përpiqet vazhdimisht të vërë në funksion maksimal mundësitë komunikuese të internetit, shkrimi i Ardian Vehbiut vjen si një shtysë e fortë për të reflektuar mbi aftësitë përkthyese por edhe shndërruese të internetit si “palë e tretë” në komunikimin tonë.

Në faqen e tij ai shprehet kështu: “Sot në këtë komunikim mes nesh janë futur, si palë të treta, edhe makinat – që ti të gjesh ç’kam shkruar unë për pulën e Hindit, duhet që të çojë atje një motor kërkimi; dhe motori i kërkimit s’mund ta bëjë këtë, pa e pasur lexuar më parë tekstin tim.

Edhe pse softuerin e kanë shkruar njerëz prej mishi dhe gjaku, mënyra si operon kodi, sidomos në trajtimin e teksteve, nuk i ngjan sonës.

Duam s’duam, Interneti i ka bërë makinat (dhe softuerin) palë të treta në komunikim; dhe kur flasim për standarde, të të gjitha llojeve përfshi edhe gjuhën, nuk duhet të kemi parasysh vetëm dialektet e njerëzve, por edhe ato të makinave.”

Për më tepër ju ftoj ta lexoni të plotë shkrimin e tij: CENSUSI I FJALËS.
Read More
Karriera, Shëndeti & Mirëqënia

Jeni i pushuar! Shenjat që jua tregojnë

Nëse mendoni se shumë shpejt do të flakeni jashtë vendit tuaj të punës, bëni mirë të lexoni shenjat e fshehta që do t’ju paralajmërojnë për këtë

Ekzistojnë dy lloj punonjësish. Ata që e kanë idenë se çfarë bëjnë, kush janë dhe se çfarë pozicioni luajnë në kompani. Këta kanë qëllime që përpiqen t’i arrijnë, janë të mençur dhe shumë shpejt do të marrin një ngritje në detyrë. Lloji tjetër i punonjësve janë ata që edhe njeriu më paqësor në botë do t’i urrente, janë të palumtur, dembelë, nuk kanë asnjë qëllim për punën, nuk pranojnë sfida të reja dhe e shpenzojnë të gjithë ditën në internet, telefon ose kafene. Ja shenjat që ju tregojnë se jeni në rrugën e të pushuarit nga puna. Nëse u përgjigjeni pozitivisht tri prej këtyre pyetjeve, atëherë filloni të kërkoni për një vend tjetër pune.

  1. Jeni jashtë të rejave të kompanisë? Kjo është një shenjë e madhe. Nëse më parë kishit informacione për atë që ndodhte në vendin tuaj të punës, por tani nuk keni më asnjë të dhënë dhe papritur e gjeni veten jashtë çdo lajmi të ri në kompani, atëherë me keqardhje duhet të dini se emri juaj po fillon të vijëzohet me të kuqe.
  2. E ndieni veten të shmangur nga të tjerët? Kontakti me sy është një nga format më të mira të komunikimit, kur gjërat po shkojnë mirë, por nëse ky kontakt ndërpritet, asgjë e mirë nuk do të ndodhë. Të shikosh në sy dikë që e di shumë mirë se është në telashe të mëdha, është diçka shumë e vështirë, ndaj nëse jeni ju ai apo ajo që nuk ju shohin më në sy, që nuk ndalojnë të bëjnë një bisedë të shkurtër, apo nëse një dhomë boshatiset sapo hyni ju, dijeni se jeni në probleme të mëdha.
  3. E lexojnë ecurinë tuaj në punë si një lajm në kronikën e zezë?

Shumicën e herëve ecuria në punë është një përmbledhje e arritjeve tuaja të mira, edhe pse shefi juaj nuk dëshiron të thotë “shumë të mira”, sepse gjithnjë ka vend për përmirësim. Nëse kohët e fundit përmbledhja juaj ka filluar të mbushet me shprehje negative dhe ajo lexohet pa entuziazëm dhe me një ton dramatik, atëherë bëni mirë që të filloni të luteni.

  1. Është shitur apo shkrirë kompania në të cilën punoni? Rrallë mund të ketë një lajm të mirë në këto raste për punonjësit. Normalisht që drejtuesit e kanë rregulluar një marrëveshje të mirë për veten e tyre, por stafi kur kompania është shitur apo shkrirë, pritet të ndryshojë në një përqindje të lartë. Kur dy kompani shkrihen në një, kjo do të thotë se të gjitha vendet e punës përsëriten dy herë, atëherë në këtë rast zbatohet e tmerrshmja: “shkurtime”.
  2. Ju kanë ngarkuar punë të rëndësishme pa asnjë mundësi të realizohen? Ky është fundi juaj i fshehtë dhe mos kujtoni se jeni të vetmit, është një metodë shumë e përhapur. Në këtë rast kompania ka nevojë për një arsye të fortë që t’ju largojë. Kështu ju ngarkon një detyrë të madhe, të cilën ju ka gjasa të mos e përmbushni kurrë, sepse në vetvete ajo punë është projektuar për të qenë e pamundur. Kjo metodë përdoret për personat që kanë pasur vetëm arritje të mira, që i kanë përkushtuar punës jetën dhe familjen e tyre.
  3. 6.  A keni më pak përgjegjësi sesa një praktikant? Për fatin tuaj të keq zhveshja nga përgjegjësitë është një shenjë e sigurt se pushimi juaj nga puna do të shfaqet shumë shpejt në horizont. Në fund të fundit askush nuk nxjerr jashtë nga kompania dikë që ka tonelata pune për të përfunduar. Pritet që drejtuesit t’ju japin një titull të ri, me shumë pak punë dhe pothuajse asnjë anëtar grupi. Kështu ju do ta gjeni veten duke ndenjur kot gjithë ditën, një shenjë e mirë kjo se shumë shpejt do të vijë shefi dhe t’ju nxjerrë në rrugë.
  4. E ndërpresin bisedën kolegët tuaj sapo ju afroheni? Nëse jeni duke marrë fund, kini parasysh se do të jeni i fundit që do ta merrni vesh. Teksa thashethemet për fundin tuaj përhapen me shpejtësi në çdo zyrë, dijeni se kolegët tuaj do të jenë shumë të lumtur të diskutojnë rreth saj. Do të shihni njerëz që pëshpëritin nëpër cepa dhe nëse ju afroheni, biseda do të ndërpritet për të vazhduar me komentimin e motit. Dijeni se nuk e keni të gjatë…
  5. Keni parë të shpallur një vend të lirë pune që i përngjan pozitës suaj? Burimet njerëzore mund të jenë shumë dinakë. Ata nuk duan t’ju pushojnë pa pasur dikë që t’ju zëvendësojë menjëherë. Për këtë arsye ka shumë mundësi që vendi juaj i punës të reklamohet për muaj në internet ose tek agjencitë e punësimit. Edhe në rastin më të keq, ata e punësojnë personin tjetër më shpejt sesa ju të ikni dhe ju ngarkojnë si detyrë që ta mësoni atë. Pastaj, ju pushojnë!
  6. Ju kanë kërkuar të shkoni me pushime? Le të jemi të sinqertë tani, kompanitë në çdo vend të botës nuk janë agjenci turistike. Nëse ato ju japin juve një ofertë për të shkuar me pushime ka dy mundësi: “Keni vite që e prisni ose do t’ju pushojnë së shpejti”. Duke ju larguar për ca kohë, ata do ta kenë më të lehtë për të diskutuar për pushimin tuaj nga puna pa ju pasur vërdallë. Në kohën kur ta kenë marrë vendimin, bashkë me valixhet e pushimeve, merrni edhe sendet tuaja të punës dhe kthehuni në shtëpi.
  7. Jua kanë anashkaluar sukseset e arritura së fundmi? Në këtë rast shefat dhe bashkëpunëtorët tuaj fillojnë të mos i vënë re sukseset tuaja të fundit, ju ulin vlerat dhe ngrenë rolin e tyre. Nëse të gjithë po fillojnë ngadalë të mos ju respektojnë apo vlerësojnë punën, të njëjtën sasi pune që për të cilën më parë ishit cilësuar “njeriu i artë” i kompanisë, këto janë shenja të një pushimi afatgjatë nga puna.
  8. A është larguar shefi apo mentori juaj? Nëse dikush të cilit ju i besonit dhe e respektonit shumë, është larguar nga puna për arsye të ndryshme, si rritje në detyrë, i pushuar apo ka hequr dorë, kjo nënkupton telashe për ju. Ky person mund të ishte i vetmi që mund t’ju mbronte nga ujqërit e zyrës, tashmë jeni vetëm dhe jo për një kohë të gjatë në atë pozicion.
Read More
Fillimet e biznesit, Marketingu dixhital, Shitjet & Marketingu

Pse bizneset shqiptare duhet të bëjnë marketing me email?

Janë të pakët ato biznese shqiptare të cilat nuk e kuptojnë vlerën e reklamës (marketingut) për ecurinë e punës dhe rritjes së biznesit. Por shumica mbase hezitojnë të bëjnë reklamë të vazhdueshme pasi shpenzimet apo investimi për llojet e ndryshme të promovimit të biznesit është relativisht i lartë ose jo lehtësisht i përballueshëm për çdo biznes.

Kosto e reklamës (marketingut) është e lartë për çdo biznes, sa do i suksesshëm ose jo të jetë ai. Por vlera e vërtetë e kostos së reklamës varet nga kthimi që reklama juaj gjeneron (p.sh. ROI), pra numri/volumi i shitjeve dhe të ardhurave për biznesit përkatës.

Pse marketing me email?

Synimi i këtij shkrimi nuk është që të futet shumë në diskutimin e mënyrave pa fund të reklamimit të biznesit tuaj, as avantazhet krahasuese të të gjitha këtyre mënyrave të promovimit të produkteve dhe shërbimeve që ju ofroni. Synimi është thjeshtësisht t’ju prezantojë me atë që quhet marketing me email. Aktualisht, kjo formë marketingu (reklame) njihet dhe pranohet si një nga format e reklamimit me koston më të ulët për klient!

Konkretisht, për të bërë këtë lloj marketingu gjithçka që ju duhet është:

  • një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë,
  • një adresë e rregullt email-i (idealisht adresa e biznesit tuaj, jo ajo personalja) dhe
  • vullneti për të mësuar se si t’ia servirni sa më mirë informacionin e duhur abonentëve tuaj.

Ndonëse, sapo ta lexojnë këtë listë të shkurtër, disa prej jush do kërceni pupthi duke thënë që jo është edhe kjo apo ajo gjë tjetër që ju duhet, por siç e përmenda pak më sipër. Synimi është të bëjmë një prezantim të thjeshtë të asaj që shumëkush e njeh si promovim/reklamë me email (email marketing).

Çfarë është marketingu me email?

Marketingu me email hyn në kategorinë e marketingut direkt, që nënkupton kontaktin e drejt-për-drejtë me klientët tuaj ekzistues apo potencialë. Ky lloj kontakti me ta kryhet nëpërmjet email-it dhe nënkupton që ju nuk do t’i bezdisni ata me mesazhe promocionale pa fund ose mesazhe që për ta janë thjesht të bezdisshëm.

Ndonëse ju vetë jeni plotësisht i bindur për vlerat dhe cilësinë e produkteve apo shërbimit që ofroni, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë apo lehtësisht e kuptueshme nga ata që marrin mesazhet tuaja (reklamë) me email.

Prandaj kur dërgoni mesazhe promocionale me email duhet të keni parasysh nevojat dhe dëshirat e abonentëve tuaj për këto lloj mesazhesh.

Si të krijoni një listë kontaktesh (abonentësh)?

Nëse ju keni një adresë email-i, atëherë detyrimisht ju keni sakaq kontakte me të cilët komunikoni me email. Këto kontakte mund të jenë miqtë tuaj por gjithashtu edhe klientë ekzistues të biznesit tuaj. Duke qenë se lista me kontakte duhet të jetë në funksion të biznesit, atëherë synimi është të krijojmë një listë me kontakte klientësh ekzistues apo potencialë.

Ju mund t’i mblidhni adresat e klientëve tuaj në shumë mënyra përfshi:

  • duke i mbledhur nga kontaktet ekzistuese që keni me ta;
  • duke nxjerrë një letër ku klientët mund të shënojnë adresat e tyre vullnetarisht;
  • duke vendosur një shënim apo formë në faqen e internetit ku vizitorët mund të abonohen;
  • etj,

Çfarë adrese duhet të përdorni për dërgimin e mesazheve promocionale?

Ndonëse mund të jetë plotësisht normale dhe e pranueshme edhe për klientët tuaj që ju t’u dërgoni mesazhe promocionale nga adresa juaj personale, pra ajo me emrin tuaj, është e sugjerueshme që ju të krijoni një adresë biznesi e cila i jep më shumë besueshmëri edhe mesazheve që ju dërgoni.

Është tashmë standarde që kompanitë e mëdha apo korporatat të përdorin doman name-in e tyre si bazën për krijimin e adresave individuale për punonjësit si dhe adresat e përgjithshmë për kontaktim me klientët e tyre.

Synimi është që të keni një adresë e cila mund të përdoret nga ju por edhe nga ndonjë punonjës tjetër brenda biznesit tuaj, si dhe të jetë një adresë që do t’ju identifikonte lehtësisht te abonentët tuaj si p.sh.: [email protected] ose [email protected] etj.

Në të dyja rastet e adresave të mësipërme emëruesi i përbashkët është  doman name-i. Por nëse regjistrimi i një doman name-i është diçka që nuk ju duket me interes në këtë fazë, atëherë ju mund të krijoni një adresë alternative si p.sh. [email protected] ose [email protected] Në këtë mënyrë mesazhet që vijnë nga kjo adresë identifikohen direkt me biznesin tuaj dhe e bëjnë edhe mesazhin që vjen më të besueshëm për abonentët. Nuk dua të zgjatem më tej për të shpjeguar arsyet e besueshmërisë së mesazheve, por mjafton të përmend faktin që nëse mesazhet tuaja nuk duken të besueshme atëherë ato mund të përfundojnë lehtësisht në SPAM. D.m.th nuk ka për t’i lexuar askush.

Pse ju duhet vullneti për të mësuar si të dërgoni mesazhe promocionale?

Ju mund ta merrni përsipër t’i dërgoni vetë mesazhet promocionale ose mund t’ia caktoni dikujt tjetër brenda kompanisë tuaj (ose jashtë) që të merret me përgatitjen dhe pastaj dërgimin e mesazheve promocionale për biznesin tuaj.

Por, pavarësisht zgjedhjes tuaj, arsyeja që do t’ju duhet durim dhe vullnet për të mësuar është sepse dërgimi i mesazheve promocionale kërkon vëmendje, kujdes dhe dëshirë për të mësuar se si të komunikosh në mënyrë efikase me abonentët tuaj. Vetëm kështu mesazhet promocionale do të kenë sukses për biznesin dhe ecurinë e punës tuaj promocionale. Mbi të gjitha duhet të kuptoni që komunikimi me email është në shumë aspekte i ngjashëm me komunikimin e drejtë-për-drejtë me klientët tuaj. Jeni ju që duhet të ushtroni durim për të kuptuar nevojat e tyre me qëllim që t’u shërbeni sa më mirë nevojave që kanë. Dhe si rrjedhojë klientët tuaj do t’ju shërbejnë duke përdorur produktet apo shërbimin tuaj. Është kaq e thjeshtë, dhe njëherazi e rëndësishme!

Sa shpesh mund të dërgoni mesazhe promocionale?

Ndonëse nuk ka një rregull të përcaktuar qartë për çdo lloj biznesi, vendimi duhet marrë gjithmonë duke balancuar:

  • nevojat e klientëve,
  • nevojat e biznesit si dhe
  • resurset e nevojshme për ta ofruar një shërbim të tillë rregullisht.

Ka biznese (si p.sh. ato mediatike) të cilat dërgojnë me dhjetra mesazhe çdo ditë, ndërkohë, ka biznese të tjera të cilat janë sezonale dhe zakonisht nuk dërgojnë mesazhe të tilla gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, ka biznese që vetëm kur kujtohen ose kur duan të promovojnë ndonjë produkt apo shërbim të caktuar, dërgojnë një apo disa mesazhe seri të cilat në fund të ditës nuk arrijnë të kenë ndikimin e dëshiruar pasi shihen më tepër si letrat e një miku që kujtohet për ty vetëm kur i duhesh!

Por shumica e bizneseve e gjejnë veten e tyre te një periodicitet që varion nga një mesazh në javë deri në një mesazh në muaj.

Arsyeja pse është e rëndësishme që të merrni nevojat e klientëve tuaj në konsideratë është sepse vetëm kështu do arrini të përçoni te ata rëndësinë dhe vlerat e shërbimit apo produktit që po promovoni. Mbi të gjitha klientët tuaj kanë nevojë të kuptojnë dhe të dinë që ju jeni një biznes i besueshëm që dërgon mesazhe të besueshme. Gjithashtu, klientët tuaj duhet të ndiejnë që ju realisht jeni i interesuar në mirëqenien apo zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo thjesht në shitjen e produktit tuaj.

Arsyeja tjetër pse duhet të merrni në konsideratë nevojat e biznesit tuaj, është sepse kështu ju do jeni në gjendje që të plotësoni nevojat e klientëve tuaj brenda mundësive tuaja. Konkretisht, nëse ju keni produkte apo shërbime të cilat ndryshojnë rregullisht apo që shtohen rregullisht, atëherë edhe nevoja juaj për t’i reklamuar rregullisht mund të jetë në përgjigje të nevojave të klientëve tuaj për informacion të freskët mbi produktet që tregton biznesi juaj. P.sh. unë vetë menaxhoj një librari e cila vazhdimisht furnizohet me libra dhe tituj të rinj për të cilët klientët e mi janë ose nuk janë të interesuar. Atëherë ajo që më duhet të bëj në këtë rast është që t’u ofroj atyre disa mënyra njoftimi/promovimi për librat e rinj si p.sh. me anë të një liste të përgjithshme e cila nuk dërgohet më shumë se dy herë në muaj. Pastaj, mbajmë edhe një Blog i cili dërgon automatikisht postimet që ne vendosim çdo jave dhe me raste edhe më shpesh se aq.

Aspekti tjetër, po aq i rëndësishëm, është edhe balancimi i resurseve të brendshme të biznesit tuaj. Pra edhe nëse klientët tuaj do ishin të gatshëm të merrnin mesazhe promocionale të shpeshta nga ju, aftësia juaj për t’i gjeneruar/përgatitur ato është e kufizuar për arsye që mund të variojnë nga aftësia juaj për të shkruar bukur, apo ngarkesa e madhe me punët e përditshme të biznesit tuaj.

Synimi është që të filloni dhe t’i dërgoni mesazhet promocionale me një periodicitet të caktuar dhe të pandryshueshëm, pasi abonentët tuaj do fillojnë t’i presin ato rregullisht dhe do mbështeten te to për t’u informuar për produktet/shërbimet dhe cilësinë e shërbimit që biznesi juaj ofron.

Read More