Metrikat kryesore të faqes tuaj sipas Google Analytics

1
1289
Metrikat kryesore te nderveprimit te vizitoreve ne faqen tuaj

Ju mund të jeni duke bërë një punë mjaft të mirë për të përditësuar përmbajtjen apo reklamuar faqen e biznesit/organizatës tuaj në internet.

Por sa efikase është puna juaj?
Çfarë kriteresh përdorni që ta masni efikasitetin e faqes në funksion të biznesit/organizatës tuaj?

Nëse puna juaj është thjeshtë një përpjekje për t’i bërë qejfin vetes apo shefit atëherë kjo mbase mjafton! Por nëse faqja i shërben vizitorëve tuaj, atëherë efikasiteti i vërtetë i punës tuaj varet nga ndërveprimi i vizitorëve me faqen tuaj!

Ndërveprimi i tyre = përmbushja e funksionit të faqes për biznesin/organizatën tuaj! A jeni duke e matur këtë ndërveprim?

Si marketier dhe uebmaster insistoj që ta lidh çdo faqe që menaxhoj me shërbimin e Google Analytics. Ky shërbim mundëson mbledhjen dhe matjen e statistikave të faqeve, pra ndërveprimin e vizitorëve me faqen tuaj.

Fakt: 50-70% e faqeve më të mëdha në internet përdorin Google Analytics dhe shumica e ekspertëve e përdorin gjithashtu sepse është ndër më të mirët dhe vlera e këtij shërbimi është e pamatshme edhe për faktin që është Falas!

Atëherë, si mund ta masni ecurinë e faqes tuaj?

Një nga mënyrat më të lehta që keni për ta matur ecurinë e faqes tuaj, është duke i krahasuar statistikat e gjeneruara nga Google Analytics me ato të një muaji apo një viti më përpara. Ju sigurisht mund të vendosni edhe objektiva të qarta për numrin total të vizitorëve që dëshironi të arrini apo të keni objektiva që lidhen me rritjen e vizitorëve nga burime specifike si p.sh. vizitat organike, vizitat e drejtpërdrejta, ato të referuara nga faqe të tjera, ato të referuara nga mediat sociale, etj.

Për rastin tonë dhe për efekt qartësie nuk do fokusohemi te përdorimi i ‘krahasimit’ të statistikave sipas dy periudhave kryesore për të kuptuar se si po shkojnë gjërat.

Metrikat kryesore të matjes së ndërveprimit (statistikat)

Google Analytics në ‘dashboard’-in e vetë zakonisht jep 6 metrika kryesore (brenda  ka shumë të tjera):

Sessions – ‘sesionet’ apo ‘vizitat’

Sessions – këto mund t’i quajmë ‘sesionet’ apo ‘vizitat’ sipas preferencës, pasi të dyja përkthimet e termit besoj se përçojnë qartë konceptin bazë. Sesionet përfaqësojnë numrin total të vizitave që janë realizuar në faqen tuaj për një periudhë të caktuar. Zakonisht, Google Analytics ju tregon statistikat për 30 ditët e fundit.

Users- ‘përdoruesit apo vizitorët unikë’

Users – këta janë ‘përdoruesit apo vizitorët unikë’. Ndryshimi me ‘sesionet’ është fakti që një ‘përdorues’ mund të bëjë disa ‘vizita/sesione’ në një periudhë të caktuar. P.sh. unë si ‘përdorues/vizitorë unik’ mund të futem për të vizituar një faqe të caktuar një apo disa herë brenda një periudhe të caktuar, p.sh. brenda 30 ditëve të fundit. Pra një person mund ta vizitojë të njëjtën faqe disa herë gjatë muajit. Kjo përkthehet në disa ‘sesione’ por vetëm në një ‘përdorues/vizitor unik’. Rrjedhimisht, për efekt të metrikave që mblidhen dhe llogariten nga Google Analytics, unë (si vizitor) raportohem si ‘1 vizitor unik’ që ka realizuar ‘disa sesione/vizita’ brenda një periudhe tw caktuar, zakonisht 30 ditët e fundit.

Pageviews – apo faqet e klikuara/ shikuara/këqyrura

Pageviews – apo faqet e klikuara/ shikuara/këqyrura – vendoseni ju! Kur jam përpjekur t’ia shpjegoj këto statistika kryeredaktorit të një gazete, ai e kishte më të lehtë që ta kuptonte konceptin e ‘pageviews’ si ‘klikime’ që bëhen brenda faqes. Pra sa herë që një ‘vizitor’ viziton faqen tuaj në internet, ai ‘klikon’ për të shkuar nga njëra faqe në tjetrën, dhe rrjedhimisht gjeneron ‘klikime’ apo ‘pageviews’ brenda faqes. Besoj se jemi ende në kohë për të caktuar një term më të saktë në shqip, por besoj se edhe nëse themi ‘shikime’ apo mund të përdoret edhe fjala e bukur gege ‘kqyrje’. Pse maten ‘pageviews’ ? Ato ju ndihmojnë të kuptoni popullaritetin e vetë faqes tuaj, pasi sa më shumë të tilla të keni, aq më shumë ju kuptoni që shkrimet dhe materialet tuaja po lexohen/shikohen.

Pages/Sessions – raport i ‘faqeve të shikuara për çdo vizitë/sesion’

Pages/Sessions – ky raport i ‘faqeve të shikuara për çdo vizitë/sesion’ synon t’ju japë një mesatare të numrit të faqeve që janë klikuar/shkuar për çdo sesion. Pra, ky raport nxjerr një mesatare të numrit të faqeve që unë si ‘vizitor’ ‘klikoj’ apo vizitoj gjatë një ‘vizite’ normale. Rëndësia e këtij raporti lidhet me faktin që sa më i lartë të jetë numri i faqeve të klikuara/vizituara, aq më i lartë konsiderohet të jetë edhe angazhimi (engagement) i vizitorëve tuaj me materialet e publikuara në faqen tuaj. Thënë ndryshe, kur ky raport është i lartë atëherë ju mund të nënkuptoni që përmbajtja e faqes tuaj është vërtetët interesante aq sa vizitorët kanë dëshirë të kalojnë kohë për të konsumuar. Pra nuk vijnë për të parë vetëm një faqe dhe pastaj largohen.

Avg. Session Duration – Mesatarja e kohës së shpenzuar

Avg. Session Duration – ky raport ju tregon mesataren e kohës që një vizitor shpenzon në faqen tuaj. Ideja është që nëse koha që vizitorët kalojnë në faqen tuaj është e ulët, atëherë gjasat janë që përmbajtja apo prezantimi i faqes tuaj nuk është aq interesant sa t’i nxisë ata të kalojnë kohë të mjaftueshme për ta konsumuar.

Bounce rate – raporti i vizitorëve me 1 vizitë

Bounce rate – ky raport ju ndihmon të kuptoni se sa përqind e vizitorëve tuaj futen dhe largohen pa vizituar faqe të tjera. ‘Bounce’ përkthehet si ‘kërcim apo dalje jashtë faqes’ që në rastin tonë përdoret me kuptimin e vizitorëve që futen dhe pastaj ‘kërcejnë’ apo dalin nga faqja pasi kanë parë vetëm një faqe, pa klikuar/vizituar faqet e tjera. Një normë e mirë është që ky raport të jetë sa më poshtë kuotës 50%, pra kur gjysma e vizitorëve tuaj ndalojnë mjaftueshëm dhe vizitojnë më shumë se një faqe.

Lexoni edhe pjesën e dytë: Si t’i interpretoni metrikat kryesore të ndërveprimit?