Në artikullin e kaluar folëm për rëndësinë e të pasurit të një faqe interneti për biznesin tuaj. Pasi jemi bindur që një biznes ka nevojë për një përfaqësim online, sot do të diskutojmë disa nga aspektet që e bëjnë një faqe interneti të suksesshme. Pa shumë llafe, le të fillojmë:
1. Përmbajta
Elementi më i rëndësishëm i një faqe biznesi profesionale është përmbajtja. Përmbajtja është kryesisht tekst, ose kombinimi i tij me imazhe dhe video, por teksti është thelbi. Me anë të përmbajtjes ju keni mundësi të komunikoni me klientët tuaj potencialë se kush jeni, për çfarë jeni në biznes, kujt po i shërbeni dhe si po e bëni jetën e tyre më të mirë. Fakti që përmbajta është prezantimi juaj në rrjet e bën atë të një rëndësie të veçantë. Kjo do të thotë që përmbajta duhet të jetë e shkruar me merak, pa gabime drejtshkrimore dhe e përshtatur për audiencën të cilën synon.
Në shumë prej vendeve të zhvilluara, të shkruarit e përmbajtjes është profesion më vete, i cili në anglisht quhet “copywriting”. Te ne, për fat të keq, si kërkesa ashtu edhe oferta për këtë profesion janë pothuajse joekzsitente. Gjithsesi, e shkruar nga ju vetë apo nga një profesionist, përmbajta e faqes suaj të internetit duhet të jetë e cilësisë më të lartë të mundshme.
2. Dizajni
Elementi i dytë për të pasur parasysh për një faqe interneti të suksesshme është dizajni. Dizajni vjen në forma dhe ngjyra të ndryshme që përfaqësojnë rryma të ndryshme. Dizajni duhet të paraqesë tek vizitori ato ide të cilat ju mishëroni. Por funksioni kryesor i dizajnit është të forcojë markën tuaj në subkoshiencën e klientëve tuaj, aktualë dhe potencialë. Pastaj të bëjë përvojën e vizitës në faqen tuaj të lehtë dhe të kënaqshme, duke përforcuar idenë që përvoja me shërbimet dhe produktet tuaja lë të njëjtën shije të mirë. Të jeni të sigurt që nëse dizajni juaj e bën përvojën në faqen tuaj të pakëndshme, duke vështirësuar gjetjen e informacionit të duhur, kjo nuk do të lërë një shije të mirë për markën tuaj në tërësi. Kështu që kushtojini dizajnit të faqes suaj të internetit vëmendjen e duhur.
3. Optimizimi për motorët e kërkimit
Siç e diskutuam në artikullin e kaluar, një nga mënyrat me të cilat ju mund të prezantoheni me klientë e rinj është nëpërmjet motorëve të kërkimit, sidomos – më dominuesi – Google. Optimizimi për motorët e kërkimit, i njohur ndryshe shkurt si SEO, nga anglishtja “Search Engine Optimization”, bëhet në disa plane për të arritur rezultate të kënaqshme: Më kryesoret janë:
- Fjalët kyçe: Kur shkruhet përmbajta, duhet pasur parasysh se me çfarë fjalësh një klient potencial mund të kërkojë në Google për produktet dhe shërbimet që ju ofroni. Pastaj këto fjalë kyçe dhe disa derivate të tyre duhet të jenë pjesë e përmbajtjes së faqes. Duhet pasur parasysh që përmbajta ka audiencë njerëzit dhe jo motorët e kërkimit, prandaj fjalët kyçe duhet të jenë shumë të natyrshme në tekst.
- Struktura HTML: Çdo faqe interneti është në vetvete një dokument HTML (HyperText Markup Language), që nuk është gjë tjetër veçse një sërë etiketash që markojnë përmbajtjen e faqes suaj. Për shembull, një paragraf markohet me etiketën <p>teksti i paragrafit</p>, një titull me etiketën <h1>Titulli</h1> e kështu me radhë. Kjo është pikërisht gjuha që flasin motorët e kërkimit, prandaj, siç në gjuhët njerëzore është e rëndësishme zgjedhja dhe radhitja e duhur e fjalëve, ashtu edhe në gjuhën e motorëve të kërkimit është e rëndësishme zgjedhja dhe radhitja e duhur e etiketave të HTML-së. Kjo detyrë u takon zhvilluesve të faqeve të internetit ta kryejnë, por është e rëndësishme që çdo biznes të jetë i vetëdijshëm që faqja e tij e internetit komunikon qartë me motorët e kërkimit.
- Ndërlidhja: Hallka që i bën faqet e internetit të përdorshme është link-imi. Çdo gjë që ne klikojmë në një faqe interneti është një link, një lidhje me një faqe tjetër. Përveç kësaj link-imi luan rol edhe referimi apo citimi. Këtë mund ta bëjmë brenda të njëjtës faqe, ku një artikull i referohet apo citon një artikull tjetër në të njëjtën faqe, dhe gjithashtu me faqe të jashtme, ku një artikull citon apo u ofron lexuesve informacion shtesë duke link-uar një artikull në një faqe tjetër. Si në botën akademike, ku një vepër sa më e cituar aq më shumë tregon që është me rëndësi, ashtu edhe në botën e internetit, një faqe sa me e referuar nëpërmjet link-eve, aq më me rëndësi bëhet dhe aq më lartë del në motorët e kërkimit.
Ndërkohë që pikën e parë dhe të dytë e kemi në dorë ta kontrollojmë, pikën e tretë nuk e kemi. Dhe sa më punë të mirë të bëjmë me pikën e parë dhe të dytë, aq më shumë shanse i japim pikës së tretë për t'u zhvilluar.
4. Përshtatja me ekrane të vegjël (responsive)
Faqet tradicionale kanë të njëjtat përmasa në çfarëdolloj ekrani t'i shikosh. Në një ekran të vogël ato krijojnë një “scrollbar” – ashensor të faqes, të cilin duhet ta tërheqësh majtas djathtas që ta shikosh të gjithë faqen. Në telefona dhe tableta, faqet tradicionale përgjithësisht zvogëlohen për tu përputhur me përmasat e ekranit, duke u bërë kështu të palexueshme, sidomos në telefona. Që nga viti 2010 filloi të popullarizohej ajo që në terma teknik quhet “Responsive Design” dhe do të thotë përshtatja e faqes për ekrane të ndryshme. Kjo teknologji të lejon të përshtatësh elementë të ndryshëm të faqes për përmasa të ndryshme ekranesh, duke e bërë kështu faqen të lexueshme dhe të përdorshme lehtësisht në ekrane më të vegjël. Tanimë kjo teknologji ka mbështetje të mirë nga shfletuesit dhe është bërë standard i industrisë së web-it dhe faqet e reja që po krijohen po e adoptojnë me shpejtësi. Mos e nënvlerësoni këtë pikë.
5. Seksioni i Blogut
Një blog është një seksion në faqen tuaj ku ju shkruani herë pas here artikuj rreth fushës ku operoni me interes për audiencën tuaj. Të pasurit e një blogu bashkëngjitur faqes suaj po bëhet gjithashtu një standard i industrisë se web-it. Nga përvoja ime vetjake, dy vitet e fundit pjesa dërrmuese e faqeve të bizneseve që kam ndërtuar kanë pasur seksion blogu.
Një blog të cilit i kushtohet vëmendja e duhur, rrit vizitueshmërinë e faqes dhe rrjedhimisht ekspozimin e klientëve potenciale me markën. Dobitë e një blogu janë të shumëfishta, dhe me pak mundim, e bën faqen tuaj të dallojë mes morisë së faqeve të internetit në sektorin tuaj.
Për t'i vënë kapak, ndërtimi dhe mirëmbajtja e një faqeje të suksesshme interneti nuk është gjë shumë e lehtë, por është diçka që ja vlen çdo qindarkë dhe çdo sekondë të kohës suaj të investuar për të. Një faqe interneti e suksesshme ju ndihmon në shumë drejtime – bëjani ysmetin!
Po ju çfarë të do shtonit tek veçoritë e një faqeje të suksesshme interneti?
Nje website per sisteme ERP Dynamics 365 Business Central ne Shqiperi qe me pelqen eshte http://www.onetech.al