ASANA: Aplikacion për menaxhimin e projekteve dhe punës në grup!

2
1747
ASANA menaxhim projektesh

Këtë fillim muaji (dhjetor) u entuziazmova kur mora vesh që një nga klientët e mi kishte filluar të përdorte me sukses aplikacion për të cilin i kisha treguar dhe nxitur muaj më parë. Bëhet fjalë për aplikacionin ASANA i cili ju ndihmon me menaxhimin e projekteve dhe detyrave në skuadër.

Personalisht kam disa vite që e përdor dhe gjatë kësaj kohe aplikacioni vetëm se është përmirësuar. Por ajo që më pëlqen më shumë është fakti që ka kosto fillestare 0 për grupe apo projekte deri në 15 persona (pricing).

ASANA logo horizontale

Pse mund t’ju duhet një shërbim si ASANA?

Nëse jeni një grup personash (biznes, organizatë, projekt, apo sipërmarrje e caktuar) që keni nevojë të punoni dhe koordinoheni me njëri-tjetrin për një projekt apo punët e përditshme, atëherë ASANA mund t’ju lejojë të përmirësoni efikasitetin dhe kohën e realizimit të punëve.

Në rastin e klientit tim, bëhet fjalë për një agjenci mediatike e cila ka projekte që mund të përfshijnë nga dy deri në 30 persona njëherësh dhe sigurisht që bëhet mjaft e vështirë të organizosh dhe koordinosh çdo aspekt dhe person që merret me një apo disa projekte njëherazi.

Nuk është e nevojshme që të gjithë pjesëtarët të jenë pjesë e projektit në ASANA, por të paktën personat kyç ose drejtuesit e grupeve të punës, që të mund të ndjekin procesin.

Ajo që më pëlqen veçanërisht është fakti që të gjithë pjesëtarët e një projekti shohin se cilat janë detyrat që duhen realizuar dhe kujtdo mund t’i caktohet pjesa e vetë e detyrave dhe përgjegjësive brenda një apo disa projektesh.

Ndërkohë, kur dikush mbaron pjesën e vetë, e ka shumë të lehtë ta quaj të mbaruar dhe nuk ka nevojë të komunikojë me email apo telefon me pjesën tjetër të skuadrës, por e shënon këtë gjë brenda vetë aplikacionit.

Asana nuk është aplikacioni i vetëm i tillë që ofron këtë lloj shërbimi, por në njohuritë e mia mbetet një ndër më të mirat me opsionin Falas deri në 15 persona.

https://fast.wistia.net/embed/iframe/4w2pae109g – Video prezantuese

Para se ta adoptoni për skuadrën tuaj!

Është e rëndësishme që ta testoni dhe mësoni vetë funksionim e këtij aplikacioni, më pas mund t’a prezantoni atë gradualisht edhe me pjesën tjetër të grupit. Si çdo aplikacion menaxhimi projektesh/detyrash ka nevojë që të mësoheni para se të filloni ta përdorni me gjithë pjesëtarët e grupit.

 

Disa alternativa të tjera që i kam provuar apo i përdor ende vetë

Producteev – njësoj si Asana, aplikacion ju lejon të menaxhoni detyrat duke ia dërguar vetes me email apo duke ia deleguar të tjerëve. E kam përdorur që kur ishte në faqen “beta” por sigurisht që preferoj Asan-ën.

Todoist – e përdor çdo ditë prej vitesh dhe është fantastik për mbajtjen e listës së detyrave personale. Mbi të gjitha më pëlqen që pavarësisht platformës Desktop, Tablet, Celular, ndërfaqja është e njëjtë. Versioni falas është i mjaftueshëm për shumicën, por kur kaloni në versionin me pagesë është vërtetë mjaft i mirë dhe do e përdorja ekskluzivisht po të kishte disa opsione si p.sh. pasqyrimi i detyrave sipas ditëve kalendarike, listimi i detyrave të personave, etj. Kuptohet edhe këto mund të realizohen sapo t’ia merrni dorën aplikacionit.

Wedoist – Është vëllai i madh i Todoist dhe është krijuar enkas për menaxhimin e punëve në skuadër. Është mjaft i mirë dhe nëse jeni përdorues i rregullt i Todoist kalimi në këtë aplikacion është mjaft i lehtë për ju dhe skuadrën tuaj.

Google Tasks – bazik dhe jo i mirëfilltë për menaxhimin e punës në skuadër, edhe pse Google i ka vendosur farat për menaxhimin e projekteve në grup. Është mjaft i mirë nëse jeni përdorues i Gmail dhe i aplikacioneve të tjera Google. Aktualisht, në celularin dhe laptopin tim përdor Google Keep në vend të Tasks.

Wunderlist – Konkurrent i denjë i Todoist, por nuk e preferoj si ndërfaqe pasi më duket mjaft i thjeshtë. Të lejon edhe përdorimin në grup, por me funksione të reduktuara.

Trello – Avantazhi kryesor është pamja apo prezantimi që të ofron për çdo projekt apo detyrë.

Wrike – Ndarja e detyrave dhe projekteve bëhet njësoj si në dosjet e kompjuterit (folders & subfolders) dhe kjo e bën mjaft të lehtë për t’u mësuar, por shumë shpejt të bëhet i mërzitshëm, të paktën në eksperiencën time.

Bitrix24 – Përpiqet të konkurojë me Asana në mjaft prej funksionaliteteve bazë dhe madje është më i mirë në disa, por jo pa paguar më parë! Nëse kërkoni të gjeni një aplikacion me pagesë, atëherë ka alternativa të tjera shumë më të mira dhe më të avancuara se këto që ju prezantuam këtu.

Slack – është një aplikacion mjaft i mirë komunikimi në grup. Madje, në disa aspekte është më praktik se sa Asana, por duke qenë se është disi më i ri ka edhe më pak aplikacione dhe funksione të tjera që mund të integrohen. Gjithsesi, ju ftoj ta testoni pasi po zhvillohet mjaft shpejt dhe ka kaluar mjaft nga konkurrentët në linjën e vet.

Këtu do gjeni mbi 200 alternativa të Asana: http://alternativeto.net/software/asana/

 

Në vend të përfundimit!

Nëse keni eksperiencë me ASANA apo një aplikacion tjetër të ngjashëm, do i vlerësonim shumë komentet/sugjerimet tuaja këtu poshtë. Ju faleminderit!

  • Klajdi Hena

    Pershendetje, nje artikull shume i mire dhe i plote!

    Ne faqen time TechSot.Al, une perdor Slack, dhe me thene te drejten, kryen nje pune shume te mire. Kam provuar edhe ASANA, dhe jam i mendimit qe Slack eshte me i mire.

    Jam dakort me faktin qe eshte me i ri ne treg, mirepo eshte duke u rritur me hapa te medha!

    • Klajdi te falenderoj per komentin. Me respekt, Elvisi!