parimi i parapergatitjes

Parimi i parapërgatitjes

Në një nga shkrimet e mia kam shkruar për meritat e stilolapsit dhe letrës si mjete që na ndihmojnë në organizimin dhe planifikimin e ditës, punës apo projektit të radhës. Direkt dhe indirekt, ky shkrim nxjerr në pah nevojën e gjithkujt që të shpenzojë kohë për t’u përgatitur, planifikuar dhe parapërgatitur si një ‘aspekt thelbësor’ në punën dhe jetën tonë të përditshme.

Parimi i ‘mprehjes së sëpatës’ (i parapërgatitjes) në fakt është shprehur në shumë forma dhe mënyra që tregojnë virtytin e kësaj disipline!

Një ndër personazhet që më vjen vazhdimisht në mendjen time, dhe që duhet të them ishte i pari që më ndihmoi ta ngulisja këtë parim, është ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln.

Pavarësisht kalimit të kohës, një prej shumë shprehjeve të tij mbetet ende mjaft koherente: “nëse më jepni gjashtë orë për të prerë një pemë, katër orët a para do t’i shpenzoj duke mprehur sëpatën” (Give me six hours to chop down a tree and I will spend the first four sharpening the axe)!

Në çdo rast, ‘parimi i parapërgatitjes’ e vendos theksin te koha që duhet t’i kushtohet planifikimit dhe organizimit përpara fillimit të një pune apo ndërmarrjes së një projekti, sa do rutinë apo i rendomë që të jetë ai!

Shumë herë e kam gjetur veten duke iu futur një projekti apo pune pa e menduar shumë mirë dhe pa bërë një planifikim paraprak se si do ishte më mirë ta bëja këtë apo atë projekt. Shpesh herë e kam kapur veten duke e hapur gojën pa i lënë kohë mendjes që të gjejë zgjidhjen më të mirë për atë situatë apo nevojë.

Jam i bindur që shumëkush prej nesh është i gatshëm të pranojë se e ka bërë këtë gabim me dhjetra herë edhe vetë. Sfida në rastin konkret është si të vetëdisiplinohemi me qëllim që t’i lejojmë vetes dhe të tjerëve mundësinë për t’u parapërgatitur!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.