Si të krijoni strategjinë tuaj për median sociale

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente3991 lexime


Elementët kryesorë për suksesin tuaj në rrjetet sociale (marketingut online)

Media sociale është padiskutimisht një ndihmesë e madhe për shumë biznese, organizata dhe këdo që dëshiron të arrijë me sukses audiencën e vetë.  Por, njëherazi, lehtësia e përdorimit të kësaj medie mund të çojë në humbje kohe, hapërdarje të kota dhe sigurisht edhe para që nuk investohen siç duhet. Dominimi i disa prej platformave kryesore si p.sh. Facebook e bën deri diku të lehtë vendimin për përzgjedhjen e platformës, por përpara se ta merrni atë vendim duhet të mendoni një herë më seriozisht për ndërtimin e strategjisë konkrete në median sociale. Ndaj, si hapi i parë filloni të përcaktoni këto elementë kryesorë të strategjisë tuaj duke filluar nga:

Përcaktimi i objektivave

Pra cili është objektivi/synimi juaj? Bëhet fjalë për një objektiv të ngushtë (si p.sh. publiciteti për një aktivitet të caktuar) apo një më të gjerë (si p.sh. ndërtimi dhe angazhimi i një komuniteti apo grupimi)?

Identifikimi i audiencës së synuar

Synoni të komunikoni kryesisht me njerëz të cilët janë ndërkaq të familjarizuar me organizatën/biznesin apo punën tuaj, si p.sh. anëtare, klientë dhe vullnetarë? Apo, synoni të kapni një audiencë tjetër që e keni identifikuar si klientë, anëtarë apo mbështetës të mundshëm? Për shumicën e bizneseve synimi është gjetja, sigurimi dhe/apo komunikimi me klientët ekzistues ose potencialë. Por këtë duhet ta caktoni paraprakisht pasi ndikon në vendimet e tjera që duhet të merrni më pas.

Përzgjedhja e platformës më të përshtatshme

Ky vendim duhet të merret bazuar mbi objektivat dhe audiencën e synuar, pasi jo çdo platformë është e barabartë në këtë drejtim. Ndër më të njohurat, dhe sigurisht më të përdorurat, mbetet Facebook. Por ka edhe të tjera si Blogjet, YouTube, Pinterest , LinkedIn, Google+,Tumblr, Instagram, Twitter,Forume, etj. Pyesni ata që e kanë filluar ndërkaq këtë lojë, me qëllim që të mësoni sa më shumë nga eksperienca e tyre. Këtu nuk duhet të lë pa përmendur edhe testimin e platformave të ndryshme paraprakisht. E rëndësishme është që pasi t’i identifikoni ato, të mos shpërndaheni shumë por t’i jepni vëmendje të plotë.

Mbledhja e materialeve dhe përmbajtjes që do të publikohet nëpërmjet medias sociale

Kjo varet pjesërisht nga platforma që do zgjidhni, por në shumicën e rasteve bëhet fjalë për foto, video, tekste, përditësime statusi, etj.

Krijimi i një axhende për publikimet

Pjesa më e vështirë pas përzgjedhjes së platformës dhe mbledhjes së materialeve është padyshim përcaktimi i axhendës së publikimeve. Sugjerimi është që ju të publikoni rregullisht dhe mundësisht disa herë në javë (në varësi të platformës) me qëllim që të qëndroni rregullisht në vëmendjen dhe në komunikim me audiencën tuaj.

Përcaktimi i dikujt apo një skuadre që do të merret me menaxhimin e pranisë tuaj në median sociale

Ndonëse përdorimi i medias sociale është i mundshëm nga çdokush, personat me eksperiencë në komunikim, marketing apo marrëdhënie me publikun janë një ndihmesë e madhe. Por gjithsesi duhet të jetë dikush që e njeh teknologjinë/platformën që dëshironi të përdorni. Ky person apo grup personash do jenë më pas përgjegjës që t’i përmbahen axhendës së publikimeve si dhe të reagojnë ndaj komenteve/pyetjeve apo me taktika të tjera për t’i angazhuar njerëzit nëpërmjet platformës së zgjedhur.

Edhe pasi t’i keni përcaktuar qartë këto elementë bazë të strategjisë tuaj për median sociale, koha, eksperienca juaj dhe e të tjerëve, duhet t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë funksionon më mirë dhe çfarë mund të përmirësohet. Avantazhi i medias sociale është që ju jep mundësinë të provoni mjaft mënyra dhe qasje të reja deri sa të gjeni atë që funksionon më mirë. Por, gjithashtu, mos i nënvleftësoni këshillat dhe sugjerimet e atyre që e kanë nisur më herët këtë udhëtim.

Dhe parimi i fundit, por jo më pak i rëndësishme, është fakti që: “media sociale duhet të jetë një bashkëbisedim dhe jo një monolog.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?
>