Hapësira e punës: 10 dizavantazhet e punës në një zyrë të hapur

Numri i zyrave të hapura është gjithnjë e në rritje te kompanitë prestigjioze që po kërkojnë të afrojnë më shumë punonjësit me njëri-tjetrin duke shpresuar në rritje të produktivitetit. Sa e vërtetë është kjo?

Ideja e zyrave të hapura lindi fillimisht në Hamburg të Gjermanisë në vitet 1950. Qëllimi i tyre ishte lehtësimi në komunikim dhe rrjedhshmëria e ideve. Në vitin 1997, një kompani nafte dhe gazi në perëndim të Kanadasë, i kërkoi një grupi psikologësh të hetonte pasojat që kishte zyra e hapur te punonjësit e saj. Ata zbuluan pas gjashtë muajsh se punonjësit jo vetëm që nuk ishin më të lumtur dhe të afërt me njëri-tjetrin, por përkundrazi ndiheshin më të largët, më të stresuar dhe më pak produktivë. Që atëherë, sipërmarrësit janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje për problemet e evidentuara.

Dizavantazhet

1. Është zhurmë

Zhurma konstante dhe shpërqendruese është tipike për zyrat e hapura. Bisedat që bëhen në ambientin e përgjithshëm pa pasur nevojë të kalosh nga një zyrë në një tjetër, vetëm përmes kontaktit me sy, mund të jenë shpërqendruese për të tjerët. E keqja më e madhe është zhurma e tastierave, teshtimat, të kolliturat, e ngrëna, telefonatat, fjalët e thëna si me vete: mallkimet, të sharat dhe gjithçka që ndodh ndërmjet tyre. Këto e bëjnë shumë të vështirë përqendrimin. Për më tepër njerëzit që kanë punë krijuese kanë nevojë për vetmi.

2. Ndërprerja nga kolegët

Ndonëse mund të jetë e ndara në hapësira të vogla individuale, kolegët nuk pengohen nga kaq pak për t’ju ndërprerë nëse dëshirojnë t’ju komunikojnë diçka. Edhe pse mund të jeni me kufje, ata do të tundin duart dhe do t’ju bëjnë shenja derisa të kenë vëmendjen tuaj. Për më tepër janë edhe përshëndetjet sipas kohës së ditës. Është e vështirë të punosh pa u ndërprerë për disa minuta me radhë. Nuk duhen harruar edhe kolegët informues që ftojnë grupin të shohë video të caktuara, të dëgjojë ndonjë deklaratë apo lajm që përbën kureshtje.

3. Mungesa e privatësisë

Nuk ekziston privatësia në zyrën e hapur, ku punojnë edhe dhjetëra të tjerë. Mund të keni nevojë për telefonata private apo jeni të acaruar për një çast dhe nuk mund të shpreheni. Nëse po e konsumoni drekën në tavolinën e punës, do t’ju afrohen kolegë që do t’ju flasin dhe ndërkohë kur do përpiqeni t’i ktheni përgjigje, do t’ju tërheqin vëmendjen se keni ndonjë njollë në fytyrë.

4. Ndonjëherë nuk do të bisedosh me askënd

E pamundur. Në zyrat e hapura, nuk mund të tërhiqesh nga bisedat, pasi do të etiketoheni si jo komunikues, negativ, antisocial apo diçka e ngjashme.

5. Të tjerët shohin monitorin tuaj vazhdimisht

Mungesa e privatësisë është konstante. Nuk do të keni mundësinë të kontrolloni postën elektronike apo të bëni blerje online, sepse çdokush do të ketë dijeni për këtë. Do të merrni ndonjë koment aty-këtu për gjithçka që bëni në kompjuter.

6. Zyra ka gjithnjë aroma

Njerëzit hanë lloj-lloj ushqimesh gjatë orëve të ditës. Kjo shkakton përzierjen e aromave, pa përmendur përtypjen, pastrimin e fytit apo tingujt e tjerë truporë. Aromat, ah aromat! E pamundur të gjesh dy kolege me të njëjtin parfum, për këtë arsye shumë parfume do të bëjnë një koktej që është shpesh i padurueshëm dhe i rënduar.

7. Mallkimi i kufjeve

Të gjithë mund të jenë duke u përpjekur të përqendrohen në gjërat e veta dhe duket se kufjet janë një mjet i mirë për ta arritur këtë. Megjithatë, ka raste kur zhurma e jashtme përkeqësohet akoma më shumë nga muzika e papërshtatshme dhe gjithçka bëhet një lëmsh i vërtetë.

8. Çdo bisedë dëgjohet

Mos u përpiqni më kot të bëni biseda, vetëm nëse doni që nesër të informoni kolegët për rrjedhën e historisë që ju shqetësonte dje. Edhe nëse po kërkoni një bisedë private me një koleg/e, çdo gjë është lehtësisht e dëgjueshme prej të gjithëve.

9. Nuk keni hapësirë nën kontroll

Një zyrë e hapur nënkupton një (send) për të gjithë, të gjithë për një. Nuk mund të kontrolloni hapësirën tuaj të punës apo mënyrën sesi do të duket tavolina juaj. Do të ekzistojë në çdo zyrë dikush që për shkaqe të ndryshme do të fusë duart në tavolinën tuaj. Ndonëse nuk është etike dhe është tepër acaruese, kjo ndodh.

10. Ligji i xhunglës për privatësi

Nëse po kërkoni pak privatësi, duhet të mbërrini më herët në zyrë, ose luftoni me të tjerët për hapësirë. Zyrat që mund të ekzistojnë për konferenca apo gjëra të ngjashme, do të jenë përherë të zëna nga ata që kërkojnë të bëjnë ndonjë bisedë të veçuar.