Si ta zgjeroni rrjetin tuaj profesional në LinkedIn?

0
2476

Në dallim nga Facebook-u apo rrjete të tjera sociale LinkedIn nuk është për muhabete kafeneje! Pra nëse kërkoni të gjeni një vend ku të bëni muhabet për qef apo të humbisni kohë kot, atëherë LinkedIn-in bëni mirë ta hiqni nga lista! Nëse, ndërkohë, jeni serioz për punën dhe rritjen e profilit tuaj si profesionist, atëherë investoni pak minuta çdo ditë apo disa herë në javë në profilin tuaj në LinkedIn. Kjo platformë, aktualisht përfaqëson rrjetin më të madh social për profesionistët në të gjithë botën (mbi 238 milionë anëtarë), dhe si e tillë ofron potenciale që rriten në mënyrë të drejtë me numrin e kontakteve profesionale që ju formoni aty.

Prej disa muajsh tashmë, Inbox-i im në LinkedIn më njofton çdo ditë se kam të paktën një ftesë të re nga dikush i cilin ka parë profilin tim dhe/ose është i interesuar të më shtojë si kontakt në rrjetin e vet profesional në LinkedIn. Madje, kur ndodhi që për rreth dy ditë (gjatë një fundjave) nuk mora asnjë ftesë të re, u habita disi, por e kuptova shumë shpejt “gabimin”!

Mungesa e ftesave atë fundjavë nuk kishte të bënte aq shumë me faktin se vendi ku isha nuk kishte internet, se sa me fatin që kisha pothuajse të gjithë javën që nuk kisha postuar diçka dhe as kisha dërguar ndonjë mesazh falenderimi për ata që më kishin dërguar ftesa miqësie.

Duhet të sqaroj se, ndonëse marr ftesa të reja rregullisht, personalisht nuk i pranoj asnjëherë kontaketet e reja pa e parë më parë profilin e tyre dhe në 99% të rasteve u dërgoj edhe një mesazh privat falënderimi. Madje, theksi kryesor bie te “mesazhi i falenderimit”, pasi kjo është mënyra për t’i treguar çdo kontakti të ri vlerën e mirëfilltë që ai apo ajo ka për mua si profesionist. Mbetem i bindjes se “mesazhet e falënderimit” janë një ndër arsyet kryesore që bën që secili prej tyre të rikthehet për të parë profilin tim, sidomos në ato raste kur vetë LinkedIn mund t’u ketë sugjeruar profilin tim në mënyrë automatike.

Është e vërtetë që jo çdo ftesë që vjen në LinkedIn është e barabartë në vlerë, sidomos për sa i përket vlerës për profilin apo punën që ju bëni. Por nga ana tjetër, ekspozimi dhe njohja që gjenerohet janë një vlerë e cila vetëm sa vjen e shtohet për profilin tuaj profesional në LinkedIn dhe sigurisht jashtë tij.

Çfarë bëj me profilin tim në LinkedIn?

  • Disponoj profilin bazë të përdoruesit (pra atë pa pagesë)
  • Profili im është praktikisht 100% i përditësuar
  • Prej kohësh e kam kaluar kuotën e 500 kontakteve
  • Në vitin 2012, sipas LinkedIn, profili im hynte në 5% të profileve më të vizituara
  • Përpiqem të postoj diçka interesante dhe me vlerë çdo javë
  • Vizitoj profilet dhe dërgoj mesazhe falënderimi te të gjithë ata që më ftojnë si kontakt
  • Kontribuoj me komente/sugjerime në grupe të ndryshme ku jam i anëtarësuar

Cfarë po bëni ju ndryshe për ta zgjeruar rrjetin tuaj profesional në LinkedIn? Shtojini sugjerimet tuaja te komentet…