Sa vite ju kushton stresi në punë?

Studimi – Hulumtimet tregojnë se një mjedis armiqësor në punë mund ta shkurtojë jetëgjatësinë deri në 33 vite. Konkretisht ata që e konfirmojnë janë studiuesit e Universitetit të Harvardit dhe Stanfordit. Duke u nisur nga ky fakt, ata sugjerojnë eliminimin e stresit si faktor dëmtues të shëndetit

Një ambient pune armiqësor dhe stresues mund të reduktojë jetëgjatësinë e jetës sonë. Ata që e thonë këtë janë një grup studiuesish nga Universiteti i Harvardit dhe Stanfordit, të cilët kanë matur vitet që na shkurtohen. Janë plotë 33: një hark kohor shumë i madh që reduktohet për kategori të caktuara shoqërore, më pak të rrezikuara se të tjerat. Duke matur jetëgjatësinë e jetës në SHBA, studiuesit kanë kuptuar se, në disa zona, kjo ishte më e lartë, me të paktën 33 vjet, në krahasim me të tjerat. Pyetja është, për cilin motiv? Që nga momenti që niveli i stresit varion nga personi në person, kërkuesit kanë ndarë një grup vullnetarësh në 18 nëngrupe, sipas etnisë, seksit dhe shkallës së edukimit. Më pas kanë marrë në konsideratë faktorë të lidhur me vendin e punës (përfshirë oraret, turnet, çekuilibrin familje-punë, mungesën e një sigurie, shkarkimet e papritura) dhe i kanë vënë në raport me të dhënat mbi vdekshmërinë vjetore dhe jetëgjatësinë.

Duke analizuar rezultatet, studiuesit kuptuan se ata që e përjetojnë më shumë stresin dhe përfundojnë në vende pune pak të rekomandueshme, janë ata që kanë marrë një nivel edukimi të ulët.

Sipas një studimi të mëparshëm, meshkujt dhe femrat me më pak se 12 vjet studime në shpatulla, kishin të njëjtën jetëgjatësi, sa edhe një i rritur i lindur në vitet ’50 ose ’60.

Por rol të rëndësishëm luajnë edhe komponentët e tjerë: pasiguria, shkarkimet e shpeshta apo periudhat e ngërçit në kërkim të një pune të re, më shumë se gjithçka shkurtojnë jetën.

Si për meshkujt ashtu edhe për femrat, moskontrolli mbi jetën e vet profesionale paraqet pengesën më të madhe.

Ato që e “vrasin” gjininë femërore, janë sidomos turnet e lodhshme, ndërkohë që gjinia mashkullore trembet më shumë nga klima e pasigurisë së përgjithshme.

“Është i nevojshëm krijimi i ambienteve më të ‘shëndetshme’ në punë, sidomos për nëpunësit me një nivel të ulët edukimi. Për fat shumë nga këto probleme, përfshirë turnet dhe orët e gjata në zyrë, puna e papaguar, mund të zgjidhen thjesht duke modifikuar politikat në zyra”, kështu shkruhet në një artikull të “Washington Post”, “Your job is literally killing you” (Puna juaj, me plot gojën, po ju vret) dedikuar studimit.

Ekspertët japin disa këshilla për t’i evituar pasojat e stresit në punë.

– Kujdesi: Kujdesuni për zyrën apo për vendin e punës si për dhomën tuaj të gjumit. Të dobishme do të ishin vazot me lule ngjyrë të kuqe, e cila është shumë energjike.

– Marrëdhëniet: Krijoni marrëdhënie të mira me kolegët dhe me shefat. Mundohuni të flisni ngadalë dhe pak, në të kundërt do të krijoni shumë antipati në ambientin e punës.

– Pushimi: Mësoni artin e “shkëputjes”, t’i lejosh vetes pesë minuta pushim pas çdo një orë pune do t’ju ndihmojë shumë që të rifreskoni trurin dhe të rinisni punën me më shumë energji. Të bësh një shëtitje, një telefonatë ndonjë shoku apo shoqeje, të dëgjoni pak muzikë etj. Pra dobia e pushimit mes punës është vërtetuar nga shumë studime në këtë fushë.

– Qeshja: Mësoni të qeshni dhe të bëni shaka në punë. Tregoni ndonjë barsoletë, dërgoni dhe merrni email nga shokët tuaj.

Read More
7 mendimet që po ju pengojnë të arrini suksesin

7 mendimet që ju pengojnë të arrini suksesin në karrierën tuaj

Karriera - Pengesa më e madhe mes jush dhe të qenët në kulm të karrierës suaj,  jeni vetë ju. Që prej frikës nga dështimi e deri te mospërpjekja sa duhet, janë një seri faktorësh dhe mendimesh që ju pengojnë të jeni të suksesshëm. Duhet ta dini se ankthi se nuk jeni i zoti, është një ndër faktorët kryesorë që i pengon njerëzit të mos provojnë të shkëlqejnë.

Çfarë po ju pengon që të bëheni Bill Gates-i apo Oprah Winfrey i ardhshëm? Mos është për faj të talentit të tyre, apo vetëm për shkak të fatit? Me gjasa, asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë. Ka një mori gjërash që ju ndalojnë të arrini suksesin, pavarësisht potencialin tuaj. Këta janë faktorët më përgjegjës.

1. Frika nga dështimi

Duhet ta dini se frika nga dështimi është një ndër faktorët kryesorë që i pengon njerëzit të mos provojnë arritjen e suksesit. Për të arritur majën, ndoshta do t’ju duhet të hiqni dorë prej punës suaj me kohë të plotë dhe të bëni atë që dëshironi më tepër.

Shumë njerëz kanë frikë nga dështimi në sipërmarrjet e reja, por ja një këshillë e vlefshme. Nëse keni dhënë më të mirën tuaj dhe gjithsesi dështoni, kjo do të thotë se nuk ia keni arritur synimit tuaj, por keni dalë me sukses në shumë mënyra të tjera: keni mësuar aftësi të reja, keni krijuar lidhje të reja me njerëz, eksperienca të ndryshme dhe keni zbuluar më shumë rreth vetes dhe asaj që jeni në gjendje të bëni. Në fund të fundit, keni gjetur paqen brenda vetes  dhe dyshimet se çfarë do të ndodhte sikur ta provonit një dëshirë tuajën nuk do t'ju bezdisin më.

2. Frika se njerëzit do të mendojnë se jeni idiotë

Shumë njerëz jetojnë me frikën se të tjerët do të mendojnë se ata janë të çmendur që po provojnë diçka të re. Dhe ata kanë të drejtë, disa njerëz do të mendojnë se jemi budallenj ose të çmendur, edhe nëse arrini suksesin. Kjo gjë do t’ju lëndojë, por me kalimin e kohës do të forcoheni nga karakteri dhe do të keni më shumë njerëz që ju mbështesin.

Gjithashtu, mund t’ju habisë ideja që shumë njerëz do të mendojnë se jeni të zgjuar dhe fantastikë dhe se ajo që doni të bëni është diçka madhështore dhe e drejtë. Gjejini këta njerëz dhe mbajini afër, ata do t’i kalojnë në numër njerëzit që ju ulin moralin.

3. Të lini të tjerët të marrin vendim për ju

Ndonjëherë mund të mendoni se opinioni i të tjerëve mund të jetë më i rëndësishëm sesa i juaji. Ky është një gabim që ju pengon të çani përpara. Nëse nuk i bëni ju zgjedhjet e rëndësishme për veten, dikush tjetër do t’i bëjë ato. Është koha të ushtroni më shumë autonomi duke filluan të merrni vendime, qofshin edhe të gabuara. Me kalimin e kohës, gjërat do të bëhen më të lehta për ju, por suksesi fillon duke vendosur vetë.

4. Mospërkushtimi i kohës ndaj gjërave të rëndësishme

Nëse nuk e zbuloni se çfarë e nxit personalitetin tuaj, gjithnjë do të përpiqeni të arrini një sukses që nuk do t'ju përmbushë dhe kurrë nuk do të jeni të kënaqur me jetën tuaj.

Ja se si mund ta zbuloni çfarë është e rëndësishme për juve. Mbani shënim disa nga gjërat më të rëndësishme për ju dhe më pas përzgjidhni ato që janë kryesoret. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të motivuar veten dhe për të gjetur kthjelltësinë.

Një mënyrë tjetër për këtë ushtrim është të ngrini pyetje se cilat janë tri arritjet tuaja më të mëdha dhe cilat janë tri dështimet më të mëdha. Duke u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve do të arrini të këshilloni veten për suksesin në të ardhmen.

5. Mungesa e përpjekjes

Pavarësisht se sa gjenialë apo të zgjuar që mund të jeni, pa bërë përpjekje të mjaftueshme nuk do të shkoni shumë larg. Nëse shihni me vëmendje të gjithë njerëzit e suksesshëm do të kuptoni se ata kanë investuar orë të pafundme për të arritur nivelin aktual të ekspertizës.

Ajo që përcakton suksesin tuaj në ato orë të përkushtuara është edhe sjellja juaj ndaj problemit. Nëse qasja juaj është e tillë që ju i thoni vetes se mund të bëni gjithçka, atëherë duke u përpjekur do të arrini të bëheni mjeshtër të lëndës që doni të mësoni.

6. Heqja dorë

Njeri i suksesshëm është ai që nuk heq kurrë dorë derisa ta arrijë atë që po lufton ta ketë. Edisoni dështoi qindra herë përpara se më në fund të krijonte llambën. Ai më pas tha shprehjen e famshme: “Nuk kam dështuar 10,000 herë. Nuk kam dështuar asnjëherë. Ia kam dalë të provoj se ato 10,000 mënyra nuk funksiononin.”

Me fjalë të tjera, ai përdori çdo dështim si një eksperiencë mësimi që kontribuoi në procesin e zbulimit të risisë.

7. Rutina

Është mirë të jeni të lumtur me atë që keni, por mungesa e dëshirës për ta çuar atë më tej dëmton shumë ambicien tuaj. Kur njerëzit fillojnë të ndihen shumë rehat me karrierën e tyre ose me jetën në përgjithësi, nxitja që ata të arrijnë më shumë me kalimin e kohës bie.

Nëse doni të jeni të suksesshëm nuk duhet të kënaqeni kurrë me pak. Duhet të jeni përherë të uritur për më shumë dhe të kërkoni nga vetja.

*Burimi: Business Insider.

Read More
Rregulla profesionale të komunikimit me email

Rregulla profesionale të komunikimit me email

Të komunikuarit nëpërmjet email-it tashmë është kthyer në pjesë të zakonshme të punës. Ky proces kërkon që ju të jeni të saktë në përpilimin e tyre. Këshillat më poshtë do t’ju ndihmojnë të jeni sa më profesionalë në komunikimin e shkruar me kolegët tuaj dhe këdo tjetër. Nga subjekti te privatësia, kjo është etika që duhet ta dijë çdo njeri.

Të gjithë ne kalojmë disa orë në javë duke marrë dhe dërguar dhjetëra email-e. Pavarësisht se duket sikur ky lloj komunikimi është fare praktik dhe nuk përmban rëndësi të veçantë, specialistja e karrierës, Barbara Pachter, thotë se ka shumë mënyra se si të shprehni profesionalizëm përmes email-eve.

Përfshini një subjekt të drejtpërdrejtë

Shembuj të një titulli të postës elektronike të shkruar siç duhet janë:

  • “Data e takimit është ndryshuar”;
  • “Pyetje rreth prezantimit”;
  • “Sugjerime për propozimin”.

Njerëzit shpesh vendosin nëse do t’i hapin apo jo email-et bazuar te subjekti. Zgjidhni një fjalë apo togfjalësh që t’i japë marrësit një ide për çështjen që shtjellon email-i.

Përdorni një adresë profesionale

Nëse punoni për një kompani, duhet të përdorni adresën zyrtare të kompanisë. Por nëse përdorni një email privat duhet gjithashtu të tregoheni të kujdesshëm në përzgjedhjen e tij.

Një adresë profesionale përmban emrin dhe mbiemrin tuaj. Kurrë mos përdorni adresa email-i që nuk janë të përshtatshme për profilin tuaj të punës. P.sh.:

Mendohuni mirë përpara se t’u përgjigjeni të gjithëve

Askush nuk do të lexojë email-e nga 20 njerëz. Shpërfillja e email-eve mund të jetë e vështirë, kur shumë njerëz i marrin lajmërimet e tyre në celular ose në mesazhe që shfaqen në ekranin e kompjuterit. Kufizoni përdorimin e butonit “përgjigjuni të gjithëve” vetëm për rastet kur është e nevojshme.

Përfshini një bllok nënshkrimi (kontaktet)

Ofroni personit që po e merr email-in, një lloj informacioni për ju. Zakonisht pjesa e nënshkrimit elektronik përmban emrin tuaj të plotë, titullin, emrin e kompanisë dhe informacionin tuaj të kontaktit, përfshirë numrin e telefonit. Mund të shtoni pak publicitet për veten, por pa e ekzagjeruar. Përdorni të njëjtin lloj shkrimi, përmase dhe ngjyre si pjesa tjetër e email-it.

Përdorni përshëndetje profesionale

Mos iu referoni kolegëve tuaj me fjalë si “Ç’kemi djema” apo “Si jeni, njerëz”. Natyra e relaksuar e mënyrës së shkrimit nuk ka përse të reflektohet në email. “Ç’kemi”, është një përshëndetje shumë informale, ndaj përdorni përshëndetje më zyrtare. Gjithashtu në email-e duhet të shkruani emrin e gjatë të një personi, jo shkurtimin me të cilin i thërrisni.

Përdoreni mirë pikëçuditjen

Nëse zgjidhni të përdorni një pikëçuditje, përdorni vetëm një. Ndonjëherë njerëzit emocionohen dhe vënë disa pikëçuditje në fund të fjalive. Ju mund të shfaqeni shumë emocional apo të papjekur. Përdorini pikëçuditjet me shumë kujdes. Ka rëndësi të madhe!

Kujdes me humorin

Humori mund të mos kuptohet në një email, për shkak se mungon toni i duhur dhe shprehja e fytyrës. Në një shkëmbim profesional, është më mirë ta lini jashtë humorin, pasi diçka që për ju mund të përbëjë argëtim, nuk mund të jetë për një tjetër kështu. Me raste, shakatë në të folur tingëllojnë shumë ndryshe në të shkruar.

Përgjigjuni email-eve

Është e vështirë t’i përgjigjesh çdo email-i që merrni, por duhet ta provoni. Kjo përfshin edhe një email që jua kanë dërguar padashur, veçanërisht nëse dërguesi kërkon një përgjigje. Kjo e fundit shërben si një etikë e mirë profesionale.

Shkruajeni adresën e email-it të fundit

Nuk do të dëshironit ta dërgonit email-in përpara se ta mbaroni së shkruari. Edhe nëse po i përgjigjeni dikujt, është më mirë ta fshini adresën dhe ta shtoni atë në fund si masë sigurie që do ta dërgoni kur të jetë gati.

Mbajeni llojin e shkrimit klasik

Për arsye pune duhet t’i mbani përmasat, ngjyrën dhe llojin e shkrimit sa më klasike. Kjo sepse email-et tuaja duhet të jenë të lehta për t’u lexuar. Zakonisht është më mirë të përdorni shkrimin e përmasave 10 ose 12 dhe llojin si Arial, Calibri ose Times New Roman. Sa për ngjyrën, e zeza është më e sigurta.

Lexojeni disa herë

Gabimet tuaja nuk do të kalojnë pa u vënë re nga marrësi. Për këtë arsye duhet ta lexoni disa herë email-in që po dërgoni përpara se ta nisni. Mos u mbështesni shumë te korrigjuesi automatik, por lexojeni dhe rilexojeni atë disa herë.

Kontrolloni marrësin

Kushtojini rëndësi të veçantë seksionit të marrësit. Gjithashtu nëse po e shkruani ju emrin, tregohuni të vëmendshëm te mbiemri ose adresa në mënyrë që të mos ngatërroni person.

Asgjë nuk është konfidenciale

Shkruani siç duhet, pasi çdo mesazh elektronik mbetet. Një supozim i mirë është të mendoni sikur edhe të tjerët do ta shohin këtë që po shkruani. Për këtë arsye mos dërgoni asgjë që nuk do të dëshironit që të tjerët ta shihnin. Për më tepër që një email mund të dërgohet në formën e tij origjinale vetëm me një buton.

*Burimi: Business Insider (Gazeta SHQIP)

Read More

Si ta përdorni stresin pozitivisht

Stresi – Nëse ndiheni të stresuar përpiquni ta ktheni të gjithë këtë energji negative në një forcë që do t’ju ndihmojë pozitivisht në jetën tuaj të përditshme

Ne të gjithë përballemi me stresin në një çast ose në një tjetër. Por a e keni menduar ndonjëherë që mund ta ktheni stresin në favorin tuaj? A nuk do të ishte diçka e mrekullueshme të përmbushnit me sukses të gjitha sfidat stresuese që ju sjell jeta duke e përdorur stresin si një nxitje?

Stresi vjen në forma të ndryshme. Ndonjëherë është i pakët, si për shembull mund të vij nga shfryrja e gomës së makinës ose vonesa për në punë. Herë të tjera është më i madh dhe shkaktohet nga ngjarje që ju ndryshojnë jetën si për shembull vdekja e një të afërmi, divorci apo një humbje e madhe personale. Megjithatë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të mos e mendoni gjatë e gjerë, por të ndryshoni mënyrën se si përballeni me stresin dhe të ecni përpara. Ja se si mund ta ktheni stresin në mikun tuaj më të mirë:

  1. Shkëputuni nga rutina

Gjithçka në jetën tonë duket se na mban të lidhur ose na pengon për të arritur diku. Nëse jeni i stresuar, gjithçka që ju duhet të bëni është të shkëputeni nga rutina e përditshme dhe të jetoni jetën. Dilni nga shtëpia për një ditë, por mos e merrni celularin tuaj, mos e kontrolloni email-in. Jepini vetes një çast pushimi dhe shihni se si kjo mund të bëjë mrekulli në jetën tuaj. Shkëputja nga rutina e aktiviteteve të përditshme mund t’ju japë një karikim të baterive dhe t’ju kthejë sërish te vetja.

 

  1. Ndani kënaqësinë dhe problemet

Stresi mund t’ju bëjë të ndiheni të dobët. Nëse ndiheni shumë të zënë në grackë prej tij, duhet të diskutoni për këtë gjë. Mund ta diskutoni me partnerin tuaj, prindërit, shefin ose këdo që ju bën të ndiheni mirë. Ndarja e problemit me të tjerët e përgjysmon barrën e tij. Diskutimi me miqtë e ngushtë do t’ju ndihmojë në motivimin dhe do të gjenerojë ide se si të ecni përpara. Gjithashtu do ta qartësojë problemin tuaj dhe do të hapë dyert për mundës të tjera që mund të mos i keni vënë re.

 

  1. Flini mirë

Që të ruani shëndetin tuaj fizik dhe mendor, duhet të bëni gjumë të mirë. Sigurohuni që të pushoni për të paktën 8 orë në ditë në mënyrë që të merrni kohë për reflektim dhe qetësi. Nuk ka nevojë të nxitoni. Një gjumë i konsiderueshëm do t’ju pastrojë nga mendimet negative që ju kanë shqetësuar.

 

  1. Jini në lëvizje

Qëndrimi shtrirë ndërkohë që jeni të stresuar do t’ju bëjë të ndiheni më keq. Duhet të çoheni dhe të jeni në lëvizje në mënyrë që të pakësoni nivelin e stresit dhe të ruani qetësinë. Krijoni një rutinë ditore lëvizjeje ose shkoni në palestër. Duhet ta nxisni veten në mënyrë që të arrini atë që dëshironi.

 

  1. Përqendrohuni

Stresi ju merr energjinë dhe shkatërron dëshirën tuaj për të punuar. Gjithçka që duhet të bëni është të përqendroheni në aspektet e ndryshme të problemit tuaj dhe të merrni kohën e nevojshme për ta zgjidhur atë. Nëse stresi ju fut në telashe, mendoni rreth jetës suaj ndryshe dhe gjeni mënyra të tjera se si të përballeni me të.

Përqendrohuni në çështjet e ndryshme nëpër të cilat po kaloni, bëni një listë dhe filloni të gjeni mënyrat e duhura si t’i zgjidhni ato.

 

  1. Pranoni faktin që disa gjëra nuk ndryshohen

Është më mirë të pranoni atë që tashmë dihet: nuk ka mënyrë për ta ndryshuar të shkuarën. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të pranoni faktin se gjithçka ndodh për një arsye dhe se disa gjëra nuk mund të ndryshohen. Mësoni të mos e çoni më dëm kohën dhe energjitë duke u përqendruar te gabimet e së shkuarës. Çfarë ka kaluar nuk kthehet më, ndaj filloni të jetoni me të dhe kërkoni mundësi të reja në jetë.

 

  1. Jini optimistë

Fiksimi te gabimet tuaja dhe ndjesa e fajit gjatë gjithë kohës krijon energji negative që mund të dëmtojnë shumë besimin tuaj te vetja. Nëse jeni të stresuar për shkak të gabimeve që keni bërë, nuk duhet të ndiheni të zemëruar. Kërkoni ndihmë për gjërat që nuk i zgjidhni dot  vetë. Gjithashtu jini optimistë dhe përpiquni të lini mënjanë ndjenjat negative. Mësoni aftësi të reja dhe bëni gjëra që ju bëjnë të lumtur.

 

  1. Krijoni një perspektivë të re

Stresi mund t’ju ndihmojë ta shihni jetën ndryshe. Për shembull, nëse keni kaluar nëpër një divorc dhe jeni të stresuar nga vetmia, shkoni nëpër festa, bëni miq të rinj dhe përpiquni të gjeni njerëz me të cilët mund ta shijoni jetën. Ndoshta ju dhe partneri/ja juaj i/e mëparshëm/e nuk ka qenë e thënë të jeni bashkë. Suksesi fillon duke i parë gjërat ndryshe.

*Burimi: Life Hack.

Read More
keshilla karriere

6 gjërat që nuk duhet t’i toleroni në karrierën tuaj

Suksesi – Që nga abuzimi deri te fiksimi pas parave dhe shpërfillja e shëndetit tuaj, ja cilat janë gabimet që po bëni ndërsa kërkoni me ngulm që karriera juaj të arrijë suksesin

Abuzimin ose talljen nga të tjerët

Nëse përjetoni një ngacmim seksual nga një person që është disa nivele mbi ju, kjo jo vetëm që do t’ju bëjë të ndiheni shumë keq, por gjithashtu do t’ju mbushë me shumë pikëpyetje për vlerat tuaja, karrierën dhe sjelljen e përshtatshme. Në këtë pikë do të jeni në periudhën më të vështirë të jetës profesionale, sepse nuk do ta keni të qartë si të dilni me sukses prej këtij fenomeni të ngacmimit. Nëse e refuzoni, patjetër që punët do t’ju përkeqësohen sepse tjetri do të hakmerret. Nëse ankoheni, personat përgjegjës mund të mos ju besojnë ose thjesht nuk mund të bëjnë gjë kundër një personi në hierarkinë e kompanisë. Ju duhet t’i kundërshtoni këto ngacmime seksuale duke marrë një ndihmë nga jashtë për t’ju udhëzuar më mirë se si të sfidoni pa prishur karrierën tuaj një person që ka autoritet dhe pushtet mbi jetën tuaj profesionale. Mbi të gjitha, kurrë mos lejoni dikë të abuzojë me ju apo t’ju vërë në lojë.

Fiksimin pas parave

Paratë dhe marrëdhënia juaj me to është analizuar në shumë libra, artikuj dhe seminare. Njerëzit luftojnë çdo ditë për të mbajtur një balancë të shëndetshme me paratë, por shumë prej tyre nuk ia dalin. Ka nga ata profesionistë që shesin shpirtin për paratë, jo sepse nuk kanë mjaftueshëm sa për një jetë të mirë, por sepse skllavërohen nga stili i jetesës dhe duan t’i bëjnë përshtypje shoqërisë. Këta njerëz harrojnë se për çfarë janë të aftë dhe se jeta shkon përtej kënaqësive financiare, tek ato shpirtërore. Ju duhet të analizoni veten me objektivizëm dhe të qartësoni nëse e njëjta gjë po ju ndodh. Nuk mund ta shpërfillni këtë fenomen që fillon t’ju gërryejë nga brenda derisa ju shkatërron përfundimisht dhe ju skllavëron.

Mungesën e respektit për veten

Nëse keni një post të rëndësishëm që ju kufizon të silleni ashtu siç do të dëshironit ose që ju imponon të mbani një qëndrim të caktuar, kjo mund ta dëmtojë karrierën tuaj nëse nuk veproni në kohë. Kurrë mos hiqni dorë nga respekti për veten dhe mos lejoni që një vend pune t’ju kufizojë aq shumë saqë të mos e njihni më se kush jeni. Kur pranoni një rritje në detyrë, duhet ta bëni këtë që t’i jepni atij posti tiparet tuaja dhe jo të merrni tiparet e atij posti pa dhënë aspak nga vetja. Tregojuni eprorëve tuaj se ju mund ta bëni një punë më mirë të pavarur dhe sipas mënyrës suaj. Mos hezitoni të shprehni opinionet tuaja, mënyrat që sipas jush ndihmojnë në përmbushjen më të mirë të detyrës dhe arritjen e synimeve. Nëse nuk tregoni vlerësim për veten, askush nuk do t’ju japë vlerësimin që meritoni në punë.

Uljen e standardeve të integritetit tuaj

Parimet tuaja të integritetit janë thelbësore për të udhëzuar sjelljen tuaj. Integriteti është një zgjedhje, ndërsa mund të ndikohet nga shumë faktorë, mund të preket gjithashtu edhe nga marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Nëse silleni në atë mënyrë që bie ndesh me integritetin tuaj, do të vuani. Një person me standarde të forta dhe të përcaktuara mirë vepron sipas asaj mënyre të ndershme dhe bën gjënë e duhur për veten dhe të tjerët. Integriteti përfshin vlerat dhe virtytet si ndershmëria, mirësia, besimi, mençuria, besnikëria, transparenca, objektiviteti, pranimi, empatia, të qenët i hapur dhe mirënjohës. Pozicioni juaj në punë mund të kërkojë sakrifikimin e këtyre virtyteve tuaja, gjë që jua dëmton shumë karrierën në të ardhmen dhe që kurrsesi nuk duhet ta lejoni t’ju ndodhë. Njerëzit gabimisht mund të mendojnë se në kohë kaq të vështirë ekonomike ata duhet të keqin dorë nga disa tipare të tyret për të mbajtur vendin e punës, por kjo nuk është e vërtetë. Ata që priren nga ndjesia e fortë e integritetit kanë një jetë profesionale më të shëndetshme dhe bëhen më të suksesshëm. Identifikoni edhe ju vlerat tuaja kryesore dhe filloni t’i zbatoni ato në punën tuaj. Shumë shpejt do të merrni shpërblimin për këtë veprim tuajin të ndershëm.

Shpërfilljen e shëndetit dhe mirëqenies

Shumë profesionistë brilantë dhe që kanë potencial të madh, shpesh vuajnë nga lodhja e tepërt dhe depresioni. Në kërkim të një karriere të mrekullueshme, edhe ju mund ta bëni gabimin dhe të toleroni lodhjen për hir të një synimi madhor. Megjithatë, përkushtimi në punë për një kohë të tejzgjatur është provuar të mos jetë aspak produktiv. Jepini mundësinë vetes të keni kohë të lirë për të rritur kreativitetin dhe imagjinatën për të zbuluar mënyrat ideale për të përparuar në karrierë. Nëse e lini pas dore shëndetin dhe mirëqenien tuaj do të përfundoni duke bërë po ashtu një punë “të sëmurë”.

Shpërfilljen e qëllimit tuaj në jetë

Profesionistët më fatkeq janë ata që nuk marrin kohën e duhur për të zbuluar pasionet e tyre ose synimin që kanë në jetë. Mos lejoni që karriera aktuale t’ju pengojë të jeni largpamës dhe të ndërmerrni rreziqet e nevojshme për të hyrë në rrugën e duhur të suksesit tuaj. Në fund të fundit, ato që do të kenë rëndësi nuk do të jenë milionat tuaja në bankë, por kënaqësia që keni marrë nga ato që keni bërë në jetë.

*Burimi: Forbes

Read More
udheheqes

Si të jeni një lider karizmatik dhe i pushtetshëm

Pozicioni i rëndësishëm nuk është i vetmi tipar që ju rrit vlerën në sytë e të tjerëve. Ju duhet të kombinoni cilësitë e mëposhtme për të pasur pëlqim dhe ndikim sa më të lartë te të tjerët

Këshillat më të dobishme dhe truket që duhet të përdorni për t’u bërë një lider i vlerësuar, me influencë dhe bindës.

Mos u mbështesni vetëm te pamja

Po, ne të gjithë jemi dakord që të qenët tërheqës/e është një avantazh, por nuk është një kërkesë që duhet ta përmbushni patjetër. Winston Churchill nuk ishte një seks simbol, por ai konsiderohet si një nga liderët më me ndikim në histori.

Shprehni vlerësim për të tjerët

Bëjini njerëzit të ndihen mirë në praninë tuaj. Duke u dhënë atyre ndjesinë se janë inteligjentë, impresionues dhe tepër tërheqës, kjo ju rrit pikë edhe juve. Për ta bërë një person të ndihet mirë me veten, duhet të ulni intonacionin e zërit në fund të fjalive. Pakësoni shpejtësinë dhe shpeshtësinë e lëvizjes së kokës dhe ndaloni për dy sekonda të plota përpara se të flisni.

Jini të vetëdijshëm

Një studim i Harvardit zbuloi se 47 për qind e mendjes shpenzohet duke hamendësuar. Por nëse e detyroni veten të jini të vetëdijshëm pothuajse gjithë kohës do të arrini të zbuloni gjëra pozitive te çdo bisedë që bëni dhe për pasojë personi përballë jush do të ketë një vlerësim më të madh për ju.

Mendoni për diçka të këndshme

Njerëzit e perceptojnë shprehjen e fytyrës suaj në më pak se një sekondë, ndaj nëse nuk doni ta jepni veten te të tjerët për një reagim që mund t’ju duket i panevojshëm, mjafton të mendoni diçka të këndshme përpara se të përgjigjeni. Ju do të dukeni më të vërtetë nëse imagjinoni një gjë të mirë dhe ua pasqyroni atë ndjesi njerëzve me të cilët doni të silleni mirë.

Sigurohuni që të keni një shtrëngim solid duarsh

Shtrëngimi i duhur i duarve do t’ju ndihmojë shumë në konsolidimin e imazhit tuaj te të tjerët. Për t’u shfaqur më të hapur dhe më mikpritës, ngrihuni në këmbë që të jeni në lartësi të barabarta dhe hiqini duart nga xhepi.

Ka disa lloje karizmash

Mund të zgjidhni të jeni karizmatik bazuar në personalitetin tuaj ose ndaj situatave. Megjithatë, mos e sforconi veten që të ngjani të shtirur. Ja cilat janë llojet e karizmës:

Fokusi, ky stil bazohet në perceptimin e pranisë. Bëjeni tuajën dhe njerëzit do të ndihen sikur janë të vetmit në dhomë përballë jush.

Vizioni, ky stil i bën njerëzit të ndihen të frymëzuar në praninë tuaj.

Mirësia, kjo karizmë vjen nga gjuha e trupit tuaj dhe bazohet kryesisht te ngrohtësia. Megjithatë, nëse nuk e kombinoni me aftësi autoritative, mund t’ju dëmtojë.

Autoriteti, karizma më e fuqishme dhe ata që e kanë nuk pëlqehen nga të tjerët gjatë gjithë kohës. Kjo lloj karizme vlerësohet nga gjuha e trupit, pamja e jashtme, titulli dhe reagimet e të tjerëve.

Zgjidhni me kujdes karrigen në një tavolinë

Kur njerëzit ulen në pozicione përballë me tavolinën në mes, ata priren të grinden më shumë dhe të flasin me fjali më të shkurtra. Nëse dëshironi të shmangni konfrontimin me dikë, uluni pranë tij ose në një kënd 90 gradë. Gjithashtu shmangni të uleni me kurriz nga një hapësirë ku po ndodhin aktivitetet.

Mos e krahasoni veten me të tjerë

Është në natyrën tonë të krahasohemi me të tjerët, por nëse po e kritikoni veten, përdorni mendimin analitik, të dhënat krijuese dhe zgjidhjen e problemeve. Çfarëdo që të thoni, ju prek juve personalisht, por edhe mënyrën se si ju perceptojnë të tjerët.

Kombinimi pushtet dhe ngrohtësi

Për të treguar se sa pushtet keni, nuk është e nevojshme të keni fuqi të madhe. Mund të arrini statusin e të pushtetshmit duke shprehur inteligjencë ose mirësi. Kur rrisni nivelin e pushtetit, të njëjtën gjë bën edhe niveli i karizmës, por kombinimi i të dyjave është më i miri.

Mos lejoni dyshimin te vetja t’ju prekë

Shumica e njerëzve e provojnë herët ose vonë ndjesinë se ata nuk janë të vërtetë dhe që një ditë mund të zbulohet kjo prej të tjerëve. Ju mund të shqetësoheni për suksesin e jetës suaj, duke e menduar si një rastësi ose një gabim dhe të mendoni se kushdo tjetër rreth jush është më inteligjent.

Edhe njerëzit më të suksesshëm kanë rrëfyer se e kanë përjetuar këtë lloj ndjesie me kalimin e kohës, por dyshimi te vetja nuk duhet ta prekë perceptimin që keni dhe t’ju fusë në mërzi, pasi njerëzit përreth jush mund ta kuptojnë këtë dhe t’ju trajtojnë siç e keni frikën.

*Burimi: Business Insider

Read More

Zakonet: A e dini pse nuk keni energji gjatë ditës?

Shëndet – Nëse ndiheni gjithnjë të lodhur dhe pa energji do të thotë se nuk i keni vënë ende re zakonet që ju shkaktojnë këtë gjendje! Edhe zakonet e thjeshta të përditshme mund t’ju lodhin shumë fizikisht, për të mos folur më pas për një sërë sjelljesh mendore.

Nëse energjitë psikofizike kanë tendencë të ulen, faji nuk mund të jetë vetëm i netëve “të bardha” që keni kaluar së fundi. Edhe zakonet e thjeshta të përditshme si për shembull mospirja e një gote uji, mosngrënia e mëngjesit ose konsumimi i alkoolit përpara gjumit, mund t’ju lodhin shumë fizikisht, për të mos folur më pas për një sërë sjelljesh mendore: të mos thënët asnjëherë “jo”, ose kërkimi i vazhdueshëm i përsosmërisë me çdo kusht.

Gjithsesi, mënyrat për të “rikarikuar bateritë” ekzistojnë, ashtu siç sugjeron edhe portali “Health”, cili ka renditur në një listë 14 zakone të këqija, të cilat ulin energjitë fizike dhe psikologjike.

Shmangia e ushtrimeve fizike kur jeni të lodhur

Paradoksalisht, përftohet efekti i kundërt: këtë e bën të ditur një studim i Universitetit të Xhorxhias, i cili ka evidentuar se si një aktivitet i rregullt fizik rrit rezistencën, ndihmon në funksionimin e mirë të sistemit kardiovaskular, ndërsa dërgon oksigjen në muskuj. Ndaj, mendohuni mirë herën tjetër kur të keni dëshirë të mos shkoni në palestër.

 

Mospirja mjaftueshëm e ujit

Dehidratimi (edhe i paktë) prek nivelet tuaja energjike, sepse redukton sasinë e gjakut, ndërsa e bën atë më të trashë, duke kompromentuar pompimin e zemrës. Ndërkohë, ul shpejtësinë me të cilën oksigjeni dhe substancat ushqyese arrijnë muskujt dhe organet e tjera.

 

Mungesa e hekurit

Mungesa e hekurit mund të shkaktojë dobësi, irritim dhe lodhje, si dhe mund të minojë aftësinë e përqendrimit dhe të rrisë rrezikun e anemisë. Ja përse është mirë të merrni sasinë e duhur të tij, duke konsumuar ushqime të cilat e përmbajnë atë, si p.sh. mish viçi pa yndyrë, vezë, fasule, perime me gjethe jeshile, arra.

 

Kërkimi i përsosmërisë

Sforcimi për të arritur përsosmërinë, që në të vërtetë nuk ekziston, çon në të punuarit në mënyrë edhe më kërkuese dhe më gjatë se zakonisht, por objektivat që i vendosni vetes, janë aq irreale, saqë bëhen të pamundura dhe kjo gjë shkakton parehati në jetë.

 

Të bëni një mal me një kokërr rërë!

Nëse mendoni skenarin më të keq, për çdo rast të jeni të sigurt se ai realizohet, ndërsa ky ankth do t’ju paralizojë aq shumë, saqë do t’ju lërë gjithmonë mendërisht të lodhur.

 

Mosngrënia e mëngjesit

Ushqimi jep energji dhe, kur flini, organizmi konsumon atë që keni ngrënë një natë më parë, për të stimuluar pompimin e gjakut dhe qarkulluar oksigjenin. Për këto arsye, kur zgjoheni në mëngjes, është e nevojshme të rimerrni energjitë me një mëngjes të mirë, i cili i bën shumë mirë organizmit.

 

Ngrënia e ushqimeve të këqija

Ushqimet e pasura me sheqer dhe karbohidrate të thjeshta, rrisin nivelin e glicemisë në gjak, e në këtë mënyrë, trupi juaj do të ndihet menjëherë i lodhur. Ndaj “ilaçi” i duhur është mbajtja konstante e nivelit të sheqerit në gjak me një dietë të ekuilibruar.

 

Të mos thënët “Jo”

Të qenët “të mirë”, shpeshherë do të thotë humbje energjish psikofizike. Por, të mësuarit e të thënët “Jo”, është tepër e thjeshtë. Provojeni!

 

Një zyrë e pasistemuar

Sipas një studimi të Universitetit Princeton, një tryezë e çrregullt, e mbushur me dokumente të hedhura gjithandej, ndikon mendërisht, sepse limiton përqendrimin dhe aftësinë e trurit për të thithur informacione. Ndaj, në fund të ditës, është më mirë që të vini rregull në vendin tuaj të punës në mënyrë që, mëngjesin tjetër ta nisni sa më mirë.

 

Puna gjatë pushimeve

Kontrollimi i email-eve gjatë pushimeve, ose edhe gjatë një dite të vetme pushimi, do ta humbte totalisht vlerën e relaksit dhe të fitimit të energjive të reja.

 

Pirja e një ose dy gotave verë përpara gjumit

Gllënjkat e natës së mirë mund të duken një mënyrë e mirë për t’u relaksuar dhe për të fjetur, por në fakt është e kundërta. Në mëngjes do të zgjoheni më të lodhur se një ditë më parë!

 

Email-i në shtrat dhe navigimi në rrjetet sociale

Drita e ekranit të kompjuterit, lap-topit, tabletit apo e celularit, arrin t’ju dëmtojë sytë dhe të ulë nivelin e melatoninës.

 

Pirja e shumtë e kafeve për të rezistuar gjatë ditës

Deri në dy filxhanë kafe në ditë janë më se të mjaftueshëm për t’u bërë ballë të gjitha impenjimeve të ditës, por një përdorim më i madh i kafeinës, mund të shkaktojë pasoja të mëdha në ciklin e gjumë-zgjimit.

 

Qëndrimi zgjuar deri vonë gjatë fundjavës

Shumë mirë nëse nuk punoni, pra mund ta shijoni faktin e argëtimit deri vonë, por bërja e pak orëve gjumë të shtunën dhe qëndrimi vonë të dielën, do t’ju merrte të gjitha energjitë për të nisur mbarë një javë të re!

Përktheu: N.A

Read More
Zakonet e suksesit

Si t’i përmbushni synimet tuaja në jetë

Psikologji – Jeni në rrugëtimin e gjatë dhe të lodhshëm të arritjes së një synimi madhor që i keni vënë vetes? Mësoni si të qëndroni të motivuar dhe si të arrini gjithçka që ju shkon në mendje

Çdo ditë keni mundësinë t’i afroheni më shumë përmbushjes së synimeve tuaja. Nëse i shihni gjërat si të vështira dhe të pamundura, kjo nuk është mënyra e duhur për t’u përballur me problemet në jetë. Duhet të punoni ngadalë për të arritur synimet që keni në jetë dhe mënyrat e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të fitoni besimin te vetja e të arrini suksesin.

  1. Kërkojeni suksesin

Nëse e kërkoni suksesin dhe e tregoni këtë haptazi, kjo mënyrë sjelljeje shmang gjithnjë dështimin. Motivimi i vetes është mënyra sesi flisni me veten tuaj. Çdo mendim që ju kalon në mendje mund të ndikojë në fatin tuaj të mëvonshëm, përdoreni zërin e brendshëm për të ndikuar pozitivisht te vetja.

  1. Mjaft krahasimit me të tjerët

Çdo njeri në jetë ka synimet e tij dhe mënyrat personale për t’i arritur ato. Nëse dikush bëhet më shpejt i suksesshëm ose nuk merr as mundimin më të vogël për të arritur diçka në jetë, ky nuk është problemi juaj. Secili kërkon aq sa mendon se meriton, por kurrsesi nuk duhet ta mundoni veten duke dëmtuar besimin dhe aftësinë për të bërë progres. Krahasimi është diçka që duhet hequr nga lista tuaj.

  1. Kuptoni qëllimin tuaj

Siç thotë dhe Nelson Uang “Gjeni rrugën tuaj. Nëse nuk e dini se cila është, atëherë krijojeni”. Nëse ecni kuturu nëpër jetë, pa e ditur se cila është arsyeja e veprimeve tuaja, do ta keni të vështirë të qëndroni në të njëjtin rrugëtim. Sa më shumë të kuptoni atë që mund të arrini, potencialin që mbartni dhe progresin që do të sillni te vetja, aq më të lehtë do ta keni t’i realizoni synimet tuaja.

  1. Mbani një ditar

Sado pak progres të keni bërë në një ditë, mos e kaloni pa e nënvizuar. Sigurohuni që t’ia njihni meritat vetes. Regjistrojeni përparimin me mënyra nga më të ndryshmet, vetëm kështu do të mund të shihni se çdo përpjekje e së sotmes është një hap përpara për të nesërmen dhe shumë shpejt do të arrini atë që dëshironi.

  1. Kujtoni fillimin

Nëse mbani një ditar, kthehuni herë pas here te javët apo muajt e parë. Mund të jetë shumë motivuese të shohësh se nga ke ardhur, sepse të bën të kuptosh se je në gjendje të përparosh dhe ngadalë të marrësh atë që synon, por gjithnjë duke punuar shumë dhe sistematikisht.

Kjo nuk është e dobishme vetëm në aspektin e synimeve të mëdha, por edhe atyre të vogla, si për shembull, përvetësimi i një hobi të ri.

  1. Jo frikës ndaj kritikave

Askush nuk dëshiron të dëgjojë se po bën diçka gabim, por përpiquni t’i mbani emocionet nën kontroll. Merrni parasysh burimin e kritikave dhe arsyen e vërtetë përse dikush po i bën ato komente. Nëse konstatoni se fjalët që ju thuhen nuk janë akuza të thjeshta, shikojeni këtë si një mundësi për t’u vetëpërmirësuar. Nëse nuk lëndoheni shumë nga kritika, mund të rezultojë të jetë pikërisht nxitja për të cilën kishit nevojë.

  1. Programoni kohën

Kur duhet të bëni diçka, duket sikur e vetmja strategji është të punoni derisa ta keni mbaruar punën. Por teknika është në shumë raste joproduktive dhe mund të çojë lehtësisht drejt dorëzimit. Është e rëndësishme të kuptoni se kur keni mbërritur sasinë e mjaftueshme të asaj që mund të duroni.

Vendosini vetes një afat, por jepini edhe pushime. Menaxhojeni kohën në mënyrën më të mirë dhe mësoni se si ta bëni këtë siç duhet, duke kuptuar natyrën e punës suaj.

  1. Kaloni kohë me njerëz të zgjuar

Është gjithnjë nxitëse të jesh në një dhomë me njerëz shumë inteligjentë dhe shumë të ditur, si për shembull në një konferencë pune. Megjithatë, jo vetëm konferencat mbartin dozën e nevojshme për t’ju motivuar.

Zgjidhni miq që ju sfidojnë juve dhe veten. Kaloni kohë me ta duke folur rreth gjithçkaje dhe gjeni zgjidhjet për problemet që mund të keni. Kjo do t’ju inkurajojë që të mësoni më shumë dhe të arrini më tepër.

  1. Besojuni zakoneve

Me gjithë motivimin e madh që mund të keni për një synim të caktuar, mos prisni që një dozë e madhe motivimi të bëjë të gjithë punën. Kthejini sjelljet që keni shumë qejf, në zakone.

Është më mirë të ndërtoni një grup zakonesh dhe t’i ndiqni ato në mënyrë rigoroze dhe shumë shpejt t’ju bëhen të natyrshme. Duke forcuar vullnetin, do ta keni më të lehtë të bëni zgjedhje të shëndetshme për vete.

Si fillim, gjeni një zgjidhje për të hequr dorë nga zakonet e vjetra. Zëvendësojini ato me zakone të reja më të mira për ju, filloni të kaloni ngadalë nga një zakon në tjetrin, dhe besoni se rutina juaj ka një synim. Do ta keni më të lehtë të arrini gjithçka që dëshironi.

*Burimi: Business Insider

Read More

Sfidat e punësimit për të rinjtë!

Ti je në mes të njëzetave. Vjen nga universiteti dhe e ke kryer tashmë diplomimin. Je plot energji, gati për të nisur punën tënde, atë të parën në jetë. Njërën, që ty të thërret, ty të mbush e që me anë të së cilës, ti mund të përjetosh idealet e tua.

Ke mbushur shumë formularë e aplikime për punë dhe ke marrë edhe disa përgjigje pozitive, përveç sa e sa negativeve. Mund të ndodhë që qysh në intervistën e parë, të dytë apo të tretë për punë, t’ia dalësh me sukses. E qartë, ti je me fat. Pavarësisht se tani s’po i beson as vetes se sa fat paske pasur: dhe ja ku e ke tashmë një punë për të cilën mund të kesh ëndërruar.

Nëse ti do të duash të përmbushësh ëndrrat e tua, e madje për këtë, je i bindur. Mirëpo, pas një viti në punë, ty të duhesh të konstatosh se: të gjitha pritshmëritë e tua janë shkatërruar.

Pasi, me shumë gjasa, ti u përket atyre të rinjve që me shpresa të mëdha shkojnë drejt punës së tyre të parë e më pas përjetojnë zhgënjimin e jetës. Blogeri i njohur amerikan, Tim Urban, e përshkruan kështu dilemën me të cilën ai është ndeshur: fati = realitet minus pritshmëritë.

Sipas studimeve të fundmit, të rinjtë ndryshojnë shumë më shpejt vendin e punës në kohët tona, se sa dhjetë vjet më parë. Kontratat afatshkurtra nuk parashikojnë detyrime të dyanshme e të mirëpërcaktuara, etj.

“Ky është fundi e një marrëdhënieje”, shkruan nga ana tjetër një studiues i kërkimeve mbi rininë, mbi këtë fenomen në një bisedë me “Huffington Post”.

Nuk është një eksperiencë e bukur, nëse pritshmëritë e tua do të të zhgënjejnë. Por thjesht, qëndroni me këmbët në tokë. Duhet të bëni përpara. Sidoqoftë, këtu janë disa nga ëndrrat, që ty mund të t’i marrë çdo lloj pune që do të bësh:

Ke ëndërruar të punosh në një ambient kreativ

Ti je i ri në një vend pune, ndihesh me shumë energji e do t’u tregosh të gjithëve se çfarë mundesh, të thyesh struktura, koniunktura, të sjellësh aromë të re në grup. Ke imagjinuar që të punosh në një ekip me njerëz frymëzues e kreativë.

Mirëpo ja që shumica e ideve të tua nuk do të mund të aplikohen kurrë në praktikë. Pasi kolegët e tu i ka përfshirë rutina, janë të sigurt në vetvete, pa ambicie për të bërë ndryshime të mëdha. Me kohë, edhe ti kalon në një letargji e mësohesh me të, duke gjetur terrenin e duke ia futur edhe ti gjumit.

Ke ëndërruar të punosh i pavarur

Ke imagjinuar që të reagosh me vetëpërgjegjësi në një vend të ri pune, të arrish të ndikosh në vendime, pas të cilave e gjen edhe ti veten. Mirëpo shumë nga kolegët e tu të japin përshtypjen se pavarësia në punën tënde, nuk është shumë e mirëpritur. Ata të përflasin e nuk të besojnë shumë.

Ke ëndërruar të mos ndihesh i lidhur vetëm në një vend

Për punën tënde ti ke nevojë për më shumë se sa një laptop apo një lidhje interneti. Madhështore, mendon ti përnjëmend. A mund të punoj kudo në botë, nëse dua. A s’ka thënë kështu edhe shefi yt në fillim. Por gjithçka mbetet vetëm në teori. Edhe atëherë kur dëshirohet që të gjithë bashkë të punojnë në një sallë, apo zyrë..kështu të është thënë. Për një këmbim frytdhënës me kolegët.

Ke ëndërruar të shpërblehesh për përpjekjet e tua

Në punën e re ti jep gjithçka, nuk ankohesh për punë shtesë, për kolegët e veten, punët angari apo detyrat e tepruara, të cilat përndryshe askush nuk i do. Pas një momenti, ty të ngërthen ndjenja gërryese që të bën të besosh se ti merr më pak se të tjerët, merr më pak se ç’të takon tek e fundit. Se ti nuk paguhesh sa ç’duhet për punën që bën pra.

Ke ëndërruar të punosh në një vend pa hierarki

Ti ke fantazuar që të punosh në një ambient me hierarki të sheshtë. Në një ekip në të cilin ti nuk duhet të pyesësh shumë për të marrë leje për çdo gjë që bën. Të të kërkojnë llogari për çdo gjë që bën, që ndërmerr.

Një vend pune fare pa hierarki nuk ka, kjo është e qartë. Për të ka gjithnjë nevojë. Mirëpo, shpesh hierarkitë ngrihen në kokat e njerëzve që nuk ekzistojnë fare. Nga frika e përgjegjësisë, ju shqetëson tashmë fakti se do të ketë gjithnjë dikë, i cili në rastin më të keq, e sjell gjithçka sërish në shina.

Ke ëndërruar për një marrëdhënie solide mes punës dhe jetës private

Natyrisht se je i gatshëm t’i futesh punës me kokë e të japësh gjithçka për të. Mirëpo koha jote e lirë për ty është e shenjtë. Dhe ca orë në ditë do të kishe dëshiruar t’i shijoje. Por pas disa ditëve, ti përfton ndjesinë se thjesht po përshkon itinerarin krevat-zyrë e kthim.

Ke ëndërruar të zhvillohesh

Ti ke dashur të punosh e të mbledhësh përvoja të reja çdo ditë që kalon. E tashmë prej muajsh, ti konstaton se nga puna jote nuk ka mbetur asnjë shenjë, asnjë gjë për t’u shënuar e për t’u mbajtur mend si përvojë plus. Kolegët e tu as që e kanë mendjen te ty, e shefi nuk të rezervon më asnjë shikim.

Ke ëndërruar që më në fund të kesh llogarinë tënde

Puna e parë e vërtetë, domethënë e paguar në jetën tënde, e që të ka bërë për herë të parë të pavarur nga prindërit. Një vështrim mbi llogarinë tënde do të të mjaftojë për të pësuar “zhgënjimin” e parë. Sheh se sa shumë taksa e diferenca nga rroga bruto në atë neto e minuse të tjera, më pas shpenzimet e domosdoshme. Këto do të të mjaftojnë për të parë se pavarësia dashka shumë punë për t’u siguruar.

Read More
si te bejme nje cv

Këshilla për të hartuar një jetëshkrim sa më profesional

Karrierë – Zakonisht kjo është periudha më aktive kur të interesuarit për punë dërgojnë CV-të e tyre në kompani të ndryshme me shpresën se do të marrin një përgjigje pozitive për vendin që pretendojnë. Përpara se të shkruani një CV, hidhuni një sy udhëzimeve të mëposhtme:

Në gazeta, gjatësia, toni ose formatimi i artikullit janë të rëndësishëm, sepse e bëjnë më të thjeshtë leximin: e njëjta gjë vlen edhe për Curriculum Vitae (CV).

Sigurisht ju nuk dëshironi aspak që email-i apo CV juaj në letër të përfundojë në koshin e plehrave! Mbajeni parasysh se sapo një CV arrin në duart e një personi (ose sapo hapet në ekranin e kompjuterit), ajo i nënshtrohet një skanimi me sy vetëm për pak sekonda.

Çdo lloj përshtypje e paragrafëve ose e informacioneve jo të organizuara, mund të ndikojë shumë në ato sekonda të rëndësishme të cilat vendosin nëse kurrikulumi juaj është apo jo interesant.

Të qenët jashtë turmës është çelës suksesi. Kështu që, përdorimi i formatit të famshëm europian, standard dhe të mërzitshëm, mund të mos jetë gjithmonë zgjedhja më efikase.

Një rregull i rëndësishëm: diferenconi tekstin. Mos harroni të përdorni shkrimin bold dhe italik për ta drejtuar lexuesin në sesione të ndryshme të CV tuaj. Karakteri i ndryshëm tipografik e ndihmon lexuesin të lëvizë nëpër faqe.

Për shembull, nëse në listën e eksperiencave të punës keni pesë kompani të ndryshme, është shumë më e thjeshtë të përcaktoni se ku fillojnë dhe mbarojnë informacionet mbi çdo përvojë me përdorimin e llojit të shkrimit bold për emrin e punëdhënësit. Një tjetër “mashtrim” për ta bërë më të lehtë leximin e një CV është menaxhimi i hapësirës së bardhë.

Nëse nuk jeni në fillim të karrierës suaj, mund të mbushni me informacion më shumë se një faqe. Rrjedhimisht, lejohet le të themi një faqe për ata që nuk kanë shumë përvojë dhe tre në rastin e drejtuesve dhe të menaxherëve. Përdorni numra dhe simbole, do t’ju shërbejnë për t’i dhënë tekstit ndryshimin e duhur dhe për t’i krijuar lexuesit menjëherë një ide të qartë.

Zakonisht, sipas rregullave të shkrimit, numrat deri në 10 shkruhen me shkronja. Në këtë rast, për të rrëmbyer vëmendjen e lexuesit, përdorni gjithnjë shifra. Shmangni grafikët dhe logot tepër imagjinative.

CV-ja duhet të jetë e qartë dhe e thjeshtë për t’u lexuar. Përdorimi i ngjyrës është një ide e mirë. Shmangni llojet e shkrimeve të tipit “handwriting”, sepse është një stil shumë fëminor. Po kështu, mos përdorni simbolet që askush nuk do t’i kuptonte.

Mbani gjithashtu parasysh sektorin në të cilin punoni: për shembull, nëse prezantoheni si mjek, duhet të keni një CV më serioze, ndërsa nëse jeni person i komunikimit ose i artit, atëherë gjërat ndryshojnë në këtë drejtim. Kurrikulumi duhet të përshtatet për pozicionin për të cilin kandidoni, sidomos në detaje.

Më pas ka një sërë detajesh të vogla, por të cilave duhet t’i kushtoni vëmendje të madhe, si për shembull email-i që do të përdorni për të dërguar CV, duhet të jetë serioz (emër/mbiemër), ndërsa fotoja që duhet të dërgoni, duhet të jetë profesionale, serioze dhe të japë idenë e qëndrueshmërisë.

Pra këto ishin disa nga këshillat se si duhet të jetë një dokument si CV-ja, i mirorganizuar, i thjeshtë, i pastër, i lehtë për t’u lexuar, i bukur për t’u parë dhe mbi të gjitha funksional.

Kujdes!

Kompanitë, në varësi të pozicionit të lirë të punës, mund të marrin nga 75 deri në 250 CV dhe menaxherët e rekrutimit shpenzojnë vetëm 11 sekonda ose më pak për të parë secilën prej tyre. Kështu që në CV, ju duhet të jepni maksimumin. Njerëzit ende vazhdojnë të bëjnë gabime gjatë shkrimit të CV-ve, duke futur elemente që nuk duhen dhe duke lënë jashtë të tjerë elemente që janë të rëndësishme.

Kjo gjë e bën më të lehtë punën e punëdhënësit, sepse ai zbulon menjëherë CV-të e papërshtatshme, por ndërlikon jetën tuaj, sepse do ta keni shumë të vështirë të gjeni një punë me një CV të tillë.

Perktheu: N.A

Read More
10 gjërat që njerëzit e suksesshëm bëjnë pas pune

10 gjërat që njerëzit e suksesshëm bëjnë pas pune

Zakonet – E keni pyetur ndonjëherë veten se përse disa njerëz janë më të suksesshëm dhe çfarë bëjnë ata për ta arritur këtë? Një eksperte e organizimit të kohës na shuan kuriozitetin …

Jo vetëm punë dhe as vetëm argëtim. Njerëzit e suksesshëm gjejnë balancën midis punës, familjes, miqve dhe hobeve. Ja se çfarë bëjnë ata për t’i bërë të gjitha pa i humbur energjitë vetëm në një aktivitet.

Ata i bëjnë gjërat ndryshe

“Njerëzit e suksesshëm dhe të zënë i bëjnë disa gjëra ndryshe”, thotë Ronni Eisenberg, një ekspert organizimi në Konektikat dhe autor i dhjetë librave për organizimin. “Pavarësisht të gjithave, ata i planifikojnë gjërat më parë dhe kështu çdo gjë u shkon mirë”, thotë Laura Vanderkam, një eksperte e menaxhimit të kohës. Njerëzit e suksesshëm nuk qëndrojnë ulur pa pasur gjë për të bërë, sepse e kanë menduar më parë se për çfarë do t’i shërbente ajo kohë.

Ata e ndajnë punën

Njerëzit e suksesshëm kanë ngarkesë të madhe dhe punë shumë të lodhshme, por për t’ia dalë mbanë e ndajnë atë në pjesë më të vogla, që i bëjnë ngadalë dhe në fund arrijnë ta mbarojnë. Për të rritur produktivitetin tuaj, shijoni kohën me familjen dhe mos e kaloni kohën vetëm duke bërë një gjë për një periudhë të gjatë.

Ata nuk bien në kurthin “24 orësh”

“Gjërat nuk kanë përse të ndodhin çdo ditë në të njëjtën kohë që të jenë pjesë e jetës suaj”, thotë Vanderkam. “Njerëzit mund të thonë se nuk stërviten dot në mbrëmje, sepse duhet të jenë me familjen, por një ditë në javë kjo mund të ndodhë.” Nëse keni një rutinë të caktuar për miqtë apo familjen, kjo nuk do të thotë se s’ia vlen ta ndryshoni kur të keni mundësinë.

Ata nuk shohin televizor

Nuk ka asgjë që nuk shkon me televizorin, por shpesh e vë mendjen në gjumë dhe mund t’ju shpenzojë më shumë kohë nga sa do të donit. Eisenberg thekson se po sheh gjithnjë e më tepër njerëz që po e mënjanojnë televizorin. “Ata kanë vendosur se është një humbje kohe dhe e kanë shmangur ose kanë vendosur rregulla strikte rreth kohës që mund të shpenzojnë për ta paratë”, thotë ajo. Kështu do të keni më shumë kohë për të bërë gjërat që dëshironi.

Ata stërviten fizikisht

Ndërsa punonte për një projekt mbi jetët e grave të suksesshme me familje, Vanderkam vëzhgoi se shumica e tyre bënin pak ushtrime fizike. “Ja ku kemi njerëz që janë më të zënë sesa shumica e të tjerëve, por ata ende gjejnë kohë për të bërë stërvitje fizike.”

Realiteti është se stërvitja të bën mirë për shëndetin dhe njerëzit e suksesshëm duan të jetojnë sa më gjatë dhe të jenë sa më të shëndetshëm që të ndërmarrin vendime të logjikshme.

Për ta pasur më të lehtë vendimmarrjen për stërvitjen, planifikojeni atë më parë, mos prisni që të jeni në humor për të shkuar në palestër. Ata që janë familjarë e planifikojnë palestrën pasi largohen nga puna dhe përpara se të shkojnë në shtëpi.

Ata luajnë për qejf

Vanderkam thekson se njerëzit e suksesshëm janë të dhënë pas kohës së kaluar bukur dhe jo pas sasisë së madhe të kohës që kalojnë me një person. Kështu, për të krijuar lidhje më të ngushta familjare, ata mund të marrin pjesë në një ngjarje shumë të rëndësishme për dikë nga familja pa u ndier në faj, për faktin se nuk janë gjithnjë aty për ta.

Ata dalin në takime romantike

Njerëzit e suksesshëm, që kanë axhenda të zëna, sigurohen që të kenë kohë për njerëzit e tyre të zemrës. Kështu, ata dalin të paktën një herë në javë për një drekë ose darkë romantike me ta. Nëse ju nuk keni mundësi të dilni kaq shpesh për dreka apo darka, krijoni një takim në shtëpi. Mjafton të bisedoni për një orë pa pasur televizorin përpara.

Ata gjejnë kohë për miqtë

“Lidhjet sociale janë një nga pjesët më të pëlqyeshme në jetë, por miqtë shpesh marrin pak kohë në jetën e atyre që janë persona të zënë”, thotë Vanderkam. Një strategji e mundshme është t’i përmbaheni një kalendari jo me data, por me ditët e javës. Për shembull, mos lini takim më datë 30, por çdo të hënë të fundit të muajit.

Ata përdorin shërbimet online

Njerëzit e suksesshëm dhe të zënë shpesh i delegojnë punët te të tjerët që të mund t’i mbarojnë ato. Por një njeri i zakonshëm që nuk ka asistent personal, mund të shmangë ngarkesën duke përdorur shërbimet online dhe për të kursyer shumë kohë.

Ata kanë një rutinë përpara gjumit

Një rutinë në mbrëmje do të thotë menaxhim më i mirë i kohës. Mbrëmja është koha ku aktiviteti i ditës fillon të shuhet dhe vjen një moment paqeje. Eisenberg thotë se shumë persona nuk mund të mendojnë për organizimin e gjërave për ditët në vijim dhe kjo ndikon në mungesën e suksesit për ta. Bëni gjithçka gati përpara se të vijë çasti. Shfrytëzojeni mbrëmjen për këtë gjë.

Ata i japin prioritet gjumit

Jeni në dilemë nëse duhet të shtriheni për të fjetur apo ta konsumoni energjinë e mbrëmjes? Studimet tregojnë se njerëzit e suksesshëm flenë nga shtatë deri në nëntë orë gjatë natës. “Kushdo që thotë se fle vetëm katër orë në natë po gënjen”, thotë studiuesja. Njerëzit e suksesshëm e dinë se për të menduar më mirë dhe për të marrë vendime të zgjuara duhet të flenë mjaftueshëm.

*Burimi: “Reader’s Digest”

Read More
7 këshilla si të gjeni punë nëpërmjet internetit

7 këshilla si të gjeni punë nëpërmjet internetit

Karrierë - Kriza e ka bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e një pune. Por një ndihmë, sipas specialistëve të punësimit, mund të vijë nga uebi. Mjafton të dini ta përdorni. Shansi për t'u impenjuar diku, do të rritet nëse merrni parasysh këto shtatë këshilla

Gjetja e një pune vazhdon të jetë e vështirë në vendin tonë, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës, ku kriza duket se është ulur këmbëkryq. Por sipas ekspertëve të rekrutimit të punëmarrësve, interneti është mënyra më e mirë për të gjetur një punë, mjafton të dini të navigoni dhe ta përdorni. Ja atëherë shtatë këshilla për të marrë më të mirën nga rrjetet dhe për të gjetur punë.

1. Zgjeroni kontaktet në rrjete 

Zgjerojini kontaktet tuaja në "LinkedIn", "Facebook" dhe "Twitter", me kusht që të jenë cilësore. Nuk ju duhen për numër, ndaj procedoni me synim të mirëpërcaktuar: nuk po kërkoni një punë çfarëdo, por punën e duhur për ju, ndaj krijoni një lidhje vetëm me personat, me të cilët keni të përbashkëta profesionale dhe me të cilët do të arrini të ndërtoni një marrëdhënie me efekt shkëmbyes.

Një rrjet i mirë social arrin maksimumi të numërojë 200 persona, të tjerat janë marrëdhënie rastësore, që ju shpërqendrojnë dhe ju humbasin kohë. Bëni kujdes të madh dhe prezantohuni në mënyrë të tillë që profili juaj të jetë interesant dhe autoritar.

2. Tregoni dhe shfaqni 

CV-ja klasike nuk prodhon rezultate dhe kjo gjë është e kuptueshme. Të njohësh një person përmes letrës është diçka absurde, përveçse e rrezikshme dhe e shëmtuar. Është pak a shumë si t'i propozoni dikujt për martesë, vetëm nëpërmjet kartës së identitetit. Jepni një provë konkrete se çfarë dini të bëni dhe kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar vlerat tuaja te një punëdhënës apo te një i interesuar për t'ju marrë në punë.

Nëse prodhoni diçka materiale (mobilie, objekte, por edhe fruta dhe perime) këshilla është që t'u bëni foto ose të xhironi një video ku dukeni në aktivitet e sipër dhe më pas ta publikoni atë online.

Ndërkohë, nëse nuk krijoni materiale, por ide dhe shërbime, hidhini ato në një blog ose hapni një adresë "Twitter"-i apo një faqe "Facebook"-u, ku mund të postoni komentet tuaja.

3. Diskutoni për interesat 

Filloni të përfshiheni në grupe që ju interesojnë: personat që mund t'ju gjejnë punë, janë ata me të cilët ndani të njëjtat interesa dhe frymëzime. Ndaj ndiqni grupe dhe forume ose nëse nuk gjeni një të përshtatshëm, krijoni një tuajin. Duke demonstruar profesionalizmin tuaj në ueb, do të keni mundësinë të ndërtoni marrëdhënie që mund t'u japin jetë mundësive në pritje.

4. Kërkoni për punëmarrësin 

Mos prisni që puna e ëndrrave tuaja të vijë t'ju kërkojë. Ju takon juve të zgjidhni agjencinë në të cilën dëshironi të punoni apo tek ajo ku ju dëshironi të shpalosni aftësitë tuaja. Më pas filloni t'i studioni: mësoni historinë e tyre, arritjet më të rëndësishme, momentet e vështira dhe pikat e dobëta, cilët janë drejtuesit, cilat janë vlerat e agjencisë, në mënyrë që të kuptoni më mirë se si ta prezantoni veten. Intervista e punës do të bëhet më e thjeshtë.

5. Krijoni një projekt 

Një projekt është më efikasi se çdo gjë tjetër, sepse ai është prova më e mirë se çfarë dini të bëni e se çfarë mund t'i ofroni agjencisë, si për shembull, të zgjidhni një problem ose të krijoni një mundësi të re fitimi. Nuk jeni një nga shumë njerëzit të cilët kërkoni një punë, por një profesionist, i cili bën ndryshimin.

6. Bëhuni autokandidat 

Përpiquni të futeni në kontakt me një person, i cili punon në një agjenci ose që njeh dikë që bën këtë gjë. Duke u prezantuar nga dikush tjetër, ju do të mund të shmangni mosbesimin ndaj një kandidati që nuk njihet. Nëse nuk ia arrini, vetëpropozohuni. Insistoni me kortezi për të pasur një takim, nëse nuk ndodh gjë, kaloni në një agjenci tjetër.

7. Dilni sa më shumë 

Të kërkuarit e një pune është si bërja e sportit: nëse jeni vetëm dhe pak të motivuar, nuk arrini ta bëni. Por, nëse jeni të shoqëruar, gjërat ndryshojnë: qëndrueshmëria dhe disiplina janë cilësi të cilat mbahen më lehtë me të tjerët. Duke u konfrontuar dhe duke folur jo vetëm që do të mund të gjeni punën, e cila bën për ju, por do të shmangni edhe rënien në depresion. Pra, sa më shumë "antena" të dispononi, aq më të thjeshtë do ta keni të kapni mundësitë e reja.

Përktheu: N.A.

Read More