Karrierë – Për të qenë një punonjës i mirë, nuk mjafton që ta bëni punën mirë, por duhet të krijoni edhe integritet të qëndrueshëm. Tregohuni të kujdesshëm me fjalët dhe sigurohuni të mos kaloni kufijtë me ato që rrëfeni për veten
Nuk mund të ndërtoni një rrjet të fortë profesional, nëse nuk i ndani gjërat tuaja me kolegët, por nëse tregoni më shumë sesa duhet, kjo mund të kthehet në një katastrofë për karrierën tuaj.
Të ndani me të tjerët gamën e duhur të historive është mënyra e duhur për të fituar besimin, por edhe respektin e të tjerëve. Lista e mëposhtme ju tregon faktet që duhet t’i mbani për vete.
- Nëse e urreni punën
Gjëja e fundit që ndonjëri do të donte të dëgjonte në punë do të ishte ndonjë ankesë se sa shumë e urreni atë vend dhe punën që bëni. Nëse e shprehni këtë, do të etiketoheni si një person negativ që nuk di të punojë në grup. Kjo mund të ulë edhe moralin e grupit. Shefat i kapin shpejt ata që demoralizojnë të tjerët dhe i zëvendësojnë me ata që mezi presin pas derës.
- Mendimet për kolegët
Ka gjithnjë një person të paaftë në vendin e punës dhe gjasat janë që kushdo mund ta dijë se kush është. Por nëse nuk keni pushtetin ta ndihmoni atë të përmirësohet ose ta hiqni nga puna, nuk do të fitoni asgjë duke e përfolur.
- Sa para fitoni
Prindërit tuaj do të dëshironin shumë të dëgjonin se sa para po fitoni çdo muaj, por në vendin e punës, kjo sjell vetëm telashe. Është e pamundur të maten rrogat me drejtësinë më të madhe dhe zbulimi i rrogës suaj do të çonte në krahasim dhe ndoshta zemëratë. Nëse nuk dëshironi ziliqarë apo persona agresivë, mbajeni të ardhurën tuaj për vete.
- Besimin fetar apo politik
Besimi politik apo fetar i kujtdo është çështje personale që nuk ka përse të ndahet në vendin e punës. Ky i fundit është një ambient ku punohet për një të mirë të përbashkët dhe nuk është aspak e nevojshme të krijohen identitete apo mosmarrëveshje për pikëpamjet e perceptimit të ndokujt për botën.
- Aktivitetin në Facebook
Ka shumë mënyra se si mund të dukeni në pozita të këqija në Facebook. E mira e të mirave është ta mbani stafin e punës larg këtyre gjërave që të ruani një imazh sa më të mirë. Kujdesuni për gjërat që shpërndani në rrjetet sociale, në mënyrë që të mos ju ndikohet karriera.
- Çfarë bëni në dhomën e gjumit
Rrëfimet për jetën tuaj seksuale duhet t’i lini jashtë derës së zyrës. Komente të çfarëdo lloji sigurohuni që të mos i ndani me kolegët tuaj. Jo vetëm që nuk do të ndiheni rehat, por kjo do të ndikojë në mënyrën sesi ata ju shohin. Mos krijoni një reputacion të keq.
- Opinionet për jetën seksuale të të tjerëve
Njerëzit me të cilët punoni nuk duan t’ia dinë se çfarë mendoni ju se bëjnë në dhomën e gjumit kolegët tuaj. Mos u bëni thashethemexhinj! Përdoreni mendjen për të punuar dhe jo për t’u marrë me fjalë! Nëse kërkoni respekt, filloni ta zbatoni edhe për të tjerët.
- Ambiciet për karrierë
Mos i thoni ambiciet tuaja të karrierës në punë sepse mund të bien në konflikt direkt me interesat e të tjerëve dhe kur vjen fjala për interesa, njerëzit bëhen aq egoistë sa nuk mban më. Punonjësit e mirë duan që e gjithë skuadra të arrijë sukses, jo vetëm ata. Pavarësisht motiveve aktuale, lajmërimi i qëllimeve egoiste nuk do t’ju ndihmojë t’i arrini.
- Argëtimin e kolegjit
E shkuara thotë shumë për ju. Sjelljet e moshës rinore mund t’u lënë të tjerëve të mendojnë se nuk jeni zhvilluar shumë që atëherë. Mbajeni për vete të shkuarën tuaj të egër dhe plot argëtime të çmendura.
- Sa ju pëlqen alkooli
Mund t’ju pëlqejë të bisedoni se sa shumë dëshironi të konsumoni alkool pas një dite të lodhshme pune, por kjo nuk është mënyra se si do të dëshironit t’ju shihnin në punë. Nëse ndani me të tjerët dashurinë për alkoolin nuk do të dukeni si persona argëtues, por në fakt si të paparashikueshëm, të papjekur dhe që i mungon gjykimi i drejtë.
- Shakatë ofenduese
Nëse ka ndonjë gjë që duhet të mbani parasysh është që të tregohuni shumë të kujdesshëm me ato që thoni. Shakatë ofenduese mund t’ju bëjnë të shfaqeni si të pasjellshëm në sytë e të tjerëve dhe nuk i dihet kurrë se kur mund ta kaloni kufirin.
- Që po kërkoni një punë të re
Mos i thoni qëllimet tuaja përpara se t’i realizoni ato. Mos i zbuloni planet për të lënë punën, pasi do të bëheni një humbje kohe për këdo tjetër. Ka mundësi që kërkimi për punën e re të mos rezultojë i suksesshëm dhe do të përfundoni duke u dukur keq në sytë e të tjerëve.
I.D
*Burimi: Business Insider