Këshilla – Në ditët e sotme, janë të paktë ata persona që mund t’ia dalin pa punuar apo pa ndenjur në kompjuter. Një pozicionim i mirë i trupit dhe ndonjë këshillë e thjeshtë do t’ju lejojnë të jetoni në harmoni të plotë me “shokun” tuaj më besnik në zyrë
Pozicionojeni mirë kompjuterin
Para së gjithash është thelbësore që kompjuterin ta vendosni në mënyrën e duhur. Kjo gjë do të minimizojë problemet e lodhjes vizive. Ideale do të ishte që ekranin e tij ta spostonit prapa dhe ta vendosnit në një distancë 50-70 cm larg jush. Ndërkohë është mirë që pjesa e sipërme e ekranit të jetë në drejtim të syve, në rast se nuk bëhet fjalë për një ekran me dimensione të mëdha.
Zgjidhni një ekran të mirë
Zgjidhni një ekran të mirë, antirefleks dhe kujtohuni që të rregulloni dritën në bazë të punës që duhet të zgjidhni (videoshkrim, dizajn etj.). Bëni kujdes edhe me ndriçimin e ambientit dhe mos e vendosni ekranin përballë ose anash një dritareje, sepse kjo mund të krijojë kthesa të dëmshme të reflektimit të dritës.
Përdorni një karrige të mirë dhe komode
Të punuarit për orë të tëra në pozicionin ulur, mund të shkaktojë kontraktim të qafës, të shpatullave dhe të shpinës. Këtë rrezik mund ta reduktoni duke zgjedhur një karrige të rehatshme, ku mund të qëndroni drejt dhe këmbët t’i mbani në dysheme. Nëse jeni të shkurtër ose tavolina e punës është shumë e lartë, te këmbët përdorni një mbështetëse.
Mbroni kyçet e duarve
Të favorizuara nga puna e vazhdueshme në kompjuter, shqetësimet muskulore të gjymtyrëve të sipërme po bëhen gjithnjë e më të përhapura. Në shënjestër janë sidomos kyçet e duarve, por edhe duart e shpatullat. Për të parandaluar këtë problem, vendoseni tastierën në një distancë 10-15 cm nga fillimi i tavolinës dhe punoni duke i mbajtur bërrylat tuaj në kënd të drejtë, në mënyrë që të shmangni lakimin e tyre. Zgjidhni një maus sa madhësia e dorës tuaj dhe mos e shtrëngoni atë shumë, sepse mund t’ju krijohen probleme te muskujt e gishtave.
Bëni pushime të shkurtra dhe të vazhdueshme
Lodhja vizive dhe dhembja e kokës mund të zhduken nëse bëni pushime të shkurtra me ndërprerje të rregullta. Mjaftojnë pesë minuta për të hequr sytë nga kompjuteri.
Pini ujë
Një ambient me temperaturë shumë të nxehtë kontribuon në rritjen e lodhjes vizive, ndërsa ajo është e dëmshme për qarkullimin e gjakut. Ndaj pini ujë mjaftueshëm. Kjo do t’ju ndihmojë, ndër të tjera, që të mos abuzoni shumë me kafen dhe me duhanin.
Eliminoni faktorët e stresit
Kur vjen puna te çështja e stresit, është më e thjeshtë ta shprehësh eliminimin e tij sesa ta zbatosh atë. Megjithatë, aq sa të jetë e mundur, përpiquni që të mos punoni shumë nën tension. Në fakt, është demonstruar se stresi rrit mundësinë e shfaqjes së shqetësimeve muskulore-skeletike. Mos i nënvlerësoni aftësitë tuaja të punës dhe mundohuni që ta organizoni sa më mirë, në mënyrë që të fitoni kohë. Vëreni punën përpara.
Bëni pak … gjimnastikë
Për të relaksuar qafën, shpinën, gishtat dhe kyçet e duarve nuk ka asgjë më të mirë sesa ushtrimet fizike. Zgjateni shpinën sikur dëshironi të arrini diçka lart dhe rrotullojeni kokën. Lëvizni edhe shpatullat.
… edhe për sytë
Edhe ushtrimet e syve janë shumë të dobishme. Pa lëvizur kokën, shikoni sa më lart dhe sa më poshtë të mundni, duke alternuar edhe anën e djathtë e të majtë të shikimeve sa më të largëta. Kjo gjë shërben për të parandaluar lodhjen e syve.
Në rast problemesh të mëdha konsultohuni me mjekun
Puna në kompjuter mbase nuk shkakton probleme vizive, por me siguri përbën një kusht për favorizimin e shfaqjen e anomalive të shikimit. Nëse ju djegin sytë shpesh dhe nëse keni përshtypjen se nuk shihni mirë, konsultohuni me mjekun specialist.