Seth Godin duke prezantuar
Fillimet e biznesit

Kjo është e thyer (This is broken) video nga Seth Godin!

Si t’i shfrytëzoni mundësitë që ju shfaqen me klientët brenda biznesit tuaj?

Në këtë fjalim brilant Seth Godin, në një konferencë TED, e fillon prezantimin me një histori se si kompania mobile me të cilën mbante numrat i kishte ofruar një ulje çmimi (rebate) me kthim fondesh. Por mënyra se si kishin zgjedhur ta bënin procesin e kthimit të fondeve ishte thjesht ‘e thyer’!

Ai vijon të shpjegojë se si rreth nesh ka shumë gjëra të ‘thyera’ por që gjithmonë prezantojnë potencialin që të ‘rregullohen’. Duke u rregulluar ato mund t’i shtojnë vlerë jetës së njerëzve por edhe vetë punës së biznesit apo sipërmarrjes tuaj.

Pezantimi ofron 7 mënyra se si gjërat janë ‘të thyera’ sipas një kategorizimi që Seth e ilustron vërtetë bukur.

Pse gjërat janë të thyera:

  1. Nuk është puna ime (not my job)
  2. Toça egoistë (selfish jerks)
  3. Bota ka ndryshuar (the world changed)
  4. Nuk e dija (I didn’t know)
  5. Nuk jam një peshk (I’m not a fish)
  6. Kontradita (contradictions)
  7. E thyer qëllimisht (broken on purpose)

Kjo nuk është lista definitive, thotë ai, por të paktën është një listë dhe vijimi i prezantimit të tij është ilustrimi i 7 mënyrave që ai ka zbuluar se si gjërat janë ‘të thyera’!

Ju ftoj ta shikoni të plotë këtu.

Në Shqipëri ka shumë shembuj të tillë, por ideja është si mund t’i vëmë këto gjëra ‘të thyera’ në funksion të përmirësimit të jetës dhe nevojave të klientëve tanë. Te faqja ‘jeta osht qef’ gjen vazhdimisht shembuj të problemeve dhe gjërave ‘të thyera’ në këtë vend. Shpresoj t’ju ketë vlejtur sadopak si frymëzim.

Read More
Google CEO Sundar Pichai
Siguria & Privacia Online

Hakerat futen nё llogarinё e CEO-s sё Google Sundar Pichai

Rishazi mediat online njoftuan qё edhe CEO i Google, Sundar Pichai, humbi aksesin e llogarisë sё tij nё platformёn Quora si rrjedhojё e njё ndёrhyrje nga njё grup hakerash. Pak kohё mё parё njё histori e ngjashme ndodhi edhe me CEO-n e Facebook, Mark Zacherber.

Sa e lexova mё kujtoi plot histori tё tjera qё përsëritet çdo ditё me mijëra herё nё internet.

Edhe nё kёtё rast, hakerat thuhet se nuk kishin arritur tё thyenin sigurinё e platformёs Quora, por ishin përpjekur ta gjenin vetё fjalёkalimin pёr tё postuar mё pas mjaft postime nёn emrin e z. Pichai.

https://youtu.be/pSEFYqqrle0

Po ti, a do e ndryshosh fjalëkalimin tani apo do mbash atё qё ke prej vitesh?

Read More
Vlera e veres per bizneset
Shitjet & Marketingu

Vlera dhe ide marketingu veror për bizneset!

Vera mund të duket si një nga periudhat e ‘vdekura’ për mjaft biznese, sidomos nëse ju ofroni produkte dhe shërbime fizike që mund të aksesohen vetëm në dyqanin/pikën tuaj.

Sigurisht, dihet që vera është koha kur njerëzit orientohen më shumë nga pushimet, zbavitja dhe relaksi, ndaj jo gjithmonë mendojnë të blejnë produkte/shërbime që nuk i kanë aq të domosdoshme!

Personalisht gjykoj se vera ka një vlerë të veçantë që mund të shfrytëzohet me pak kreativitet!

Vera është mbase periudha e vetme kur klientët tuaj potencialë kanë kohën dhe qetësinë t’ju kushtojnë sado pak vëmendje për të kuptuar dhe mësuar më shumë rreth produkteve/shërbimeve tuaja. E theksoj, ata kanë kohën për t’u informuar/edukuar jo detyrimisht për t’u mbushur me reklama!

Pra, vera mund të jetë koha kur ata mund t’i kushtojnë ca më shumë vëmendje informimit mbi vlerat dhe zgjidhjet që ju i ofroni jetës së tyre.  Dhe gjasat janë që ata do t’ju kushtojnë edhe më shumë vëmendje nëse ju ia ofroni në mënyrë:

  • informative,
  • edukative, dhe/ose
  • zbavitëse!

Atëherë cilat do ishin disa alternativa apo ide se si mund ta kthenit verën tuaj në një periudhë të frytshme për ju dhe klientët tuaj ekzistues dhe potencialë?

Këto do ishin disa sugjerime konkrete:

  • Vijoni të publikoni materiale edukative/zbavitëse (jo reklama) në kanalet e ndryshme;
  • Ofroni këshilla dhe sugjerime konkrete për nevojat e klientëve tuaj, edhe nëse nuk kanë lidhje direkt me brandin tuaj;
  • Testoni formate apo kanale komunikimi që nuk i keni provuar shumë;
  • Krijoni gara apo lojëra zbavitëse;
  • Shpërndani dhurata falënderimi (+informacione);
  • Sponsorizoni aktivitete apo ide të reja që mbase nuk do kishin aq vlerë gjatë periudhave të tjera;
  • etj.

Si mendoni? Çfarë sugjerimesh të tjera keni?

Read More
Histori e vërtetë: Pse duhet t'i ndryshoni fjalëkalimet rregullisht?
Siguria & Privacia Online

Histori e vërtetë: Pse duhet t’i ndryshoni fjalëkalimet rregullisht?

Rishtazi një e njohura ime më kontaktoi për të kërkuar ndihmë me riaksesimin e llogarisë së kompanisë në Instagram.

Dukshëm dikush kishte marrë fjalëkalimin e Instagramit pasi kishte filluar të postonte mesazhe pa lidhje! Sugjerimi i menjëhershëm ishte ndryshimi i fjalëkalimit në Instagram së bashku me atë të adresës së email-it.

Pastaj e provoi të ndryshonte fjalëkalimin e Instagramit, kuptoi që personi që kishte marrë akses e kishte ndryshuar, rrjedhimisht i sugjerova ta rivendoste fjalëkalimin (reset) nëpërmjet adresës së email-it. Vetëm kështu arriti të ri-logohej me sukses në llogarinë e Instagram-it.

I rikujtova që duhet të ndryshonte edhe fjalëkalimin e email-it, dhe përgjigja ishte “po do ta ndryshoj”!

Instagram (logo)E gjithë kjo bisedë ndodhi herët në mëngjes. Gjysëm dite më vonë, ajo më rikontaktoi për të më njoftuar se ia kishin rimarrë aksesin e Instagram-it dhe për më tepër llogaria në Instagram nuk rezultonte më aktive!

Bëmë disa tentativa për ta rikthyer por politikat e Instagram-it për llogaritë që ‘fshihen’ apo ‘mbyllen’, ishte që mos t’i riaktivizonte më si adresa. Pra, lajmi edhe më i keq ishte fakti që emri i përdoruesit në Intagram nuk ishte më i vlefshëm dhe e gjithë puna për akumulimin e ndjekësve në këtë platformë tashmë kishte shkuar kot!

Kur e ri-pyeta nëse e kishte ndryshuar apo jo fjalëkalimin e email-it, mu përgjigj se nuk kishte pasur mundësi ta bënte në mëngjes pasi ishte me celular! Dukshëm personi që kishte marrë akses më herët e kishte rimarrë aksesin e llogarisë në Instagram-it dhe në shenjë demostrative e kishte fshirë!

Në shumicën e rasteve të tilla është shumë e vështirë të kuptosh se si apo në çfarë mënyre ju është vjedhur aksesi i llogarisë tuaj, por duhet të filloni të mendoni seriozisht që t’i paraprini situatave të tilla!

Disa sugjerime që kjo histori mos të përsëritet herën tjetër!

Përdorni një fjalëkalim të vështirësa herë e keni dëgjuar këtë këshillë? Ka nevojë ta dëgjoni edhe një herë apo do e bëni zakon? Ideja është që për ta bërë fjalëkalimin tuaj më të vështirë duhet të përdorni miks simbolesh, shenjash pikësimi, numrash dhe shkronjash, të mëdha e të vogla.

Fjalëkalim i vështirë dhe fjalekalim i lehtë
Fjalëkalim i vështirë dhe fjalekalim i lehtë

 

Ndryshojeni çdo 2-3 muaj – Ndryshojeni fjalëkalimin e email-it tuaj çdo 2-3 muaj, edhe më shpesh po mundët. Arsyeja pse sugjerojmë ndryshimin e fjalëkalimit të email-it më shpesh është sepse shumica e llogarive tuaja online sot janë të lidhura direkt ose indirekt me llogarinë e email-it. Rrjedhimisht, edhe kur ju humbisni aksesin në një shërbim apo faqe si Instagrami gjasat janë që ju mund ta rimerrni aksesin nëpërmjet adresës tuaj të email-it.

 

Aksesimi me dy hapa – Vendosni aksesin/verifikimin me dy hapa (two step verification) që të siguroheni që mund të rimerrni akses edhe kur ju vjedhin fjalëkalimin. Të gjithë ofruesit e mëdhenj të shërbimit të email si Gmail; Yahoo; Live; etj., e ofrojnë këtë shërbim. Nëse jeni biznes, atëherë ky opsion duhet të jetë i detyrueshëm. Unë përdor Google Authenticator për mjaft shërbime, si p.sh edhe për t’u loguar në këtë faqe të ndërtuar me WordPress.

Verifikimi me dy hapa
Përdorni verifikimin me dy hapa

 

Mos u fusni nga kompjutera apo internet publik – nëse është e mundur mos u fusni asnjëherë për të kontrolluar email-in apo llogaritë e tjera online nga kompjutera publikë (si p.sh. internet kafe), pasi aksesimi i llogarive tuaja nga interneti publik (kafene, lokale, etj.) mund të rezultojë në vjedhjen e aksesit. Ndaj, nëse ju duhet patjetër të logoheni nga një pajisje tjetër (përveç kompjuterit apo celularit tuaj personal); atëherë sigurohuni që ta ndryshoni fjalëkalimin menjëherë sapo të riktheheni te pajisja juaj personale në zyre apo në shtëpi.

Kujdes kur aksesoni llogarinë tuaj nëpër internet kafe
Kujdes kur aksesoni llogarinë tuaj nëpër internet kafe

Përdorni faqe me https (jo thjesht me http) – aksesimi i faqeve dhe shërbimeve online nuk mund të bëhet gjithnjë detyrimisht nga kompjuteri apo pajisja juaj personale dhe është gati e pashmangshme që mos të logoheni/futeni duke përdorur internetin publik (public wifi), por të paktën sigurohuni që faqja apo shërbimi që ju po aksesoni (si p.sh. adresa e email apo faqja ecommerce, etj.) aksesohet nëpërmjet protokollit të inkriptuar me certifikatë sigurie https. Ideja është që edhe nëse komunikimi juaj nëpër linja publike interneti monitorohet apo përgjohet nga palë të treta (siç ndodh rëndomë nëpër internet kafe), përdorimi i protokollit me certifikatë sigurie https do t’ju mbrojë duke e bërë shumë herë më të vështirë këtë lloj përgjimi.

protokolli i sigurte https
protokolli i sigurtë https

Mos i ruani fjalëkalimet në lundruesin tuaj – mund ta keni vënë re që sa herë që logoheni në një faqe të caktuar lundruesi juaj (browser) ju ofron mundësinë për ta ruajtur fjalëkalimin tuaj automatikisht me qëllim që ta keni më të lehtë dhe shpejtë për t’u futur në të ardhmen. Sugjermi im i thjesht është ‘mos e lejoni’. Pra mos ia besoni fjalëkalimet tuaja lundruesit tuaj por më mirë mbajini të shënuara diku tjetër ose përdorni shërbime dhe aplikacione si “Roboform”, “Keypass” dhe “Lastpass”, etj.

Update: Dikush pyeti po nëse kompjutrin tim e përdor vetëm unë dhe askush tjetër? Sugjerimi im mbetet praktikisht i njëjtë por kjo edhe për faktin që nëse kompjuteri juaj humbet, vidhet apo lundruesi që ju përdorni ka ‘vrima’ dhe nuk i ruan fjalëkalimet të inkriptuara, nëse dikush merr akses si p.sh. një virus, atëherë vendi i parë që do të kërkojë është direktoria ku ruhen fjalëkalimet e lundruesit tuaj!

kujtesa per te ruajtur fjalekalimin ne browser
Mos i ruani fjalëkalimet në lundruesin tuaj, sidomos kur nuk janë të inkriptuara!

Nëse keni sugjerime apo këshilla të tjera, atëherë ndajini me të gjithë nëpërmjet komenteve këtu poshtë.

Read More
mallkimi i mediave sofiale - web marketing
Marketingu dixhital

Vizitorët e angazhuar & strategjia e marketingut online

Nëse bëni marketing online, atëherë gjenerimi i vizitorëve të vazhdueshëm dhe të angazhuar është thelbi i suksesit afatgjatë të biznesit apo organizatës tuaj.

Ky shkrim do t’ju ndihmojë me disa koncepte thelbësore si të përmirësoni strategjinë tuaj të marketingut online.

Aktualisht, ‘mediat sociale’ dhe ‘motorët e kërkimit’ janë dy nga burimet kryesore që gjenerojnë vizitorë për shumicën e faqeve sot në internet. Në vartësi të llojit të faqes që keni, mediat sociale mund t’ju sjellin nga 40% deri në 80% të totalit të vizitorëve. Ndërkohë, nëse ju nuk jeni duke gjeneruar mjaftueshëm vizitorë nga mediat sociale atëherë burimi i dytë kryesor ka shumë gjasa të jenë motorët e kërkimit (p.sh. Google, Bing, etj.) pra vizitorët që vijnë duke hulumtuar në internet. Burimet e tjera të vizitorëve sigurisht mbeten Vizitat direkte, Referencat, Email marketing, etj.

Në këtë shkrim do fokusohemi te vizitorët nga dy burimet kryesore për t’ju ndihmuar të rivlerësoni strategjinë tuaj online.

Dy burimet kryesore te vizitoreve

Si ndikon niveli i angazhimit të vizitorëve nga motorët e kërkimit vs. mediat sociale

Sigurisht, mediat sociale po i konkurrojnë fort motorët e kërkimit në gjenerimin e vizitorëve për faqet në internet. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi shumë faqe sot arrijnë të gjenerojnë mjaft vizitorë falë mediave sociale.

Por, një nga dallimet kryesore ndërmjet vizitorëve që vijnë nga motorët e kërkimit dhe atyre nga mediat sociale është niveli i angazhimit (apo përkushtimit) të këtyre vizitorëve.

Ata që vijnë nga motorët e kërkimit janë më të qëllimshëm në atë që dëshirojnë dhe rrjedhimisht edhe më të prirur për t’u angazhuar me produktin/shërbimin që ju ofroni në faqen tuaj.

Vizitorët e angazhuar janë ata që më pas ‘konvertohen’ në lexuesit besnikë apo klientë të rregullt të biznesit/organizatës tuaj.

Më konkretisht, kur një person bën një kërkim në Google apo Bing ai/ajo tregon se ka një nivel të caktuar interesimi për atë që po kërkon. Ndërsa vizitorët nga mediat sociale shpesh janë pasivë dhe të pavendosur!

Vizitorët nga mediat sociale konsumojnë apo klikojnë ato që iu dalin përpara (pra janë pasivë) pa qenë gjithnjë të qëllimshëm apo të përkushtuar për t’u angazhuar mjaftueshëm me produktin/shërbimin që i serviret nëpërmjet mediave sociale.

Pra, edhe pse vizitorët nga mediat sociale mund të jenë më të shumtë ata janë vazhdimisht më pak të angazhuar për të marrë një vendim, sidomos kur synimi juaj është t’u shisni diçka apo t’i nxisni të ndërmarrin një veprim!

 

Mallkimi i mediave sociale

Vetë natyra ‘kalimtare’ e mediave sociale është edhe arsyeja pse prej kohësh ato e masin ‘engagement’ apo angazhimin si treguesin më të rëndësishëm për fansat tuaj brenda mediave sociale. Por angazhimi i vizitorëve në mediat sociale nuk është gjithnjë i barabartë me ‘konvertimin e menjëhershëm’ të tyre në vizitorë apo klientë besnikë të biznesit/organizatës tuaj!

Ndaj, nëse synoni të qëndroni në vëmendjen e ‘fansave’ tuaj, jeni të detyruar të punoni fort që ta mbani vazhdimisht të lartë nivelin e angazhimit të tyre nëpërmjet publikimeve dhe materialeve interesante, ndryshe ata ju harrojnë kollaj (dalja nga vëmendja e fansave = mallkimi i mediave sociale*)!

 

Çfarë duhet të keni parasysh që të gjeneroni vizitorë të angazhuar në afatgjatë?

Siç e përmendëm pak më sipër, vizitorët nga mediat sociale janë shpesh më të shumtë por ata kanë probleme me ‘përkushtimin’ apo angazhimin. Ata janë vazhdimisht në lëvizje dhe niveli i vëmendjes që mund t’ju kushtojnë është vazhdimisht i ndryshueshëm dhe në rënie.

Një moment mund t’ju ‘pëlqejnë’ dhe t’ju ndjekin me interes pastaj, brenda pak sekondash, mund t’ju harrojnë tërësisht për të ndjekur diçka tjetër, mbase pa lidhje fare me interesin fillestar!

Pra, ‘mallkimi i mediave sociale*’ bën që ju të jeni të detyruar të publikoni materiale që gjenerojnë ‘ngacmime të vazhdueshme’ për të mbajtur sadopak konstante vëmendjen e ndjekësve tuaj brenda mediave sociale! Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ju publikoni materiale të lehta pa shumë përmbajtje!

Ndërkohë, situata me vizitorët nga motorët e kërkimit është disi më pozitive në këtë drejtim. Ju mund të keni publikuar disa shkrime apo materiale në faqen tuaj, të cilat sakaq janë indeksuar në motorët e kërkimit. Më pas, materialet e publikuara në faqen tuaj fillojnë të gjenerojnë vizitorë të interesuar nga të gjitha anët e botës që janë vërtetë të angazhuar dhe të interesuar në atë që ju ofroni nëpërmjet faqes tuaj (pra janë aktivë).

Kjo nuk do të thotë që ju duhet të ndaloni së publikuari materiale të reja dhe me vlerë. Por nëse e bëni këtë gjë vetëm në mediat sociale, atëherë edhe vlera e publikimeve tuaja mbetet afatshkurtër dhe nuk ju ndihmon për të gjeneruar vizitorë të tjerë.

Sipas disa statistikave të mbledhura nga postime për industrinë e turizmit, kohëzgjatja mesatare e një ‘status update’ publikimi në Facebook ishte vetëm 90 minuta. Pra pas rreth 90 minutash postimi juaj në Facebook e humbet tërësisht vlerë e vetë pasi nuk e sheh më askush. Ndërkohë, që nëse e publikoni në faqen tuaj ai publikim mund të zbulohet dhe lexohet edhe vite më vonë!

 

Si mund t’i menaxhoni të dyja burimet njëherësh?

Prandaj, kur ju keni një strategji të mirë për publikimin e materialeve cilësore në faqen tuaj, që indeksohen në motorët e kërkimit, atëherë investimi në publikimin e materialeve do vijojë t’ju sjellë vizitorë realisht të interesuar në ato që ju ofroni. Këto publikime më pas ju mund t’i ri-publikoni lehtësisht edhe nëpër mediat sociale që të mund të gjeneroni vizitorë shtesë falë tyre!

Nëse publikoni rregullisht materiale cilësore në faqen tuaj, shumicën e kohës ju nuk do keni nevojë të bëni shumë publikime për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve tuaj (kundrejt publikimit ezaurues nëpër mediat sociale). Publikimet e rregullta do t’i ndihmojnë vizitorët tuaj të rikthehen në faqen tuaj rregullisht duke rritur kështu gjasat që të bëhen lexues të rregullt apo klientë besnikë. Publikimi i rregullt dhe cilësor gjithashtu është edhe arsyeja pse vizitorët tuaj do rikthehen, pasi ata nuk mund të vijnë për të lexuar apo konsumuar të njëjtat informacione disa herë (‘informacioni i përditësuar’ është edhe një nga arsyet e suksesit të mediave sociale)!

 

Në përfundim

Sekreti i suksesit me të gjitha burimet e gjenerimit të vizitorëve është fakti që juve ju duhet të punoni seriozisht me publikimin e materialeve dhe informacioneve me interes për ndjekësit dhe vizitorët tuaj potencialë.

Në përfundim, strategjia afatgjatë është ‘diversifikimi’ dhe menaxhimi strategjik i burimeve që gjenerojnë vizitorë për faqen tuaj! Kuptohet, gjenerimi i vizitorëve është vetëm pjesa e parë, pasi më pas ju duhet t’i bindni (konvertoni) ata që të qëndrojnë si vizitorë apo klientë të rregullt, por ky është një shkrim tjetër!

P.S. *mallkimi i mediave sociale – është një shprehje që e kam shpikur për të treguar orvatjen e vazhdueshme që ju duhet të bëni për të mbajtur të lartë angazhimin dhe përkushtimin e ndjekësve tuaj në mediat sociale.
Read More
OSCAL 2015

Bëhuni pjesë e OSCAL 2016 – (14-15 maj)

Përshëndetje miq,

Nëse do jeni në Tiranë këtë fundjavë (14-15 maj), atëherë ju ftojmë të bëheni pjesë e konferencës së përvitshme OSCAL 2016 (Open Source Conference Albania). Në vitin e saj të tretë konferenca sjell folës dhe prezantues nga e gjithë bota për t’ju ndërgjegjësuar dhe nxitur për përhapjen e njohurive të hapura, softuerëve të hapur, si pjesë e një lëvizjeje botërore.

Personalisht ndihem i nderuar që do prezantoj një nga minisesionet (workshop-et) në këtë konferencë. Ndaj ju ftojë të takohemi atje madje të njiheni edhe me persona të tjerë që kontribuojnë rregullisht pas kuintave këtu te SfidaBiznesi.com

Edhe sikur të mendoni që nuk e gjeni veten në këtë botë teknikësh dhe zhvilluesish, ju siguroj që ndër ato dhjetëra prezantime do gjeni patjetër diçka që t’ju ndihmojë me zgjidhje për nevojat tuaja si profesionist apo për biznesin/organizatën tuaj.

Shihni axhendën që të bindeni: https://oscal.openlabs.cc/agenda/

Prezantimi im për Mautic (datë 15, ora 9:45AM-10:45AM)

MauticPrezantimi im do jetë për një soft shumë pak të njohur në Shqipëri, por që është me shumë interes për ata prej jush që kërkoni zgjidhje për automatizimin e marketingut tuaj dixhital dhe që nuk keni mundësi të paguani kosto mujore shërbimi që fillojnë nga minimalisht $50/muaj deri në qindra dhe mijëra dollarë në muaj.

Aktualisht, këtë soft e përdor rregullisht për tre biznese/organizata të ndryshme.

Softi në fjalë quhet Mautic por nëse jeni vërtetë të interesuar të kuptoni se si funksionon dhe se si mund ta vini në funksion të biznesit apo organizatës tuaj, atëherë ju ftoj të bëheni pjesë e kësaj konference. Nëse nuk keni mundësi të bëheni pjesë e kësaj konference atëherë mund të më kontaktoni edhe individualisht për më shumë detaje.

 

Informacion për konferencën

Nëse vendosni që të merrni pjesë në konferencë (hyrja është falas, por me regjistrim):

  1. Vizitoni https://oscal.openlabs.cc/ – për informacione të përgjithshme
  2. Regjistrohuni këtu: https://oscal.openlabs.cc/registration/
  3. Shikoni Axhendën e konferencës për të zgjedhur çfarë ju intereson: https://oscal.openlabs.cc/agenda/
Read More
Fillimet e biznesit

Këshilla për sipërmarrësit e rinj (nga Aftesi.info)

Ndër gjërat që bëjmë me këtë faqe por edhe faqe të tjera është monitorimi i interesit të lexuesve tanë bazuar mbi statistikat e gjeneruara nëpërmjet Google Analytics. P.sh. faqet më të lexuara, shkrimet më të kërkuara, etj., janë njëra pjesë e vëzhgimit që bëjmë rregullisht. Pjesa tjetër e vëzhgimit realizohet nëpërmjet mesazheve me email apo kontakteve që kemi vazhdimisht me ju.

Nga vëzhgimet e deritanishme, kemi vërejtur që një pjesë prej jush vijnë në këtë faqe nëpërmjet fjalëve kyçe si p.sh.: ‘ide biznesi’; ‘si të filloj një biznes’; ‘sipërmarrja’; ‘si të hap një biznes’; etj. Ndaj, e gjykuam me vlerë t’ju sugjerojmë një shkrim që besojmë i përgjigjet interesimit të një pjese prej jush.

Kjo video sjell “11 këshilla për sipërmarrësit e rinj” nga tre ekspertë dhe profesionistë të fushës të ofruara në kuadër të një nisme nga UNDP Albania me qëllim nxitjen e vetëpunësimit.

 

Ekspertët në fjalë janë:

Dritan Mezini – Sipërmarrës
Dritan Mezini, eksperti në fushën e Menaxhimit të IT dhe Menaxhimit të Projekteve është shumë i qartë për të rinjtë: “Nëse ti e dashuron lirinë ti e zgjedh vetëpunësimin… Për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm të duhen njohuri rreth profesionit dhe shumë dashuri, të dashurosh atë që dëshiron të bësh”

 

Ingrid Xhaja – Sipërmarrëse
Ingrid Xhaja e ka nisur rrugëtimin e saj si sipërmarrëse herët. Në këtë intervistë ajo flet për gabimet që duhen evituar nga momenti i parë kur na vjen ideja e të hapurit një biznes. “Shumë shpesh biznes plani ta hedh të gjithë planin në tokë sepse ti ke menduar diçka tjetër, por shifrat, kërkimet dhe informacionet që mbledh të tregojnë diçka tjetër. Është shumë e rëndësishme që biznes planin ta shohim me një sy shumë kritik, të mos e veshim me rozë”

 

Prof. Dr. Ilia Kristo – Ekspert Ekonomie
Eksperti i njohur i ekonomisë, Prof. Dr. Ilia Kristo jep disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë biznesin e tyre. “Duhet përmendur se modeli i konsumit në Shqipëri po ndryshon. Orientimi i kërkesave të konsumatorit tashmë është kah produkteve agrare.  Kjo do të thotë që ky është sektori i parë që sipërmarrësit e rinj duhet të orientohen”.

Read More
Metrikat e Google Analytics
Fillimet e biznesit, Marketingu dixhital, Teknologjia

Si t’i interpretoni statistikat kryesore të ndërveprimit? (pjesa e dytë)

Metrikat kryesore te nderveprimit shqip

Ky shkrim është pjesa e dytë e shkrimit: Si ta masni efikasitetin e faqes së biznesit/organizatës. Ndaj ju ftojmë të lexoni shkrimin e parë për më shumë qartësi.

Për efekt ilustrimi do të përdorim statistikat e ndërveprimit të vizitorëve me SfidaBiznesi.com

Ju sqarojmë se synimi kryesor i kësaj faqeje nuk është të gjenerojë sa më shumë vizitorë (për efekt numri) se sa lexues të mirëfilltë të cilët konsumojnë sa më shumë prej shkrimeve që ne kemi publikuar.

Sesionet – sipas imazhit të mësipërm shohim që përqindja e sesioneve/vizitave të vitit 2016 krahasuar me ato të vitit 2015 ka pësuar një rënie me -10.75%, pra ka rënë nga 2,261 sesione në vitin 2015 në 2,018 sesione në vitin 2016. Kjo nënkupton që numri total i vizitave nga viti i kaluar ka pësuar një rënie. Arsyet pse kjo metrikë ka ndryshuar negativisht lidhen me disa aspekte të mënyrës se si ne po e reklamojmë/marketizojmë faqen këtë vit. Por ju sigurojmë që kjo nuk na shqetëson, pasi siç e përmendëm metrikat duhet të jenë në funksion të synimit kryesor që ne kemi në lidhje me vizitorët e faqes tonë, i cili nuk është aq shumë sasior se sa cilësor!

Users – përdoruesit unikë apo vizitorët unikë gjithashtu kanë pësuar një rënie me nga 1,409 vizitorë unikë në 2015 në 1,334 vizitorë unikë për të njëjtën periudhë 30 ditore të krahasuar ndërmjet vitit 2015 dhe 2016. Kjo rënie me -5.32% nënkupton që nuk kemi pasur një rritje me vizitorë të rinj unikë, pra mbetet një tregues negativ që duhet përmirësuar.

Pageviews – ndërkohë ‘faqet e klikuara/vizituara’ është rritur me 142.51%. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që në vitin 2015 për të njëjtën periudhë 30 ditore të kishim vetëm 3,063 faqe të vizituara dhe ndërkohë në vitin 2016 ky numër të jetë rritur në 7,428 faqe të vizituara. Për rastin tonë ky është edhe një tregues mjaft pozitiv dhe në përputhje edhe me synimin tonë për të rritur ndërveprimin e lexuesve tanë me shkrimet. Disa nga faktorët që kanë ndikuar pozitivisht lidhen me numrin e shkrimeve që kemi publikuar, llojet e shkrimeve, teknikat për të nxitur leximin e shkrimeve të tjera brenda faqes, përzgjedhjen e lexuesve nëpërmjet kanaleve të marketingut, ndryshimi i dizajnit, etj., etj.

Pages / Sessions – gjithashtu edhe raporti i ‘faqeve të vizituara për çdo vizitë’ është përmirësuar ku numri i faqeve që çdo vizitor ka shikuar gjatë një vizite është rritur nga 1.35 faqe për vizitë në 3.68 faqe për çdo vizitë, ose thënë ndryshe një rritje me 171.71% nga 2015 në 2016-ën. Përmirësimi i këtij raporti është rezultat direkt i statistikës bazë që është numri i ‘faqeve të vizituara’ apo ‘pageviews’.

Avg. Session Duration – Raporti i kohëzgjatjes mesatare për çdo vizitë, pra koha mesatare që një vizitor shpenzon duke shikuar faqet e brendshme është përmirësuar gjithashtu me një raport fantastik prej 758.98%, pra ka shkuar nga një kohëzgjatje mesatare prej vetëm 0.08 sekonda në vitin 2015 në 1.07 minuta për çdo vizitë që është bërë gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2016. Ky ndryshim lidhet drejtpërdrejtë me përmirësimin e ndërveprimit të vizitorëve me përmbajtjen dhe funksionimin e faqes dhe është padyshim një raport ‘cilësor’ se sa thjesht ‘sasior’! Për faqen tonë kjo nënkupton që përmbajtja e faqes është vërtetë interesante dhe vizitorët dëshirojnë vërtetë të kalojnë kohë për t’i lexuar shkrimet.

Bounce Rate – edhe ky raport ka pësuar një përmirësim të ndjeshëm nga viti 2015 në 2016-ën me një ndryshim pozitive prej -89.46%. Thënë më qartazi, në vitin 2015 numri i personave që vizitonin vetëm 1 faqe dhe pastaj dilnin (kërcenin jashtë faqes) ishte plot 81.78% i totalit të vizitorëve, pra shumica dërmuese as që merrnin mundimin të eksploronin faqet e tjera pasi kishin parë faqen e pare, dhe vetëm diçka më shumë se 18% e tyre (pjesa tjetër) qëndronin më gjatë në faqe për të shikuar faqet e tjera. Ndërkohë, që në vitin 2016 ky raport u krye përmbys ku tani vetëm 8.62% e totalit të vizitorëve shikojnë vetëm 1 faqe dhe pastaj dalin jashtë. Pjesa tjetër, pra mbi 91% e totalit të vizitorëve qëndrojnë duke klikuar edhe në faqe të tjera të brendshme ose mesatarisht 3.68 faqe për çdo vizitë (Pages/Sessions) dhe harxhojnë mesatarisht 1.07 minuta për çdo vizitë (Avg. Session Duration).

Në përfundim

Kjo është një hyrje disi e përmbledhur e raporteve dhe metrikave që ju ofrohen nëpërmjet Google Analytics për të matur ndërveprimin e vizitorëve me faqen tuaj. Do ishte e pamjaftueshme të themi që nëse kapim një kuotë të caktuar vizitorësh, atëherë duhet të jemi të kënaqur pasi nëse ata vizitorë nuk ndërveprojnë me faqen tuaj, atëherë gjasat janë që ata nuk do kthehen më dhe po kështu do të jetë edhe probabiliteti i arritjes së objektivave tuaja në një periudhë më të gjatë.

Read More
Metrikat e Google Analytics
Fillimet e biznesit, Marketingu dixhital, Teknologjia

Google Analytics: Zbuloni cfarë bëjnë vizitorët e faqes tuaj

Ju mund të jeni duke bërë një punë mjaft të mirë për të përditësuar përmbajtjen apo reklamuar faqen e biznesit/organizatës tuaj në internet.

Por sa efikase është puna juaj?
Çfarë kriteresh përdorni që ta masni efikasitetin e faqes në funksion të objektivave të biznesit apo organizatës tuaj?

Nëse puna juaj është thjeshtë një përpjekje për t’i bërë qejfin vetes apo shefit atëherë kjo mbase mjafton! Por nëse faqja i shërben vizitorëve tuaj, atëherë efikasiteti i vërtetë i punës tuaj varet nga ndërveprimi i vizitorëve me faqen tuaj!

Ndërveprimi i tyre = përmbushja e funksionit të faqes për biznesin/organizatën tuaj! A jeni duke e matur këtë ndërveprim?

Si marketier dhe uebmaster insistoj që ta lidh çdo faqe që menaxhoj me shërbimin e Google Analytics. Ky shërbim mundëson mbledhjen dhe matjen e statistikave të faqeve, pra ndërveprimin e vizitorëve me faqen tuaj.

Fakt: 50-70% e faqeve më të mëdha në internet përdorin Google Analytics dhe shumica e ekspertëve e përdorin gjithashtu sepse është ndër më të mirat dhe vlera e këtij shërbimi është e pamatshme edhe për faktin që është pa pagesë!

Atëherë, si mund ta masni ecurinë e faqes tuaj?

Një nga mënyrat më të lehta që keni për ta matur ecurinë e faqes tuaj, është duke i krahasuar statistikat e gjeneruara nga Google Analytics me ato të një muaji apo një viti më përpara. Ju sigurisht mund të vendosni edhe objektiva të qarta për numrin total të vizitorëve që dëshironi të arrini apo të keni objektiva që lidhen me rritjen e vizitorëve nga burime specifike si p.sh. vizitat organike, vizitat e drejtpërdrejta, ato të referuara nga faqe të tjera, ato të referuara nga mediat sociale, etj.

Për rastin tonë dhe për efekt qartësie nuk do fokusohemi te përdorimi i ‘krahasimit’ të statistikave sipas dy periudhave kryesore për të kuptuar se si po shkojnë gjërat.

Metrikat kryesore të matjes së ndërveprimit (statistikat)

Google Analytics në ‘dashboard’-in e vetë zakonisht jep 6 metrika kryesore (brenda  ka shumë të tjera):

Sessions – ‘sesionet’ apo ‘vizitat’

Sessions – këto mund t’i quajmë ‘sesionet’ apo ‘vizitat’ sipas preferencës, pasi të dyja përkthimet e termit besoj se përçojnë qartë konceptin bazë. Sesionet përfaqësojnë numrin total të vizitave që janë realizuar në faqen tuaj për një periudhë të caktuar. Zakonisht, Google Analytics ju tregon statistikat për 30 ditët e fundit.

Users- ‘përdoruesit apo vizitorët unikë’

Users – këta janë ‘përdoruesit apo vizitorët unikë’. Ndryshimi me ‘sesionet’ është fakti që një ‘përdorues’ mund të bëjë disa ‘vizita/sesione’ në një periudhë të caktuar. P.sh. unë si ‘përdorues/vizitorë unik’ mund të futem për të vizituar një faqe të caktuar një apo disa herë brenda një periudhe të caktuar, p.sh. brenda 30 ditëve të fundit. Pra një person mund ta vizitojë të njëjtën faqe disa herë gjatë muajit. Kjo përkthehet në disa ‘sesione’ por vetëm në një ‘përdorues/vizitor unik’. Rrjedhimisht, për efekt të metrikave që mblidhen dhe llogariten nga Google Analytics, unë (si vizitor) raportohem si ‘1 vizitor unik’ që ka realizuar ‘disa sesione/vizita’ brenda një periudhe tw caktuar, zakonisht 30 ditët e fundit.

Pageviews – apo faqet e vizituara/klikuara/ shikuara/këqyrura

Pageviews – apo faqet e klikuara/ shikuara/këqyrura – vendoseni ju! Kur jam përpjekur t’ia shpjegoj këto statistika kryeredaktorit të një gazete, ai e kishte më të lehtë që ta kuptonte konceptin e ‘pageviews’ si ‘klikime’ që bëhen brenda faqes. Pra sa herë që një ‘vizitor’ viziton faqen tuaj në internet, ai ‘klikon’ për të shkuar nga njëra faqe në tjetrën, dhe rrjedhimisht gjeneron ‘klikime’ apo ‘pageviews’ brenda faqes. Besoj se jemi ende në kohë për të caktuar një term më të saktë në shqip, por besoj se edhe nëse themi ‘shikime’ apo mund të përdoret edhe fjala e bukur gege ‘kqyrje’. Pse maten ‘pageviews’ ? Ato ju ndihmojnë të kuptoni popullaritetin e vetë faqes tuaj, pasi sa më shumë të tilla të keni, aq më shumë ju kuptoni që shkrimet dhe materialet tuaja po lexohen/shikohen.

Pages/Sessions – raport i ‘faqeve të shikuara për çdo vizitë/sesion’

Pages/Sessions – ky raport i ‘faqeve të shikuara për çdo vizitë/sesion’ synon t’ju japë një mesatare të numrit të faqeve që janë klikuar/shkuar për çdo sesion. Pra, ky raport nxjerr një mesatare të numrit të faqeve që unë si ‘vizitor’ ‘klikoj’ apo vizitoj gjatë një ‘vizite’ normale. Rëndësia e këtij raporti lidhet me faktin që sa më i lartë të jetë numri i faqeve të klikuara/vizituara, aq më i lartë konsiderohet të jetë edhe angazhimi (engagement) i vizitorëve tuaj me materialet e publikuara në faqen tuaj. Thënë ndryshe, kur ky raport është i lartë atëherë ju mund të nënkuptoni që përmbajtja e faqes tuaj është vërtetët interesante aq sa vizitorët kanë dëshirë të kalojnë kohë për të konsumuar. Pra nuk vijnë për të parë vetëm një faqe dhe pastaj largohen.

Avg. Session Duration – Mesatarja e kohës së shpenzuar për sesion

Avg. Session Duration – ky raport ju tregon mesataren e kohës që një vizitor shpenzon në faqen tuaj. Ideja është që nëse koha që vizitorët kalojnë në faqen tuaj është e ulët, atëherë gjasat janë që përmbajtja apo prezantimi i faqes tuaj nuk është aq interesant sa t’i nxisë ata të kalojnë kohë të mjaftueshme për ta konsumuar.

Bounce rate – raporti i vizitorëve me 1 vizitë (vizitë teke)

Bounce rate – ky raport ju ndihmon të kuptoni se sa përqind e vizitorëve tuaj futen dhe largohen pa vizituar faqe të tjera. ‘Bounce’ përkthehet si ‘kërcim apo dalje jashtë faqes’ që në rastin tonë përdoret me kuptimin e vizitorëve që futen dhe pastaj ‘kërcejnë’ apo dalin nga faqja pasi kanë parë vetëm një faqe, pa klikuar/vizituar faqet e tjera. Një normë e mirë është që ky raport të jetë sa më poshtë kuotës 50%, pra kur gjysma e vizitorëve tuaj ndalojnë mjaftueshëm dhe vizitojnë më shumë se një faqe.

Lexoni edhe pjesën e dytë: Si t’i interpretoni metrikat kryesore të ndërveprimit?

Read More
Normat e komunikimit në biznes
Menaxhimi, Udhëheqja

Respekti: Norma e komunikimit në biznes

Një nga aspektet aq shpesh të neglizhuara është komunikimi me respekt, mund të themi thjesht komunikimi, por veçanërisht në kulturën shqiptare të biznesit duhet theksuar edhe respekti në komunikim pasi përplasjet apo diferencat ndërmjet shtresave kulturore, intelektit apo edhe bindjeve morale i bëjnë njerëzit që të diskriminojnë në sjelljen dhe njëherazi në komunikimin e tyre. Ka një mori modelesh komunikimi por aktualisht dua të prek shumë shkurt dy prej tyre.

Komunikimi brenda biznesit

Përsa i përket komunikimit brenda biznesit, d.m.th komunikimi me kolegët apo eprorët me nënpunësit, duhet mbajtur gjithnjë një komunikim i hapur ku mund të diskutohen dhe debatohen idetë, sugjerimet, komentet apo edhe ndryshimet e mendimeve të njërës palë me tjetrën.

Ky lloj komunikimi ku respektohen mendimet dhe idetë e tjetrit, ku pranohen edhe idetë e kundërta, jo thjesht si urdhëra për t’u bindur por minimalisht për t’u konsideruar, ndihmon në krijimin e kushteve ku mbështetet zhvillimi i mëtejshëm i biznesit, i risive, i shërbimit dhe produkteve që ofron ky biznes.

Komunikimi me klientët

Sërish, mungesa e respektit në komunikimin me klientin është një situatë e vështirë në të cilën gjendet biznesi shqiptar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht janë për arsye përzjerje shtresash të ndryshme sociale dhe kulturore brenda vendit të cilat domosdo çojnë edhe në keqkuptime dhe mungesë respekti për tjetrin, ku në rastin tonë i bie të jetë klienti!

Koncepti perëndimor i marrëdhënies dhe trajtimit të klientit përmblidhet shumë qartazi nga shprehja “klienti është mbret” dhe ashtu duhet të jetë realisht edhe në ambientet e biznesit shqiptar ku klienti duhet vënë i pari mbi preferencat apo bindjet zakonore të atij që e ka biznesin (pronarit). Gjithësesi, duhet të pranojmë që çdo gjë kërkon kohën e vetë dhe brumosja e vlerave të mirëfillta të respektit ndaj klientit, dhe veçanërisht komunikimit me respekt për klientin, i duhet koha e vet.

Është e pamundur ta trajtosh të plotë këtë temë, por si fillim mund t’ju themi se një nga synimet e kësaj faqeje është pikërisht përçimi dhe përhapja e këtyre ideve dhe konsumimi i tyre me një audiencë në rritje për të pasur një ndikim sa më të gjerë.

Read More
Fillimet e biznesit, Marketingu dixhital

Si kategorizohen faqet e biznesit?

Ndonëse në ditët e sotme në internet ka shumë tipe faqesh që kryejnë një shumëllojshmëri funksionesh apo përmbushin synime të ndryshme, për rastin tonë do prezantojmë kategoritë bazë të faqeve të biznesit.

Thënë ndryshe: nëse ju jeni duke menduar të krijoni apo keni sakaq një faqe e cila është në funksion të biznesit tuaj, synimi (kategorizimi i faqes) është baza mbi të cilën mund të vlerësohet më mirë funksionimi dhe efikasiteti i vetë faqes.

Sqarim: Këtu nuk po flasim për faqet në Facebook (shih shënimin në paragrafin e fundit)

Tregti online (e-commerce)

tregti onlineFunksioni kryesor i këtyre faqeve është mundësimi i shitjes së produkteve dhe shërbimeve të ndryshme që ofron biznesi juaj direkt nga faqja, pra pa pasur nevojë që klienti të paraqitet pranë dyqanit apo zyrave të biznesit përkatës. Ndonëse ende në fillimet e veta këto lloj faqesh po përhapen relativisht shpejt edhe në Shqipëri, por ekzistojnë ende mjaft pengesa për zhvillimin e shpejtë të këtyre lloj faqesh.

Dy shembuj (ShtepiaeLibrit.com; Neptun.al; etj)

Gjenerimin shitjesh (lead generation)

gjenerim shitjeshKëto lloj faqesh, në pamje të parë nuk duket se ndryshojnë shumë nga faqet për shitjet online, por në fakt funksioni i tyre kryesor është ai nxitës/reklamues pasi shitja e produkteve apo shërbimeve ndodh tjetër kund. Për shembull, një faqe e cila reklamon rrobat apo shërbimin e konsulencës, por nuk e shet këtë shërbim direkt nëpërmjet faqes online, në fakt u ofron klientëve potencialë të kompanisë mundësinë që të vihen në kontakt direkt me përfaqësuesit e saj për të përfituar produktin apo shërbimin e dëshiruar. Kontakti me kompaninë bëhet më pas me email, telefon, duke vizituar dyqanin/zyrën e biznesit, etj. (Shembuj janë shumica e faqeve të agjencive imobiliare, turistike, etj).

Publikime të ndryshme

Publikime të ndryshmeRasti më tipik i këtyre lloj faqesh janë gazetat apo revistat e ndryshme të cilat sigurisht ofrojnë shkrimet dhe publikimet e tyre për lexuesit e ndryshëm. Ky model biznesi funksionon nëpërmjet shitjes së abonimeve online për lexuesit e ndryshëm ose/dhe shitjes së hapësirave reklamuese te bizneset e tjera apo palët e treta, të cilat efektivisht i përdorin këto faqe për t’i vënë në funksion të gjenerimit të shitjeve për produktet apo shërbimet që ata ofrojnë nëpërmjet faqes së tyre ose pikave të shitjes/zyrës, etj.

Ndihmë ndaj klientit (support)

Ndihmë ndaj klientit (support)Ndonëse disi më pak i njohur për audiencën shqipfolëse, funksioni i këtyre lloj faqesh është lehtësisht i kuptueshëm. Nëse biznesi apo kompania juaj ofron një shërbim apo produkt të caktuar, funksioni i kësaj lloj faqeje është t’u ofrojë mbështetje klientëve tuaj ekzistues dhe potencialë në lidhje me nevojat/pyetje që ata kanë në lidhje me produktin apo shërbimit tuaj. Një rast mjaft tipik dhe i mirënjohur është faqja e DigitAlb-it kur një pjesë e mirë e funksionit të saj i përkushtohet mbështetjes së klientëve ekzistues me informacione dhe përgjigje për problemet që ata kanë si abonentë. Këto lloj faqesh ofrojnë informacione teknike ose forume ku klientët mund të gjejnë zgjidhjet që u nevojiten.

Branding (imazhi i kompanisë)

Branding (imazhi i kompanisë)Ndonëse, ky është një nga funksionet më bazë të çdo faqeje interneti nëpërmjet të cilit përçohet imazhi dhe emri i kompanisë (branding) te klientët ekzistues dhe ata potencialë. Efektivisht, çdo faqe interneti është një faqe që ka për funksion “branding” – pra përçimin e imazhit dhe përhapjen e emrit të kompanisë apo biznesit përkatës te një audiencë sa më e gjerë. Edhe një faqe e thjeshtë kontakti, në fakt është faqe që përçon imazhin tuaj te klientët, pra duhet treguar kujdes që imazhi juaj të jetë gjithnjë i kuruar!

Faqet në Facebook

Një numër i madh biznesesh duket sikur e kanë “zgjidhur” problemin e faqes online me një faqe në Facebook. Por, duhet sqaruar se Facebook nuk është gjë tjetër veç se një rrejt social (sigurisht më i madhi aktualisht) por që nuk duhet të mbetet si burimi kryesor i prezantimit tuaj online, pasi kjo përmban shumë rreziqe ndër të cilat mund të përmendim a) Facebook mund t’i ndryshojë rregullat kur të dojë, mund t’ju penalizojë, kufizojë ose rrisë kostot e përdorimit; b) jo të gjithë klientët tuaj ekzistues apo potencialë janë në Facebook; c) Facebook është sot për sot rrjeti më i madh social në botë, por edhe për sa kohë! d) etj.

Në përfundim

Duhet të sqarojmë se synimi i një faqeje nuk mund të jetë i kufizuar vetëm në funksionin kryesor të saj, por përcaktimi i synimit (apo kategorizimi) i faqes është baza mbi të cilën mund të vlerësohen mirëfunksionimi dhe efikasiteti i vetë faqes.

Keni ndonjë sugjerim për ndonjë tip tjetër faqeje? Mos nguroni ta sugjeroni te komentet…

Read More
Elvis Plaku duke prezantuar ne Mozilla Tech Speakers

Mozilla Tech Speakers Tirana #1 & OSCAL 2016

Mozilla Tech Speakers Tirana #1

Këtë fundjavë (2 prill 2016) pata nderin të isha ndër prezantuesit e parë në mbështetje të programit “Mozilla Tech Speakers Tirana #1”, organizuar nga Open Labs.

Edhe pse jo zyrtarisht, aktiviteti u përshëndet edhe nga ministrja aktuale e Inovacionit – Znj. Milena Harito e cila përshëndeti pjesëmarrësit dhe i përgëzoi të gjithë për iniciativa të tilla.

Mozilla Tech Speakers është një program ku aktivizohen prezantues dhe ligjërues, kryesisht brenda komunitetit të Mozilla, të cilët ofrojnë trajnime dhe mentorojnë pjesëmarrësit (shumica studentë) për t’i ndihmuar ata të rriten në aftësitë e tyre prezantuese në skenë, si nga ana oratorike, si dhe teknike.

Aktiviteti organizohet nën çadrën e komunitetit OpenLabs që është një organizatë shqiptare jo qeveritare, jo fitimprurëse, e cila promovon iniciativa free libre open source që prej vitit 2012.

Personalisht kam pasur nderin të isha pjesëmarrës që në takimet e tyre të para dhe mbetem entuziast për kontaktet dhe bashkëpunimet ndër vite.

Entuziazmi im vjen edhe nga fakti që vetë (edhe pse jo me sfond si zhvillues) mbetem një përdorues i hershëm i platformave dhe softeve ‘open source’ si WordPress, Mambo, Joola, PrestaShop, Mautic, etj., dhe besoj shumë në potencialin e këtyre teknologjive për zhvillimin e individëve dhe vendit në përgjithësi.

 

Organizatorët e OpenLabs
OpenLabs logo
Redon Skikuli, Elio Qoshi, Greta Doci, etj janë personat që qëndrojnë prapa kësaj organizate dhe aktiviteteve të shumta si pjesë e promovimit të iniciativave free libre open source. Janë vertëtë një ekip fantastik djemsh dhe vajzash që sugjeroj t’i ndiqni edhe ju.

 

OSCAL 2016 – Aktiviteti më i madh vjetor për Open Source në Shqipëri

OSCAL 2016
OSCAL 2016

Në data 14 & 15 maj, do të zhvillohet aktiviteti më i madh vjetor për Open Source në Shqipëri. Kjo konferencë vjetore sjell disa nga prezantuesit dhe aktivistët më të spikatur të komunitetit Open Source nga e gjithë bota dhe prezantime janë thjesht fantastike.

Këtë vit kam nderin të jem edhe vetë si një ndër prezantuesit e seminareve të vogla, ku prezantimi im do të përqëndrohet në përdorimin dhe avantazhet e softit Mautic – Open Source Marketing Automation Software.

Ndërkohë, ju ftojmë që të bëheni pjesë e kësaj konference duke u regjistruar si dhe duke ndjekur zhvillimet më të reja në faqen zyrtare të konferencës.

Dy shkrime anglisht

Redon Skikuli: Mozilla Tech Speakers in Tirana 1

Elio Qoshi: Mozilla Tech Speakers Tirana #1 (Report)

Read More