Respekti dhe komunikimi në biznes

1
5670

Një nga aspektet aq shpesh të neglizhuara është komunikimi me respekt, mund të themi thjesht komunikimi, por veçanërisht në kulturën shqiptare të biznesit duhet theksuar edhe respekti në komunikim pasi përplasjet apo diferencat ndërmjet shtresave kulturore, intelektit apo edhe bindjeve morale i bëjnë njerëzit që të diskriminojnë në sjelljen dhe njëherazi në komunikimin e tyre. Ka një mori modelesh komunikimi por aktualisht dua të prek shumë shkurt dy prej tyre.

Komunikimi brenda biznesit

Përsa i përket komunikimit brenda biznesit, d.m.th ndërmjet kolegëve apo eprorëve dhe nënpunësve, duhet mbajtur gjithnjë një komunikim i hapur ku mund të diskutohen dhe debatohen idetë, sugjerimet, komentet apo edhe ndryshimet e mendimeve të njërës palë me tjetrën.

Ky lloj komunikimi ku respektohen mendimet dhe idetë e tjetrit, ku pranohen edhe idetë e kundërta, jo thjesht si urdhëra për t’u bindur por minimalisht për t’u konsideruar, ndihmon në krijimin e kushteve ku mbështetet zhvillimi i mëtejshëm i biznesit, i risive, i shërbimit dhe produkteve që ofron ky biznes.

Komunikimi me klientët

Sërish, mungesa e respektit në komunikimin me klientin është një situatë e vështirë në të cilën gjendet biznesi shqiptar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht janë për arsye përzjerje shtresash të ndryshme sociale dhe kulturore brenda vendit të cilat domosdo çojnë edhe në keqkuptime dhe mungesë respekti për tjetrin, ku në rastin tonë i bie të jetë klienti!

Koncepti perëndimor i marrëdhënies dhe trajtimit të klientit përmblidhet shumë qartazi nga shprehja “klienti është mbret” dhe ashtu duhet të jetë realisht edhe në ambientet e biznesit shqiptar ku klienti duhet vënë i pari mbi preferencat apo bindjet zakonore të atij që e ka biznesin (pronarit). Gjithësesi, duhet të pranojmë që çdo gjë kërkon kohën e vetë dhe brumosja e vlerave të mirëfillta të respektit ndaj klientit, dhe veçanërisht komunikimit me respekt për klientin, i duhet koha e vet.

Është e pamundur ta trajtosh të plotë këtë temë, por si fillim mund t’ju themi se një nga synimet e kësaj faqeje është pikërisht përçimi dhe përhapja e këtyre ideve dhe konsumimi i tyre me një audiencë në rritje për të pasur një ndikim sa më të gjerë.