Këshilla për sipërmarrësit e rinj (nga Aftesi.info)

1
2241

Ndër gjërat që bëjmë me këtë faqe por edhe faqe të tjera është monitorimi i interesit të lexuesve tanë bazuar mbi statistikat e gjeneruara nëpërmjet Google Analytics. P.sh. faqet më të lexuara, shkrimet më të kërkuara, etj., janë njëra pjesë e vëzhgimit që bëjmë rregullisht. Pjesa tjetër e vëzhgimit realizohet nëpërmjet mesazheve me email apo kontakteve që kemi vazhdimisht me ju.

Nga vëzhgimet e deritanishme, kemi vërejtur që një pjesë prej jush vijnë në këtë faqe nëpërmjet fjalëve kyçe si p.sh.: ‘ide biznesi’; ‘si të filloj një biznes’; ‘sipërmarrja’; ‘si të hap një biznes’; etj. Ndaj, e gjykuam me vlerë t’ju sugjerojmë një shkrim që besojmë i përgjigjet interesimit të një pjese prej jush.

Kjo video sjell “11 këshilla për sipërmarrësit e rinj” nga tre ekspertë dhe profesionistë të fushës të ofruara në kuadër të një nisme nga UNDP Albania me qëllim nxitjen e vetëpunësimit.

 

Ekspertët në fjalë janë:

Dritan Mezini – Sipërmarrës
Dritan Mezini, eksperti në fushën e Menaxhimit të IT dhe Menaxhimit të Projekteve është shumë i qartë për të rinjtë: “Nëse ti e dashuron lirinë ti e zgjedh vetëpunësimin… Për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm të duhen njohuri rreth profesionit dhe shumë dashuri, të dashurosh atë që dëshiron të bësh”

 

Ingrid Xhaja – Sipërmarrëse
Ingrid Xhaja e ka nisur rrugëtimin e saj si sipërmarrëse herët. Në këtë intervistë ajo flet për gabimet që duhen evituar nga momenti i parë kur na vjen ideja e të hapurit një biznes. “Shumë shpesh biznes plani ta hedh të gjithë planin në tokë sepse ti ke menduar diçka tjetër, por shifrat, kërkimet dhe informacionet që mbledh të tregojnë diçka tjetër. Është shumë e rëndësishme që biznes planin ta shohim me një sy shumë kritik, të mos e veshim me rozë”

 

Prof. Dr. Ilia Kristo – Ekspert Ekonomie
Eksperti i njohur i ekonomisë, Prof. Dr. Ilia Kristo jep disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë biznesin e tyre. “Duhet përmendur se modeli i konsumit në Shqipëri po ndryshon. Orientimi i kërkesave të konsumatorit tashmë është kah produkteve agrare.  Kjo do të thotë që ky është sektori i parë që sipërmarrësit e rinj duhet të orientohen”.