Shëndeti & Mirëqënia

Efektet e dritës blu: Pse nuk duhet ta përdorni celularin para gjumit

Krijimi i zakoneve (disiplinave) të mira veç se ju ndihmon në çdo aspekt të jetës dhe karrierës tuaj si student, apo profesionist. Në të njëjtën kohë, përdorimi i pajisjeve teknologjike në jetën dhe punën e përditshme janë gjithashtu një ndihmesë e madhe. Por, koha që shpenzoni si dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve teknologjike nuk janë pa ndikim! Sidomos nëse filloni të kuptoni ndikimet negative që zakonet dhe mënyrat e gabuara të përdorimin mund të kenë mbi jetën tuaj.

Dr. Dan Siegel
Dr. Dan Siegel

Përfundimet e Dr. Dan Siegel, profesor i psikiatrisë klinike te Fakulteti i Mjekësisë në UCLA (SHBA), tregojnë se si përdorimi i gabuar i pajisjeve elektronike me ekran (celularë, tablet, laptop, etj.,) ndikojnë negativisht në vetë proceset biologjike që lidhen me gjumin, si dhe vetë mirëqenien tonë mendore dhe fizike.

Sipas tij, drita e reflektuar nga pajisjet elektronike, si celularët, përpara se të flini gjumë krijon efektin e kundërt të gjumit. Drita e ekranit e nxit trurin tuaj të qëndrojë i zgjuar përtej orarit apo kohës që do të flinit normalisht, duke ndikuar drejt-për-drejtë te reduktimi i orëve të nevojshme për gjumë.

Shumica e njerëzve kanë nevojë te flenë nga 7 deri në 9 orë në ditë për të rikuperuar energjitë dhe ripërtërirë proceset biologjike në trurin dhe trupin tuaj. Por përdorimi i ekranit përpara gjumit bën që ju të mos ndieni gjumë menjëherë dhe rrjedhimisht edhe nuk ngopeni mjaftueshëm.

Dr. Siegel shpjegon se efektet negative të mungesës së gjumit ndihen menjëherë pasi ju:

  • keni më pak energji për t’u përballur me ditën,
  • përqendrimi juaj bie,
  • kujtesa nuk funksionon siç duhet,
  • aftësia analitike të trurit reduktohen,
  • niveli i insulinës, që rregullon metabolizmin, çrregullohet duke ju nxitur të hani më shumë dhe/ose të shtoni peshë, si dhe
  • rritet niveli i toksinave në qelizat e trurit tuaj, etj.

Rrjedhimisht, Dr. Siegel këshillon fort ndërprerjen e përdorimit të ekraneve të paktën një orë përpara se të flini gjumë. Sipas tij, përdorimi i ekranit është një situatë me efekte negative mjaft serioze, por që mbetet diçka për të cilën ne mund ta ndryshojmë duke vendosur t’i mbajmë ekranet të fikura gjatë natës dhe duke i dhënë kështu gjumit prioritetin e nevojshëm!

Burimi: https://businessinsider.com/smartphone-impact-brain-body-sleep-2015-2

Read More
parimi i parapergatitjes
Fillimet e biznesit, Menaxhim projektesh

Mprehe sëpatën para se të fillosh punën!

Parimi i parapërgatitjes

Në një nga shkrimet e mia kam shkruar për meritat e stilolapsit dhe letrës si mjete që na ndihmojnë në organizimin dhe planifikimin e ditës, punës apo projektit të radhës. Direkt dhe indirekt, ky shkrim nxjerr në pah nevojën e gjithkujt që të shpenzojë kohë për t’u përgatitur, planifikuar dhe parapërgatitur si një ‘aspekt thelbësor’ në punën dhe jetën tonë të përditshme.

Parimi i ‘mprehjes së sëpatës’ (i parapërgatitjes) në fakt është shprehur në shumë forma dhe mënyra që tregojnë virtytin e kësaj disipline!

Një ndër personazhet që më vjen vazhdimisht në mendjen time, dhe që duhet të them ishte i pari që më ndihmoi ta ngulisja këtë parim, është ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln.

Pavarësisht kalimit të kohës, një prej shumë shprehjeve të tij mbetet ende mjaft koherente: “nëse më jepni gjashtë orë për të prerë një pemë, katër orët a para do t’i shpenzoj duke mprehur sëpatën” (Give me six hours to chop down a tree and I will spend the first four sharpening the axe)!

Në çdo rast, ‘parimi i parapërgatitjes’ e vendos theksin te koha që duhet t’i kushtohet planifikimit dhe organizimit përpara fillimit të një pune apo ndërmarrjes së një projekti, sa do rutinë apo i rendomë që të jetë ai!

Shumë herë e kam gjetur veten duke iu futur një projekti apo pune pa e menduar shumë mirë dhe pa bërë një planifikim paraprak se si do ishte më mirë ta bëja këtë apo atë projekt. Shpesh herë e kam kapur veten duke e hapur gojën pa i lënë kohë mendjes që të gjejë zgjidhjen më të mirë për atë situatë apo nevojë.

Jam i bindur që shumëkush prej nesh është i gatshëm të pranojë se e ka bërë këtë gabim me dhjetra herë edhe vetë. Sfida në rastin konkret është si të vetëdisiplinohemi me qëllim që t’i lejojmë vetes dhe të tjerëve mundësinë për t’u parapërgatitur!

Read More
Fushate e menaxhuar keq - Alo Gjyshja
Fillimet e biznesit, Marketingu dixhital

Marketingu me email: Shembull i një fushate të keqmenaxhuar!

Nëntitulli: Pse duhet ta konsideroni me kujdes, edhe nga këndvështrimi i abonentëve tuaj, mesazhin e fushatës që dërgoni me email!

Këtë javë mora disa mesazhe promocionale nga i njëjti biznes, i cili kishte dërguar njoftime te disa prej adresave që unë disponoj! Dukshëm një fushatë marketingu me adresa të vjedhura!

Biznesi për të cilin po flas quhet “Alo Gjyshja” dhe promovon ushqime me shërbimin taksi.

Mesazhet vazhduan të vijnë (2 ditë rresht) edhe pse unë 1) u kërkova të më hiqnin nga lista e tyre që ditën e parë, 2) unë u përpoqa të çregjistrohem, por pa sukses sepse nuk gjeja opsionin/linkun e çregjistrimit brenda mesazhit të tyre, 3) edhe pse e kisha kaluar mesazhin në SPAM, pasi nuk më kishin kthyer fare përgjigje apo hequr nga lista siç u kisha kërkuar.

Pra, unë isha thjesht një numër në listën e tyre dhe askujt, në këtë rast vetë biznesit, nuk i bëhej vonë nëse mesazhet që më dërgonte nuk më interesonin, nuk i kisha kërkuar dhe as lejuar që të mi dërgonin.

Fushate e menaxhuar keq - Alo Gjyshja
Pamje e dosjes “SPAM” ne nje prej adresave ku ishte derguar mesazhi dy dite rresh.

Rezultati i kësaj fushate marketingu me email?

Tani e tutje unë, si klient potencial, do jem më i vetëdijshëm që mos ta përdor shërbimin e ofruar. Por, më konkretisht, ta shfrytëzoj këtë ‘rast’  si një shembull konkret për këtë shkrim që uroj të na ndihmojë sado pak të mendohemi dy herë para se ta nisim fushatën tonë me email!

Rasti i “Alo Gjyshja” është një shembull tipik i abuzimit që ofrojnë disa kompani/agjenci të caktuara marketingu të cilat thjesht shesin adresa të vjedhura email-i te biznese të dëshpëruara dhe që nuk e kuptojnë ose shqetësohen nëse  mesazhet apo emri i biznesit të tyre shkon në “SPAM”!

Sigurisht që “Alo Gjyshja” nuk është rasti i vetëm pasi çdo ditë vijnë mesazhe të tilla të pa-përgjegjshme, por vendosa ta përdor si shembull për arsyet që rendita pak më sipër dhe me dëshirën për të nxjerrë disa mësime konkrete për t’u përmirësuar!

Pse marketingu me email?

Marketingu me email është dhe mbetet një prej mënyrave më efektive dhe me kosto të ulët për të komunikuar me klientët tuaj. Por edhe pse ky mjet komunikimi i ka qëndruar mrekullisht kohëve dhe zhvillimeve në internet, abuzimi është gjithashtu në ekstremet e veta. Sipas disa burimeve, thuajse 99% e të gjitha mesazheve që dërgohen në botë sot janë SPAM. Por gjithsesi, njerëzit nuk kanë ndaluar së përdoruri email-in si mjet komunikimi dhe informimi, ndaj edhe bizneset duhet të mësojnë si ta përdorin atë sa më mirë duke treguar që mbi të gjitha nuk duan thjesht të shesin diçka, por të krijojnë një marrëdhënie me klientët e tyre ekzistues dhe potencialë!

Çfarë mund të mësojmë nga rasti ynë?

(shkarkoje shembullin e mesazhit te derguar si PDF: Alo-Gjyshja-shembull)

  1. Mos dërgoni mesazhe promocionale te lista njerëzish që nuk ju kanë dhënë leje paraprakisht!
  2. Mos dërgoni mesazhe të padëshiruara, pasi ato do shkojnë në SPAM dhe kjo sigurisht nuk do ketë ndikim pozitiv te emri i biznesit tuaj!
  3. Mos dërgoni mesazhe SPAM sepse pastaj ashtu do t’ju shkojnë edhe mesazhet që dërgoni te klientët tuaj ekzistues! Pse? Sepse, nëse adresa juaj futet në ‘listat e zeza’ (blacklisted) të shërbimeve si Google, Yahoo, Hotmail, etj., është shumë, po shumë e vështirë të dilni nga to!
  4. Nëse dërgoni mesazhe promocionale dhe dikush ju thotë që nuk do t’i marrë, atëherë hiqeni menjëherë nga lista dhe madje kërkojini falje të sinqertë për bezdisjen, qoftë edhe kur ai/ajo ka qenë klient i hershëm i juaji! Kjo mbase do ta bëjë që mos t’ju marrë me inat L
  5. Ofroni gjithmonë mundësinë e “çregjistrimit” (unsubscribe) në të gjitha komunikimet në masë që bëni me email. Rasti i kompanisë që po trajtojmë është tipik dhe shumë i gabuar pasi nuk e ofronte fare këtë mundësi!
  6. Nëse e shihni që mesazhet e dërguara nuk kualifikohen si të hapura (open messages), atëherë mos dërgoni mesazhe të tjera te ato adresa pasi gjasat janë që kanë përfunduar në SPAM.

Cila është eksperienca juaj me mesazhe dhe fushata të tilla? Do i vlerësonim komentet tuaja.

Read More
Cfare te bej me domain-in tim?

Prezantim: Çfarë ndodh tani që bleva domain-in .AL ?

E gjetët domain-in që deshët, më pas e regjistruat por tani çfarë ndodh?

Ka një numër në rritje personash të cilët kanë regjistruar një adresë me .al apo .com dhe më pas e kanë lënë atë në pritje. Por nëse ju nuk vendosni të bëni diçka me domain-in tuaj, atëherë ajo adresë është praktikisht ‘pa vlerë’ deri në momentin që ju vendosni të ndërtoni edhe një faqe interneti.

Ndërtimi i faqes në internet ju lejon ta shfrytëzoni në maksimum potencialin informues dhe ekonomik të adresës që keni zgjedhur për biznesin, organizatën apo qoftë edhe për hobin tuaj.

Por kjo, me sa duket, është edhe pjesa më e vështirë për ata prej jush të cilët dukshëm nuk kanë arritur ta realizojnë synimin e tyre pasi e kanë lejuar adresën e tyre, jo vetëm që të qëndrojë bosh (pa një faqe interneti), por madje edhe të skadojë fare si domain (shih shembuj te faqja Expired.al).

Në gjykimin tonë, pengesat apo sfidat kryesore janë dy:

  1. Zgjedhja e paketës së hostimit
  2. Ndërtimi i faqes tuaj në internet

Fillimisht, duhet të pranojmë se ‘sfida e parë’ (hostimi) është më e lehtë se sa ajo e dyta (ndërtimi i faqes në internet). Prandaj, do përpiqemi t’ju japim disa këshilla praktike se si mund ta vini në jetë potencialin e domain-it që ju keni regjistruar.

Lexoni shkrimin origjinal: https://webhostblog.al/cfare-ndodh-tani-qe-bleva-domain/

Ose shfletoni prezantimin e plotë këtu poshtë:

Read More
Tabela Facebook për tre qendrat tregtare në Shqipëri
Mediat Sociale

Pse Facebook ka filluar spastrimin e “Like”-ve nga faqet publike në Facebook?

Thënë ndryshe, nëse keni vënë re një rënie të beftë të numrit të fansave në faqen tuaj në Facebook atëherë gjasat janë që sapo keni përfituar “uljen” e numrit të fansave jo-aktivë apo që e kanë mbyllur fare llogarinë e tyre në Facebook.

Si ndikon kjo në ecurinë e faqes tuaj?

Kjo sigurisht që nuk është shumë inkurajuese në pamje të parë, por nga ana tjetër ju ndihmon që të kuptoni se sa fansa të mirëfilltë keni si dhe ju ndihmon të kuptoni se sa aktivë janë ata realisht.

Gjithashtu, kjo është një sfidë për të përmirësuar atë që në gjuhën e statistikave të postimeve quhet “engagement” për fansat tuaj.

Njoftimi zyrtar i Facebook

Këtu do gjeni edhe njoftimin zyrtar nga Facebook: https://facebook.com/business/news/page-likes-update

Një tabelë si shembull

Ndërkohë, kjo është një pasqyrë e tre prej faqeve zyrtare në Facebook për tre qendrat kryesore tregtare në Shqipëri.

Tabela Facebook për tre qendrat tregtare në Shqipëri

Read More
Elvis Plaku profili publik ne Facebook
Marketingu dixhital

Pse vendosa të krijoj një profil publik në Facebook?

Unë nuk jam një person i mirëfilltë publik, ndonëse në mjaft raste kam pasur mundësinë të dal në medie apo programe të ndryshme. Por nevoja e krijimit të një profili publik në dallim nga një profil personal në Facebook ishte kryesisht nevoja për t’i përbashkuar interesat dhe përfshirjet e ndryshe të miat në një faqe e cila do më lejonte t’i mbaja të ndara gjërat personale (siç janë fotot familjare në profilin tim) me fotot nga aktivitete apo nisma të ndryshme në të cilat jam pjesë.

Gjithsesi, kjo lidhet shumë me krijimin dhe mbajtjen e një profili profesional brenda medieve sociale si Facebook.

Linku direkt: https://www.facebook.com/plaku.al/

Sfida në vazhdim

Në morinë e faqeve dhe profileve që duhet të menaxhoj/monitorojë çdo ditë tani kam edhe një detyrë tjetër “të vockël” që sigurisht kërkon kohën, energjinë dhe përqendrimin e vet. Por duke pasur parasysh që projekte si ky nuk bëhen vetëm për momentin, mbetem i bindur se do t’ia vlejë investimi.

Avantazhet në krijimin e një faqeje zyrtare në Facebook për veten si individ

Kjo do ishte një listë e shkurtër:

  • Ndarja e profilit personal nga ai publik dhe gjithëpërfshirës
  • Tërheqja e një game më të gjerë ‘ndjekësish’ apo fansash
  • Prezantim projektesh, produktesh dhe shërbimesh (pra marketing)
  • Reklamim i shërbimeve të ndryshme që ofroj si konsulent
  • Mbështetje dhe prezantim i kauzave që dua të mbështes publikisht,

Diskutim

Çfarë mendoni, kam bërë mirë apo jo ? Do i vlerësoja shumë sugjerimet/komentet tuaja…

Read More
Marketingu dixhital

Si ta përdorni Facebook-un për të sjellë klientë!

Shumica e postimeve që bëhen në Facebook janë thjesht informative apo zbavitëse dhe nuk kanë për synim tjetër veç se të marrin ndonjë “Like” apo koment të radhës.

Por situata ndryshon kur bëhet fjalë për bizneset dhe organizatat të duhet ta përdorin Facebook-un për të promovuar produktet apo shërbimet e tyre te klientët. Avantazhet e medias sociale për marketing online janë të shumta për çdo lloj biznesi, por në rastin tonë dua të trajtoj vetëm një element që lidhet me përdorimin e duhur të postimeve në Facebook.

Një shembull konkret

01. Ky ishte postimi origjinal pa një link drejt faqes së regjistrimit.
01. Ky ishte postimi origjinal pa një link drejt faqes së regjistrimit.

Rishtazi po komunikoja me një prej klientëve të mi në lidhje me postimin e tyre të radhës në Facebook. Situata ishte e thjeshtë, postimi thoshte “regjistrohuni tani” dhe kishte një foto të madhe dhe të qartë, por “ku”, “si” apo “çfarë” duhet të bënin ata që donin të regjistroheshin, nuk ishte e sqaruar siç duhet. Tani dikush mund të thotë që vizitorët e faqes tonë e dinë se për çfarë bëhet fjalë dhe kush jemi kështu që rrjedhimisht e dinë edhe ku ta gjejnë informacionin shtesë apo në rastin aktual – ku të regjistrohen.

Por unë do sugjeroja që çdo postim apo koment që ju bëni në Facebook duhet të jetë i qëllimshëm dhe i mirë menduar me qëllim që t’ua bëni sa më të lehtë dhe të thjeshtë vendimmarrjen lexuesve apo klientëve tuaj potencialë.(shih foto 01. djathas)

 Ky ishte postimi i përditesuar me linkun që i dergon vizitorët te faqja e regjistrimit.
02. Ky ishte postimi i përditesuar me linkun që i dergon vizitorët te faqja e regjistrimit.

Rrjedhimisht, i sugjerova klientit tim menjëherë që të ndërhynin te postimi që kishin bërë duke shtuar edhe “një link” brenda përshkrimit, që t’i dërgonin personat e interesuar te faqja zyrtare regjistrimit.

Ndryshimi është i thjeshtë por mjaft i rëndësishëm. (shih foto 02. majtas)

Një arsye tjetër bazuar te statistikat

03. Statistikat e faqes për një periudhe 1 mujore, ku janë vetëm 43 vizitorët nga Media Sociale (Facebook)
03. Statistikat e faqes për një periudhe 1 mujore, ku janë vetëm 43 vizitorët nga Media Sociale (Facebook)

Në rastin e klientit që përmenda, arsyeja ishte edhe më thelbësore. Nga mbi 20 e ca postime që ata kishin kryer gjatë një periudhe 1 mujore në Facebook, rezultati ishte që ata kishin marrë vetë 43 klikime direkt nga Facebook, nga 1,473 vizitorë totalë të faqes zyrtare për të njëjtën periudhë! (shih. 03. djathtas). Dhe bëhet fjalë për një faqe në Facebook e cila ka rreth 12,000 fansa.

Pra, nëse investoni kohë dhe energji për të përditësuar faqen tuaj në Facebook, sigurohuni që kur jeni duke reklamuar produktin apo shërbimin tuaj, t’i jeni edhe “një link” me më shumë informacion apo arsye që ata të marrin një vendim!

Si mendoni? Çfarë sugjerimesh të tjera keni? Do e vlerësoja kontributin tuaj mbi këtë temë nëpërmjet komenteve këtu poshtë.

Read More
hostimi falas vs me pagese
Fillimet e biznesit, Siguria & Privacia Online

Si ta hostoj faqen: falas apo me pagesë?

Kontrolli vs kufizimet

Që në fillim mund ta përmbledhim këtë shkrim duke përcaktuar dy faktorët që bëjnë diferencën kryesore ndërmjet hostimit ‘falas’ dhe atij ‘me pagesë’.

Faktorët kryesorë janë “kontrolli” kundrejt “kufizimeve” !

Nëse doni të keni kontroll të plotë mbi aspektet e ndryshme të menaxhimit të faqes, për të përfituar në maksimum nga potenciali i saj, atëherë avantazhet e hostimit me pagesë janë të pakrahasueshme kundrejt kufizimeve të atij falas!

Po cilët janë disa prej aspekteve që ju mund ti kontrolloni te një host me pagesë kundrejt kufizimeve me të cilat duhet të përballeni kur e ndërtoni faqen tuaj në host falas?!

 

Mundësia e konfigurimit sipas nevojave tuaja

Ky aspekt mund të duket i vogël kundrejt një konfigurimi të gatshëm ose minimal që ofrohet nga hostet e ndryshme falas. Por eksperienca dhe koha do t’ju tregojë se ky aspekt është i domosdoshëm pasi realisht do e kuptoni se sa të kufizuar jeni kur përdorni një zgjidhje (në dukje – të thjeshtë) por që realisht ju kufizon ju dhe potencialin në rritje të faqes tuaj.

 

Aksesi dhe numri i databazave

Nëse doni që faqja juaj të jetë vërtetë dinamike dhe të shfrytëzoni potencialin e plotë të sistemeve për menaxhimin e përmbajtjes (Content Management System – CMS), atëherë përdorimi i databazës është i pashmangshëm. Por problemi që mund të keni është pikërisht aksesi te databaza apo mungesa e një databaze. Problemi bëhet edhe më i vështirë kur ju duhet të ndërtoni apo të ngrini një faqe të dyte apo një sistem tjetër që kërkon databazën e vetë.

Numri i adresave te email

Ka mjaft njerëz që kur ndërtojnë faqen e vet sigurisht mundohen të krijojnë edhe një apo disa adresa email zytare që shkojnë me adresën e faqes. Këtë çështje e kemi diskutuar edhe në një shkrim të mëhershëm, por ideja është që hostet falas nuk e ofrojnë mundësinë e krijimit të një apo më shumë adresave falas. Ndërkohë, kjo është lehtësisht e realizueshme në një host me pagesë.

Siguria nëpër hostet (serverat) falas

Problemi i sigurisë nuk është i njëjtë për çdo lloj hosti falas por nëse faqja juaj është hostuara në një host të madh me shumë faqe të tjera dhe që nuk mirëmbahet rregullisht, për shkak se nuk ka fitim për ofruesin, atëherë edhe rreziqet janë të larta pasi faqja juaj mund të sulmohet edhe nga brenda hostit ose edhe nga jashtë për shkak se softueri i vetë hostit nuk është i përditësuar apo edhe ai i faqes tuaj. Përmirësimin e sigurisë së faqe e kemi diskutuar edhe më parë.

Mungesa e suportit (vetëm me pagesë)

Çfarë do ndodhte nëse ju del një problem apo keni nevojë për ndihmë teknike me diçka në lidhje me faqen tuaj? Hostimet falas nuk ofrojnë suport pa pagesë! Ndërkohë që hostimet me pagesë zakonisht e kanë këtë shërbim të përfshirë në çmimin që ju paguani për vetë hostimin e faqes tuaj.

Mundësia e instalimit te softuerit te dëshiruar

Nëse jeni në një host falas, atëherë thjesht harrojeni sepse shërbimi i hostit nuk është i interesuar në nevojat tuaja por thjesht shërbimin që ofron dhe reklamat që vendos në faqen tuaj. Ndërkohë që nëse ju jeni duke u zhvilluar dhe zgjeruar, atëherë edhe nevojat tuaja për të instaluar sistemin apo softuerin e dëshiruar janë pjesë e strategjisë dhe nevojave tuaja në rritje, por që nuk ua ofron dot hosti falas.

Mundesia e intalimit te plugin-eve te dëshiruara

Edhe në këtë rast, instalimi i funksionaliteteve (plugin-eve) të dëshiruara është mjaft i kufizuar në shumicën e hosteve falas, rrjedhimisht edhe mundësia juaj për të shfrytëzuar potencialin maksimal të faqes tuaj.

Në përfundim

Kosto e kufizimeve që gjenden në platformat falas është e konsiderueshme. Eksperienca dhe koha do t’ju tregojë se nëse jeni serioz për faqen tuaj, atëherë ashtu duhet të jetë edhe investimi juaj financiar dhe kohor.

Read More
Marketingu dixhital

Reklamat online: Facebook, Google, LinkedIn, etj!

Rishtazi po kontrolloja ecurinë e një fushate me reklama në Facebook për një klient dhe pashë që Facebook kishte nxjerrë një mesazh falenderimi me rastin e arritjes së mbi dy milion reklamuesve aktiv.

Aktualisht, Facebook ende nuk krahasohet dot me milionat e reklamuesve aktivë në platformat e Google (siç është Google Adwords, AdSense, DFP, etj.). Por, në këtë rast, Facebook ka treguar që reklamat në platformën e vet janë më konkurruese se ato në platformat e tjera, qoftë nga çmimi, qoftë nga aspekte të tjera si shënjestrimi (targetimi) sipas moshës, interesit, gjuhës, kombësisë, interesave, etj,. etj,.

Gjithashtu, duhet thënë se suksesi i Facebook është i kufizuar vetëm brenda platformës pasi në internetin e gjerë Google është kampion i padiskutueshëm dhe suksesi i vet do të mbetet i tillë për aq kohë sa njerëzit do vazhdojnë të përdorin, thuajse ekskluzivisht, motorin e vet të kërkimit për të gjetur ato çfarë kërkojnë në internet.

Aktualisht, tarifat e reklamimit në Google janë më të larta (CPM ose CPC, etj) krahasuar me ato brenda Facebook apo LinkedIn, por reklamimi online bëhet me kosto shumë më konkurruese se sa në mediat tradicionale siç janë televizioni, gazeta, revista, apo posterat dhe banerat e printuar, etj.

LinkedIn e ka përmirësuar gjithashtu mjaft sistemin e brendshëm të reklamimit dhe është një platformë mjaft e vyer për çdo profesionist apo biznes që synon të shënjestrojë klientët biznese dhe profesionistët në përgjithësi.

 

Reklamat në Google

Reklamimi në Google është optimal nëse audienca e synuar është e përgjithshme dhe ju dëshironi ta shfaqni reklamën tuaj te një gamë sa më e gjerë shikuesish në internet. Normalisht, në këtë rast ka edhe shumë firo pasi reklama juaj duhet t’i shfaqet një numri sa më të madh shikuesish dhe numri i atyre që do ta klikojnë është shumë i vogël, prandaj edhe duhet të siguroheni që ta shënjestroni sa më mirë sipas kritereve demografike të klientëve potencialë që dëshironi të arrini.

Por nëse arrini ta ri-shënjestroni (re-target) audiencën e faqes tuaj nëpërmjet (re-marketing), por kjo është disi më e vështirë për t’u arrirë nëse e keni për herë të parë.

 

Reklamat në Facebook

Facebook është shumë më i përparuar për sa i përket mundësive të shënjestrimit të reklamës tuaj te klientët potencialë që dëshironi, por në vartësi të biznesit apo fokusit tuaj, ka gjasa që edhe të gjithë klientët potencialë nuk janë në Facebook. Gjithsesi, Facebook ka një raport kthimi mbi investimin relativisht më të lartë se sa Google pasi është më e lirë për të reklamuar dhe më e sofistikuar në mënyrat e shënjestrimit.

Ka edhe mjaft teknika të tjera për ta nxjerrë reklamën tuaj te fansat e konkurrentit tuaj, apo reklamimi te klientët ekzistues kur bëhet fjalë për një fushatë me produkte/shërbime ekzistuese, etj.

 

Reklamat në LinkedIn

Nëse klientët tuaj potencialë janë profesionistë apo biznese/organizata, atëherë LinkedIn është platforma kryesore ku duhet të mendoni të reklamoni. Platforma e reklamimit në LinkedIn është zhvilluar më vonë se ajo në Facebook, por LinkedIn është shumë më përzgjedhës dhe i kujdesshëm në mënyrën se si i shfaq reklamat e veta te abonentët e platformës pasi edhe bëhet fjalë për profesionistë me interesa specifike dhe nuk kanë shumë kohë as tolerancë për foto kafshës shtëpiake siç ndodh rëndom në Facebook!

 

Reklamat në platforma të tjera reklamimi

Platforma të tjera mjaft interesante janë edhe Bing, Yahoo, Twitter, Tumblr, Pintrest, por nisur edhe nga përdorimi më i kufizuar nga shqiptarët, nuk po zgjerohem më tej në këtë shkrim.

Mirëpres pyetjet, sugjerimet dhe komentet e tjera që mund të keni. Gjithashtu, mos nguroni të më kontaktoni direkt nëse jeni të interesuar në ndonjë prej shërbimeve të lartpërmendura. Flm, Elvisi

Read More
Pse duhet te keni nje adrese profesionale?
Marketingu dixhital

Pse duhet të keni një adresë profesionale?

A do t’i besonit një ‘mesazhi zyrtar’ me email nga një biznes apo organizatë e mirënjohur nëse mesazhi do t’ju vinte nga një domain si p.sh. [email protected] apo [email protected] ose [email protected] ?

E pra, kjo është situata në të cilën gjenden mjaft biznese shqiptare të cilat dukshëm nuk e marrin seriozisht prezantimin që bëjnë te klientët potencialë apo bashkëpunëtorët e ardhshëm sa herë që u dërgojnë një mesazh nga një adresë e përgjithshme (gmail.com / yahoo.com / Hotmail.com / etj.) dhe aspak profesionale!

Në dukje çështja e adresës tuaj të email-it mund të anashkalohet si një gjë mjaft e vogël, ose aspak e rëndësishme, por ka disa arsye dhe argumente pse duhet të filloni ta mendoni ndryshe këtë gjë.

Si fillim, le të nxjerrim listën me justifikime pse mjaft persona nuk e konsiderojnë nevojën për të pasur një adresë profesionale!

  • Kam vite që e kam këtë adresë
  • E kanë të gjithë kontaktet që kam
  • Nuk di të hap një adresë tjetër
  • Hapja e një adrese tjetër është humbje kohe
  • Njerëzit më njohin dhe e dinë që kjo është adresa ime

Biznesi apo organizata juaj ka gjithnjë nevojë që të përfaqësohet në një mënyrë sa më profesionale dhe rrjedhimisht të besueshme. Profesionalizmi është baza mbi të cilën klientët dhe bashkëpunëtorët tuaj mund të ndërtojnë një marrëdhënie afat-gjatë me ju, ndaj çdo detaj është i rëndësishëm për të përçuar një imazh sa më profesional. Adresa juaj e email është thjesht një detaj, por në botën e sotme dixhitale adresa juaj e email është shpesh dera kryesore e komunikimit efektiv dhe profesional.

Atëherë le t’i përgjigjemi ‘justifikimeve’ të mësipërme:

Kam vite që e kam këtë adresë

Adresa personale nuk duhet dhe nuk mund tw jetw adresa juaj profesionale. Ndaj nuk keni nevojë që të ngeleni peng i një adrese kur në çdo rast keni mundësi t’i bëni ‘forward’ të gjithë mesazheve që ju vijnë te adresa juaj e re si dhe t’i njoftoni kontaktet tuaja që t’ju kontaktojnë në të ardhmen te adresa juaj profesionale.

 

E kanë të gjithë kontaktet që kam

Nuk është e thënë që ju ta fshini fare adresën tuaj origjinale, mjafton t’i njoftoni kontaktet dhe t’i tërhiqni mesazhet që ju vijnë direkt te adresa juaj profesionale. Ka mjaft mënyra për ta bërë këtë dhe nuk kërkon ndonjë aftësi të lartë teknike.

 

Nuk di të hap një adresë tjetër

Nëse përdorni shërbimin tonë (email hosting me 10 euro/vit), atëherë hapja e një adrese të re profesionale është mjaft e lehtë pasi mjafton të zgjidhni domain-in që dëshironi dhe më pas mund të krijoni adresën tuaj dhe ato të biznesit tuaj me një domain unik dhe sigurisht profesional.

 

Hapja e një adrese tjetër është humbje kohe

Është e vërtetë që në fillim mund të duhet pak punë sa të bëni kalimin dhe të mësoheni me adresën e re, por krijimi i një adrese profesionale për biznesin/kompaninë apo veten tuaj është një investim afatgjatë në imazhin dhe profilin tuaj profesional.

 

Njerëzit më njohin dhe e dinë që kjo është adresa ime

Dakord! Tani mund t’i njoftoni që keni një adresë të re dhe madje me këtë rast mund të përditësoni edhe ‘firmën’ (signature) në fund të mesazheve tuaja ku adresa juaj sigurisht do shërbejë në të mirën profesionale të biznesit/organizatës dhe sigurisht tuajën personalisht.

 

Mbase ne nuk i kemi mbuluar mirë arsyet/justifikimet që njerëzit kanë! Atëherë mos nguroni të jepni mendimin/argumentin tuaj te komentet këtu poshtë. Ju faleminderit.

Read More