5 Këshilla si të Filloni një Biznes të Suksesshëm

2
15360
Si të filloj një biznes të sukesshëm sipas Richard Branson
Foto e Richard Brandson marrë nga shkrimi origjinal.

Richard Branson është themeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i Virgin Group, që përfaqëson mbi 400 biznese të suksesshme në sektorë nga më të ndryshmit. Suksesi i tij në biznes është prova mbi të cilën këshillat e tij për biznesin marrin vërtetë vlerë qoftë edhe nëse i konsideroni ato thjesht teorikisht.

Eksperienca e gjatë, si dhe aftësia për të komunikuar qartë e saktë, e kanë lejuar të dallohet edhe në sferën e shkrimeve me këshilla për biznesin. Pikërisht një prej shkrimeve të tij (Five top tips to starting a successful business), e kemi përkthyer për këtë rast. Përveç hyrjes sonë; titulli dhe përmbajtja e mëposhtme janë nga shkrimi i tij.

Këtu mund të lexoni edhe një shkrim tjetër titulluar: 9 hapa si të krijojmë një biznes të suksesshëm

Autor: Richard Branson

1. Dëgjoni më shumë se sa flisni

Ne kemi dy veshë dhe një gojë, ndaj edhe përdorimi i tyre në proporcion nuk është një ide e keqe! Për të qënë një udhëheqës i mirë ju duhet të jeni edhe një dëgjues i mirë. Idetë e shkëlqyera mund të vijnë nga burimet më pak të pritshme, ndaj edhe duhet t’i mbani veshët gjithnjë të hapur ndaj këshillave të vlefshme. Kjo nënkupton që mbase duhet t’i ndiqni komentet nëpër faqet online me të njëjtin interes sa edhe shënimet e takimeve të bordit drejtues, ose t’i pyesni punonjësit që janë direkt në kontakt me klientët për opinionin e tyre po aq sa edhe Drejtorët e Përgjithshëm. Dil jashtë dhe bëhu i dëgjueshëm ndaj njerëzve për të mësuar prej tyre.

Për më shumë, ju ftoj të lexoni një shkrim tjetër ku autor shpjegon nga e ka marrë ai idenë për këtë këshillë, plus një shkrim tjetër ku propozohet e njëjta ide.

2. Mbajini gjërat të thjeshta

Për t’u dalluar në biznes shpesh të duhet të gjesh zgjidhje radikale. Por askush nuk tha që për t’u dalluar duhet të gjesh patjetër një zgjidhje komplekse. Aktualisht ka me mijëra zgjidhje të thjeshta biznesi për probleme të ndryshme që presin të marrin zgjidhjen e re dhe të madhe të biznesit. Mbi të gjitha, duhet të kesh një përqëndrim drejt risive (inovacionit), por pa u përpjekur që të rikrijosh rrotën. Një ndryshim i vogël që sjell përmirësim është më i efektshëm se sa pesë ndryshime të komplikuara që e bëjnë situatën edhe më keq.

Për më shumë ju ftoj të lexoni një shkrim tjetër ku ky koncept shtjellohet edhe më tej. Ja dhe një shkrim tjetër shumë interesant nga Inc.com.

3. Jini krenar për punën tuaj

Javën e kaluar mora pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Virgin Stars”, ku vlerësojmë disa prej njerëzve që kanë punuar më fortë nëpër kompanitë e grupit Virgin. Pavarësisht të gjitha kompanive tona, kombësive dhe personaliteteve të ndryshme të mbledhur të gjithë nën një çati, ishte veçanërisht me interes të shihje se çfarë ato kishin të përbashkët. Një prej tyre ishte krenaria për punën e tyre, si dhe në kompaninë që ata përfaqësonin. Mos e harroni kurrë që personeli juaj janë në fakt mbështetësit më të mëdhenj të brandit (emrit) tuaj dhe kur ju i kushtoni vëmendje krenarisë së tyre në punë bën që kjo të tregohet menjëherë në mënyrën se si ata trajtojnë klientët tuaj.

Për më shumë ju ftoj të lexoni edhe këtë shkrim që tregon mbi arsyet pse Rikardi sugjeron që të jemi krenar për punën tonë.

4. Zbavituni, suksesi do të vijë më vonë

Nëse puna që po bëni nuk ju jep kënaqësi, atëherë gjasat janë që jeni duke e bërë gabim! Nëse në mëngjes, kur zgjoheni, ju duket sikur po shkoni të bëni detyrën, atëherë mbase ka ardhur momenti për të bërë diçka tjetër. Në qoftë se ju jeni duke ia kaluar mirë, atëherë gjasat për krijimin e një atmosfere pozitive dhe plot risi do jenë edhe më të larta dhe kështu edhe biznesi juaj do të përparojë. Një buzëqeshje dhe një shaka mund të bëjnë shumë më mirë, ndaj mos nguroni të shikoni edhe anën zbavitëse të punëve.

Për më shumë ju ftoj të lexoni një shkrim tjetër që eksploron mënyrat se si vetë Brandson zbavitet.

5. Bëjeni copa-copa dhe filloni nga e para

Nëse jeni një sipërmarrës të cilit nuk i del me sukses sipërmarrja e parë, atëherë mirë se erdhët në klubin tonë! Çdo biznesmen i suksesshëm ka përjetuar dështime në udhëtimin e vet – ajo që ka rëndësi është se si ju mësoni prej këtyre eksperiencave. Mos u dekurajoni nga një apo disa dështime, përkundrazi, ngrihuni sërish në këmbë, pastrohuni, dhe përpiquni të kuptoni se çfarë nuk funksionoi. Në atë moment do arrini të gjeni pikat pozitive, analizoni pikat ku mund të përmirësoheni, pastaj bëjeni copa-copa nismën tuaj dhe filloni nga e para.

Për më shumë ju ftoj të lexoni një shkrim tjetër ku vetë Rikardi shpjegon se si do t’i fillonte gjërat nga e para.