Programi “Dashlane” është asistenti juaj virtual, ai do t’ju mundësojë ruajtjen e shumë fjalëkalimeve me të gjitha kushtet e sigurisë maksimale
Nëse dëshironi të shmangni vjedhjen e identitetit tuaj, përdorni fjalëkalime të gjata që përmbajnë shkronja, shenja pikësimi dhe fjalë të pakuptueshme. Krijoni nga një fjalëkalim të ndryshëm për çdo llogari që keni në secilën faqe të internetit dhe së fundmi ndryshojini ato në mënyrë periodike çdo 30 ditë.
Është e qartë se këto këshilla janë gati-gati të pamundura për t’u ndjekur. Një person aktiv, që kryen veprime nga interneti ka mesatarisht 50-90 llogari të hapura në faqe si banka, kompani ajrore, blerje online, e-mail, “Facebook”, “Twitter”.
Në këtë gjendje, si është e mundur që edhe një person i fiksuar pas sigurisë personale të kujtojë kaq shumë fjalëkalime të gjata dhe të komplikuara, e për më tepër t’i ndërrojë ato çdo muaj?
Shumë njerëz zgjedhin rrugën e shkurtër, ata thjesht vënë të njëjtin fjalëkalim në çdo faqe dhe jetojnë me ndjesinë e fajit për këtë shkelje të sigurisë.
Ka edhe zgjidhje alternative si për shembull, opsionet e ruajtjes automatike të fjalëkalimeve në shfletuesit e Windows dhe Mac. Por këto mundësi nuk ofrohen për çdo faqe dhe në përgjithësi nuk janë shumë të dobishme në aparatet e tjera teknologjike.
Duke vënë fjalëkalime të ndryshme për çdo faqe interneti, në këtë pikë personi i vetëm që nuk do të arrijë të ketë akses në to, është vetë zotëruesi i tyre.
Zgjidhjet më të mira janë instalimi i disa programeve të dedikuara ruajtjes së fjalëkalimeve si “Roboform”, “Keypass” dhe “Lastpass”.
Lajmi i mirë është se javën e shkuar, një nga programet më të mira për ruajtjen e fjalëkalimeve, “Dashlane”, erdhi në treg me një version të përmirësuar. Ai është tërheqës, i dobishëm, kursen shumë kohë për ata që e përdorin dhe mund të përdoret prej Windows, Mac, IPhone dhe Android.
Ky program ofrohet falas për përdoruesit dhe është shumë i shpejtë për t’u instaluar. Ai punon në lundruesit e ndryshëm si Safari, Chrome, Internet Explorer dhe Firefox.
Për më shumë mund të importojë fjalëkalimet e ruajtura prej programeve të tjera konkurrente që ju mund të keni pas përdorur.
“Dashlane” është programi që ofron ruajtjen e shumë fjalëkalimeve në faqe të ndryshme. Sa herë krijoni një llogari të re, futni në të emrin dhe fjalëkalimin tuaj, do të shfaqet një faqe e programit “Dashlane”, që do t’ju ofrojë mundësinë e ruajtjes së informacionit.
Për më tepër, programi do t’ju ofrojë edhe hyrjen në llogari vetëm me atë të një klikimi. Do t’ju duhet vetëm të klikoni te “bookmark-et” tuaja dhe sa hap e mbyll sytë do të keni hyrë në llogarinë tuaj të “Facebook”-ut apo “Yahoo”-së.
Nëpërmjet “Dashlane”, që do të kujtojë çdo fjalëkalim për ju, jeni të lirë të ndiqni këshillat e specialistëve për përfshirjen e shkronjave kapitale, shenjave të pikësimit dhe fjalëve pa kuptim në fjalëkalimet tuaja të gjata.
Kështu mund të shkrini të gjithë talentin tuaj prej “pirati”, duke krijuar fjalëkalime aq të ngatërruara sa as vetë nuk do t’i kujtoni deri në fund të ditës.
Një risi tjetër që sjell “Dashlane” është fakti se mund të plotësojë për ju çdo të dhënë që kërkohet nga faqet e internetit, si emri, adresa, numri i telefonit apo edhe informacioni i kartës së kreditit.
Nëse dëshironi të bëni një blerje online, mjafton të klikoni në kutinë e kartës së kreditit dhe “Dashlane” do t’ju ofrojë menjëherë shërbimin e kërkuar.
Nuk do t’ju duhet të shkruani asgjë, gjithçka do të plotësohet prej programit që është memoria juaj virtuale. Sa herë që porosisni diçka nga interneti, me opsionet e reja të “Dashlane” do të kurseni nga 30 sekonda deri në 5 minuta prej jetës suaj.
Programi i ri mund të hapet prej jush edhe nëpërmjet valëve (wireless) duke ju mundësuar kështu lehtësi aksesi kudo që jeni. Ai evidenton fjalëkalimet tuaja të dobëta dhe ju këshillon sesi t’i bëni ato gjithnjë e më të vështira për të mos rënë pre e piraterisë virtuale.
Kjo e fundit është kthyer në një shqetësim të madh për këdo që kryen funksione të rëndësishme të jetës së tij online. Mjaftojnë vetëm pak minuta që cilido person, qoftë edhe në anën tjetër të globit t’ju marrë paratë nga llogaria bankare apo të futet në adresën tuaj të rrjetit social.
Nëse jeni të shqetësuar për sigurinë e të dhënave tuaja në internet atëherë kujdesuni që të plotësoni çdo kriter që i afrohet më së shumti sigurisë ideale.