Shtatë mënyra për të qenë një lider më i mirë në 2016-n

1
851

Biznes – Dëshironi të mbizotëroni fushën tuaj të biznesit për këtë vit? Fillojeni duke aktivizuar maksimalisht stafin tuaj, në mënyrë që të arrini më shpejt dhe më të sigurt në sfidat e së ardhmes

Drejtuesit më të mirë e dinë se një titull nuk e bën liderin dhe jo të gjithë liderët janë lindur me aftësi të mësuara. Kjo është arsyeja përse ata përqafojnë zhvillimin e lidershipit, për veten, punonjësit dhe biznesin e tyre. Kapaciteti për lidership të mirë nuk është gjithmonë i brendshëm, por thuajse kushdo mund të mësojë si të jetë një lider më i dobishëm. Ja cilat janë shtatë aftësitë që çdo lider duhet të sigurohet që t’i përsosë për vitin 2016.

  1. Vlerësoni talentin

Investimi te njerëzit e aftë është në zemër të të qenët një lider efektiv. Vlerësoni talentet në organizatën tuaj dhe kuptoni se biznesi juaj varet nga këta individë të talentuar dhe se sa rëndësi ka të punoni si skuadër. Inkurajoni skuadrën tuaj të kërkojë vazhdimisht mënyra për të përmirësuar kompaninë, duke kanalizuar talentin e tyre dhe duke rritur nivelin dhe diversitetin e tij.

  1. Njihni tregun

Të kuptoni mirë tregun në të cilin ju funksiononi, është thelbësore. Do t’ju ndihmojë të përcaktoni strategjinë më të suksesshme dhe të identifikoni mundësitë për të ardhmen. Duhet ta njihni industrinë tuaj nga brenda dhe nga jashtë. Duhet të synoni të jeni ekspertë në dinamikat e përgjithshme të tregut, të trendeve të industrisë dhe të njihni panoramën e konkurrencës. Përfshihuni sa më shumë në komunitetin e biznesit për të rritur profilin dhe markën tuaj në treg.

  1. Hartoni strategji dhe objektiva

Për të qenë një lider efektiv, duhet ta koordinoni skuadrën tuaj ndaj synimeve të biznesit. Një lider i suksesshëm balancon eksperiencën dhe diturinë me një aftësi strategjike të menaxhimit. Ju duhet ta mbani gjithnjë strategjinë e kompanisë suaj përpara dhe në qendër të çdo aktiviteti, ndërsa e ekzekutoni atë dita-ditës dhe të siguroheni që gjërat të arrihen.

  1. Shiheni inovacionin si prioritet

Një përqendrim i vazhdueshëm tek inovacioni është thelbësor. Liderët efektivë arrijnë ta kuptojnë këtë dhe përqendrohen ta çojnë biznesin e tyre një shkallë më lart. Inkurajimi i stafit menaxhues për të eksploruar qasje kreative dhe inovative ndaj problemeve të biznesit mund të ndihmojë në ngjizjen e një kulture të inovacionit në kompaninë tuaj. Për të qenë një lider inovativ në industrinë tuaj, duhet të qëndroni në krye të trendeve dhe strategjive të reja, të formuloni produkte të reja dhe oferta shërbimesh dhe të kuptoni sa më mirë atë që klienti kërkon.

  1. Krijoni një kulturë të hapur në skuadër

Të gjithë kërkojnë të punojnë në një mjedis që vlerëson skuadrën dhe mban hapur linjat e komunikimit. Për të qenë një lider efektiv i skuadrave që performojnë shumë mirë, duhet të frymëzoni anëtarët të shprehen dhe mirëkuptoni ata që prezantojnë ide që mund të mos bien dakord me pikëpamjet tradicionale të biznesit. Zhvilloni një kulturë pozitive të skuadrës me komunikim të hapur dhe gjithëpërfshirës për të rritur moralin e kompanisë dhe për të aktivizuar maksimalisht punonjësit.

  1. Kuptoni tregjet globale

Kuptimi i tregut global sot është një aftësi kyçe, pavarësisht nëse po veproni globalisht apo jo. Liderët efektivë ruajnë një fokus global në bazë të përditshme. Kjo përfshin vlerësimin dhe qëndrimin në krye të kërkesave të klientëve, konkurrentëve, ekonomisë dhe politikave të tregut, në të cilat biznesi juaj operon. Nëse biznesi juaj është global, duhet të keni informacione sa më të qarta dhe të përhapura për tregun.

  1. Jini të ndershëm dhe të besueshëm

I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është besimi. Baza e çdo marrëdhënieje, ju duhet të kuptoni se karakteri dhe integriteti janë komponentë kyçë të të gjithë liderëve që presin të pasohen nga të tjerët. Thoni atë që keni në mendje dhe bëjeni atë që thoni. Punonjësit tuaj do të punojnë më shumë nëse kanë besim te ju. Po ashtu, kjo ndihmon klientët të njihen me standardet tuaja etike dhe të bashkëpunojnë me ju.

Si lider ju duhet të:

Investoni në trajnim, pasi teknologjia po zhvillohet gjithnjë e më shpejt dhe duke i trajnuar vazhdimisht punonjësit tuaj do të siguroheni që kompania juaj është në sinkron me zhvillimet më të reja dhe ka një biletë për të ardhmen.

Frymëzoni të tjerët duke ndërmarrë rreziqe dhe duke treguar me zjarr pasionin tuaj mbi atë që po bëni. Frymëzimi krijon një efekt domino dhe kështu skuadra juaj do t’ju pasojë në atë që do të ndërmerrni.

Mos kërkoni leje për veprimet që bëni dhe rreziqet që merrni përsipër vetëm ose në grup. Askush nuk është i aftë t’ju japë ose jo leje për të zhvilluar kompaninë tuaj, këto janë vendime që ju duhet t’i merrni vetëm.

Gjithashtu krijoni një vizion për grupin dhe kompaninë tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë shumë të përqendroheni në pasojat afatgjatë të punës suaj dhe të merreni me problemet e ditës, duke i parë ato në këndvështrimin e një imazhi të plotë të së ardhmes.

*Burimi: “Forbes”