Vizitorët e angazhuar & strategjia e marketingut online

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente2742 lexime


Nëse bëni marketing online, atëherë gjenerimi i vizitorëve të vazhdueshëm dhe të angazhuar është thelbi i suksesit afatgjatë të biznesit apo organizatës tuaj.

Ky shkrim do t’ju ndihmojë me disa koncepte thelbësore si të përmirësoni strategjinë tuaj të marketingut online.

Aktualisht, ‘mediat sociale’ dhe ‘motorët e kërkimit’ janë dy nga burimet kryesore që gjenerojnë vizitorë për shumicën e faqeve sot në internet. Në vartësi të llojit të faqes që keni, mediat sociale mund t’ju sjellin nga 40% deri në 80% të totalit të vizitorëve. Ndërkohë, nëse ju nuk jeni duke gjeneruar mjaftueshëm vizitorë nga mediat sociale atëherë burimi i dytë kryesor ka shumë gjasa të jenë motorët e kërkimit (p.sh. Google, Bing, etj.) pra vizitorët që vijnë duke hulumtuar në internet. Burimet e tjera të vizitorëve sigurisht mbeten Vizitat direkte, Referencat, Email marketing, etj.

Në këtë shkrim do fokusohemi te vizitorët nga dy burimet kryesore për t’ju ndihmuar të rivlerësoni strategjinë tuaj online.

Dy burimet kryesore te vizitoreve

Si ndikon niveli i angazhimit të vizitorëve nga motorët e kërkimit vs. mediat sociale

Sigurisht, mediat sociale po i konkurrojnë fort motorët e kërkimit në gjenerimin e vizitorëve për faqet në internet. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi shumë faqe sot arrijnë të gjenerojnë mjaft vizitorë falë mediave sociale.

Por, një nga dallimet kryesore ndërmjet vizitorëve që vijnë nga motorët e kërkimit dhe atyre nga mediat sociale është niveli i angazhimit (apo përkushtimit) të këtyre vizitorëve.

Ata që vijnë nga motorët e kërkimit janë më të qëllimshëm në atë që dëshirojnë dhe rrjedhimisht edhe më të prirur për t’u angazhuar me produktin/shërbimin që ju ofroni në faqen tuaj.

Vizitorët e angazhuar janë ata që më pas ‘konvertohen’ në lexuesit besnikë apo klientë të rregullt të biznesit/organizatës tuaj.

Më konkretisht, kur një person bën një kërkim në Google apo Bing ai/ajo tregon se ka një nivel të caktuar interesimi për atë që po kërkon. Ndërsa vizitorët nga mediat sociale shpesh janë pasivë dhe të pavendosur!

Vizitorët nga mediat sociale konsumojnë apo klikojnë ato që iu dalin përpara (pra janë pasivë) pa qenë gjithnjë të qëllimshëm apo të përkushtuar për t’u angazhuar mjaftueshëm me produktin/shërbimin që i serviret nëpërmjet mediave sociale.

Pra, edhe pse vizitorët nga mediat sociale mund të jenë më të shumtë ata janë vazhdimisht më pak të angazhuar për të marrë një vendim, sidomos kur synimi juaj është t’u shisni diçka apo t’i nxisni të ndërmarrin një veprim!

 

Mallkimi i mediave sociale

Vetë natyra ‘kalimtare’ e mediave sociale është edhe arsyeja pse prej kohësh ato e masin ‘engagement’ apo angazhimin si treguesin më të rëndësishëm për fansat tuaj brenda mediave sociale. Por angazhimi i vizitorëve në mediat sociale nuk është gjithnjë i barabartë me ‘konvertimin e menjëhershëm’ të tyre në vizitorë apo klientë besnikë të biznesit/organizatës tuaj!

Ndaj, nëse synoni të qëndroni në vëmendjen e ‘fansave’ tuaj, jeni të detyruar të punoni fort që ta mbani vazhdimisht të lartë nivelin e angazhimit të tyre nëpërmjet publikimeve dhe materialeve interesante, ndryshe ata ju harrojnë kollaj (dalja nga vëmendja e fansave = mallkimi i mediave sociale*)!

 

Çfarë duhet të keni parasysh që të gjeneroni vizitorë të angazhuar në afatgjatë?

Siç e përmendëm pak më sipër, vizitorët nga mediat sociale janë shpesh më të shumtë por ata kanë probleme me ‘përkushtimin’ apo angazhimin. Ata janë vazhdimisht në lëvizje dhe niveli i vëmendjes që mund t’ju kushtojnë është vazhdimisht i ndryshueshëm dhe në rënie.

Një moment mund t’ju ‘pëlqejnë’ dhe t’ju ndjekin me interes pastaj, brenda pak sekondash, mund t’ju harrojnë tërësisht për të ndjekur diçka tjetër, mbase pa lidhje fare me interesin fillestar!

Pra, ‘mallkimi i mediave sociale*’ bën që ju të jeni të detyruar të publikoni materiale që gjenerojnë ‘ngacmime të vazhdueshme’ për të mbajtur sadopak konstante vëmendjen e ndjekësve tuaj brenda mediave sociale! Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ju publikoni materiale të lehta pa shumë përmbajtje!

Ndërkohë, situata me vizitorët nga motorët e kërkimit është disi më pozitive në këtë drejtim. Ju mund të keni publikuar disa shkrime apo materiale në faqen tuaj, të cilat sakaq janë indeksuar në motorët e kërkimit. Më pas, materialet e publikuara në faqen tuaj fillojnë të gjenerojnë vizitorë të interesuar nga të gjitha anët e botës që janë vërtetë të angazhuar dhe të interesuar në atë që ju ofroni nëpërmjet faqes tuaj (pra janë aktivë).

Kjo nuk do të thotë që ju duhet të ndaloni së publikuari materiale të reja dhe me vlerë. Por nëse e bëni këtë gjë vetëm në mediat sociale, atëherë edhe vlera e publikimeve tuaja mbetet afatshkurtër dhe nuk ju ndihmon për të gjeneruar vizitorë të tjerë.

Sipas disa statistikave të mbledhura nga postime për industrinë e turizmit, kohëzgjatja mesatare e një ‘status update’ publikimi në Facebook ishte vetëm 90 minuta. Pra pas rreth 90 minutash postimi juaj në Facebook e humbet tërësisht vlerë e vetë pasi nuk e sheh më askush. Ndërkohë, që nëse e publikoni në faqen tuaj ai publikim mund të zbulohet dhe lexohet edhe vite më vonë!

 

Si mund t’i menaxhoni të dyja burimet njëherësh?

Prandaj, kur ju keni një strategji të mirë për publikimin e materialeve cilësore në faqen tuaj, që indeksohen në motorët e kërkimit, atëherë investimi në publikimin e materialeve do vijojë t’ju sjellë vizitorë realisht të interesuar në ato që ju ofroni. Këto publikime më pas ju mund t’i ri-publikoni lehtësisht edhe nëpër mediat sociale që të mund të gjeneroni vizitorë shtesë falë tyre!

Nëse publikoni rregullisht materiale cilësore në faqen tuaj, shumicën e kohës ju nuk do keni nevojë të bëni shumë publikime për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve tuaj (kundrejt publikimit ezaurues nëpër mediat sociale). Publikimet e rregullta do t’i ndihmojnë vizitorët tuaj të rikthehen në faqen tuaj rregullisht duke rritur kështu gjasat që të bëhen lexues të rregullt apo klientë besnikë. Publikimi i rregullt dhe cilësor gjithashtu është edhe arsyeja pse vizitorët tuaj do rikthehen, pasi ata nuk mund të vijnë për të lexuar apo konsumuar të njëjtat informacione disa herë (‘informacioni i përditësuar’ është edhe një nga arsyet e suksesit të mediave sociale)!

 

Në përfundim

Sekreti i suksesit me të gjitha burimet e gjenerimit të vizitorëve është fakti që juve ju duhet të punoni seriozisht me publikimin e materialeve dhe informacioneve me interes për ndjekësit dhe vizitorët tuaj potencialë.

Në përfundim, strategjia afatgjatë është ‘diversifikimi’ dhe menaxhimi strategjik i burimeve që gjenerojnë vizitorë për faqen tuaj! Kuptohet, gjenerimi i vizitorëve është vetëm pjesa e parë, pasi më pas ju duhet t’i bindni (konvertoni) ata që të qëndrojnë si vizitorë apo klientë të rregullt, por ky është një shkrim tjetër!

P.S. *mallkimi i mediave sociale – është një shprehje që e kam shpikur për të treguar orvatjen e vazhdueshme që ju duhet të bëni për të mbajtur të lartë angazhimin dhe përkushtimin e ndjekësve tuaj në mediat sociale.
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?
Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal

 
>