Pse duhet t’i ndani tre kategoritë e marketingut dixhital?

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente2565 lexime


Si pjesë e trajnimit katër orësh mbi Marketingun Strategjik në Internet ishte edhe diskutimi mbi tre kategoritë orientuese për marketingun dixhital.

Përkufizimi i këtyre tre kategorive ju ndihmon të kuptoni se si mund t’i gruponi e menaxhoni më mirë kanalet e ndryshme dixhitale. Më tej, ato ju orientojnë për t’i dhënë prioritet mediave që përputhen më mirë me nevojat dhe burimet e biznesit/organizatës tuaj online.

Kategorizimet nuk janë të domosdoshme por kur kuptoni dallimet mund të qartësoheni edhe mbi mënyrën se si duhet të orientohet strategjia e marketingut tuaj në internet.

 

Cilat janë ato?

Kanalet e marketingut dixhital mund kategorizohen si medie të ndara në:

  • Mediat me pagesë (Paid)
  • Mediat e fituar (Earned)
  • Mediat në pronësi (Owned)

Secila prej këtyre medieve ka rëndësinë dhe peshën e vetë, por një ndër synimet e marketingut tuaj strategjik duhet të jetë përqendrimi e njëherazi rritja e vlerës së mediave ‘në pronësi’ kundrejt dy medieve të tjera. Aryeja kryesore është fakti që ju nuk keni kontroll të plotë mbi dy të tjerat!

Media me pagesë

Mediet me pagesë, siç mund të kuptohet edhe nga emri, janë ato kanale apo medie të cilat ju i përdorni kundrejt pagesës. Kryesisht bëhet fjalë për reklamat e ndryshme që ju mund të bëni në internet apo nëpërmjet platformave si Facebook Ads, Google Ads, LinkedIn, etj., por sigurisht që këtu përfshihen edhe reklamat në faqet e medieve të ndryshme si gazeta, revista, portale, etj. Pra ju paguani që të reklamoni brand-in apo promovoni fushatën e biznesit/organizatës tuaj duke shfrytëzuar medien dhe audiencën e dikujt tjetër.

Media e fituar

Kjo medie, në një mënyrë apo një tjetër, i shton vlerë biznesit/organizatës tuaj duke rritur dijeninë, prestigjin e brandit apo produkteve/shërbimeve tuaja. Media e fituar ju referon (sjellë) klientë dhe vizitorë në median tuaj në pronësi. Por, gjithashtu ju lejon të ndërtoni një bazë ndjekësish, zakonisht brenda platformës së dikujt tjetër. Si shembuj kryesorë mund të përmendim Facebook-un, Instagram-in, etj. Këtu futen edhe shkrimet apo përshtypjet që shkruhen duke iu referuar biznesit/organizatës tuaj.

Pse Facebook-u apo Instagrami nuk janë tuajat? Ju mund të thoni se organizata/biznesi im ka fansat e vetë në Facebook, pra ju mund t’i konsideroni ata si ‘pronë’ e juaja! Po në fakt kush është ‘pronari’ i vërtetë i Facebook-ut, ju? Pra të gjithë jemi ‘qiraxhi’ në këto lloj platformash sociale ose jo dhe ‘qiraja’ jonë mund të mbarojë në çdo moment!

Media në pronësi

Kjo medie është ajo që ju realisht e zotëroni! Pra nuk është tërësisht në vartësi të një shërbimi apo platforme tjetër si Facebook-u. Faqja juaj zyrtare është medie në pronësinë tuaj. Po ashtu janë lexuesit, lista e abonentëve tuaj me email, aplikacioni juaj mobil, etj. Këto lloj mediesh kanë koston e vetë dhe kërkojnë resurse për t’u mirëmbajtur, por në fund të ditës ato janë nën zotërimin tuaj. Ndaj, synimi juaj strategjik dhe afatgjatë duhet të jetë forcimi dhe shfrytëzimi sa më i mirë i këtyre medieve.

A jeni dakord me këto kategorizime? Çfarë mendoni se mungon apo duhej përkufizuar ndryshe?

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?
>