Ndonëse në ditët e sotme në internet ka shumë tipe faqesh që kryejnë një shumëllojshmëri funksionesh apo përmbushin synime të ndryshme, për rastin tonë do prezantojmë kategoritë bazë të faqeve të biznesit.
Thënë ndryshe: nëse ju jeni duke menduar të krijoni apo keni sakaq një faqe e cila është në funksion të biznesit tuaj, synimi (kategorizimi i faqes) është baza mbi të cilën mund të vlerësohet më mirë funksionimi dhe efikasiteti i vetë faqes.
Sqarim: Këtu nuk po flasim për faqet në Facebook (shih shënimin në paragrafin e fundit)
Tregti online (e-commerce)
Funksioni kryesor i këtyre faqeve është mundësimi i shitjes së produkteve dhe shërbimeve të ndryshme që ofron biznesi juaj direkt nga faqja, pra pa pasur nevojë që klienti të paraqitet pranë dyqanit apo zyrave të biznesit përkatës. Ndonëse ende në fillimet e veta këto lloj faqesh po përhapen relativisht shpejt edhe në Shqipëri, por ekzistojnë ende mjaft pengesa për zhvillimin e shpejtë të këtyre lloj faqesh.
Dy shembuj (ShtepiaeLibrit.com; Neptun.al; etj)
Gjenerimin shitjesh (lead generation)
Këto lloj faqesh, në pamje të parë nuk duket se ndryshojnë shumë nga faqet për shitjet online, por në fakt funksioni i tyre kryesor është ai nxitës/reklamues pasi shitja e produkteve apo shërbimeve ndodh tjetër kund. Për shembull, një faqe e cila reklamon rrobat apo shërbimin e konsulencës, por nuk e shet këtë shërbim direkt nëpërmjet faqes online, në fakt u ofron klientëve potencialë të kompanisë mundësinë që të vihen në kontakt direkt me përfaqësuesit e saj për të përfituar produktin apo shërbimin e dëshiruar. Kontakti me kompaninë bëhet më pas me email, telefon, duke vizituar dyqanin/zyrën e biznesit, etj. (Shembuj janë shumica e faqeve të agjencive imobiliare, turistike, etj).
Publikime të ndryshme
Rasti më tipik i këtyre lloj faqesh janë gazetat apo revistat e ndryshme të cilat sigurisht ofrojnë shkrimet dhe publikimet e tyre për lexuesit e ndryshëm. Ky model biznesi funksionon nëpërmjet shitjes së abonimeve online për lexuesit e ndryshëm ose/dhe shitjes së hapësirave reklamuese te bizneset e tjera apo palët e treta, të cilat efektivisht i përdorin këto faqe për t’i vënë në funksion të gjenerimit të shitjeve për produktet apo shërbimet që ata ofrojnë nëpërmjet faqes së tyre ose pikave të shitjes/zyrës, etj.
Ndihmë ndaj klientit (support)
Ndonëse disi më pak i njohur për audiencën shqipfolëse, funksioni i këtyre lloj faqesh është lehtësisht i kuptueshëm. Nëse biznesi apo kompania juaj ofron një shërbim apo produkt të caktuar, funksioni i kësaj lloj faqeje është t’u ofrojë mbështetje klientëve tuaj ekzistues dhe potencialë në lidhje me nevojat/pyetje që ata kanë në lidhje me produktin apo shërbimit tuaj. Një rast mjaft tipik dhe i mirënjohur është faqja e DigitAlb-it kur një pjesë e mirë e funksionit të saj i përkushtohet mbështetjes së klientëve ekzistues me informacione dhe përgjigje për problemet që ata kanë si abonentë. Këto lloj faqesh ofrojnë informacione teknike ose forume ku klientët mund të gjejnë zgjidhjet që u nevojiten.
Branding (imazhi i kompanisë)
Ndonëse, ky është një nga funksionet më bazë të çdo faqeje interneti nëpërmjet të cilit përçohet imazhi dhe emri i kompanisë (branding) te klientët ekzistues dhe ata potencialë. Efektivisht, çdo faqe interneti është një faqe që ka për funksion “branding” – pra përçimin e imazhit dhe përhapjen e emrit të kompanisë apo biznesit përkatës te një audiencë sa më e gjerë. Edhe një faqe e thjeshtë kontakti, në fakt është faqe që përçon imazhin tuaj te klientët, pra duhet treguar kujdes që imazhi juaj të jetë gjithnjë i kuruar!
Faqet në Facebook
Një numër i madh biznesesh duket sikur e kanë “zgjidhur” problemin e faqes online me një faqe në Facebook. Por, duhet sqaruar se Facebook nuk është gjë tjetër veç se një rrejt social (sigurisht më i madhi aktualisht) por që nuk duhet të mbetet si burimi kryesor i prezantimit tuaj online, pasi kjo përmban shumë rreziqe ndër të cilat mund të përmendim a) Facebook mund t’i ndryshojë rregullat kur të dojë, mund t’ju penalizojë, kufizojë ose rrisë kostot e përdorimit; b) jo të gjithë klientët tuaj ekzistues apo potencialë janë në Facebook; c) Facebook është sot për sot rrjeti më i madh social në botë, por edhe për sa kohë! d) etj.
Në përfundim
Duhet të sqarojmë se synimi i një faqeje nuk mund të jetë i kufizuar vetëm në funksionin kryesor të saj, por përcaktimi i synimit (apo kategorizimi) i faqes është baza mbi të cilën mund të vlerësohen mirëfunksionimi dhe efikasiteti i vetë faqes.
Keni ndonjë sugjerim për ndonjë tip tjetër faqeje? Mos nguroni ta sugjeroni te komentet…