Ky shkrim është pjesa e dytë e shkrimit: Si ta masni efikasitetin e faqes së biznesit/organizatës. Ndaj ju ftojmë të lexoni shkrimin e parë për më shumë qartësi.
Për efekt ilustrimi do të përdorim statistikat e ndërveprimit të vizitorëve me SfidaBiznesi.com
Ju sqarojmë se synimi kryesor i kësaj faqeje nuk është të gjenerojë sa më shumë vizitorë (për efekt numri) se sa lexues të mirëfilltë të cilët konsumojnë sa më shumë prej shkrimeve që ne kemi publikuar.
Sesionet – sipas imazhit të mësipërm shohim që përqindja e sesioneve/vizitave të vitit 2016 krahasuar me ato të vitit 2015 ka pësuar një rënie me -10.75%, pra ka rënë nga 2,261 sesione në vitin 2015 në 2,018 sesione në vitin 2016. Kjo nënkupton që numri total i vizitave nga viti i kaluar ka pësuar një rënie. Arsyet pse kjo metrikë ka ndryshuar negativisht lidhen me disa aspekte të mënyrës se si ne po e reklamojmë/marketizojmë faqen këtë vit. Por ju sigurojmë që kjo nuk na shqetëson, pasi siç e përmendëm metrikat duhet të jenë në funksion të synimit kryesor që ne kemi në lidhje me vizitorët e faqes tonë, i cili nuk është aq shumë sasior se sa cilësor!
Users – përdoruesit unikë apo vizitorët unikë gjithashtu kanë pësuar një rënie me nga 1,409 vizitorë unikë në 2015 në 1,334 vizitorë unikë për të njëjtën periudhë 30 ditore të krahasuar ndërmjet vitit 2015 dhe 2016. Kjo rënie me -5.32% nënkupton që nuk kemi pasur një rritje me vizitorë të rinj unikë, pra mbetet një tregues negativ që duhet përmirësuar.
Pageviews – ndërkohë ‘faqet e klikuara/vizituara’ është rritur me 142.51%. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që në vitin 2015 për të njëjtën periudhë 30 ditore të kishim vetëm 3,063 faqe të vizituara dhe ndërkohë në vitin 2016 ky numër të jetë rritur në 7,428 faqe të vizituara. Për rastin tonë ky është edhe një tregues mjaft pozitiv dhe në përputhje edhe me synimin tonë për të rritur ndërveprimin e lexuesve tanë me shkrimet. Disa nga faktorët që kanë ndikuar pozitivisht lidhen me numrin e shkrimeve që kemi publikuar, llojet e shkrimeve, teknikat për të nxitur leximin e shkrimeve të tjera brenda faqes, përzgjedhjen e lexuesve nëpërmjet kanaleve të marketingut, ndryshimi i dizajnit, etj., etj.
Pages / Sessions – gjithashtu edhe raporti i ‘faqeve të vizituara për çdo vizitë’ është përmirësuar ku numri i faqeve që çdo vizitor ka shikuar gjatë një vizite është rritur nga 1.35 faqe për vizitë në 3.68 faqe për çdo vizitë, ose thënë ndryshe një rritje me 171.71% nga 2015 në 2016-ën. Përmirësimi i këtij raporti është rezultat direkt i statistikës bazë që është numri i ‘faqeve të vizituara’ apo ‘pageviews’.
Avg. Session Duration – Raporti i kohëzgjatjes mesatare për çdo vizitë, pra koha mesatare që një vizitor shpenzon duke shikuar faqet e brendshme është përmirësuar gjithashtu me një raport fantastik prej 758.98%, pra ka shkuar nga një kohëzgjatje mesatare prej vetëm 0.08 sekonda në vitin 2015 në 1.07 minuta për çdo vizitë që është bërë gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2016. Ky ndryshim lidhet drejtpërdrejtë me përmirësimin e ndërveprimit të vizitorëve me përmbajtjen dhe funksionimin e faqes dhe është padyshim një raport ‘cilësor’ se sa thjesht ‘sasior’! Për faqen tonë kjo nënkupton që përmbajtja e faqes është vërtetë interesante dhe vizitorët dëshirojnë vërtetë të kalojnë kohë për t’i lexuar shkrimet.
Bounce Rate – edhe ky raport ka pësuar një përmirësim të ndjeshëm nga viti 2015 në 2016-ën me një ndryshim pozitive prej -89.46%. Thënë më qartazi, në vitin 2015 numri i personave që vizitonin vetëm 1 faqe dhe pastaj dilnin (kërcenin jashtë faqes) ishte plot 81.78% i totalit të vizitorëve, pra shumica dërmuese as që merrnin mundimin të eksploronin faqet e tjera pasi kishin parë faqen e pare, dhe vetëm diçka më shumë se 18% e tyre (pjesa tjetër) qëndronin më gjatë në faqe për të shikuar faqet e tjera. Ndërkohë, që në vitin 2016 ky raport u krye përmbys ku tani vetëm 8.62% e totalit të vizitorëve shikojnë vetëm 1 faqe dhe pastaj dalin jashtë. Pjesa tjetër, pra mbi 91% e totalit të vizitorëve qëndrojnë duke klikuar edhe në faqe të tjera të brendshme ose mesatarisht 3.68 faqe për çdo vizitë (Pages/Sessions) dhe harxhojnë mesatarisht 1.07 minuta për çdo vizitë (Avg. Session Duration).
Në përfundim
Kjo është një hyrje disi e përmbledhur e raporteve dhe metrikave që ju ofrohen nëpërmjet Google Analytics për të matur ndërveprimin e vizitorëve me faqen tuaj. Do ishte e pamjaftueshme të themi që nëse kapim një kuotë të caktuar vizitorësh, atëherë duhet të jemi të kënaqur pasi nëse ata vizitorë nuk ndërveprojnë me faqen tuaj, atëherë gjasat janë që ata nuk do kthehen më dhe po kështu do të jetë edhe probabiliteti i arritjes së objektivave tuaja në një periudhë më të gjatë.