“A/B Testing” apo testimi i variablave A/B është një metodë shkencore nga fusha e statistikave që është adoptuar gjerësisht, e me shumë sukses, edhe në botën e marketingut dixhital. Kjo metodë ju lejon të përmirësoni pak a shumë gjithçka që ju bëni jo vetëm me marketingun dixhital por me gjithë proceset e përsëritshme brenda biznesit apo organizatës tuaj.
Synimi i kësaj metode është të rrisë efikasitetin e një procesi duke testuar dy apo më shumë versione të një variable për të nxjerrë probabilitetin ose versionin më të mirë ndërmjet tyre.
Në kontekstin e marketingut dixhital, nëse ju keni mundësi ta përmirësoni performancën e marketingut tuaj qoftë edhe me 5% nëpërmjet testimit ab atëherë ju mund të:
Në botën e marketingut dixhital kjo metodë aplikohet gjerësisht për të matur dhe rritur efikasitetin e proceseve duke testuar çdo lloj elementi apo grupi elementesh si p.sh. variantet e ...
P.sh. nëse kemi një buton që thotë ‘blije tani’ ky buton mund të testohet kundrejt një butoni tjetër të ngjashëm që thotë ‘shtoje në shportë’ për të parë se cili buton i nxit klientët të klikojnë dhe blejnë më shumë pa rritur kostot e marketingut.
Ose, nëse keni dy reklama të ngjashme në Facebook, atëherë këto dy reklama (reklama dinamike) mund të testohen kundrejt njëra-tjetrës për të parë se cila reklamë klikohet apo sjellë më shumë vizitorë në faqen tuaj.
Testimi A/B ju lejon të kuptoni se cili version ju lejon të përmirësoni/optimizoni më shumë metrika si p.sh.:
* Termat në anglisht i vendosa që të fillojmë t'i përdorim këto terma në gjuhën e bukur shqipe 🙂
Në thelb, ju ndihmon të përmirësoni performancën e proceseve të biznesit apo organizatës tuaj duke bërë të njëjtën gjë që bëni pa pasur nevojë të shpikni çdo herë rrotën me sisteme apo procese të reja!
Sfida tjetër që testimi A/B zgjidh për marketingu dixhital
Njëherazi, kjo metodë është fantastike edhe sepse ju ndihmon të kuptoni preferencat e vizitorëve apo klientëve tuaj kundrejt vendim-marrjes subjektive nga vendimmarrësit brenda kompanisë apo organizatës.
Thënë ndryshe, kur krijoni një fushatë apo publikoni një reklamë, zakonisht ju krijoni një variant unik dhe pastaj vazhdoni me këtë variant nën pretendimin se ky është varianti më i mirë për të arritur objektivin e vendosur.
Por nëse do krijonit dy versione të së njëjtës reklamë për t’i krahasuar me njëra-tjetrën atëherë ju mund të testoni dhe kuptoni se cili variant është më afër preferencave të vizitorëve apo klientëve tuaj. Ata ua tregojnë këtë gjë duke klikuar variantin e preferuar. Në këtë mënyrë ju shmangni subjektivizmin apo preferencat tuaja në funksion të zgjedhjes së vetë klientëve.
Rrjedhimisht, edhe nëse ju kemi krijuar një reklamë shumë të mirë, ajo mund të përmirësohet edhe më tej duke e testuar kundrejt një apo më shumë varianteve të ngjashme për të rritur efikasitetin e marketingut dhe vetë biznesit tuaj.
Pak histori
Sipas Wikipedia kjo metodë mund të jetë shpikur që në vitin e largët 1908 ndërkohë që në botën dixhitale thuhet se ishin inxhinierët e Google që e përdorën në vitin 2000 (por jam i bindur që është përdorur edhe më herët.
Me zhvillimet teknologjike kjo lloj metode është bërë edhe më e lehtë për t’u implementuar nga shumica qoftë edhe me pak njohuri teknike.
Si ta kuptojmë sa e rëndësishme është kjo metodë?
Metoda e testimit A/B është një fushë e tërë e cila sakaq përbën bazat e shërbimeve dhe madje vetë produktin kryesor të kompanive të ndryshme nëpër botë. Sidomos në kontekstin e dixhitalizimit të çdo lloj biznesi apo organizate, nevoja për optimizim apo përmirësim të proceseve që lidhen me eksperiencën e klientëve tuaj është një domosdoshmëri jetike dhe diferencuese kundrejt konkurrencës.
P.sh. Google.com e ofron si shërbim nëpërmjet Optimize që është pjesë e paketës së shërbimeve analitike që ofron.
- Optimizely është një kompani tjetër ndërkombëtare e fokusuar vetëm te këto lloj shërbimesh që zakonisht ofrohen me kontrata që kushtojnë qindra dhe mijëra dollarë çdo muaj.
- Unbounce gjithashtu ofron mundësinë e krijimit të faqeve prezantuese (landing pages) por e diferencon vetën nga konkurrenca duke ofruar edhe mundësinë e optimizimit të këtyre faqeve nëpërmjet testimit A/B.
- ClickFunnels është një tjetër alternativë që ju lejon të krijoni faqe prezantuese (landing pages); hinka shitjesh (sales funnels); forma abonimi, etj., e mbi të gjitha që ju lejon të testoni çdo variant që krijoni sipas metodës së testimit A/B.
- SplitHero.com është një nga shërbimet më të reja që synon ta ofrojë këtë shërbim në mënyrën më të thjeshtë të mundshme dhe me cmime të arsyeshme.
- Thrive Optimize është pjesë e shtojcave (plugins) pjesë e Thrive Themes dhe është në fakt një nga mënyrat më të thjeshta për të krijuar testime A/B për faqet prezantuese (landing pages)
Këto ishin vetëm disa shembuj kompanish por në thelb ajo që po ju tregojmë është potenciali që kjo metodë ju ofron drejt përmirësimit të proceseve të brendshme të marketingut që ndikojnë drejt-për-drejtë te përmirësimi i rezultateve të biznesit dhe eskperiencës së klientëve tuaj ekzistues apo potencialë.
Dy shembuj fushatash që janë testuar sipas metodës A/B
Synimi i këtij shkrimi nuk është t’ju frikësojë apo t’ju bëjë të ndiheni sikur kjo metodë nuk mund të aplikohet deri diku lehtësisht edhe nga ju vetë, pavarësisht njohurive teknike. Shembujt që po ju tregojmë janë në thelb e njëjta gjë që bëjnë edhe korporatat e mëdhaja me buxhete multimilionëshe.
Shembulli 1: Fushata për 5 videoleksionet
Pas një rifreskimi që i bëra kursit për marketingun me email vendosa ta ri-promovoj nëpër disa kanale sociale dhe faqe të tjera.
Konkretisht e testova te blogu im personal kur çdo vizitori i del një njoftim (slidein) që e fton të regjistrohet për këtë kurs. Blogu nuk ka shumë vizitorë por aq sa ka mjaftojnë për të implementuar testimin A/B.
Si formë testimi përdora këto dy variante: Varianti A dhe B.
Varianti A i fton vizitorët të klikojnë një buton të thjeshtë bazuar mbi një titull të thjeshtë “Kurs: Filloni marketingun tuaj me email me këto 5 video leksione.”
Ndërsa varianti B ka një titull pak më intrigues por ndryshimi kryesor është përdorimi i dy butonave, në vend të një butoni. Kjo teknikë i jep edhe më shumë mundësi zgjedhje vizitorit duke ulur nivelin e perceptuar të imponimit për të klikuar.
Cili version mendoni se doli më i suksesshëm sipas klikimeve?
Ja dhe tabela me rezultatet e klikimeve.
- Varianti A – Kurs – Marketingu me email
- Varianti B – Kurs – Marketingu me email – Updated
Siç mund të shihet edhe nga imazhi, ndonëse ka një numër të përafërt shikimesh (views), numri i klikimeve është dukshëm më i madh për Variantin B.
Po ta pjesëtojmë numrin total të klikimeve me numrin total të shikimeve (clicks/views = click through rate) mund të nxjerrim atë që quhet ‘raporti i klikimeve’ (CTR) për secilin variant.
- Varianti A: 7 klikime / 61 shikime = 11%
- Varianti B: 22 klikime / 73 shikime = 30%
Dukshëm varianti B ishte më i suksesshëm në këtë drejtim, rrjedhimisht e adoptova si variantin kryesor brenda blogut dhe nuk e ndryshova më tej. Madje, duke kuptuar që ky variant ishte më i suksesshëm fillova ta adoptoj edhe për njoftime të ngjashme nëpër faqe të tjera. Pra duke testuar dy variante arrita të rrisë numrin e klikimeve si dhe të kuptoj disa parime që mund t’i implementoj edhe në faqe të tjera me rezultate edhe më të mira.
Shembulli 2: Forma e Abonimit te SfidaBiznesi.com
Një testim i ngjashëm u bë edhe për Formën e Abonimit në këtë faqe. Testimi zgjati disa javë rresht dhe synonte të kuptojë diferencë që mund të sillte vonesa në kohën kur shfaqet Forma e Abonimit për vizitorët e rinj.
Më konkretisht, testimi provoi diferencën që sillte vonesa me 10 sekonda.
Versioni A iu shfaqej vizitorëve të faqes pas 60 sekondash, ndërsa Versioni B iu shfaqej atyre pas 70 sekondash.
Sipas dy tabelave të mëposhtme mund të shohim se Version A, që ishte edhe versioni origjinal, kishte një performancë më të mirë se sa Versioni B ndonëse me një diferencë shumë të vogël por të kuptueshme nga 0.91% në 1.66% (pra me +1.27%) ose 6 abonentë më shumë pasi Versioni A kishte gjeneruar 14 abonentë ndërsa versioni B vetëm 8 abonentë për të njëjtën periudhë (shihni tabelat këtu poshtë).
Në përfundim
Shembulli i dytë ishte disi më i komplikuar në dukje por ideja e testimit dhe e rezultatit ishte e njëjta.
Nëse me pak ndryshime ju do arrinit të kishit një rritje qoftë edhe prej 1.17% të numrit të klientëve që blejnë, atëherë kjo rritje do kontribuonte direkt te totali i të ardhurave apo niveli i angazhimit të këtyre klientëve me produktin/shërbimin tuaj.
Ndaj, nëse keni arritur të kuptoni sadopak vlerën e kësaj metode, atëherë sfida tani është si ta implementoni këtë metodë për të rritur performancën e proceseve të përsëritshme në marketingun apo biznesin ose organizatën tuaj duke ndikuar direkt te rritja dhe eksperienca e klientëve tuaj.
Keni komente, pyetje apo sugjerime? Ju lutem shtojini këtu poshtë 🙂
Dëshironi t'ju ndihmojmë të përmirësoni performancën e faqes apo dyqanit tuaj online, atëherë na kontaktoni.