7 zakonet e njerëzve të suksesshëm, Stephen R. Covery

7 zakonet e njerëzve të suksesshëm, Stephen R. Covery

Këto këshilla bazohen te libri me të njëjtin emër (7 zakonet e njerëzve të suksesshëm) i cili ofron leksione të fuqishme për ndryshimin individual nëpërmjet atyre që autori i përcakton si zakonet e domosdoshme për të qenë një njeri i suksesshëm.

Zakoni i parë: Ji proaktiv!

Mos u përqendro në gjërat që nuk mund t’i kontrollosh por te ato që mund t’i ndryshosh vetë. Ky është edhe përkufizimi i të qenit proaktiv sipas autorit. Të qenit proaktiv është e kundërta e të qenit ‘reagues’ (reactive) dhe nënkupton marrjen e përgjegjësisë për të ndryshuar realitetin tënd kundrejt të ankuarit të vazhdueshëm për gjërat që në dukje nuk i ndryshon dot!

Zakoni i dytë: Fillo me fundin në mendje!

Si do doje që të ishte fundi yt? Si do doje që të përfundonin gjërat? Si do doje që të të kujtojnë? Në dukje këto lloj pyetjesh duket sikur të bëjnë të mendosh për të keqen por synimi është i qartë? Duhet të vendosësh objektiva dhe synime për jetën dhe karrierën tënde! Vetëm në këtë mënyrë do arrish të ecësh me qartësi! Vetëm kur fillon ta konsiderosh jetën dhe punën tënde nga ky këndvështrim, atëherë do arrish të bësh dallimin e vlerës së punës apo zakoneve që ke aktualisht.

Zakoni i tretë: Jepi përparësi gjërave kryesore!

Sa prej nesh, kur na bëjnë pyetjen se cilat janë gjërat më të rëndësishme, do thoshim se familja, shëndeti dhe mirëqenia janë kryesoret? Ndërkohë që asnjëri prej nesh nuk do thoshte se kompjuteri, televizori apo ndjekja e procedurave janë prioritare! Por, realiteti është se shumica e kohës tonë shkon pikërisht te këto gjërat dytësore dhe jo duke u investuar te ato parësoret!

Pra ka një diferencë të madhe ndërmjet asaj që themi se është parësore dhe asaj që bëjmë shumicën e kohës. Rrjedhimisht, duhet të fillojmë t’i japim përparësi gjërave kryesore!

Zakoni i katërt: Mendo fitore-me-fitore!

Shpesh është e vështirë të kuptosh apo pranosh se si suksesi i konkurrentit tënd mund të të sjellë edhe ty sukses, por sipas autorit kjo është tërësisht diçka e realizueshme pasi ka gjithmonë mënyra se si mund të arrihet një fitore për të dyja palët! Thënën ndryshe, duhet të ndalojë së menduari që ju mund të fitoni vetëm kur dikush tjetër humbet!

Zakoni i pestë: Syno fillimisht të kuptosh dhe më pas të të kuptojnë!

Askujt nuk i bëhet vonë se sa kohë kam shpenzuar unë për të përgatitur këtë shkrim përmbledhës apo për autorin që të shkruajë këtë libër, por i vetmi shqetësim është nëse ky shkrim do t’ju ofrojë vlerë juve. Ndërkohë, nëse unë si rishkrues i këtij shkrimi do fokusohesha vetëm te ideja që njerëzit që e lexojnë këtë shkrim duhet të vlerësojnë kohën dhe energjinë time, atëherë do ishte një përpjekje e kotë në vetvete, por nëse do përpiqesha të fokusohesha për të kuptuar se si ky shkrim mund t’i shtojë cdo lexuesi vlerë për jetën e vetë, atëherë do kem arritur diçka!

Zakoni i gjashtë: Kërko sinergjitë!

Imagjinoni një pemë me mollë dhe dy njerëz të cilët përpiqen të kapin mollët por janë të dy të shkurtër për t’i arrirë. Nëse secili prej tyre do të përpiqej t’i kapte mollët vetëm atëherë gjasat janë që nuk do arrinin të mblidhnin mjaftueshëm, por kjo situatë do ndryshonte pozitivisht nëse atë do vendosnin të ndihmonin njëri-tjetrin. Bashkimi i forcave për të arritur një rezultat edhe më të madh quhet ‘sinergji’. Thënë ndryshe, 1+1= 3 ose 5, pasi bashkimi i energjisë së përbashkët mund të japë rezultate edhe më të mëdha se ato të një individi që punon vetëm!

Zakoni i shtatë: Mprehe sëpatën!

Imagjoni dikë që po përpiqet të presë një pemë por i duhet shumë kohë për ta bërë këtë. Ndërkohë, një miku i vetë afrohet dhe i sugjeron që të mprehë sëpatën. Reagimi i tij/saj është që mprehja e sëpatës kërkon kohë. Në thelb kjo histori thekson nevojën e gjetjes së kohës për t’u përgatitur për punën që na pret. Koha e investuar për ‘mprehjen e sëpatës’ është kohë e domosdoshme për suksesin e vazhdueshëm në çdo lloj projekti apo sipërmarrje në jetë. I njëjti parim vlen edhe për kohën që duhet të shpenzojmë rregullisht për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien tonë fizike dhe mendore!

Read More
Siguria juaj online

Këshilla: Si të qëndroni të sigurt online? Pjesa e dytë

pjesën e parë të këtij shkrimi ju sugjeruam katër parime bazë që duhet të orientojnë mënyrën se si ju lundroni online. Në pjesën e dytë do t’ju tregojmë disa gjëra më praktike dhe teknike se si të qëndroni të sigurt online. Nëse keni pyetje apo sugjerime, mos nguroni t’i shtoni te pjesa e komenteve.

Disa sugjerime praktike

Mbrojtja e identitetit tuaj

Ashtu siç futeni ju online, ashtu futen edhe persona që mund të duan t’ju dëmtojnë.

Ndaj bëni kujdes pasi informacioni që publikoni mbi veten tuaj mund t’ju bëjë pre të sulmeve dhe abuzimeve nga persona të tjerë por edhe vete “miqtë” tuaj!

P.sh. çdokush mund të keqpërdorë:

  • Fotot personale
  • Adresën apo informacionet e tjera të kontaktit
  • Datëlindjen juaj (për t’ju zbuluar fjalëkalimin, etj.)
  • Rrjetin shoqëror (miqtë në Facebook apo rrjete të tjera kur marrin akses të llogarisë tuaj)

Këto informacione mund të përdoren për t’ju njohur apo gjetur informacione të tjera rreth jush. Shpesh herë, këto informacione mund të çojnë edhe në gjetjen e fjalëkalimit të llogarive tuaja në rrjetet sociale por edhe në vende të tjera.

Ndaj disa mënyra të përdorimit të sigurt të internetit kërkojnë që ju të:

  • krijoni fjalëkalime të vështira,
  • ndryshoni fjalëkalimin tuaj çdo disa muaj,
  • tregoni shumë kujdes kur e përdorni internet në internet kafe (pasi aty ju kopjojnë të dhënat),
  • mos ia tregoni askujt fjalëkalimin,
  • aktivizoni opsionet e sigurisë së dyfishtë për email-in dhe rrjetet sociale,
  • krijoni një adresë të dytë për faqet e dyshimta

Mbrojtja nga viruset

Një nga mënyrat kryesore se si mund të vidhen të dhënat tuaja personale është nëpërmjet viruseve që mund të instalohen në kompjuterin tuaj me ose pa dijeninë tuaj.

Kompjuterat në internet kafe janë vazhdimisht të mbushur me këto lloj virusesh

  • Instaloni një program të mirë kundër viruseve (falas Microsoft Security, Avira, etj.)
  • Skanoni kompjuterin të paktën një herë në muaj

 

Mbrojtja nga faqet e pasigurta

  • Shumë faqe me informacion, por jo të gjitha të sigurta
  • Përdorni ato që sugjerohen nga Google
  • Përdorni një adresë tjetër Email-i ([email protected])
  • Përditësoni lundruesin (brouserin) tuaj (sugjerohen Firefox & Chrome)
  • Mos instaloni çdo toolbar apo extension që ju del përpara, sa më pak aq më mirë.
  • Instaloni LastPass për menaxhimin e fjalëkalimeve në kompjuterin personal
  • Mos e ruani fjalëkalimin tuaj brenda brouserit (lundruesit)
  • Mos i fusni të dhënat tuaja nëse faqja nuk disponon certifikatën SSL që përëson sigurinë e faqes

 

Mbrojtja nga njerëzit që nuk i njihni dhe ofertat e dyshimta

  • Mos u joshni nga ofertat për para të lehta me email.
    (rasti i hakerave shqiptare që ishin lidhur me dikë për të marre informacionet e kartave te kreditit)
  • Mos i merrni parasysh ofertat e dyshimta për çmime në emrin tuaj (mesazhet nga Kenia, etj.)
  • Mos i pranoni ftesat për t’u takuar me persona që nuk i njihni.
  • Mos i pranoni ftesat nga njerëz që thonë se mund t’ju ofrojnë diçka, por që mund të kenë synime të tjera.
  • Mos e jepni asnjëherë adresën tuaj të shtëpisë apo nr. e celularit njerëzve që nuk i njihni personalisht.
  • Nëse keni dyshime për dikë me të cilin keni qenë duke biseduar, atëherë tregojini prindërve.

 

Sugjerime veçanërisht për Facebook-un

  • Mbushni pyetjet e Sigurisë (Profili > Siguria)
  • Aktivizoni lundrimin e sigurt “https” (Profili > Siguria > Shfletimi i sigurte)
  • Shqyrtoni opsionet te “Privatësia” (Profili > Privatësia )
  • Mos pranoni ftesa nga persona që nuk i njihni
  • Mos pranoni ftesa thjesht për numër “miqsh”
  • Mos pranoni ftesa kot!
  • Bllokoni miqtë që abuzojnë me komente apo me fotot
  • Raportoni profilet që mund të hapen në emrin tuaj
  • Raportoni personat që mund të jenë duke abuzuar

 

Poshtëshënim:

Në shkurt 2013, pata mundësinë të merrja pjesë në një emisionin televiziv për të diskutuar me një grup të rinjsh, si dhe prindërish, mbi mënyrat se si mund të qëndroni më të sigurt online. Ndonëse audienca për prezantimin tim ishin kryesisht të rinjtë, parimet dhe këshillat që ndava janë të vlefshme për të gjitha grupmoshat që janë mbi të gjitha përdorues të internetit.
Personalisht jam përdorues i internetit që në vitin 1998 dhe duhet të pranoj se koha e shpenzuar, leximet e vazhdueshme dhe sigurisht eksperienca e fituar më kanë bërë që të jem shumë më i kujdesshëm, ndonëse mbetem një përdorues mjaft aktiv.
Read More
Kompjuteri dhe cilesia e jetes - Elvis Plaku

Kompjuteri dhe cilësia e jetës!

A e bëni do gjithnjë lidhjen se si përdorimi i kompjuterit ndikon te cilësia e jetës tuaj?

Në rastin tim, si sipërmarrës dhe kontraktor i pavarur (freelance), shumica e punës që bëj është me kompjuter, ndaj edhe koha që harxhoj çdo ditë është relativisht e lartë, por fakti mbetet që kompjuteri është thjesht “mjeti” nëpërmjet të cilit kam zgjedhur të siguroj të ardhurat, por jo të harxhoj gjithë kohën time dhe aq më pak që t’i krijoj probleme shëndetit.

Po situata juaj si është? Mbase puna ju kërkon të shpenzoni x orë në ditë, po kohën tjetër si e harxhoni? Sigurisht që situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur, përveç kompjuterit, në lojë fusim edhe pajisjet e tjera elektronike si celulari apo tableti.

Sigurisht, këto janë të gjitha “mjete” që përdoren kryesisht për punë dhe në këtë aspekt nuk diskutohet shumë rëndësia e përdorimit të tyre. Por, ndërkohë, problemi lind në momentin që përdorimi i pakontrolluar i  “mjetit” fillon të ndikojë edhe vetë cilësinë e jetës tuaj – përtej funksionit dhe kohës së nevojshme që duhet shpenzuar me “të”.

Thënë ndryshe, nëse koha e shpenzuar në kompjuter, celular, etj., është më e lartë se sa duhet, efektet mund t’i ndieni direkt te cilësia e jetës duke filluar nga gjumi i çrregullt, përqëndrimi dhe  efikasiteti në punë. Nëse nuk e keni kuptuar ende, atëherë, pavarësisht avantazheve të shumta që teknologjia i sjell punës dhe jetës tuaj, në të njëjtën kohë teknologjia, dhe në këtë rast kompjuteri apo celulari, ka mjaft efekte anësore shoqërore dhe fizike që mbase nuk i keni konsideruar – ose thjesht e keni humbur tashmë!

Akses i kontrolluar

Efektet e përdorimit të pakontrolluar të kompjuterit janë të shumta, por do doja të fokusohesha te dy aspektet që përmenda pak më sipër: cilësia e gjumit dhe efikasiteti në punë. Mënyra për ta përmirësuar situatën përmblidhet me dy fjalë: akses i kontrolluar!

Pa u zgjatur, desha t’ju ofroj një listë këshillash dhe sugjerimesh se si mund të filloni ta përmirësoni “marrëdhënien” tuaj me kompjuterin dhe rrjedhimisht cilësinë tuaj të gjumit dhe njëherazi efikasitetin tuaj në punë:

  • Punoni deri në 45 minuta dhe pastaj bëni pushim nga kompjuteri për 5-10 minuta
  • Idealisht, kufizojeni ekspozimin tuaj ndaj kompjuterit në 8 orë në ditë (akumulative)
  • Sigurohuni që të keni dritë të mjaftueshme kur punoni, idealisht dritë natyrale
  • Zgjidhni me kujdes pozicionin e trupit tuaj kur punoni
  • Punoni vetëm gjatë javës dhe bëni të paktën një ditë pushim total nga kompjuteri
  • Nëse mbaroni punë me kompjuterin në punë, mundohuni mos ta përdorni gjatë kohës që jeni në shtëpi
  • Vendoseni celularin/tabletin larg kokës tuaj gjatë orëve të natës
  • Nëse do lexoni gjatë natës, sigurohuni që të keni dritë tjetër përveç ekranit pasi ju dëmton sytë.

Lista e këshillave/sugjerimeve mund të jetë shumë më e gjatë se kjo, por synimi im ishte t’ju ngacmoja sado pak për ta ndryshuar sado pak pozitivisht marrëdhënien tuaj me pajisjet elektronike.

Ndërkohë, jam i bindur që secili prej jush ka sugjerimet dhe këshillat e veta ndaj do ju ftoja t’i shtonit ato te komentet këtu poshtë.

Read More
Shqipëria zhvillon Samitin për të Mirën Sociale

Pjesë e Samitit për të Mirën Sociale, aktivitet botëror i UNDP

“Teknologjia e sotme për një të ardhme më të mirë” ishte tema e Samitit për të Mirën Sociale përmes Teknologjisë që u zhvillua më 19 shtator 2016 në Tirane

Në këtë aktivitet u mblodhën rreth 170 studentë nga Shkolla e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner” në Tiranë për të diskutuar rreth rolit të teknologjisë dhe të medias sociale si shtysa të fuqishme për ndryshim dhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Tre pjesëtarë të panelit, Redon SkikuliElvis Plaku, Gerti Boshnjaku diskutuan me studentët rreth pranisë dixhitale, teknikave të marketingut në internet dhe për përfitimet që vijnë nga përdorimi i teknologjive nga burime të hapura në Shqipëri, si dhe për rolin e teknologjisë dhe medias sociale si shtytës të ndryshimeve sociale.

Studentët u njohën me shembuj nga jeta reale dhe me ndikimin e disa nismave të ndryshme të ndërmarra në Shqipëri.

Vitin e shkuar liderët nga e mbarë bota miratuan Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila përmban 17 Objektiva për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe 169 pikësynime ose pika referimi specifike, që duhen përmbushur deri në vitin 2030. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) janë një thirrje universale për veprim për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të garantuar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet.

Read More
Fuqia e medias sociale

Fuqia e reklamës në mediat sociale

Ndryshe nga mediat tradicionale (televizioni, radio, gazeta, etj.), mediat sociale (shoqërore) janë media e popullit ku çdokush dhe cilido person ka mundësinë të ngrejë zërin duke pasur një shans të barabartë për t’u dëgjuar. Gjithashtu, ndryshe nga mediat tradicionale, reklamat në mediat sociale (si Twitter, Facebook, LinkedIn, etj.) janë shumë më pak të kushtueshme, duke i bërë kështu më të përballueshme për çdokënd, që nënkupton se edhe bizneset e vogla, si ai i yti, mund të bëhen pjesë e këtij dimensioni.

Për ta ilustruar më mirë fuqinë e reklamës në mediat sociale, do desha të përmend dy raste se si kjo medie është përdorur nga një person dhe një kompani në funksion të synimit përkatës.

Klienti kundër British Airways

Fuqia e reklamës në mediat sociale - British Airways
Rasti i British Airways filloi një trend të ri sipas ekspertëve.

Mjaft media anglisht folëse raportuan mbi protestën e një pasagjeri të zhgënjyer me shërbimin e kompanisë ajrore British Airways i cili, si rrjedhojë e humbjes së bagazhit të tij nga kompania, vendosi ta zhvendosë protestën e tij në dimensionin e medias sociale.

Konkretisht, klienti shfrytëzoi rrjetin social Twitter, ku për t’i dhënë edhe më shumë peshë pakënaqësisë së tij shfrytëzoi mesazhet e reklamuara. Protesta e tij ndaj neglizhencës së kompanisë në gjetjen e bagazhit të tij gjeneroi mjaft interes brenda pak orësh.

Fuqia e medias sociale
Profili i personit që nisi anti-reklamën në Twitter

Deri në momentin e këtij shkrimi pasagjeri e kishte vazhduar anti-reklamën e tij në Twitter, ku tashmë protestës së tij i janë shtuar edhe shumë fansa (ose mbase duhet të themi anti-fansa) të British Airways me shqetësime të njëjta. Reagimi i vonuar i kompanisë e bëri edhe më të vështirë situatën dhe ndikimi negativ ndaj imazhit ishte edhe më i madh. E gjitha ishte si një skenë moderne përralle të Davidit kundër Goliatit, ku një klient i pakënaqur gjeti një mënyrë të re për të përdorur median sociale për të sulmuar një korporatë të madhe.

Kompania që prodhon furca dhëmbësh

Fuqia e medias sociale - OraBrush
Faqja zyrtare e kompanisë së furcës OraBrush

Një kompani e vogël amerikane që prodhon furça gjuhe (furçe vetëm për të pastruar gjuhën) po mundohej të gjente mënyrën si të binde një nga shitësit më të mëdhenj me pakicë (retail) në Amerikë – Walmart. Ideja gjeniale e grupit të marketingut ishte vendosja e një reklame në Facebook e cila me pas u shënjestrua që të shfaqej vetëm në qytetin ku ndodhen zyrat qendrore të kompanisë Walmart. Reklama duhet t’i shfaqej vetëm personelit prej qindra vetash të kompanisë të cilët ndërkohë ishin duke konsideruar furnizimin ose jo me furçat e kompanisë në fjalë. Rezultati ishte pozitiv, Walmart zgjodhi ta blinte me shumicë furçën e çuditshme dhe si rrjedhojë ndryshoi edhe fatin e vetë kompanisë e cila shkoi nga dhjetëra në miliona furça të shitura.

Konkluzione

Media e vjetër vs media e re
Media e vjetër vs media e re

Sfida për kompaninë apo biznesin tuaj në radhë të parë është të mësoni dhe kuptoni se si kjo medie funksionon me qëllim, jo vetëm zgjerimin e bazës së klientëve, por mbi të gjitha përforcimin e marrëdhënies me klientët ekzistues e ata potencialë. Kjo marrëdhënie më pas duhet të shërbejë për përmirësimin e produktit/shërbimit tuaj e udhëhequr nga nevojat dhe komunikimi me klientët tuaj.

 

Çfarë mësimesh të tjera mund të nxjerrim nga shembulli i parë:

  • Klientët tuaj nuk janë të detyruar të përdorin vetëm kanalet/procedurat tuaja të ankimimit, ata tashmë janë të fuqizuar edhe nga media sociale.
  • Klientët tuaj nuk janë më “xhuxha” që një korporatë e madhe mund t’i shtypë kollaj.
  • Media sociale është miku juaj më i mirë dhe njëherazi armiku juaj më i keq, gjithmonë nëse nuk dini të trajtoni klientët tuaj.

Çfarë mësimesh të tjera mund të nxjerrim nga shembulli i dytë:

  • Media sociale ju lejon që t’i shënjestroni (filtroni) reklamat tuaja në nivele të pamundura deri tani nga media tradicionale.
  • Media sociale ju lejon të reklamoni me çmime dhe efikasitet më të lartë se media tradicionale.
  • Media sociale nuk do shkojë gjëkundi në të ardhmen, por veç do të fuqizohet!
  • Media sociale është vendi ku ju mund të provoni ide nga më të ndryshmet me shpenzim minimal.

Jam i bindur që këto janë vetëm disa prej mësimeve dhe ideve që mund të nxjerrim, por mbi të gjitha do i vlerësoja shumë komentet dhe sugjerimet tuaja me qëllim edukimin e mëtejshëm të çdo lexuesi.

Read More
sipas Derek Sivers (video)

Si të filloni një lëvizje sipas Derek Sivers (video)

Nëse ideja apo nisma juaj do arrijë të ketë ndikimin dhe fuqinë që i nevojitet për të ndryshuar realitetin atëherë ajo (ideja/nisma) duhet të kthehet në një ‘lëvizje’!

Sipas Derek Sivers, në këtë prezantim për TED, lëvizja është një organizim, grupim apo turmë njerëzish që zgjedhin të ndjekin shembullin e udhëheqësit duke e bërë idenë apo nismën të tyren.

Por si fillon një lëvizje? Cilët janë ato faktorë që e kthejnë një ide apo nismë në një lëvizje të mirëfilltë?

Kjo video e shkurtër, por njëherazi shumë e fuqishme, e ilustron konceptin mjaft qartazi dhe me një shembull vërtetë zbavitës.

Përmbledhja: Si fillon një lëvizje

  1. Udhëheqësi duhet të ketë kurajën të dalë përpara edhe pse mund ta tallin. Por duhet të jetë diçka që është e lehtë për t’u ndjekur!
  2. Dhe sapo bëhen dy, fillon gjithçka (pra duhen dy). Tani është më e lehtë edhe për të tjerët. Është detyra e udhëheqësit që ta pranojë ndjekësin si i barabartë, pa nuk është më thjesht për udhëheqësin, por për ata të dy.
  3. Ndjekësi i dytë është në vetvete një udhëheqës pasi falë tij/saj udhëheqësi i parë bëhet një udhëheqës i vërtetë kundrejt një ‘toçi’ të vetmuar!
  4. Kur bashkohet edhe ndjekësi i dytë, situata ndryshon sërish. Tani nuk janë më dy ‘toça’ të vetmuar por një turmë, pasi tre = turmë! Një lëvizje e vërtetë duhet të jetë publike pasi nuk është e nevojshme të shfaqet vetëm drejtuesi por edhe ndjekësit, pasi falë ndjekësve shtohet mundësia që edhe ndjekësit e rinj ta kenë më të lehtë për të ndjekur shembullin e tyre, dhe jo thjesht drejtuesin.
  5. Ky është edhe momenti kritik kur grupimi fillon të rritet falë ‘momentit’ dhe kthehet në një lëvizje të vërtetë dhe tashmë të gjithë bashkohen.
  6. I gjithë procesi bëhet më i lehtë, madje ‘trendi’ dhe tani pothuajse të gjithë i bashkohen grupimit dhe krijojnë një masë që mund të ndryshojë gjërat.

Përmbledhje për udhëheqësit

  1. Mos harroni t’i trajtoni dhe mbështetni ndjekësit e parë si të barabartë, që gjërat mos të jenë thjesht për përfitimin tuaj personal por të ‘lëvizjes’.
  2. Por duhet të pranojmë se ‘udhëheqja’ teke në vetvete nuk ka ndonjë vlerë, pasi një udhëheqës i vetëm nuk ka vlerë, por janë pikërisht ndjekësit ata që i japin vlerën e vërtetë udhëheqësit të parë. Pra ata e konvertojnë nga një ‘toç’ i vetmuar në një udhëheqës të mirëfilltë.
  3. Ndaj nëse edhe pse na thuhet që të gjithë duhet të jemi udhëheqës, në fakt ky proces mund të realizohet lehtësisht duke gjetur një ‘toç’ të vetmuar që po fillon diçka të mrekullueshme, atëherë gjej kurajën për t’iu bashkuar.

A jeni duke menduar t’i jepni krahë idesë/nismës tuaj? Atëherë ju ftoj ta shihni dhe rishiheni këtë video për t’u frymëzuar dhe filluar të mendoni konkretisht se si do procedoni me ‘lëvizjen’ tuaj!

Videon mund ta shihni të plotë këtu dhe mos harroni të aktivizoni titrat në shqip nëse nuk e kuptoni mirë anglishten.

Read More
Testoni sa mobile eshte faqja juaj

Çfarë po bëni për vizitorët e faqes tuaj nga celulari?

A është e optimizuar faqja juaj për vizitorët nga celulari apo tableti?

Nëse ‘po’, a e dini se sa është përqindja e këtyre vizitorëve?

Nëse ‘po’, a keni një mënyrë apo hapa për ta verifikuar se sa e përshtatshme dhe funksionale është faqja juaj për këta vizitorë dhe motorët e kërkimit si Google?

Nëse përgjigja juaj për cilëndo nga këto pyetje është ‘jo’ ose ‘mbase’ atëherë ju ftojmë të lexoni vijimin e këtij shkrimi që do t’ju orientojë nga t’ia filloni dhe si ta përmirësoni më tej eksperiencën e vizitorëve të faqes tuaj!

Faqja juaj dhe eksperienca e përdoruesit

Prirja botërore e përdoruesve të internetit është dukshëm në drejtim e pajisjeve mobile. Rrjedhimisht, kur dikush kërkon për një informacion apo një produkt të caktuar, gjasat janë që ai/ajo do të përdorë celularin. Por çfarë ndodh kur faqja që gjen nuk ka një eksperiencë të kënaqshme në celular?

Në këtë kontekst, çdo aspekt i faqes tuaj dhe mënyrës se si ajo paraqitet në pajisjet e ndryshme, pra kompjuter, tablet apo celular, lidhet me atë që quhet “eksperienca e përdoruesit/vizitorit” (UX ose ‘user experience’).

Çdo eksperiencë vizitori është gati unike dhe pajisjet ndryshojnë vazhdimisht. Por falë punës së palodhur të mijëra marketerëve dhe zhvilluesve, edhe ju mund të filloni të identifikoni mjaft aspekte që lidhen me përmirësimin e kësaj eksperience.

Çfarë thonë ekspertët për këtë (në këtë rast Google)?

Mesatarisht çdo përdorues e kontrollon celularin mbi 150 herë në ditë.

Sot, shumica e kërkimeve në internet bëhen nga celulari kundrejt kërkimeve nga kompjuteri.

Ka pesë herë më shumë gjasa që vizitorët e faqes tuaj të largohen nëse ajo nuk paraqitet mirë në versionin mobil.

Thuajse gjysma e vizitorëve largohen nga një faqe në versionin mobil nëse ajo nuk hapet brenda 3 sekondave.

9-të nga 10-të persona përdorin më shumë se një ekran për të kryer veprime si rezervimi i një udhëtimi me avion apo menaxhimi i financave.

Përdoruesit shpenzojnë mesatarisht 177 minuta çdo ditë duke përdorur celularin.

Për këto arsye, ne e kemi cekur edhe më herët se shfaqja siç duhet në celular është prej veçorive të një faqeje të suksesshme interneti.

Përdorni Think with Google për të testuar performancën e faqes tuaj

https://testmysite.thinkwithgoogle.com/

Permiresoni performancen e faqesKjo faqe është ridizenjuar dhe përmirësuar vizualisht (PageSpeed), por në thelb vijon të ofrojë një set raportesh për aspekte thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e eksperiencës dhe performancës së faqes tuaj për vizitorët.

Vlerësimi bëhet duke identifikuar dhe vlerësuar në akumulativ aspektet teknike që lidhen me performancën sipas një sistemi pikësh nga 0 në 100. Edhe pse raporti që gjenerohet është i një natyre disi teknike, ky sistemi vlerësimi me pikë është një pikënisje e mirë për t’ju ndihmuar të kuptoni se për çfarë duhet të flisni me uebmasterin apo zhvilluesin e faqes tuaj.

Nëse, në këtë rast jeni ju personi që merret me këtë punë, atëherë pikat e identifikuara nga kjo faqe do ju ndihmojnë të kuptoni se në cilin drejtim do keni nevojë të punoni më shumë.

A keni ndonjë faqe apo shërbim tjetër që dëshironi ta sugjeroni, atëherë mos nguroni ta ndani me të gjithë te komentet këtu poshtë.

Vlerësimi i Google për faqen SfidaBiznesi.com

Si ta permiresoni faqen tuaj-SfidaBiznesi.comPër t’i ilustruar si dhe për t’i shtuar ca më shumë vlerë këtij shkrimi po bëjmë një shpjegim të shkurtër të rezultateve mbi vlerësimin e faqes tonë.

  • Vlerësimi i përshtatjes mobile të faqes (mobile friendliness) = 100 nga 100 pikë – shumë mirë.
  • Vlerësimi i shpejtësisë së faqes në celular (mobile speed) = 60 nga 100 pikë – dobët.
  • Vlerësimi i shpejtësisë së faqes në desktop (desktop speed) = 70 nga 100 pikë – ka dhe më mirë.

Dukshëm shpejtësia e faqes në versionin mobil dhe në desktop mund të përmirësohet edhe më tej.

Versioni mobil – shpejtësia

Raporti Mobil i ri-me te verdheAtëherë le të shohim cilët janë faktorët që ndikojnë negativisht në performancën e faqes në versionin mobil. Sipas këtij raporti dy janë faktorët me ndikimin negativ më të mëdhenj (me ngjyrë të kuqe), plus katër faktorët e tjerë të shënuar me ngjyrë portokalli.

1. Eliminate render-blocking JavaScript and CSS in above-the-fold content (eleminimi i skripteve JavaScript që duhet të shkarkohen para se faqja të hapet tërësisht)
2. Reduce server response time (koha e përgjigjes së serverit)

Të dy këto aspekte përsëriten edhe në raportin për shpejtësinë për versionin desktop.

  • Aspekti i parë lidhet me numrin e skripteve JavaScrip që ne kemi implementuar në këtë faqe si rrjedhojë e shtojcave (plugins) që përmban faqja. Rrjedhimisht, numri i tyre ndikon negativisht te shpejtësia e vetë faqes.
  • Aspekti i dytë lidhet me shpejtësinë e vetë serverit ku është hostuar faqja. Para se të serveri t’ia dërgojë përmbajtjen faqes browser-it, ai bën goxha punë për të përpunuar të gjithë informacionin e duhur. Për këtë arsye, është e nevojë përdorimi i cache-imit në server që të ruhet përmbajtja për disa kohë dhe të mos “lodhet” serveri për çdo kërkesë që merr.

3. Leverage browser caching (duhet shfrytëzuar sistemi i cache-imit të vetë lundruesit)
4. Enable compresion (duhet përdorur kompresimi i elementeve të faqes)
5. Optimize Images (fotot duhen optimizuar, pra zvogëluar në peshën e shkarkimit)
6. Minify JavaScript (skriptet JavaScript duhen minimizuar/përmbledhur)

Versioni desktop – shpejtësia

Raporti Desktop i ri-me te verdheEdhe në rastin e versionit desktop të faqes, janë po të njëjtët dy faktorë që ndikojnë negativisht në shpejtësinë e faqes.

Rrjedhimisht, përmirësimi i tyre do ndikojë në përmirësimin e vlerësimit edhe në versionin desktop. Por një nga arsyet kryesore pse vlerësimi në rastin e versionit desktop është më i lartë se ai në versionin mobil lidhet me diferencën në fuqi. Pra, zakonisht një kompjuter është në gjendje ta hapë një faqe më shpejt se sa një pajisje mobile. Sigurisht që nuk është faktori i vetëm por nuk mund të futemi më thellë në këtë shkrim.

Shërbime të tjera – GTmetrix.com

Raporti i GTMetrix per SfidaBiznesi - me te verdhe
Raporti i GTMetrix per SfidaBiznesi – me te verdhe

Raporti i Google është vetëm një raport apo një vegël (tool) që ju mund të përdorni për të kuptuar dhe vlerësuar performancën dhe efikasitetin e faqes tuaj.

Nëse doni të futeni disi më në thellësi të aspekteve që ndikojnë negativisht në performancën e faqes tuaj atëherë mund t’ju sugjerojmë edhe një shërbim tjetër siç është GTMetrix.

Ky shërbim ju lejon të ndryshoni edhe origjinën e serverit nga testohet faqja juaj. P.sh., në rastin e mëposhtëm testimi i SfidaBiznesi.com u bë nga Londra në Angli, që reflekton edhe më shumë shpejtësinë reale që kanë lexuesit e faqes nga Europa dhe Shqipëria, Italia apo Kosova, etj. Kjo është diçka që aktualisht nuk e bëni dot kollaj me shërbime të ngjashme.

Raporti është edhe më i detajuar dhe do ta bënte shkrimin më teknik. Ky është edhe rezultati që u prodhua nga kjo faqe: https://gtmetrix.com/reports/sfidabiznesi.com/3bQyMTgy

Si përfundim, mund t’ju themi se gjasat janë që ne do ta kemi përmirësuar edhe më tej shpejtësinë pas këtij shkrimi. Çfarë komentesh apo sugjerimesh të tjera keni për ne? Mos nguroi ti ndani me të gjithë te komentet këtu poshtë.

Read More
Seth Godin duke prezantuar

Kjo është e thyer (This is broken) video nga Seth Godin!

Si t’i shfrytëzoni mundësitë që ju shfaqen me klientët brenda biznesit tuaj?

Në këtë fjalim brilant Seth Godin, në një konferencë TED, e fillon prezantimin me një histori se si kompania mobile me të cilën mbante numrat i kishte ofruar një ulje çmimi (rebate) me kthim fondesh. Por mënyra se si kishin zgjedhur ta bënin procesin e kthimit të fondeve ishte thjesht ‘e thyer’!

Ai vijon të shpjegojë se si rreth nesh ka shumë gjëra të ‘thyera’ por që gjithmonë prezantojnë potencialin që të ‘rregullohen’. Duke u rregulluar ato mund t’i shtojnë vlerë jetës së njerëzve por edhe vetë punës së biznesit apo sipërmarrjes tuaj.

Pezantimi ofron 7 mënyra se si gjërat janë ‘të thyera’ sipas një kategorizimi që Seth e ilustron vërtetë bukur.

Pse gjërat janë të thyera:

  1. Nuk është puna ime (not my job)
  2. Toça egoistë (selfish jerks)
  3. Bota ka ndryshuar (the world changed)
  4. Nuk e dija (I didn’t know)
  5. Nuk jam një peshk (I’m not a fish)
  6. Kontradita (contradictions)
  7. E thyer qëllimisht (broken on purpose)

Kjo nuk është lista definitive, thotë ai, por të paktën është një listë dhe vijimi i prezantimit të tij është ilustrimi i 7 mënyrave që ai ka zbuluar se si gjërat janë ‘të thyera’!

Ju ftoj ta shikoni të plotë këtu.

Në Shqipëri ka shumë shembuj të tillë, por ideja është si mund t’i vëmë këto gjëra ‘të thyera’ në funksion të përmirësimit të jetës dhe nevojave të klientëve tanë. Te faqja ‘jeta osht qef’ gjen vazhdimisht shembuj të problemeve dhe gjërave ‘të thyera’ në këtë vend. Shpresoj t’ju ketë vlejtur sadopak si frymëzim.

Read More
Google CEO Sundar Pichai

Hakerat futen nё llogarinё e CEO-s sё Google Sundar Pichai

Rishazi mediat online njoftuan qё edhe CEO i Google, Sundar Pichai, humbi aksesin e llogarisë sё tij nё platformёn Quora si rrjedhojё e njё ndёrhyrje nga njё grup hakerash. Pak kohё mё parё njё histori e ngjashme ndodhi edhe me CEO-n e Facebook, Mark Zacherber.

Sa e lexova mё kujtoi plot histori tё tjera qё përsëritet çdo ditё me mijëra herё nё internet.

Edhe nё kёtё rast, hakerat thuhet se nuk kishin arritur tё thyenin sigurinё e platformёs Quora, por ishin përpjekur ta gjenin vetё fjalёkalimin pёr tё postuar mё pas mjaft postime nёn emrin e z. Pichai.

https://youtu.be/pSEFYqqrle0

Po ti, a do e ndryshosh fjalëkalimin tani apo do mbash atё qё ke prej vitesh?

Read More
Vlera e veres per bizneset

Vlera dhe ide marketingu veror për bizneset!

Vera mund të duket si një nga periudhat e ‘vdekura’ për mjaft biznese, sidomos nëse ju ofroni produkte dhe shërbime fizike që mund të aksesohen vetëm në dyqanin/pikën tuaj.

Sigurisht, dihet që vera është koha kur njerëzit orientohen më shumë nga pushimet, zbavitja dhe relaksi, ndaj jo gjithmonë mendojnë të blejnë produkte/shërbime që nuk i kanë aq të domosdoshme!

Personalisht gjykoj se vera ka një vlerë të veçantë që mund të shfrytëzohet me pak kreativitet!

Vera është mbase periudha e vetme kur klientët tuaj potencialë kanë kohën dhe qetësinë t’ju kushtojnë sado pak vëmendje për të kuptuar dhe mësuar më shumë rreth produkteve/shërbimeve tuaja. E theksoj, ata kanë kohën për t’u informuar/edukuar jo detyrimisht për t’u mbushur me reklama!

Pra, vera mund të jetë koha kur ata mund t’i kushtojnë ca më shumë vëmendje informimit mbi vlerat dhe zgjidhjet që ju i ofroni jetës së tyre.  Dhe gjasat janë që ata do t’ju kushtojnë edhe më shumë vëmendje nëse ju ia ofroni në mënyrë:

  • informative,
  • edukative, dhe/ose
  • zbavitëse!

Atëherë cilat do ishin disa alternativa apo ide se si mund ta kthenit verën tuaj në një periudhë të frytshme për ju dhe klientët tuaj ekzistues dhe potencialë?

Këto do ishin disa sugjerime konkrete:

  • Vijoni të publikoni materiale edukative/zbavitëse (jo reklama) në kanalet e ndryshme;
  • Ofroni këshilla dhe sugjerime konkrete për nevojat e klientëve tuaj, edhe nëse nuk kanë lidhje direkt me brandin tuaj;
  • Testoni formate apo kanale komunikimi që nuk i keni provuar shumë;
  • Krijoni gara apo lojëra zbavitëse;
  • Shpërndani dhurata falënderimi (+informacione);
  • Sponsorizoni aktivitete apo ide të reja që mbase nuk do kishin aq vlerë gjatë periudhave të tjera;
  • etj.

Si mendoni? Çfarë sugjerimesh të tjera keni?

Read More
Histori e vërtetë: Pse duhet t'i ndryshoni fjalëkalimet rregullisht?

Histori e vërtetë: Pse duhet t’i ndryshoni fjalëkalimet rregullisht?

Rishtazi një e njohura ime më kontaktoi për të kërkuar ndihmë me riaksesimin e llogarisë së kompanisë në Instagram.

Dukshëm dikush kishte marrë fjalëkalimin e Instagramit pasi kishte filluar të postonte mesazhe pa lidhje! Sugjerimi i menjëhershëm ishte ndryshimi i fjalëkalimit në Instagram së bashku me atë të adresës së email-it.

Pastaj e provoi të ndryshonte fjalëkalimin e Instagramit, kuptoi që personi që kishte marrë akses e kishte ndryshuar, rrjedhimisht i sugjerova ta rivendoste fjalëkalimin (reset) nëpërmjet adresës së email-it. Vetëm kështu arriti të ri-logohej me sukses në llogarinë e Instagram-it.

I rikujtova që duhet të ndryshonte edhe fjalëkalimin e email-it, dhe përgjigja ishte “po do ta ndryshoj”!

Instagram (logo)E gjithë kjo bisedë ndodhi herët në mëngjes. Gjysëm dite më vonë, ajo më rikontaktoi për të më njoftuar se ia kishin rimarrë aksesin e Instagram-it dhe për më tepër llogaria në Instagram nuk rezultonte më aktive!

Bëmë disa tentativa për ta rikthyer por politikat e Instagram-it për llogaritë që ‘fshihen’ apo ‘mbyllen’, ishte që mos t’i riaktivizonte më si adresa. Pra, lajmi edhe më i keq ishte fakti që emri i përdoruesit në Intagram nuk ishte më i vlefshëm dhe e gjithë puna për akumulimin e ndjekësve në këtë platformë tashmë kishte shkuar kot!

Kur e ri-pyeta nëse e kishte ndryshuar apo jo fjalëkalimin e email-it, mu përgjigj se nuk kishte pasur mundësi ta bënte në mëngjes pasi ishte me celular! Dukshëm personi që kishte marrë akses më herët e kishte rimarrë aksesin e llogarisë në Instagram-it dhe në shenjë demostrative e kishte fshirë!

Në shumicën e rasteve të tilla është shumë e vështirë të kuptosh se si apo në çfarë mënyre ju është vjedhur aksesi i llogarisë tuaj, por duhet të filloni të mendoni seriozisht që t’i paraprini situatave të tilla!

Disa sugjerime që kjo histori mos të përsëritet herën tjetër!

Përdorni një fjalëkalim të vështirësa herë e keni dëgjuar këtë këshillë? Ka nevojë ta dëgjoni edhe një herë apo do e bëni zakon? Ideja është që për ta bërë fjalëkalimin tuaj më të vështirë duhet të përdorni miks simbolesh, shenjash pikësimi, numrash dhe shkronjash, të mëdha e të vogla.

Fjalëkalim i vështirë dhe fjalekalim i lehtë
Fjalëkalim i vështirë dhe fjalekalim i lehtë

 

Ndryshojeni çdo 2-3 muaj – Ndryshojeni fjalëkalimin e email-it tuaj çdo 2-3 muaj, edhe më shpesh po mundët. Arsyeja pse sugjerojmë ndryshimin e fjalëkalimit të email-it më shpesh është sepse shumica e llogarive tuaja online sot janë të lidhura direkt ose indirekt me llogarinë e email-it. Rrjedhimisht, edhe kur ju humbisni aksesin në një shërbim apo faqe si Instagrami gjasat janë që ju mund ta rimerrni aksesin nëpërmjet adresës tuaj të email-it.

 

Aksesimi me dy hapa – Vendosni aksesin/verifikimin me dy hapa (two step verification) që të siguroheni që mund të rimerrni akses edhe kur ju vjedhin fjalëkalimin. Të gjithë ofruesit e mëdhenj të shërbimit të email si Gmail; Yahoo; Live; etj., e ofrojnë këtë shërbim. Nëse jeni biznes, atëherë ky opsion duhet të jetë i detyrueshëm. Unë përdor Google Authenticator për mjaft shërbime, si p.sh edhe për t’u loguar në këtë faqe të ndërtuar me WordPress.

Verifikimi me dy hapa
Përdorni verifikimin me dy hapa

 

Mos u fusni nga kompjutera apo internet publik – nëse është e mundur mos u fusni asnjëherë për të kontrolluar email-in apo llogaritë e tjera online nga kompjutera publikë (si p.sh. internet kafe), pasi aksesimi i llogarive tuaja nga interneti publik (kafene, lokale, etj.) mund të rezultojë në vjedhjen e aksesit. Ndaj, nëse ju duhet patjetër të logoheni nga një pajisje tjetër (përveç kompjuterit apo celularit tuaj personal); atëherë sigurohuni që ta ndryshoni fjalëkalimin menjëherë sapo të riktheheni te pajisja juaj personale në zyre apo në shtëpi.

Kujdes kur aksesoni llogarinë tuaj nëpër internet kafe
Kujdes kur aksesoni llogarinë tuaj nëpër internet kafe

Përdorni faqe me https (jo thjesht me http) – aksesimi i faqeve dhe shërbimeve online nuk mund të bëhet gjithnjë detyrimisht nga kompjuteri apo pajisja juaj personale dhe është gati e pashmangshme që mos të logoheni/futeni duke përdorur internetin publik (public wifi), por të paktën sigurohuni që faqja apo shërbimi që ju po aksesoni (si p.sh. adresa e email apo faqja ecommerce, etj.) aksesohet nëpërmjet protokollit të inkriptuar me certifikatë sigurie https. Ideja është që edhe nëse komunikimi juaj nëpër linja publike interneti monitorohet apo përgjohet nga palë të treta (siç ndodh rëndomë nëpër internet kafe), përdorimi i protokollit me certifikatë sigurie https do t’ju mbrojë duke e bërë shumë herë më të vështirë këtë lloj përgjimi.

protokolli i sigurte https
protokolli i sigurtë https

Mos i ruani fjalëkalimet në lundruesin tuaj – mund ta keni vënë re që sa herë që logoheni në një faqe të caktuar lundruesi juaj (browser) ju ofron mundësinë për ta ruajtur fjalëkalimin tuaj automatikisht me qëllim që ta keni më të lehtë dhe shpejtë për t’u futur në të ardhmen. Sugjermi im i thjesht është ‘mos e lejoni’. Pra mos ia besoni fjalëkalimet tuaja lundruesit tuaj por më mirë mbajini të shënuara diku tjetër ose përdorni shërbime dhe aplikacione si “Roboform”, “Keypass” dhe “Lastpass”, etj.

Update: Dikush pyeti po nëse kompjutrin tim e përdor vetëm unë dhe askush tjetër? Sugjerimi im mbetet praktikisht i njëjtë por kjo edhe për faktin që nëse kompjuteri juaj humbet, vidhet apo lundruesi që ju përdorni ka ‘vrima’ dhe nuk i ruan fjalëkalimet të inkriptuara, nëse dikush merr akses si p.sh. një virus, atëherë vendi i parë që do të kërkojë është direktoria ku ruhen fjalëkalimet e lundruesit tuaj!

kujtesa per te ruajtur fjalekalimin ne browser
Mos i ruani fjalëkalimet në lundruesin tuaj, sidomos kur nuk janë të inkriptuara!

Nëse keni sugjerime apo këshilla të tjera, atëherë ndajini me të gjithë nëpërmjet komenteve këtu poshtë.

Read More
mallkimi i mediave sofiale - web marketing

Vizitorët e angazhuar & strategjia e marketingut online

Nëse bëni marketing online, atëherë gjenerimi i vizitorëve të vazhdueshëm dhe të angazhuar është thelbi i suksesit afatgjatë të biznesit apo organizatës tuaj.

Ky shkrim do t’ju ndihmojë me disa koncepte thelbësore si të përmirësoni strategjinë tuaj të marketingut online.

Aktualisht, ‘mediat sociale’ dhe ‘motorët e kërkimit’ janë dy nga burimet kryesore që gjenerojnë vizitorë për shumicën e faqeve sot në internet. Në vartësi të llojit të faqes që keni, mediat sociale mund t’ju sjellin nga 40% deri në 80% të totalit të vizitorëve. Ndërkohë, nëse ju nuk jeni duke gjeneruar mjaftueshëm vizitorë nga mediat sociale atëherë burimi i dytë kryesor ka shumë gjasa të jenë motorët e kërkimit (p.sh. Google, Bing, etj.) pra vizitorët që vijnë duke hulumtuar në internet. Burimet e tjera të vizitorëve sigurisht mbeten Vizitat direkte, Referencat, Email marketing, etj.

Në këtë shkrim do fokusohemi te vizitorët nga dy burimet kryesore për t’ju ndihmuar të rivlerësoni strategjinë tuaj online.

Dy burimet kryesore te vizitoreve

Si ndikon niveli i angazhimit të vizitorëve nga motorët e kërkimit vs. mediat sociale

Sigurisht, mediat sociale po i konkurrojnë fort motorët e kërkimit në gjenerimin e vizitorëve për faqet në internet. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi shumë faqe sot arrijnë të gjenerojnë mjaft vizitorë falë mediave sociale.

Por, një nga dallimet kryesore ndërmjet vizitorëve që vijnë nga motorët e kërkimit dhe atyre nga mediat sociale është niveli i angazhimit (apo përkushtimit) të këtyre vizitorëve.

Ata që vijnë nga motorët e kërkimit janë më të qëllimshëm në atë që dëshirojnë dhe rrjedhimisht edhe më të prirur për t’u angazhuar me produktin/shërbimin që ju ofroni në faqen tuaj.

Vizitorët e angazhuar janë ata që më pas ‘konvertohen’ në lexuesit besnikë apo klientë të rregullt të biznesit/organizatës tuaj.

Më konkretisht, kur një person bën një kërkim në Google apo Bing ai/ajo tregon se ka një nivel të caktuar interesimi për atë që po kërkon. Ndërsa vizitorët nga mediat sociale shpesh janë pasivë dhe të pavendosur!

Vizitorët nga mediat sociale konsumojnë apo klikojnë ato që iu dalin përpara (pra janë pasivë) pa qenë gjithnjë të qëllimshëm apo të përkushtuar për t’u angazhuar mjaftueshëm me produktin/shërbimin që i serviret nëpërmjet mediave sociale.

Pra, edhe pse vizitorët nga mediat sociale mund të jenë më të shumtë ata janë vazhdimisht më pak të angazhuar për të marrë një vendim, sidomos kur synimi juaj është t’u shisni diçka apo t’i nxisni të ndërmarrin një veprim!

 

Mallkimi i mediave sociale

Vetë natyra ‘kalimtare’ e mediave sociale është edhe arsyeja pse prej kohësh ato e masin ‘engagement’ apo angazhimin si treguesin më të rëndësishëm për fansat tuaj brenda mediave sociale. Por angazhimi i vizitorëve në mediat sociale nuk është gjithnjë i barabartë me ‘konvertimin e menjëhershëm’ të tyre në vizitorë apo klientë besnikë të biznesit/organizatës tuaj!

Ndaj, nëse synoni të qëndroni në vëmendjen e ‘fansave’ tuaj, jeni të detyruar të punoni fort që ta mbani vazhdimisht të lartë nivelin e angazhimit të tyre nëpërmjet publikimeve dhe materialeve interesante, ndryshe ata ju harrojnë kollaj (dalja nga vëmendja e fansave = mallkimi i mediave sociale*)!

 

Çfarë duhet të keni parasysh që të gjeneroni vizitorë të angazhuar në afatgjatë?

Siç e përmendëm pak më sipër, vizitorët nga mediat sociale janë shpesh më të shumtë por ata kanë probleme me ‘përkushtimin’ apo angazhimin. Ata janë vazhdimisht në lëvizje dhe niveli i vëmendjes që mund t’ju kushtojnë është vazhdimisht i ndryshueshëm dhe në rënie.

Një moment mund t’ju ‘pëlqejnë’ dhe t’ju ndjekin me interes pastaj, brenda pak sekondash, mund t’ju harrojnë tërësisht për të ndjekur diçka tjetër, mbase pa lidhje fare me interesin fillestar!

Pra, ‘mallkimi i mediave sociale*’ bën që ju të jeni të detyruar të publikoni materiale që gjenerojnë ‘ngacmime të vazhdueshme’ për të mbajtur sadopak konstante vëmendjen e ndjekësve tuaj brenda mediave sociale! Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ju publikoni materiale të lehta pa shumë përmbajtje!

Ndërkohë, situata me vizitorët nga motorët e kërkimit është disi më pozitive në këtë drejtim. Ju mund të keni publikuar disa shkrime apo materiale në faqen tuaj, të cilat sakaq janë indeksuar në motorët e kërkimit. Më pas, materialet e publikuara në faqen tuaj fillojnë të gjenerojnë vizitorë të interesuar nga të gjitha anët e botës që janë vërtetë të angazhuar dhe të interesuar në atë që ju ofroni nëpërmjet faqes tuaj (pra janë aktivë).

Kjo nuk do të thotë që ju duhet të ndaloni së publikuari materiale të reja dhe me vlerë. Por nëse e bëni këtë gjë vetëm në mediat sociale, atëherë edhe vlera e publikimeve tuaja mbetet afatshkurtër dhe nuk ju ndihmon për të gjeneruar vizitorë të tjerë.

Sipas disa statistikave të mbledhura nga postime për industrinë e turizmit, kohëzgjatja mesatare e një ‘status update’ publikimi në Facebook ishte vetëm 90 minuta. Pra pas rreth 90 minutash postimi juaj në Facebook e humbet tërësisht vlerë e vetë pasi nuk e sheh më askush. Ndërkohë, që nëse e publikoni në faqen tuaj ai publikim mund të zbulohet dhe lexohet edhe vite më vonë!

 

Si mund t’i menaxhoni të dyja burimet njëherësh?

Prandaj, kur ju keni një strategji të mirë për publikimin e materialeve cilësore në faqen tuaj, që indeksohen në motorët e kërkimit, atëherë investimi në publikimin e materialeve do vijojë t’ju sjellë vizitorë realisht të interesuar në ato që ju ofroni. Këto publikime më pas ju mund t’i ri-publikoni lehtësisht edhe nëpër mediat sociale që të mund të gjeneroni vizitorë shtesë falë tyre!

Nëse publikoni rregullisht materiale cilësore në faqen tuaj, shumicën e kohës ju nuk do keni nevojë të bëni shumë publikime për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve tuaj (kundrejt publikimit ezaurues nëpër mediat sociale). Publikimet e rregullta do t’i ndihmojnë vizitorët tuaj të rikthehen në faqen tuaj rregullisht duke rritur kështu gjasat që të bëhen lexues të rregullt apo klientë besnikë. Publikimi i rregullt dhe cilësor gjithashtu është edhe arsyeja pse vizitorët tuaj do rikthehen, pasi ata nuk mund të vijnë për të lexuar apo konsumuar të njëjtat informacione disa herë (‘informacioni i përditësuar’ është edhe një nga arsyet e suksesit të mediave sociale)!

 

Në përfundim

Sekreti i suksesit me të gjitha burimet e gjenerimit të vizitorëve është fakti që juve ju duhet të punoni seriozisht me publikimin e materialeve dhe informacioneve me interes për ndjekësit dhe vizitorët tuaj potencialë.

Në përfundim, strategjia afatgjatë është ‘diversifikimi’ dhe menaxhimi strategjik i burimeve që gjenerojnë vizitorë për faqen tuaj! Kuptohet, gjenerimi i vizitorëve është vetëm pjesa e parë, pasi më pas ju duhet t’i bindni (konvertoni) ata që të qëndrojnë si vizitorë apo klientë të rregullt, por ky është një shkrim tjetër!

P.S. *mallkimi i mediave sociale – është një shprehje që e kam shpikur për të treguar orvatjen e vazhdueshme që ju duhet të bëni për të mbajtur të lartë angazhimin dhe përkushtimin e ndjekësve tuaj në mediat sociale.
Read More