Së shpejti do publikoj edhe një shkrim mbi disa aplikacione të cilat ju ndihmojnë të menaxhoni më mirë detyrat e përditshme. Por ndërkohë, desha t’ju tregoj për njërin prej tyre – ToDoIst, të cilin kam vite që e përdor.
Ky aplikacioni i vogël, por i fuqishëm, më ka ndihmuar që të menaxhoj morinë e madhe të detyrave të vogla, që duhen përmbushur çdo ditë apo sipas projektit përkatës.
Rishtazi, kompania kishte dërguar një email i cili ishte në formën e një prezantimi që ofronte një rishikim të arritjeve të çdo përdoruesi të këtij aplikacion, sipas statistikave për vitin 2014.
U habita disi por edhe u kënaqa që në një farë mënyre ky aplikacion i vogël më kishte lejuar të arrija ca gjëra që, kur i sheh në akumulative, duken disi më të mëdhaja!
Personalisht e preferoj shumë këtë aplikacion pasi ka një ndërfaqe të njëjtë në të gjitha platformat bazë qofshin këto kompjuterike po ashtu edhe mobile, dhe rrjedhimisht është i lehtë për t’u orientuar.
Aplikacioni është fantastik kur bëhet fjala për të krijuar lista me detyra apo zëra brenda një projekti apo aktiviteti të caktuar, të cilat më pas mund t’i skedulosh me data, ti filtrosh sipas prioriteteve, etj., etj. Nuk është se dua t’i bëj reklamë më shumë se sa kaq, por thjesht t’ju nxis ta provoni edhe vetë.
Kur fillova ta përdor në fillim, nuk isha edhe aq i zhdërvjellët dhe i ambientuar me opsionet që ofronte, por mbas disa vitesh them se ia kam marrë dorën, të paktën sipas tyre konsiderohem ‘ekspert’!
Këto janë disa photo nga vetë prezantimi që më kishin dërguar.
P.sh. sipas statistikave të ToDoIst, profili im renditej në 3% e përdoruesve më prodhimtarë. Ndërkohë, që vetëm gjatë vitit 2014 kisha përmbushur plot 1,197 detyra diçka te 3.3 detyra çdo ditë.
Linku direkt: Rezultatet e mia sipas ToDoist 2014
Nëse ju keni ndonjë aplikacion tjetër të preferuar, atëherë mos nguroni të ndani mendimet/përshtypjet tuaja me lexuesit e tjerë nëpërmjet komenteve këtu poshtë.
Ju faleminderit.