Mbarimi i shkollës, për shumicën e njerëzve, është pikërisht momenti kur lirohesh nga aspekti teorik i gjërave dhe mund të fokusohesh te puna apo rritja në karrierë. Por nëse dëshiron të ecësh përpara, “me hapin e kohës”, atëherë nevoja e edukimit të vazhdueshëm është e pashmangshme! Ekonomia e tregut, konkurrenca në rritje, hapja e kufijve, rritja e biznesit, ngritja në karrierë, përfitimi i aftësive të reja, etj., etj., janë të gjithë faktorë që e bëjnë edukimin e vazhdueshëm të domosdoshëm, ndryshe, ngeleni në vend.
Aktualisht tregu shqiptar është tejet i mbushur me universitete dhe qendra që ofrojnë kurse, diploma e madje edhe letra pa vlerë. Ekzistenca e kaq shumë “institucioneve arsimore” vjen si rrjedhojë edhe e kërkesës së lartë për edukim, por kjo kërkesë nuk gjen gjithmonë përgjigje cilësore apo specifike për nevojat në rritje që mund të keni ju si profesionist apo edhe vetë biznesi/kompania në të cilën punoni.
Një barrierë tjetër mund të jenë edhe kostot relativisht të larta të edukimit, por edhe kjo pengesë ka një mori zgjidhjesh të cilat bëhen gjithnjë e më të aksesueshme falë internetit dhe teknologjive të komunikimit masiv.
Në këtë shkrim do desha t’ju prezantoj me disa prej faqeve/shërbimeve të edukimit online të cilat janë shtuar jo vetëm në numër por edhe në cilësi dhe ofrojnë një gamë në rritje kursesh dhe trajnimesh kryesisht falas por edhe me mundësi certifikimi. Që nga viti 2011, një numër në rritje universitetesh prestigjioze vazhdojnë t’i qasen tregut duke ofruar ato që teknikisht quhen “MOOCs” (Masive Open Online Courses) – Kurse Masive të Hapura Online – “KMHO”. Kjo nënkupton se këto kurse mund të aksesohen tërësisht online dhe janë të hapura për këdo që dëshiron t’i marrë.
Ndonëse kurset apo materialet edukative online nuk janë diçka e re, KHMO-të janë një fenomen i ri, që i pati fillesat në SHBA, në gjysmën e dytë të vitit 2011, nisur nga një numër universitetesh prestigjioze dhe që atëherë vazhdon të rritet shpejt.
Nga këndvështrimi i sistemit arsimor shqiptar, këto lloj kursesh janë një mënyrë shumë e mirë për t’u ekspozuar ndaj sistemit arsimor perëndimor si dhe për shfrytëzuar literaturën bashkëkohore që përdoret në mjaft prej institucioneve më prestigjioze të arsimit në botë. Gjithashtu, shumë prej këtyre faqeve ofrojnë mundësinë e certifikimit apo fitimit të krediteve akademike.
Personalisht kam shfrytëzuar disa prej këtyre KHMO-ve, ndaj edhe mund të flas pak më gjatë për to këtu, ndërkohë që në fund do të gjeni edhe një listë (nga Wikipedia) me ofrues të ngjashëm.
Coursera (Coursera.org)
Që vitin e kaluar kam ndjekur disa kurse rresht dhe deri tani jam mjaft i kënaqur me cilësinë e kurseve si dhe formatin që ato prezantohen (kanë edhe disa apps për Android dhe iPhone). Kurset që ofrohen përfshijnë fusha si: artet, biologjia, biznesi & menaxhimi, kimia, inteligjenca artificiale, inxhinieria kompjuterike, sistemet & siguria, ekonomia & financa, arsimi, energjia, inxhinieria, juridiku, matematika, mjekësia, muzika, fizika, shkencat shoqërore, etj., etj.
Gjithashtu, Coursera ofron edhe gamën më të madhe të kurseve në gjuhë të huaja (përvec anglishtes) si p.sh. në kinezçe, frëngjisht, rusisht, spanjisht, portugalisht, turqisht, gjermanisht, ukrainçe, arabisht, italisht, japonisht, etj.
Khan Academy (KhanAcademy.org)
Kjo ishte edhe platforma e parë e hapur online që pata kënaqësinë ta shfrytëzoj disa herë sidomos për video të shkurtra mbi koncepte bazë nga financa, marketingu, bankat, etj. Ofron shumë kurse të nivelit fillestar dhe të mesëm dhe disa më të avancuara.
EdX (EdX.org)
Deri tani jam regjistruar vetëm në dy kurse, por nuk i kam përfunduar ato. Struktura e mësimit është shumë e ngjashme me Coursera, por ndërkohë EdX nga shtatori 2013 ka filluar një bashkëpunim të ngushtë me Google.com që sigurisht do bëjë që të përmirësohet cilësia e ofrimit të kurseve nga shumë prej universitetet më prestigjioze në Amerikë dhe në botë.
Kurset ofrohen nga MITx, HarvardX, BerkeleyX, UTx dhe shumë universitete të tjera. Degët përfshijnë biologji, biznes, kimi, shkenca kompjuterike, ekonomi, financë, elektronikë, inxhinieri, merceologji, histori, juridik, letërsi, matematike, mjekësi, muzikë, filozofi, shkenca, statistikë dhe shumë të tjera.
Më poshtë do të gjeni një listë të disa shërbimeve kryesore të arsimimin online:
OFRUESI | KATEGORIA | INSTITUCIONE PJESEMARRESE |
Coursera | Me & pa pagesë | Wharton School, University of Virginia, Stanford University, University of Tokyo, |
iversity | Pa pagesë | Universidad Autonoma de Madrid, University of Florence, University of Hamburg |
edX | Pa pagesë | MIT, Harvard University, UC Berkeley, Kyoto University, Peking University, University of Queensland |
ALISON | Me pagesë | n/a |
Canvas Network | Me pagesë | Santa Clara University, University of Utah, Université Lille 1 |
OpenLearning | Me pagesë | University of New South Wales, Taylor’s University, University of Canberra |
Udacity | Me pagesë | n/a |
Academic Earth | Pa pagesë | UC Berkeley, UCLA, University of Michigan, Oxford University |
FutureLearn | Pa pagesë | Open University, Monash University, Trinity College, Dublin, Warwick University |
Peer to Peer University | Pa pagesë | n/a |
Khan Academy | Pa pagesë | n/a |
Saylor.org | Pa pagesë | n/a |
Udemy | Me pagesë | n/a |
World Education Portals | Pa pagesë | University of Helsinki, Florida State University, Texas A&M University |
Kjo sigurisht nuk është listë e plotë, ndaj ju ftoj që të ofroni sugjerimet dhe komentet tuaja për faqet e ndryshme që njihni apo keni përdorur vetë.
Ideja është e drejtë.Interneti ofron mundësi të mira kualifikimi dhe formimi profesional.Kjo përsa i përket perëndimit dhe jo vetëm.Te rai shohim vazhdimisht leksionet e uninettuno që i thonë dhe universita telematika.Ëshhtë edukim online për një gamë profesionesh dhe që vlen dhe për vende si algjeria ,maroku etj.Nuk e kuptoj pse këtë inisiativë nuk e kanë shtrirë dhe te ne.
Ajo që do të vëreja është vetëm se si mund të futen njerëzit në tregun e punës pasi të jenë çertifikuar (nëse) nga këto lloj kursesh.
Shume interesante!
Ju falenderoj per mundesine per te njohur keto adresa !
Gezohem qe po lexoj nje faqe vertet krijuse dhe e vlefshme,me keshilla reale dhe efikase.
Urimet e mia per punen tuaj !
Mu duk sikur bashkebisedova :)…e jo thjesht lexova temat tuaja!
Ndihem entuziaste
Ju faleminderit 🙂