Naill Ferguson është një historian i mirënjohur britanik dhe profesor i politikës dhe ekonomisë në universitetin e Oxfordit. Në këtë prezantim për TED, ai argumenton arsyet pse perëndimi dhe kultura e perëndimit kanë arritur që të sigurojnë një rritje mirëqenie (prosperiteti) në këto shekujt e fundit që e dallojnë nga të gjitha pjesët e tjera të botës. Prezantimi është përmbledhje e njërit prej mbi dhjetë librave të tij.
Prezantimi fokusohet te gjashtë ide të mëdha të cilat kanë sjellë pasurimin, qëndrueshmërinë (stabilitetin) dhe risitë (inovacionin) në vendet perëndimore. Por mbi të gjitha ai thekson faktin se këto ide janë mjaft të kopjueshme dhe të realizueshme nga çdo vend tjetër i botës.
Gjashtë idetë e mëdha të mirëqenies së perëndimit janë:
- Konkurenca
- Revolucioni shkencor
- E drejta e pronës
- Mjekësia moderne
- Shoqëria konsumatorë
- Etika e punës
Për mua ishin shumë interesante argumentet që ai ka zgjedhur për të mbështetur gjashtë idetë që ai prezanton. Sigurisht, që libri i tij është më i shtjelluar dhe i argumentuar më gjerësisht.
P.sh. kur flet për “konkurrencën” dhe e prezanton atë si koncept i aplikuar në politikë, ai shpjegon se si vende, si p.sh. Anglia e dy shekujve më parë, kishin konkurrencë politike brenda-për-brenda, gjë që binte në kontrast të thellë me vende si kina ku sistemi politik ishte monolit dhe i pandryshueshëm. Mungesa e një sistemi politik që është i hapur ndaj konkurrencës ndikon direkt në prurjen e ideve të reja dhe sigurisht edhe ofrimin e alternativave më të mira për zhvillimin e vendit.
Për sa i përket “revolucionit shkencor” Naill e ilustron nëpërmjet zhvillimeve shkencore dhe matematikore të cilat kishin aplikime praktike në shumë aspekte të operimit të një vendi. Shembulli i përdorur ishte libri i një matematikani që studionte cilësitë balistike për krijimin e një topi ushtarak. Ky studim çoi në përmirësimin e topit dhe rrjedhimisht suksesit ushtarak të atij vendi.
Për sa i përket “të drejtës së pronës” Naill e vendos këtë të drejtë edhe mbi konceptin e “sundimit të ligjit” pasi pa të drejtën e pronës nuk ka zhvillim. Argument i tij sigurisht të bën të mendosh për rastin e Shqipërisë dhe/apo abuzimit me të drejtën e pronës që sigurisht ka ndikuar në zhvillimin e vendit.
“Mjekësia moderne” si shkencë dhe fushë çoi në dyfishimin e jetëgjatësisë së botës perëndimore krahasuar me vendet e tjera të botës dhe shumë avantazhe të tjera.
Koncepti i “shoqërisë konsumatore” në këndvështrimin e Naill-it është pothuajse më i rëndësishëm se vetë zhvillimi teknologjik, si bazë e zhvillimit ekonomik të çfarëdo vendi.
Ndërkohë, për “etikën e punës” ai bën një krahasim mjaft interesant duke përdorur dy argumente: 1) rezultatet e matematikës për 15-vjecarët nga vendet e ndryshme të botës (përfshi këtu edhe Shqipëria, e krahasueshme me Tunizinë) si dhe 2) orët e punës, ku p.sh. koreano-jugorët punonin rreth 1,000 orë më shumë në vit se sa Gjermanët, që lidhet edhe me zhvillimin e dhjetëvjeçarëve të fundit të Koresë jugore.
Gjithsesi, ju sugjeroj ta shihni disa herë këtë prezantim pasi besoj se aplikimet dhe lidhja e tyre me biznesin është jo thjeshtë teorike, por shumë praktike. Për ata më të interesuarit, sigurisht sugjerohet leximi i librit “Civilization: The West and the Rest” që nisa ta lexoj edhe vetë.
Diskutimin e Facebook mund ta ndiqni edhe ketu: