Dy karakteristikat e marketingut të suksesshëm

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente3772 lexime


Vs. marketingut ‘alla shqiptarçe’!

Marketingu i suksesshëm minimalisht synon të ndërtojë marrëdhënie nëpërmjet komunikimit me disa kanale dhe kontaktit të rregullt e të vazhduar (kundrejt marketingut sporadik, me rast festash)! Këto dy karakteristika besoj se e dallojnë shumë nga marketingu sporadik apo ‘alla shqiptarçe’ që zhvillohet gjerësisht në tregun shqiptar. Duhet të pranojmë se prirja është drejt përmirësimit, por sigurisht që mbetet ende mjaft punë për të bërë.

Në tregun shqiptar ka mjaft agjenci të vogla dhe të mëdha që ofrojnë shërbime “marketingu” por në fakt bëjnë thjesht promovim (reklamë). Atyre nuk u interesojnë klientët tuaj dhe aq më pak synojnë t’ju ndihmojnë të ndërtoni një marrëdhënie të shëndetshme me ta. Fundja kjo është përgjegjësia juaj dhe nëse ju zgjidhni t’i bini për shkurt duke i shpartalluar klientët tuaj (qofshin ekzistues apo potencialë) me reklama fushate, kjo sigurisht që mbetet në dorën tuaj!

Marketingu i suksesshëm, nuk orientohet thjesht nga reklama, por drejt marrëdhënies!

Në thelb, askush nuk bën biznes me produktet apo shërbimet që ju ofroni, ata bëjnë biznes me ju! Ata, klientët, fiksojnë ‘brandin’ tuaj dhe krijojnë marrëdhënie besimi me njerëzit që e përfaqësojnë atë. Është thjesht njerëzore dhe bazohet te marrëdhënia e besimit! Në këtë rast, besimi fokusohet te ‘brandi’ juaj dhe nëse ju e abuzoni marrëdhënien tuaj me klientët, atëherë aq më të lehtë do ta kenë ata që ta neglizhojnë marrëdhënien me ju apo t’ju shmangin tërësisht!

 

Pse vendosa të shkruaj për këto dy karakteristika të marketingut?

Pak ditë më parë “Shyqyriu” më kishte shkruar në Inbox-in e Facebook-ut për të kërkuar tarifat e fushatës me email marketing për një shërbim e-commerce. Dukshëm ishte një kërkesë urgjente ( dërguar në ora 20:54) pasi pak minuta më vonë nuk vonoi as telefonata nga i njëjti person!

Më konkretisht, kërkesa ishte për tarifën e shërbimit për një fushatë promovuese me email drejt 100,000 adresave që duhet të zgjaste 7-10 ditë!

Qartazi, personi që kishte telefonuar nuk e kishte marrë mundimin të lexonte ndonjë nga shkrimet që shpjegojnë qëndrimin e deklaruar kundër promovimit me adresa email të vjedhura, apo siç njihen ndryshe me mesazhe SPAM. Këto lloj shërbimesh janë mjaft tërheqëse për ato biznese që bëjnë marketing ‘alla shqiptarçe’ dhe kujtojnë se do e rrisin vlerën e emrit/brandit të tyre apo do të shesin produkte duke bërë SPAM. Fakti mbetet që është tërësisht gabim dhe normalisht duhet të jetë plotësisht ‘e paligjshme’ edhe pse në Shqipëri ky është ende një koncept i huaj!

Pa shprehur kahje politike, por thjesht si shembull, marketingu ‘alla shqiptarçe’ është sipas modelit të partive politike. Ky model orientohet nga një lloj strategjie marketingu që thotë: “NE bëjmë fushatë sa herë kemi nevojë për votat tuaja dhe do t’ju bombardojmë me reklama dhe fushata deri sa të na e jepni! Fundja, nuk ju duam për gjë tjetër!!!”

Biseda telefonike me personin e sipërpërmendur ishte e shkurtër, por me aq sa munda i sugjerova që buxhetin ta shfrytëzonte për të ofruar reklama të shënjestruara (targetuara) në Facebook ose diku tjetër online.

 

Çfarë do sugjeroja po të kisha pasur pak më tepër kohë?

Marketingu nuk mund të kufizohet vetëm në një kanal si p.sh. marketingu me email, por duhet të shfrytëzojë të gjitha kanalet kryesore bazuar mbi vendndodhjen e audiencave që ju po shënjestroni. Thënë ndryshe, biznesi/organizata juaj duhet të jetë rregullisht e pranishme me synim ndërtimin e një marrëdhënie të vlefshme me audiencën tuaj. Në botën dixhitale kjo gjë arrihet duke shfrytëzuar të gjitha kanalet ku audienca juaj ndodhet.

Kostot e komunikimit/promovimit janë sigurisht një sfidë që ju kufizon disi, por me ardhjen e ‘mediave sociale’ kjo sfidë tashmë është më tepër çështje menaxhimi se sa kufizimi financiar. Pra, nëpërmjet mediave sociale dhe kanaleve të ngjashme virtuale ju keni mundësi të jeni të pranishëm me audiencën e synuar njësoj si kompanitë e mëdha me buxhete të mjaftueshme. Ndaj, sfida mbetet menaxhimi!

Eksperienca ka treguar se reklamat online janë gjithmonë më të lira dhe shpesh më efikase si forma marketingu. Gjithashtu, eksperienca e marketierëve më të mirë në botë ka treguar që reklama apo fushata juaj duhet të jetë sa më e shënjestruar (targetuar) sipas audiencës së synuar. Ndaj, nëse nuk e keni menduar ende atëherë mund të filloni të konsideroni disa alternativa:

  • reklamat në faqe të ndryshme online (gazeta, revista, etj. sipas audiencës);
  • reklamat me Google Ads;
  • reklamat me LinkedIn;
  • reklamat me Facebooks Ads (që e përmendëm);
  • reklamat në spotet WIFI nëpër qytetet kryesore (na kontaktoni për më shumë info);
  • marketing me email me listën që ju ndërtoni vetë;

Në përfundim!

Në përfundim, dyshoj se situata që përmenda pak më sipër ishte më tepër një çështje e lënies së gjërave në momentin e fundit dhe sigurisht e modelit ‘alla shqiptarçe’! Nuk ishte aspak e shënjestruar dhe sigurisht nuk kishte për synim të ndërtonte një marrëdhënie me ata 100,000 klientë potencialë që do të bezdiste!

Personalisht mbetem mbështetës i mirëfilltë i marketingut me email (email marketing) dhe besoj se po të përdoret siç duhet, atëherë mund t’i sjellë mjaft avantazhe jo vetëm biznesit/organizatës tuaj por mbi të gjitha marrëdhënies afatgjatë me klientët tuaj. Por, marketingu me email është vetëm një pjesë e atij që mund të quhet marketing i suksesshëm! Marketingu i suksesshëm minimalisht synon të ndërtojë marrëdhënie nëpërmjet komunikimit me disa kanale dhe kontaktit të rregullt e të vazhduar!

Nëse e mendoni ndryshe, jeni gjithnjë më se të mirëpritur që të jepni komentet/sugjerimet tuaja më poshtë. Do i mirëprisnim edhe eksperiencat tuaja.

Nëse keni ndonjë pyetje më specifike mos nguroni të na kontaktoni direkt!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

SEO: 12 arsye pse lidhjet thyehen (broken links) dhe 14 mënyra si mund t’i riparoni ato për faqen tuaj!

SEO: 12 arsye pse lidhjet thyehen (broken links) dhe 14 mënyra si mund t’i riparoni ato për faqen tuaj!

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore
Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal
Total Installment Payments
Bundle Discount

 
>