Psikologji – Ndoshta secili prej nesh e ka bërë dikur këtë pyetje, kur ka parë se njerëzit e suksesshëm bëjnë me dije sukseset e punës së tyre apo kur vetë puna flet për përpjekjet e tyre; pyetja është e justifikuar: Si ia dalin pra këta njerëz? – Një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje tashmë duket se e ka gjetur blogerja amerikane Suzanne Gelb
Si ia dalin ata në fakt? – Ndoshta secili prej nesh e ka bërë dikur këtë pyetje, kur ka parë se njerëzit e suksesshëm bëjnë me dije sukseset e punës së tyre apo kur vetë puna flet për përpjekjet e tyre; kur shihet se menaxhojnë shumë projekte, se punojnë pa pushim, sa kohë marrin për të kryer studimet e se sa të dhënë janë pas punës e suksesit.
Siç ndodh për shembull me të famshmin e fushës së modës, Karl Lagerfeld. Ai lexon sipas thënieve të veta, nga një libër çdo ditë. Ju nuk keni lexuar gjatë gjysmës së vitit të fundit asnjë libër? Apo, ndoshta edhe po?
Të tjerë menaxherë të mëdhenj shkojnë pas pasioneve të tyre e të tjerë angazhohen në drejtimin social. Por edhe në rrethin e të njohurve tuaj mund të ketë gjithashtu disa raste: miku apo shoku, shoqja apo fqinji që menaxhon një biznes të vetin dhe që nga ana tjetër shkruan mbresat apo mendimet në një blog personal – pa harruar të përmbushë detyrimet si një baba shembullor apo një nënë klasike.
Po, pyetja është e justifikuar: Si ia dalin pra këta njerëz të suksesshëm?
Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje tashmë duket se e ka gjetur këshilltarja për karrierat profesionale, amerikania Suzanne Gelb në njërin ndër blogjet ku ajo shkruan. Ajo në SHBA është një lloj trajnere për temat që trajtojnë rubrikën “Lifestyle” dhe shkruan ndër të tjera edhe për platformën e mirënjohur ndërkombëtare “Huffington Post”. Intervistat e saj publikohen në revistat e mëdha si “Time” apo “Newsweek”.
Zonja Gelb ka bërë gati pesë këshilla për ditën e punës që ndjekin njerëzit e suksesshëm e që mund ta “imitojnë” të gjithë ata që e gjejnë motivin, duke arritur shumë më tepër sesa një mediokër që thjesht plotëson tetorëshin dhe ikën në shtëpi në fund të ditës.
-
Përqendrohuni
Në shikim të parë duket sikur kjo këshillë nuk duket shumë surprizuese. Por çfarë mendon Gelb me këtë: përqendrohuni. Sportistët për shembull, thonë se janë të përqendruar 100% te gara.
Nga kjo lind dhe pyetja, se çfarë duhet bërë ndaj papërqendrueshmërisë? Gelb në këtë rast këshillon që të thuash me zë të lartë “Unë jam sërish këtu” – për aq kohë, sa të gjitha çorientimet apo shpërqendrimet të harrohen. Një masë sjelljeje që bie pak më pak në sy është të kemi një balancë më të mirë mes gjumit dhe aktivitetit sportiv. Ekspertë të tjerë këshillojnë më shumë përqendrim, një klimë më të këndshme në zyrë, ndriçim të mjaftueshëm, më shumë lëvizje – dhe, sigurisht, edhe kafe.
-
Shmangni fenomenin “multitasking”
Nëse përqendrimi absolut është vendimtar që t’i kushtohemi 100 për qind një çështjeje, atëherë i ashtuquajturi “multitasking” është helm. Problemi: në ditët e sotme është thuajse e vetëkuptueshme dhe është bërë e ditës që të bëjmë shumë gjëra në të njëjtën kohë. T’u japësh përgjigje email-eve, të shpërndash këshilla për kolegët e t’u kalosh me SMS përgjigjet për pyetjet që bëjnë herë pas here fëmijët.
Gelb shkruan se “multitasking” çon në humbje të vëmendjes e largim nga fokusi i detyrës kryesore. Këtë ndërkaq e mendojnë edhe menaxherët e nivelit të lartë që punojnë në kompaninë Google.
“Përveç kësaj, ne kemi nevojë për më shumë kohë për të plotësuar disa detyra, kur kryejmë në të njëjtën kohë pra shumë gjëra”, shkruan zonja Gelb. Nëse i kryejmë ato një e nga një, atëherë gjërat bëhen më shpejt. Veç kësaj, në këtë rast bëjmë më pak gabime. Gelb rekomandon si kundërmasë ndaj këtij fenomeni, që celularin apo smartin tonë ta vendosim në opsionin pa zë për disa orë ose ta lëmë të zhduket në një sirtar, sikur të mos ekzistonte.
Revista ekonomike “Bloomberg Businessweek” për fenomenin e “multitasking”-ut jep këtë këshillë: Kryeni detyrën më të vështirë qysh në mëngjes e jo të shpërndarë gjatë ditës. Kështu është e garantuar që të jeni me kokën e ftohtë në punë e të mos ia nisni gjithnjë nga e para.
-
Injoroni bisedat edhe me kolegun që “ua var më shumë”
Ai është kolegu më i këndshëm dhe që gjithnjë do të gjejë kohë t’ua vërë veshin. Por kur ai ka një pyetje, atë e bën gjithnjë në momentin më të papërshtatshëm. Suzanne Gelb e sheh këtë si pikën e saj të tretë, që na e largon shpesh vëmendjen nga puna dhe që na kushton një kohë shumë të kushtueshme.
Dhe Gelb citon një numër të konsiderueshëm për të ilustruar pikëpamjen e saj: mesatarisht zgjat 23 minuta, derisa t’i përkushtohemi sërish të njëjtës detyrë, pasi e kemi ndërprerë vëmendjen ndaj saj. Njerëzit e suksesshëm e dinë këtë. Për këtë arsye, dyert e zyrave të kryemenaxherëve zakonisht janë të mbyllura.
Gelb u rekomandon të gjithëve se nuk janë shumë lart në hierarki, që për disa orë në ditë të kërkojnë një moment reflektimi në punë.
-
Kërkoni shembuj frymëzues
“Nëse ti je njeriu më i zgjuar në atë zyrë, atëherë t’i gjendesh në zyrën e gabuar”, shkruan Gelb. Këshilla e saj: orientohuni te njerëzit që ju japin energji, që ju tregojnë se si bëhen gjërat dhe që ju frymëzojnë.
Për një avantazh tjetër të të rrethuarit nga njerëz që ju frymëzojnë, shkruan edhe eksperti i menaxhimit, Harvey Deutschendorf: Njerëzit e suksesshëm me të cilët rrethoheni, nuk ju japin vetëm një ndjesi të mirë mbi atë se cilat synime duhet të arrihen. Në bisedë me ta, shkruan ai, lindin edhe ide, se si të përmbushen më mirë e më shpejt detyrat. Një hap më tej për të arritur më shumë.
-
Shmangni emocionet negative
“Njerëzit e suksesshëm dinë si t’i trajtojnë emocionet negative dhe si t’i shmangin situatat bllokuese”, shkruan Gelb. Pasi kur je me “hënë të keqe” pasojat do të jenë frustracioni, lodhja e rraskapitja, e atëherë përqendrimi ka pësuar një goditje. Kush dëshiron të jetë i suksesshëm, duhet t’i kanalizojë emocionet e t’i tejkalojë ato. Qoftë me anë të sportit, meditimit apo në biseda me një psikolog.
Secili prej nesh, natyrisht se ka një strategji tjetër për ta çmontuar stresin që shkakton frustracioni. Nëse ajo funksionon, nuk është e vështirë të dalësh prej kësaj situate pastaj: pas aktivitetit përkatës, duhet të ndihesh më mirë e më i lehtësuar. Vendimtare është që të mos i mbash ndrydhur për një kohë të gjatë ndjenjat negative, derisa ato të të paralizojnë gjithë trupin dhe mendjen.