Përse ta kaloni jetën me një profesion që nuk i përshtatet tipit të karakterit tuaj? Nëse jeni energjik, përse të mbylleni në zyrë? Nëse do të ishit një avokat i përkryer, përse të bëheni mjek? Zbuloni profesionin tuaj ideal sipas personalitetit
Nëse dëshironi të arrini suksesin më të madh, pa u munduar në punë të cilat nuk janë brenda profilit tuaj, bëni mirë të eksploroni se çfarë dëshironi vërtet nga jeta dhe se çfarë do ishte më i përshtatshëm për personalitetin tuaj.
Ndarjet e personalitetit
Tipat e njerëzve ndahen në dy grupe kryesore: introvertë dhe ekstrovertë. Të parët janë ata persona të mbyllur në vetvete që preferojnë t’i mbajnë mendimet për vete dhe të mos bisedojnë me të tjerët. Këta njerëz kanë zakonisht pak miq, sepse nuk janë shumë të shoqërueshëm. Ata preferojnë më shumë të punojnë vetëm, ose në grupe të vogla. Që të arrijnë suksesin, këta persona duan të punojnë të qetë dhe në paqe.
Nga ana tjetër, ekstrovertët janë krejt të kundërt. Ata janë ‘alfat’ e shoqërisë, pëlqejnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe i ndajnë mendimet e tyre me të tjerët. Këta persona janë shumë energjikë, preferojnë shumëllojshmëri detyrash dhe mund të bëjnë shumë gjëra njëherësh.
Në lidhje me mënyrën si çdokush e merr informacionin, ekziston një ndarje tjetër. Në njërin krah qëndrojnë personat e ndjeshëm, këta janë realistë, pëlqejnë të përqendrohen mbi detajet dhe faktet, gjithashtu kombinojnë praktikën me përvojën.
Në krahun tjetër janë intuitivët. Ata preferojnë të përqendrohen te mundësitë dhe korniza kryesore, vlerësojnë të renë dhe krijojnë zgjidhje për problemet.
Në lidhje me marrjen e vendimeve, personalitetet ndahen në dy grupe: mendimtarët dhe zemërndjekësit. Të parët priren t’i marrin vendimet në bazë të logjikës, objektivitetit dhe llogaritjes së të mirave dhe të këqijave. Zemërndjekësit janë persona të ndjeshëm, bashkëpunues, i marrin vendimet në bazë të vlerave të tyre dhe të mënyrës sesi do të ndihen të tjerët.
Në lidhje me organizimin, njerëzit ndahen në dy kategori: gjykuesit dhe perceptuesit. Të parët pëlqejnë të jenë të organizuar dhe të përgatitur. Ata bëjnë një plan dhe i qëndrojnë besnik. Gjithashtu preferojnë të ndjekin rregullat. Perceptuesit e mbajnë mendjen e hapur për çdo ide, ata duan të veprojnë natyrshëm dhe bëjnë plane fleksibël.
Profesionet
Realistët që marrin shpejt vendime praktike, ose ndryshe ekstrovertët e ndjeshëm, mendimtarë dhe që mbështeten mbi logjikë, janë shumë të aftë të bëjnë punë si agjentë shitjesh, farmacistë, avokatë, menaxherë projektesh dhe gjykatës.
Ata që punojnë shumë dhe që vlerësojnë përgjegjësitë dhe zotimet e tyre, ose ndryshe introvertët e ndjeshëm, që marrin vendime në bazë të logjikës e që ndjekin rregullat, përshtaten më mirë në punë si revizor, llogaritar, shef finance, inxhinier kompjuterik dhe nëpunës shtetëror.
Tradicionalistët që janë të prirë të ndihmojnë të tjerët, e gjejnë veten në punë si përfaqësues shitjesh, infermierë, nëpunës socialë, ekspertë të marrëdhënieve me publikun dhe oficerë kredie.
Punonjësit modestë dhe të vendosur për të ndihmuar të tjerët, janë punonjës idealë në punë si dentistë, mësues filloreje, bibliotekarë, pronarë franshize dhe përfaqësues të shërbimit ndaj klientit.
Pragmatistët që pëlqejnë të përballen me sfida, duhet të punojnë si detektivë, bankierë, investitorë, agjentë sipërmarrje dhe trajnerë sporti.
Njerëzit e drejtë dhe të ndershëm që preferojnë veprat në vend të fjalëve, do ta gjenin veten shumë mirë si inxhinierë civilë, ekonomistë, pilotë, analistë të të dhënave të komunikimit dhe mjekë të dhomave të emergjencës nëpër spitale.
Njerëzit e afrueshëm dhe të sjellshëm që duan t’i ndihmojnë njerëzit në mënyra direkte, kanë si profesion ideal stilimin, fizioterapinë, terapinë e masazheve, arkitekturën e peizazhit dhe magazinimin.
Liderët e lindur që analizojnë me logjikë dhe planifikojnë mirë strategjitë, duhet të punojnë si drejtues, avokatë, analistë të kërkimeve të marketingut, këshilltarë biznesi dhe kapitalistë sipërmarrjesh.
Ata që janë të dhënë pas perfeksionit, që janë krijues nga natyra dhe që duan t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre, janë shumë të aftë si bankierë investimesh, këshillues financiarë personalë, zhvillues softuerësh, ekonomistë dhe drejtues.
Njerëzit që i duan të tjerët, që janë energjikë dhe me sjellje diplomatike, janë shumë të zotë të punojnë si drejtues reklamash, specialistë të marrëdhënieve me publikun, trajnerë, menaxherë shitjesh dhe specialistë punësimi.
Mendimtarët dhe krijuesit me principe të forta dhe integritet profesional, duhet ta orientojnë karrierën drejt punëve si këshilltarë të shëndetit mendor, punonjës socialë, menaxherë punësimi, këshilltarë organizativë dhe menaxherë të marrëdhënieve me klientin.
Personat krijues që ndërmarrin sfida të reja e gjejnë veten në profesione si sipërmarrës, zhvillues të pronave të paluajtshme, drejtorë krijues të reklamave, drejtorë marketingu dhe politikanë, ose këshilltarë politikë.
Ata që i zgjidhin problemet vetëm dhe në mënyrë të pavarur, kanë favore në punë si programues kompjuterikë, analistë financiarë, arkitektë, profesorë dhe ekonomistë.
Tipat krijues, plot vetëbesim dhe që shohin kudo mundësi, kanë prirje të lindura për punë si gazetarë, drejtorë të krijimit të reklamave, këshilltarë, sipërmarrës restorantesh dhe planifikues eventesh.
Së fundmi, idealistët e ndjeshëm, të motivuar nga vlerat e thella personale, duhet të punojnë si dizenjues grafikë, psikologë, terapistë, shkrimtarë/redaktorë, trajnues stafesh dhe fizioterapistë.
I.D.
*Marrë nga Business Insider