Më bëri përshtypje që kur e lexova dhe ndaj desha t’ju ofroj edhe juve sugjerimin e një mikut tim nga universiteti – Joel Wilson – i cili në një shkrim të mëhershëm shprehet kështu:
“Sfida e publikimit online nuk qëndron te:
- Zgjedhja e kompozimit grafik
- Zbukurimi i faqes
- Shtimi i funksioneve (widgets)
- Konceptimi super i qartë
Vështirësia kryesore është vendimi për të publikuar. Krijimi i një shkrimi/postimi dhe publikimi i tij online. Mposhtja e frikës që ajo çfarë ke shkruar do të dalë në dritë!
Madje nuk ka të bëjë as me përsosmërinë. Por vetë akti i krijimit të diçkaje fillon atë që quhet “momentum” – lëvizje e cila më pas, me kalimin e kohës, sjell përmirësimin e asaj çfarë publikon në vazhdim.”
Më tej ai përmend rastin e dy mjeshtrave të marketingut – Seth Godin dhe Bob Lefsetz të cilët prej vitesh postojnë nëpër faqet e tyre dhe nuk kërkojnë thjesht të bëjnë një fushatë të suksesshme por të ndërtojnë një marrëdhënie me lexuesin e tyre.
Personalisht, sfida ime me këtë faqe është të shkruaj diçka të re çdo javë, pra një shkrim të ri. Dhe ndonëse nuk kam mundur t’i përmbahem 100% këtij objektivi, por falë ndihmës së miqve dhe mbështetësve besoj se do ta tejkaloj këtë objektiv.
Po për ju, cila është sfida më e madhe për sa i përket publikimit online?